Xhelal Zejneli: Ballkani dhe kundërthëniet e fuqive të mëdha
BALLKANI DHE KUNDËRTHËNIET E FUQIVE TË MËDHA

Gadishulli i Ballkanit - Në literaturën kroate thuhet se fjala
turke ballkan ka kuptimin e vargmaleve pyjore. Në
lashtësi, një kodër në Evropën jugore është quajtur Haemus e
që lexohet Hemus. Bullgarët e kanë quajtur Stara
planina (Mali i Vjetër). Më vonë, me këtë emër është quajtur i tërë
gadishulli. Nga fjala Ballkan kanë lindur edhe fjalë
ofenduese, si p.sh. ballkanezer në vend të fjalës ballkanas.
Ka raste kur fjalën Ballkan, evropianët e përdorin në kuptimin e
sjelljes barbare dhe të pakulturuar, duke pretenduar se ballkanasit janë të
tillë. Në këtë kuptim, sllavët e përdorin termin balkanstvo dhe balkanshtina.
Ka raste kur përdoret edhe termi ballkanizëm në
kuptimin: prej një tërësie të caktuar, të krijosh pjesë të shumta.
Gadishulli
i Ballkanit ndodhet në Evropën juglindore. Shtrihet në jug të lumenjve Danub
dhe Drava, ndërmjet detit Adriatik e Jon në perëndim, Detit Egje e Detit të Zi
në lindje dhe Mesdheut në jug.
Në
pikëpamje gjeografike dhe kulturore, Gadishullit
të Ballkanit i takojnë këta popuj: shqiptarët, grekët, serbët,
bullgarët (dhe sllavo-maqedonasit), malazezët dhe boshnjakët.
Në gadishull jetojnë edhe: vllahë (aromunë, cincarë), hebre, grupi
etnik sllavo-folës me fe islame (në vende të ndryshme quhen me emra të
ndryshëm), romë, turq etj.
Në
pikëpamje gjeografike, Turqia dhe Rumania nuk
janë pjesë e Gadishullit të Ballkanit. Turqia është shtet i Azisë, por
Stambolli ndodhet në pjesën evropiane, në ngushticën e Bosforit. Që të dyja
pretendojnë se janë pjesë e gadishullit. Kroacia ndërkaq,
nuk është pjesë e Ballkanit, as gjeografikisht, as në pikëpamje të kulturës.
Për dallim nga turqit dhe nga rumunët, të cilët pretendojnë se, të paktën në
pikëpamje historike, i takojnë Gadishullit, kroatët ndërkaq,
kategorikisht e mohojnë se janë popull ballkanik. Ata thonë se nuk i takojnë
Ballkanit, as gjeografikisht, as historikisht dhe as në pikëpamje
kulturore. Ballkanas për kroatët, ka kuptimin i
prapambetur, parak dhe i paqytetëruar. Kroatët thonë
se janë pjesë e Evropës Qendrore dhe se kanë kulturë perëndimore. Duke qenë
popull katolik, sikur edhe sllovenët, ndodhen në veri të Limes
Theodosiana (Vijës së Theodosit). Kroatët parapëlqejnë të
theksojnë se kanë qenë nën sundimin, jo të Perandorisë Osmane, por të një
perandorie perëndimore – asaj Austro-Hungareze.
Në lashtësi,
në gadishull jetonin pesë popuj kryesorë: ilirët, grekët
e vjetër, maqedonasit e lashtë dhe trakasit – një
popull indoevropian antik që banonte në një hapësirë të gjerë, prej Karpateve
deri në Egje dhe prej Morave deri në Detin e Zi. Trakia është rajon
historiko-gjeografik i gadishullit që laget nga Deti i Zi, nga Marmaraja dhe
nga Egjeu. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë. Ndërkaq,
në veri të Danubit shtrihej Dakia (sot Rumania) e banuar nga dakët.
Në mesjetë,
në gadishull jetonin katër popuj me kapacitet përafërsisht të barabartë: shqiptarët,
grekët, bullgarët dhe serbët. Bullgarët formuan
mbretëri qysh në shekullin IX. Mbretëria serbe u formua në fillim të shekullit
XIII (1217). Shqiptarët në mesjetë, për dallim nga bullgarët dhe
serbët, nuk arrijnë të krijojnë një mbretëri të veten. Me
fjalë të tjera, në mesjetë shqiptarët kishin ngelur pas fqinjëve të vet.
Edhe
kah mesi i shekullit XIX, shqiptarët, në krahasim me fqinjët
ballkanikë - ngecin. Greqia, Serbia dhe Bullgaria e fitojnë pavarësinë nga
Turqia. (Bullgaria formalisht e shpall pavarësinë më 1908).
Pavarësia e shqiptarëve arrihet, jo më parë se më 1912. Njëfarë baraspeshe që
ka ekzistuar në mesjetë midis këtyre katër popujve, në shekullin XIX dhe gjatë tërë
shekullit XX - çrregullohet. Serbët dhe Grekët forcohen. Bullgarët ngecin.
Shqiptarët ndërkaq, për shumë arsye, ndahen në gjashtë shtete, hyjnë në
diktaturë dhe defaktorizohen.
Me
përjashtim të malazezëve, të sllavo-maqedonasve dhe të myslimanëve (boshnjakë),
sot shqiptarët janë pika më e dobët e
rajonit. Kishte që thoshin se shekulli XXI është shekull i shqiptarëve.
Po del se nuk paskësh qenë ashtu. Shqiptarët nuk tregohen në shkallën e duhur
të përgjegjësisë historike.
Sulmet e
osmanëve në Gadishullin Ballkanik nisën në
vitin 1356. Më 1478 një pjesë e madhe e gadishullit ra në duart e turqve.
Popujt e pushtuar të gadishullit, ndonëse i ruajtën gjerësisht gjuhët dhe fetë
e tyre, nuk e fituan pavarësinë para shekullit XIX.
Me
gadishullin ndërlidhet edhe çështja lindore që
nënkuptonte problemet e pushtetit turk në Evropën juglindore
dhe në pjesën lindore të detit Mesdhe. Çështja lindore ka të
bëjë edhe me historinë politike të vendeve të Ballkanit dhe
atyre të Lindjes së Afërt lidhur me ngritjen dhe tërheqjen e pushtetit
otoman. “Kriza lindore” e madhe në vitet 1875-78 filloi
me kryengritjet antiosmane në BH dhe në Bullgari dhe me pretendimet e Rusisë
që me luftë të ketë pozitë
dominuese në Ballkan. Problemet e Ballkanit u shtruan edhe në
tryezat e kancelarive të fuqive historike të kontinentit, përfshi edhe
marrëveshjet dypalëshe, si: Traktati i Shën-Stefanit (1878), Kongresi
i Berlinit (1878), Konferenca e
Ambasadorëve në Londër (1912-1913) me Traktatin
e paqes në Londër (maj 1913) me të cilin përfundoi
Lufta I Ballkanike; Paqja e Bukureshtit (l913) që
i dha fund Luftës II Ballkanike; Konferenca e Paqes në Paris (1919) dhe Traktati
i paqes i Versajës, i nënshkruar më 1919 në Sallën e pasqyrave në Versajë afër Parisit.
Shënim: Kriza lindore (vitet ’50 të shekullit XIX) u
shkaktua si rrjedhim i shthurjes së mëtejme të Perandorisë Osmane, i
kontradiktave midis Fuqive të Mëdha, sidomos Rusisë, Anglisë dhe Francës, për
t’u shtrirë në zotërimet turke, si dhe nga forcimi i lëvizjeve çlirimtare të popujve
të Ballkanit. Kriza lindore çoi në Luftën e Krimesë (1853-1856) midis Rusisë
Cariste, nga njëra anë dhe Turqisë, Anglisë e Francës me të cilat u bashkua
edhe Mbretëria e Sardenjës, nga ana tjetër. Në këtë luftë francezët dhe
anglezët mbështetën Turqinë kundër Rusisë Cariste. Në vitin 1877 pason kriza
e dytë lindore dhe përplasja luftarake midis Turqisë dhe Rusisë, nga e
cila Turqia del humbëse.
* * *
Në fund
të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, fuqitë e mëdha krijuan
termin çështja e Ballkanit. Ishte një emërtim i rëndomtë për
një sërë problemesh dhe kundërthëniesh që u
shfaqën në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, si rezultat i
dobësisë dhe i rënies së sundimit otoman në gadishull. Procesi
i shpejtuar i shkatërrimit të të “sëmurës së Bosforit” -
Turqisë, i tërhiqte në rajon fuqitë e mëdha të kohës.
Austro-Hungaria dhe Rusia, pastaj Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, në
vendet e sapoçliruara të Ballkanit krijonin foletë e veta.
Depërtimin në gadishull, fuqitë e mëdha e mbulonin me parulla të
ndryshme: “Mbrojmë lirinë e popujve të krishterë”; “Ruajmë paqen dhe
status-quo-në”.
Konflikti
i interesave të fuqive të mëdha historike, të cilat në fillim
të shekullit XX tanimë ishin ndarë në dy blloqe, u
reflektua sidomos në Ballkan. Nëpër gadishull kalonte rruga e depërtimit gjerman në
Lindje – Drang nach Osten (Depërtim drejt Lindjes,
d.m.th. drejt vendeve të Evropës Lindore dhe Lindjes së Afërt e të Mesme. Kjo
politikë kishte për qëllim të kompensojë vonimin e Gjermanisë
në ndarjen e territoreve në botë midis fuqive të mëdha. Pakënaqësia gjermane
dhe depërtimi i saj drejt lindjes shkaktoi Luftën e Parë Botërore. Drang
nach Osten ishte synim edhe i Rajhut të Tretë).
Interesi
kombëtar i popullit shqiptar në Ballkan, ka qenë dhe është në përputhje të
plotë me politikën gjermane, përkatësisht me interesin e faktorit gjerman.
Më
1912-13, popujt e Ballkanit, të lidhur në aleancë e
sulmuan dhe e thyen Turqinë. Më pas, pjesëtarët e deriatëhershëm të aleancës,
për tokat e fituara - nisën luftën mes tyre.
Filloi Bellum omnium in omnes (Lufta e të gjithëve
kundër të gjithëve). Në këtë kohë, Ballkani u quajt fuçi baruti.
Çështjet e rajonit do të shtrohen në Londër.
Përfaqësuesit
rusë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër mbrojtën qëndrimin se shqiptarët,
gjatë sundimit osman, kanë qenë në shërbim të Stambollit. Si të tillë, ata nuk
meritojnë të kenë shtet. Me këtë qëndrim të Moskës u pajtuan edhe Parisi me
Londrën. Vendet mike të shqiptarëve – Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia
mezi ia dolën të nxjerrin një gjysmë shteti shqiptar.
Nga kjo
rezulton se fajin për copëtimin e Shqipërisë në Londër (1912-13),
më parë se te fuqitë e mëdha, shqiptarët duhet ta kërkojnë në vetvete. Kështu
sepse pesë shekuj kanë qenë kundër vetvetes dhe në
shërbim të sunduesve.
Pas
këtij dekompozimi dhe fragmentarizimi të trungut dhe të
tërësisë shqiptare, pasoi viti i mbrapshtë i Ismail Kadaresë (1936), kur në
Shqipërinë e përgjysmuar kishin hyrë ushtritë e vendeve të rajonit dhe të
kontinentit. Gjithsej shtatë sosh.
Me Paqen
e Bukureshtit (1913) përfundoi në gadishull Lufta
II Ballkanike. Me traktatin e paqes krahina antike e
Maqedonisë u nda në tri pjesë: më tepër se gjysma, me Selanikun dhe Trakinë
perëndimore, i takoi Greqisë (Maqedonia e Egjeut); rreth 35% të
këtij territori i ra Serbisë (Maqedonia e Vardarit); ndërkaq diç më
tepër se 10% i mbeti Bullgarisë (Maqedonia e Pirinit). Rumania
e mori Dobruzhën jugore.
Pjesën
e fituar në Bukuresht, Serbia e humbi në Jajce të BH-së, kur Josip Broz Tito (Kumrovec, Kroaci, 1892
–Lubjanë, 1980) e mbajti më 29.11.1943 Mbledhjen
II të AVNOJ-it (KAÇKJ) dhe nga ajo copë e krijoi
Maqedoninë e sotme.
Lidhur
me vendimet politike të “kroatit
Tito” akademiku serb Dobrica
Qosiq (1921-2014) tha: “Atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin
në paqe”.
* * *
Pas
Luftës I Botërore, gadishulli u nda ndërmjet Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë
dhe Serbisë (Jugosllavisë). Turqia mbajti vetëm Stambollin dhe tokat rreth tij.
Serbia në këtë kohë shquhej për “ekskluzivitetin ortodoks”.
Në
Ballkan mbetën të pazgjidhura edhe çështje të ndryshme
territoriale greko-bullgare dhe bullgaro-rumune.
Pjesë e problemeve të gadishullit po bëhet edhe kontesti rreth emrit ndërmjet
Athinës dhe Shkupit. Mbase VMRO-istët synojnë rishqyrtimin e
vendimeve të Konferencës së Paqes në Bukuresht (1913) kur
krahina me emrin antik Maqedoni u nda në tri pjesë. Duhet shtuar se lidhur me
këtë kontest, Turqia është e vetmja që haptazi anon nga sllavo-maqedonasit.
Me
shpërbërjen e Jugosllavisë së AVNOJ-it më 1991, çështje territoriale të
pazgjidhura u paraqitën edhe ndërmjet ish-republikave të federatës. Me fjalë të
tjera, Ballkani pati trazira edhe në fund të shekullit XX, që nga viti 1991
deri në vitin 1995. Në Bosnjë dhe Hercegovinë u ndez një konflikt i egër etnik.
Serbia nuk mund të pajtohej me zhbërjen e perandorisë serbosllave, ndaj sulmoi
Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën. (Agresioni
serb në Slloveni zgjati dhjetë ditë. Komandohej nga gjenerali serb Petar
Graçanin, 1923-2004).
Çështjet
territoriale në
rajon krijojnë nga vendet e gadishullit armiq të papajtueshëm.
* * *
Në
Ballkan, qysh në fillim të shekullit XIX e deri pas Luftës së Dytë Botërore, u
paraqitën ide për krijimin e një federate të shteteve ballkanike.
Pa i përmendur synimet serbo-greke të fillimit të shekullit XIX, koncepti i
parë për krijimin e një federate të tillë paraqitet në vitet ’60 të shekullit
XIX. Koncepti për krijimin e një shteti të madh ballkanik i cili do të
përfshinte vendet e ish-Jugosllavisë, B\\ullgarinë dhe Shqipërinë u quajt Ballkania.
Knjazi serb Mihajlo Obrenoviq (1823-1868)
i cili sundoi në vitet 1860-1868 kur edhe u vra prej kundërshtarëve politikë,
ishte ideatori i krijimit të shtetit të madh të serbëve dhe të
bullgarëve në pjesën qendrore të Ballkanit. Kjo ide bazohej “në
traditat shtetformuese dhe shtetndërtuese të popullit serb dhe atij bullgar në
mesjetë”. Kjo ide i përfshinte edhe hapësirat e Shqipërisë. Në
të vërtetë, Ballkania serbo-bullgare nënkuptonte pushtimin e
trojeve etnike shqiptare nga serbët dhe nga bullgarët. Në këtë periudhë (vitet
’60 të shek. XIX), shqiptarët ende nuk konsideroheshin subjekt
politik. Ky koncept ekspansionist i kryeministrit serb Ilija Garashanin (1812-1874), autorit të Naçertanies (1844), për
shumë arsye - dështoi.
Në
momentet kur rreth çështjeve në Ballkan implikoheshin fuqitë e mëdha të
kohës, e sidomos kur ndërhyrjet e tyre nuk ishin në favor të Serbisë, atëherë
serbët lansonin parullën: “Ballkani ballkanasve”. Me këtë
nënkuptohej që fuqitë e mëdha (antiserbe) të mos ndërhynin në
punët e rajonit.
Idetë
për krijimin e (kon)federatës ballkanike janë shfaqur
edhe gjatë shekullit XX. Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit
XX, projektin politik të bashkimit të shteteve të Ballkanit, e mbështetnin
kryesisht socialistët dhe majtistët e tjerë
të vendeve të gadishullit. Nga fundi i shekullit XIX, kjo ide u përhap
brenda lëvizjeve socialdemokrate të vendeve të Ballkanit,
si alternativë ndaj synimeve ekspansioniste të elitave
nacionaliste të shteteve të sapoformuara.
Kominterna, idetë e socialdemokratëve serbë të fundit të
shekullit XIX dhe të fillimit të shek. XX, i mori si bazë të politikës së vet
ndaj Ballkanit. Komunistët e Kominternës konsideronin se
një federatë socialiste e vendeve të Ballkanit: “...do të
paraqiste të vetmen rrugëdalje nga rrethi djallëzor i urrejtjes nacionaliste;
do të parandalonte copëtimin e gadishullit në shtete të vogla; do të bënte të
mundur daljen nga mjerimi dhe do t’i jepte fund shfrytëzimit imperialist”.
Pas
Luftës së Dytë Botërore, Josip Broz Tito-ja dhe disa udhëheqës të tjerë të
Evropës Lindore, shqyrtuan mundësinë e bashkimit të shteteve të gadishullit dhe
formimin e një republike federative të Ballkanit. Nën premisën që në luftën
civile greke të fitojnë partizanët, atëbotë në këtë federatë ballkanike do të
përfshihej edhe Greqia. Për krijimin e kësaj republike federative ballkanike
ishte i njoftuar edhe udhëheqësi i komunistëve bullgarë Georgi Dimitrov (1882-1949). Rreth kësaj çështjeje ka
marrë pjesë vepruese edhe BRSS-ja.
Pas rezolutës së Informbirosë më
1948, marrëdhëniet e Jugosllavisë me vendet e Evropës Lindore – ndërpriten.
Rrjedhimisht, ndërpriten edhe bisedimet për një aleancë të mundshme të vendeve
të Ballkanit.
Duke
mbajtur parasysh faktin se në gadishull mbizotërojnë kryesisht
popujt sllavë, të cilët historikisht i janë mbështetur Rusisë bizantine, krijimi
i një federate apo konfederate ballkanike assesi s’ka qenë dhe nuk është në
dobi të popullit shqiptar.
* * *
Gjatë luftës së ftohtë fuqitë e
mëdha i kishin të përkufizuara sferat e interesit,
përkatësisht zonat e ndikimit. Pasojat e saj reflektoheshin edhe në
Gadishullin Ballkanik. Kjo luftë ndërmjet vendeve
perëndimore dhe bllokut sovjetik filloi qysh në vitin 1945. Ajo u intensifikua
sidomos pas vitit 1947 dhe zgjati deri më 1990.
Në
vitin 1989 presidenti i ShBA-së Xhorxh Bush
(George Walker Bush, 1946) dhe udhëheqësi
i Bashkimit Sovjetik (1985-1991) Mihail Gorbaçov
(1931-), në një takim të nivelit të lartë në Maltë, e shpallën luftën
e ftohtë zyrtarisht të përfunduar. Regjimet komuniste të Traktatit të Varshavës në Evropën
Lindore - ranë. NATO-ja e ndryshoi rolin e vet. Më 1994 NATO-ja përuroi partneritetin për paqe, si hap i parë
për t’u bërë anëtar i saj me të drejta të plota.
Pas
përfundimit të luftës së ftohtë,
kontinenti i vjetër u shndërrua përkohësisht në një hapësirë pa zona ndikimi dhe pa sfera interesi.
SHBA-ja, Rusia dhe BE-ja janë fuqi
politike, ekonomike dhe ushtarake historike. Paraqitja në skenë e fuqive të
reja globale dhe rajonale, siç janë: Kina, India, Brazili dhe Turqia shpie në mënyrë të
pashmangshme në krijimin dhe në ripërkufizimin e zonave të ndikimit,
përkatësisht të sferave të interesit. Gara për
shtrirjen e ndikimit nga ana e fuqive të mëdha globale dhe rajonale,
paralajmëron ringjalljen e luftës së
ftohtë. Fuqitë e mëdha sot synojnë të zbatojnë politikën e
forcimit të pozicioneve të veta dhe të dobësimit të pozicioneve të
kundërshtarit, duke përdorur me këtë rast të gjitha mjetet e mundshme, me
përjashtim të luftës.
* * *
Sot në
Ballkan jetojnë:
-
Popuj me përkatësi etnike të ndryshme;
-
Popuj me histori, me kulturë dhe me përkatësi fetare të
ndryshme. Po të përjashtohen sllovenët dhe kroatët,
të cilët edhe ashtu nuk i takojnë gadishullit, do të shihet se popujt e
Ballkanit, në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, ndodhen pak a shumë në një
shkallë të barabartë;
-
Popuj, kryesisht të tre konfesioneve: të konfesionit ortodoks,
të konfesionit katolik dhe të konfesionit islam ku
bëjnë pjesë edhe bektashinjtë. Pjesa më e madhe e popujve të
gadishullit janë të besimit ortodoks. Në Ballkan ka edhe grupe
etnike të konfesioneve të tjera, siç janë hebrenjtë etj.
Në
rajon, si në shumë vende të rruzullit, ka edhe ateistë, të cilët
parapëlqejnë të mos i takojnë asnjë religjioni. Mbase ka edhe të tillë që
besojnë në Zot, por jo edhe religjioneve. Kështu sepse ato i konsiderojnë sajime të
njeriut.
* * *
Gadishulli
Ballkanik ka pozitë gjeografike strategjike.
Është kryeurë që lidh Evropën, Azinë dhe Afrikën.
Nëpërmjet ujërave detare të tij, arrihet në Suez dhe dilet në Lindjen e Mesme e
në Gjirin Persik, pikërisht te vendburimet e naftës. Ujërat e
rajonit shpijnë në Bosfor, që lidh Detin e Zi dhe
Marmaranë. Ngushtica e Gjibraltarit ndërkaq, çon në oqeanin
Atlantik.
Fuqia e
madhe që do të ishte e pranishme në gadishull, do ta kishte afër edhe Evropën
Perëndimore edhe Rusinë – në lindje.
Për
shkak të pozitës gjeografike strategjike, për Ballkanin mund të jenë të
interesuara, si fuqitë globale, ashtu edhe ato rajonale, si për shembull: SHBA-ja, BE-ja, Rusia, Turqia.
Në të ardhmen edhe Kina.
Uashingtoni është i preokupuar në rajone të tjera të botës, ndaj Ballkanin mund
t’ia lërë BE-së. Në një pjesë të rajonit, SHBA-ja mund ta angazhojë edhe
Turqinë, sidomos kur BE-ja tregohet politikisht impotente. Duke
qenë se Pekini është larg dhe për t’u bërë fuqi politike, ekonomike dhe
ushtarake globale i duhen edhe nja tri dekada, atëherë del se gara për
Ballkanin mund të zhvillohet ndërmjet Rusisë, Gjermanisë (si
forca kryesore e BE-së dhe një nga shtatë shtetet më të zhvilluara dhe më të
industrializuara në botë) dhe Turqisë, e cila, pas nja 10-15
vjetësh, pretendon të bëhet ekonomia e dhjetë e botës. Rusia kryesisht është
ortodokse; Gjermania – katolike, luterane
dhe protestante; ndërkaq Turqia –
kryesisht islame.
Fuqitë
e mëdha, në rajone të caktuara të botës hyjnë mbi disa baza:
- Mbi
bazën e komponentit etnik. Për shembull Rusia hyn në Ballkan
me arsyetimin se popuj të caktuar të gadishullit i takojnë familjes sllave.
- Mbi
bazën e komponentit fetar. Rusët gjatë shekujve XVIII dhe
XIX synonin të gjenin ithtarë të e vet në Ballkan me arsyetimin “jemi
vëllezër për nga feja”;
- Mbi
bazën e lidhjeve historike;
- Mbi
bazën e përkatësisë - qytetërimit të caktuar.
Ka edhe
arsyetime të tjera me të cilat fuqitë e mëdha e justifikojnë politikën e tyre
hegjemoniste, ekspansioniste, imperialiste, kolonialiste dhe dominuese. Për
shembull Kina një ditë mund të thotë: Territori im është i ngushtë për
gjithë këtë popullsi timen, ndaj medoemos të shtrihem përtej kufijve
të mi. Ky ekspansion është arsyetuar në histori me teorinë e hapësirës
jetësore.
Duke
qenë se shqiptarët u përkasin tre konfesioneve, krijimi i sferave të interesit
në rajon nga Fuqitë e Mëdha mbi bazën e konceptit “vëllezër për nga feja” do të
ishte fatale për ta. Kjo do të shkaktonte boshnjakëzimin e kombit shqiptar në
Ballkan.
Asnjë
fuqi e madhe nuk mund ta vërë nën kontroll tërë Ballaknin. Çdo fuqi e madhe do të depërtonte aty ku beson se do
të ishte e mirëpritur dhe do të bazohej në njërin nga komponentët e sipërthënë
– etnik, fetar, historik, kulturor
etj.
Për
t’iu shmangur ndeshjes eventuale të interesave të fuqive të mëdha rreth rajonit
– Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina -
për një duhet ta kërkojnë perspektivën e tyre në organizmat euro-atlantikë.
* * *
Bosnja
dhe Hercegovina - Më 1
nëntor 1995, në portin apo në bazën ajrore ushtarake Rajt-Paterson
(Right-Paterson) afër Dejton (Dayton) të Ohajos në ShBA u nënshkrua Marrëveshja e Paqes e Dejtonit.
Formalisht u nënshkrua në Paris më 14 dhjetor 1995. Nënshkrues ishin kryetari i
Kroacisë Franjo Tugjman (1922-1999),
ai i Bosnjës dhe Hercegovinës Alija
Izetbegoviq (1925-2003) dhe i
Serbisë S. Millosheviq (1941 – Hagë,
2006).
Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja dhe
Hercegovina përbëhet prej dy entiteteve:
- Federata Myslimano-Kroate, me kryeqytet
Sarajevën, e cila njëherazi është edhe kryeqytet i shtetit, dhe
- Republika Serbe (Republika Srpska), me
kryeqytet Banja-Llukën.
Sikundër
shihet, kroatët e BH-së, nuk kanë një entitet të veçantë. Ata kanë një entitet
të përbashkët me boshnjakët (myslimanët).
Federata
Myslimano-Kroate zë 51 % të territorit të BH-së, ndërsa Republika Serbe – 49 %.
Në
Bosnjë dhe Hercegovinë jetojnë tre popuj shtetformues apo
konstitutivë: boshnjakët (d.m.th.
myslimanët), serbët dhe kroatët.
Boshnjakët, d.m.th. myslimanët, gjuhën që e flasin e quajnë boshnjakishte
(bosanski). Për shkencën serbe dhe kroate, gjuhë boshnjake nuk ekziston. Sipas tyre, ajo është serbishte apo
kroatishte, në të folmen popullore të së cilës ka fjalë turke, arabe apo
persiane, sikundër ka edhe te gjuhët e popujve të tjerë të Ballkanit. Në këtë
mënyrë, serbët dhe kroatët e mohojnë ekzistimin e kombit boshnjak dhe thonë se
boshnjakët s’janë veçse serbë apo kroatë të islamizuar.
* * *
Sipas regjistrimit të vitit 1991, Bosnja dhe Hercegovina
ka pasur 4.377.033 banorë: myslimanë (më vonë paraqiten me emrin boshnjakë) –
1.902.956 (43.47%) e popullsisë së BH-së; serbë – 1.366.104 (31.21%); kroatë
-760.852 (17.38%); janë deklaruar si jugosllavë 232.682 (5.54%); të panjohur – 104.439 banorë (2.38%).
Në BH ka pasur edhe pakica kombëtare. Më 1991 ka pasur
4.922 shqiptarë.
Ndarja religjioze përputhet
kryesisht me ndarjen etnike: 90% e boshnjakëve janë myslimanë; 88% e kroatëve
janë katolikë; 99% e serbëve janë ortodoksë.
Pas luftës
të dhënat kanë ndryshuar. Sipas vlerësimeve më të reja, në luftën e BH-së janë
vrarë ose kanë humbur jetën rreth 100 mijë njerëz, ndërsa gjysma e popullsisë
është shpërngulur.
Sipas të dhënave të CIA fact book
të vitit 2000, BH-ja ka pasur 4.025.000 banorë, ndërsa përbërjaetnike ka qenë:
boshnjakë – 48%; serbë – 37.1%; kroatë – 14.3%; të tjerë – 0.6%.
Me demografianë e BH-së është
marrë edhe CIA World Factbook.
* * *
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë së BH-së të
kryer në vitin 2013, të publikuara nga Agjencia e Statistikës e BH-së,
rezulton:
- Në BH jetojnë 3.531.159 banorë;
- Në entitetin e Federatës së BH-së – 2.219.220 banorë
(62.85%);
- Në entitetin e Republikës Serbe – 1.228.423 banorë
(34.79%);
- Në distriktin Bërçko – 83.516 banorë (2.37%).
Struktura kombëtare e BH-së: boshnjakë – 50.11%; serbë - 30.78%;
kroatë – 15.43%.
Nuk janë deklaruar kombëtarisht 0.77%; “Të tjerë” ku
bëjnë pjesë pjesëtarë të 17 pakicave kombëtare dhe grupe të tjera etnike – më
pak se 3%.
Në entitetin e Federatës së BH-së jetojnë: boshnjakë
70.4% boshnjakë; kroatë 22.4%; serbë 3.6%.
Në entitetin e Republikës Serbe jetojnë: serbë –
81.5%; boshnjakë – 14%; kroatë – 2.4%.
Në distriktin Bërçko jetojnë: boshnjakë 40.3%; serbë
34.6%; kroatë – 20.7%.
Gjuha që flitet në BH: boshnjakisht flasin 52%; serbisht –
30,76%; kroatisht – 14.6% e popullsisë.
Përkatësia fetare në BH: myslimanë – 50.7%; ortodoksë – 30.75 %;
katolikë – 15.19%.
Me regjistrimin e popullsisë të vitit 2013, krahasuar
me regjistrimin e vitit 1991 të kryer në ish-Jugosllavi, në BH jetojnë 845.874
banorë më pak.
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2013
Republika Serbe nuk i ka njohur.
Të dhënat e sipërthëna janë azhuruar më 30 qershor
2020.
* * *
Sot
Bosnja dhe Hercegovina është një shtet kryekëput jofunksional. Republika Serbe
në asnjë pikëpamje nuk i bindet qendrës, d.m.th. Sarajevës. Ajo funksionon si
shtet më vete. Ajo bashkëpunon me Serbinë, sikur s’ka kufij ndërshtetërorë dhe
vazhdimisht kanoset me shkëputje nga BH-ja dhe bashkëngjitje Serbisë. Për
çështje të ashtuquajtura strategjike,
Republika Serbe harmonizohet dhe bashkërendohet me Beogradin. Në të vërtetë,
Republika Serbe nuk është veçse satelite
e Serbisë. Ajo e çon mirë Rusinë, ndërsa Moska e konsideron atë si kolonë
të pestë të saj në Ballkan.
Në anën
tjetër, kroatët, të pakënaqur se nuk e kanë entitetin e vet të veçantë,
vazhdimisht shfaqin pakënaqësi, duke u kanosur se nënën Kroaci e kanë në
kufi.
Sipas
boshnjakëve, Republika Serbe është krijim fantomik që doli si rezultat
i një lufte të përgjakshme dhe i gjenocidit ndaj popullsisë
myslimane të BH-së
Fuqitë
perëndimore – Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra nuk ndërmarrin asgjë
konkrete për t’i ndalur tendencat qendërikëse në Bosnjë e Hercegovinë, të
nxitura nga Beogradi dhe Moska. Përkundrazi, vitet e fundit, Serbia e udhëhequr
prej radikalëve të Vojisllav Sheshelit dhe prej nacional-socialistëve të
Sllobodan Millosheviqit, është shndërruar në të ledhatuarën e qendrave politike
perëndimore.









