Xhelal Zejneli: Opera “Mrika” – Gur themeli i artit skenik shqiptar

OPERA “MRIKA” - GUR THEMELI I ARTIT SKENIK SHQIPTAR
Ngjarjet
e operës “Mrika” zhvillohen në vitet ’50. Përshkruhet jeta e një vajze mirditore
dhe e familjes së saj
Mrikën e luante sopranoja Klotilde Shantoja

Opera
shqiptare “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova (1917--1969), me libret të poetit
Llazar Siliqi (Shkodër, 1924 – 2001),
u shfaq në 1 dhjetor 1958 në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Ishte operë në
katër akte. U vu në skenë nga regjisori dhe dramaturgu shkodran Andrea Skanjeti (Shkodër, 1906 - Shkodër, 1992).
Bazë për krijimin e saj ishte vepra "Drite
mbi Shqipëri". Prenka i angazhoi këngëtarët kryesorë: Klotilde Shantoja (Tiranë, 02.10.1930-
), liriken shkodrane Florinda Gjergji (1928-2010), Petrit Garucin, Ndrek Gjergjin (bashkëshorti i Florinda Gjergjit). Kor-maestro të
operës së parë shqiptare “Mrika” ishin
kompozitori Leonard Deda (1927-1993), kompozitori dhe poeti Zef Lekaj (Shkodër, 1924 – 1999)*,
kolosi i etnomuzikologjisë Tonin
Daija (Shkodër, 1927 – 2008) dhe muzikologu nga Shkodra Tonin Zadeja (1926-2011), vëlla i Çesk Zadesë.*
Rolin
e Mrikës e luan sopranoja shkodrane Klotilde Shantoja, Opera u shfaq më 1
dhjetor 1958. Drama muzikore u realizua me sukses nga trupa e Shkodrës. Suksesi
ishte jo vetëm për kompozitorin, por edhe për libretistin Llazar Siliqi, për regjisorin Andrea Skanjeti, për këngëtarët, korin,
valltarët dhe orkestrën. Pesë minuta para se të hapej sipari, Prenk Jakova zuri
vend para orkestrës. Flautisti i parë Tish
Hila (1941-2022), i cili ka qenë edhe argjendar, i dhuron Prenkes një
shkop ari si dhurate nga orkestra. Me
atë natë shkop ari ai e dirigjon operën.
* * *
Opera
“Mrika” u shfaq edhe në Tirane nga
trupa e Teatrit të Operës dhe Baletit (TOB). Interpretuan: sopranoja lirike Marie Kraja (Paluca), (Zarë, Kroaci, 1911 – Tiranë, 1999), këngëtari bas Llukë Kaçaj* (1926 - 2001), këngëtari
bariton Avni Mula* (1928-2026), këngëtari Ibrahim Tukiqi* (Shkodër, 1926 – Tiranë, 2004), Jorgji Velo. Dirigjent ka qenë profesor Mustafa Krantja* (Kavajë, 1921 – Tiranë, 2002).
* * *
Prenk
Jakova është dekoruar me “Urdhrin e Punës të Klasës së Parë” dhe me “Çmimin e
Republikës”. I akordohet edhe titulli “Artist i Merituar” dhe “Nderi i Kombit”.
Duhet cekur se Shkodra nuk i akordoi asnjë titull. Madje as titullin “Nderi i
qytetit të Shkodrës”.
* * *
Në
vitin 1966 Prenk Jakova e fillon punën për operën “Skënderbeu”. Për ketë krijim u bazua në veprën “Historia e Skënderbeut” të historianit
nga Shkodra Marin Barleti (Shkodër,
1450 – Padovë, Itali, 1512). Opera “Skënderbeu”
konsiderohet kryevepër e Prenk Jakovës.
Kur
orkestrimi tanimë kishte filluar dhe bëhej sipas grafikut të përcaktuar nga kompozitori,
vepra
iu nënshtrua kontrollit të regjimit komunist. Prenk Jakova iu kundërvu
të gjithëve që donin të bënin ndryshime apo shkurtime. Ndërhyrje të tilla në
një vepër muzikore nuk kishin ndodhur që nga krijimi i operës së parë të kompozitorit
italian Klaudio Monteverdi* (Claudio
Monteverdi), 400 vjet më parë.
* * *
Në
përgatitjen e operës “Skënderbeu” që
të dorëzohej brenda afatit të kërkuar ndihmoi dirigjenti dhe kompozitori i
muzikës klasike shqiptare Mustafa
Krantja (Kavajë, 1921 – Tiranë, 2002) si dhe
kompozitori Tish Daija* (Shkodër, 1926 – Tiranë, 2003).
Shënime:
- Zef Lekaj (Shkodër, 1924 – 1999) –
kompozitor dhe poet. Më 4 korrik të vitit 1979 në Kuçovë (Qyteti Stalin),
në sallën e kinemasë së qytetit, arrestohet nga regjimi komunist, me akuzën “Agjitacion,
propagandë kundër pushtetit popullor”;
-
Çesk Zadeja (Shkodër, 1927 – Romë,
1997) - kompozitor me prejardhje nga Shkodra. Njihet si “Babai i muzikës shqiptare”. Studioi në
Konservatorin “P. I. Çajkovski” në Moskë.
- Llukë Kaçaj* (Bajzë, Ivanaj, të Kastratit,
Malësi e Madhe, 1926 - 2001), këngëtar
bas. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin “P. I. Çajkovski” të Moskës.
- Avni Mula (Gjakovë, 1928 – Tiranë, 2020) ka qenë kompozitor,
bashkëshort i Nina Mulës*. Studimet
e larta i kreu në Konservatorin “P. I. Çajkovski” të Moskës ku diplomoi për këngëtar lirik.
- Nina Odijankova Mula (Izhevsk,
Bashkimi Sovjetik, 23 nëntor 1931 - Tiranë, 22 dhjetor 2011) - soprano
ruse-shqiptare, bashkëshorte e Avni Mulës. Që të dy janë prindër të këngëtares
soprano Inva Mula (1963- ).
- Ibrahim Tukiqi (Shkodër, 1926 – Tiranë,
2004) ishte këngëtar. Studioi për kanto në Konservatorin “P. I. Çajkovski” të
Moskës, ku diplomua në vitin 1957.
- Profesor Mustafa Krantja (Kavajë, 1921 – Tiranë, 2002) ka
qenë dirigjent dhe veprimtar i muzikës, violinist. Studimet për dirigjent i
kreu në vitin 1950 në Konservatorin e Pragës. Karriera e tij profesionale si
dirigjent u lidh ngushtë me themelimin e institucioneve muzikore, si Orkestra
simfonike e Filarmonisë Shqiptare, Teatri i Operës dhe Baletit, RTSh-ja, dhe
KSh-ja. E ka marrë Çmimin e Republikës. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Nga kryetari i
Republikës Çeke është dekoruar me medaljen “Dvorzhak”.
- Klaudio Monteverdi (Claudio Giovanni Antonio
Monteverdi, Cremona,
Itali, 1567 - Venecie, Itali, 1643) ishte kompozitor italian,
drejtues kori. Pionier në zhvillimin e operës. Konsiderohet figurë vendimtare e
periudhës së Rilindjes dhe Barokut në historinë e muzikës.
- Tish Daija (Shkodër, 1926 – Tiranë, 2003) ishte kompozitor. E
kompozoi baletin e parë shqiptar “Halili
dhe Hajria” që u shfaq premierë më 13 janar 1963. Që atëherë është shfaqur
mbi 250 herë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë. Daija u
shkollua në Konservatorin “P. I. Çajkoski” në Moskë.
* * *
Pas operës së parë “Mrika”
pasuan edhe opera të tjera. Opera e dytë shqiptare është "Pranvera", e kompozuar nga Tish Daija me libret të Llazar
Siliqit. Premiera e saj u shfaq më 12 qershor 1960 në skenën e Teatrit të
Operës dhe Baletit (TKOB) në Tiranë. Vepra u vu në skenë nga regjisorët Jorgjia Bitri dhe Mihal Luarasi* (Korçë, 1929 – 2017). Dirigjent i operës “Pranvera” ishte Simon Gjoni (Shkodër, 1925 – Tiranë, 1991). Ka qenë kompozitor i
një numri të madh pjesësh popullore për piano dhe orkestër.
Shënim: Mihal Luarasi (Korçë, 1929 – 2017) ishte regjisor dhe kritik i
teatrit. Studimet e larta i kreu në Akademinë e
Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest. Pas kritikave që iu bë nga regjimi komunist “për pikëpamje liberale në
art” si regjisor i Festivalit XI të Këngës në Radiotelevizion (1972), në
mars të vitit 1973 u pushua nga puna.
U
arrestua në dhjetor 1973 dhe u dënua me 8 vjet burg. U lirua në vitin
1979 dhe deri në vitin 1989, kur doli në pension, punoi si punëtor. Nga viti 1990 qëndroi disa
vjet në Hungari.
Mihal Luarasi vuri në skenë një varg veprash të letërsisë
sonë dhe të huaj. Në vitin 1956 vuri në skenë dramën në 5 akte “Intrigë e dashuri” të shkrimtarit,
poetit dhe dramaturgut gjerman Fridrih
Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805).
Në vitin 1957 vuri në skenë dramën “Një
dashuri e tillë” të shkrimtarit dhe dramaturgut çek dhe austriak Pavel Kohout (Pragë, 1928- ). Në vitin 1959 vuri në skenë dramën “Dy zotërinj nga Verona” të dramaturgut dhe
poetit anglez Uilliam Shekspir* (William
Shakespeare, 1564-1616). Më 1961 vuri në skenë dramën “Dhelpra dhe rrushtë” të dramaturgut brazilian Gilerme Figueredo (Guilherme de Oliveira Figueiredo (1915-1997). Më 1968 vuri në skenë dramën “Njolla të murrme”, kurse më 1971 “Të pamposhturit” të dramaturgut dhe
poetit Emin Jero të njohur si Minush Jero (Vlorë, 1932-2006). Më 1972
vuri nëskenë dramën “Orfeu zbret në ferr”
të dramaturgut dhe skenaristit amerikan Tenesi
Uilliams (Thomas Lanier Williams III, i njohur me pseudonimin e tij
Tennessee Williams; Kolumbus, Mississippi, 1911 – New York City, Nju-Jork,
1983). Me bashkëkohësit Eugjen Onil* (Eugene
O'Neill, 1888-1953) dhe Artur Miler* (Arthur
Miller, Nju-Jork, 1915 - 2005) konsiderohet ndër tre dramaturgët më të shquar
të dramaturgjisë amerikane të shekullit XX.
Shënim: Shekspiri konsiderohet si më i madhi shkrimtar në gjuhën angleze
dhe dramaturgu
më i shquar në botë. Shpesh quhet poet kombëtar i Anglisë dhe “Bard i
Avonit” ose thjesht “Bard”.
Shënim: Eugjen Onil (Eugene Gladstone O'Neill Sr.; Lindi në Longacre
Square, New York City, New York, 1888 - Vdiq në Kilachand
Honors College, Boston, Massachusetts, 1953), dramaturg amerikan.
Revolucionarizoi teatrin amerikan. Dramat e tij me titull poetik ishin ndër të
parat që futën në SHBA teknikat dramatike të realizmit, të lidhura më parë me novelistin
dhe dramaturgun rus Anton Pavloviç Çehov
(1860-1904), me dramaturgun norvegjez Henri Ibsen, pseudonim i Brynjolf
Bjarme, 1828-1906) dhe me
shkrimtarin suedez August Strindberg (1849-1912).
Shënim: Artur Mileri ishte i
martuar me Inge Morath (Graz, Austri, 1923 -
NewYork City, 2002), me aktoren dhe
modelen amerikane Marilyn Monroe (Los Angeles, Kalifornia,
01.06.1926 - Fifth
Helena Drive, 04.08.1962), me Mary Grace Slattery (1915-2008)..
* * *
Pason
opera me 3 akte “Lulja e kujtimit”. Për herë të parë u
interpretua më 5 nëntor.1961. Muzika:
Kristo Kono, regjisor: Jorgjia Truja, mjeshtër kori: Kostandin Trako, piktor:
Stavri Rafael. libreti: Andon Mara - Aleko Skali. Interpretojnë: Marie Kraja
(Olimbia), Gjoni (Xhoni) Athanas (Dhimitri), Jorgjia Velo (Sanda), Avni Mula
(Kristo), Maliq Herri (Niko), Kristaq Antoniu (Doktori), Rozmari Jorganxhi
(nëna e Dhimitrit).
Përmbajtja e
operës “Lulja e kujtimit” - Është një dramë lirike. Ngjarjet e veprës të
çojnë në Korçën e vitit 1905. Në qendër është dashuria e Dhimitrit me Olimbinë.
Vajza e tregtarit të njohur Kristo dashurohet me shegertin e babait. Për të
bijën e vetme, Kristoja ka zgjedhur një tjetër burrë, sekretarin të sjellë nga
Greqia, Nikon. Fati i dy të dashuruarve ndërlidhet me problemet sociale, por
sidomos me ato politike. Është koha e përpjekjeve të lëvizjes kombëtare
shqiptare.









