Blerim Latifi: Rruga e Milibandëve - nga Teoria Kritike te Pavarësia e Kosovës

2h më parë

Prof. Blerim Latifi:

Këtu e 20 vjet më parë, për gati një vit, jam pas marrë me shkollat e asaj që në literaturën filozofike quhet “marksizmi perëndimor”.

Tri ishin shkollat kryesore që më interesonin: ajo gjermane, e lidhur ngushtë me Teorinë Kritike të Shkollës së Frankfurtit, ajo franceze, e lidhur me marksizmin strukturalist të Louis Althusser-it, dhe shkolla britanike e marksizmit kulturor, e cila u zhvillua përmes studimeve kulturore dhe analizës së ideologjisë, medias dhe formave të pushtetit.

Brenda kësaj tradite të fundit dalloheshin disa prej emrave më të rëndësishëm: Stuart Hall, Raymond Williams, Perry Anderson dhe Ralph Miliband. Nga këta të katërt ende jeton vetëm Perry Anderson, vëllai i studiuesit të famshëm të nacionalizmit, Benedikt Anderson, i njohur për veprën e tij tanimë klasike për kombet si komunitete imagjinare.

Ralph Miliband njihet me veprën e tij “Shteti në shoqërinë kapitaliste"(1969), ku ai zhvilloi një analizë marksiste të shtetit kapitalist, duke argumentuar se institucionet politike, pavarësisht formës demokratike, priren të funksionojnë brenda strukturave të pushtetit ekonomik dhe të riprodhojnë marrëdhëniet klasore.

Kjo traditë intelektuale ka pasur një ndikim të madh në formimin ideologjik të së majtës britanike dhe në veçanti në debatin brenda Partisë Laburiste.

Deri në periudhën e Tony Blair-it, shumë nga këto ide ushqyen kulturën politike të së majtës laburiste. Megjithatë, Blair u ndikua më shumë nga sociologjia politike e Anthony Giddens-it dhe nga teoria e tij e “Rrugës së Tretë”, e cila synonte një ndërthurje mes tregut, drejtësisë sociale dhe reformimit të shtetit social, duke u distancuar nga marksizmi klasik.

Ralph Miliband vdiq në vitin 1994, në një periudhë të vështirë për idetë e së majtës, pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore dhe krizës së madhe të traditës të mendimit marksist.

Megjithatë, dy djemtë e tij, David dhe Ed Miliband, e vazhduan trashëgiminë e tij në politikën praktike britanike, edhe pse në një kontekst krejt tjetër nga ai i babait të tyre.

David Miliband, si Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, luajti një rol të rëndësishëm në diplomacinë britanike për mbështetjen e procesit të pavarësimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të ri.

Kur një ditë të shkruhet historia diplomatike e krijimit të Kosovës si shtet, emri i tij do të përmendet ndër diplomatët perëndimorë më të angazhuar në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjeve për njohjen e saj ndërkombëtare.

Vëllai i tij, Ed Miliband, vazhdoi gjithashtu rrugën politike të familjes Miliband në Britani. Në qeverinë e re laburiste të drejtuar nga Andy Burnham, ai është emëruar në të njëjtin post të Sekretarit të Jashtëm që kishte mbajtur vëllai i tij David rreth dy dekada më parë.

Kjo përbën një rast të rrallë në politikën britanike: dy vëllezër, bij të teoricienit marksist Ralph Miliband, që lidhen drejtpërdrejt me drejtimin e politikës së jashtme britanike në periudha të ndryshme historike.

Megjithatë ata i takojnë linjës politike brenda laburistëve që ka qenë në vazhdimësi më e afërt me orientimin euro-atlantik të politikës britanike dhe me mbështetjen për Kosovën.

Në dallim me këtë traditë është krahu i majtë i Partisë Laburiste i udhëhequr nga Jeremy Corbyn, i cili prej dekadash vazhdon të kritikojë NATO--n,  SHBA- në, ndërhyrjet e saj, shpesh duke rënë edhe në pozicione antisemite.