Xhelal Zejneli: Musine Kokalari

Me rastin e 43-vjetorit të vajtjes në qiellin engjëllor
MUSINE
KOKALARI

"Nuk kam nevojë që të jem
komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam
komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse
ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t'i persekutoni ata që kanë mendime të
ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua
vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë
nuk kam bërë asnjë faj!" – Fjalët e Musine Kokalarit gjatë procesit
gjyqësor ndaj, nga regjimi diktatorial.
* * *
Musine Kokalari (Adana, Turqi jugore, 10
shkurt 1917 – Rrëshen, 13 gusht 1983) është
ndoshta figura më interesante ndër poetët minorë të periudhës parakomuniste, qoftë
si njeri, qoftë si autor. Lindi në Adana në
gjirin e një familjeje gjirokastrite. Është bijë e Reshatit dhe e Hanushe
Kokalarit. Musineja kishte tre vëllezër: Muntazi, Vejsimi dhe Hamiti.
I ati i Reshatit, Hamiti, e dërgoi të birin për shkollim të lartë në Mekteb-i
Hukuk (Shkolla e Drejtësisë) në Stamboll. Ai e ushtroi veprimtarinë e tij si
jurist dhe më pas punoi si kadi në Perandorinë Osmane. Në vitin 1920, bashkë me
familjen, Musineja u kthye në Shqipëri. Në Gjirokastër e filloi shkollën
fillore. Nëntë vjet pas kthimit në atdhe, familja e saj u vendos në Tiranë. Kah
mesi i viteve ’30, vëllai i saj, Vejsimi, mbante një librari në kryeqytet.
Në vitin 1943, bashkë me Mit’hat Aranitin* dhe miq të
tjerë, themeloi Partinë Socialdemokrate Shqiptare. Më 12 nëntor 1944 iu
pushkatuan pa gjyq vëllezërit Muntaz dhe Vejsim.
Shënim:
Mit’hat Araniti ose Aranitas, lindi në Selanik më 15 mars
1922. Vdiq në Tiranë më 19 nëntor 1992. Ka qenë jurist, shkrimtar, publicist
dhe përkthyes. Në vitet ’40 ka shkruar fejtone. Ishte nismëtar i letërsisë
dialektore në prozën e shkurtër me “Qyfyret
e Rrem Voglit”. Për shkak të bindjeve dhe angazhimit nacionalist (Balli
kombëtar dhe Partia Socialdemokrate), vuajti nga regjimi komunist mbi 40 vjet
burg, internime dhe përndjekje
*
* *

Qëndrimi në qytetin e përjetshëm i çeli një dritare
për të parë për pak kohë një botë magjepsëse krijimtarie intelektuale. Synimi i
saj me t’u kthyer në Shqipëri ishte të bëhej shkrimtare. Në vitin 1943
deklaron: “Dua të shkruaj letërsi
artistike dhe të mos kem të bëjë fare me politikë.”
Në moshën
njëzet e katër vjeç botoi përmbledhjen 80 faqesh me dhjetë rrëfime rinore në prozë, të shkruara në dialektin e
vendlindjes, Gjirokastrës: “Siç më thotë
nënua plakë”, Tiranë 1941. Kjo përmbledhje historike, e frymëzuar nga
folklori toskë dhe nga mundimet e përditshme ë grave në Gjirokastër, supozohet
të jetë e para vepër letrare e shkruar dhe e botuar nga një grua në letërsinë
shqipe. Kokalari e ka quajtur këtë libër “pasqyrë
e një bote të perënduar, shtegu i kapërcimit nga vajzëria në mes të këngëve,
një nusëri për ta hedhur gruan prapë në vargonjtë e rëndë të robërisë së
fanatizmit.”
Në vitin 1944 botoi
përmbledhjen me tregime dhe skica me titull “...
sa u-tund jeta”, Tiranë 1944, 344 faqe. Kjo vepër e afirmoi autoren si
shkrimtare me vlerë, ndonëse për një kohë të shkurtër. Vëllimi i tretë me
rrëfime, me frymë popullore, mban titullin “Rreth
vatrës”, Tiranë 1944.
Që në librin e
parë bien në sy ngjyrat realiste të përshkrimit, njohja e jetës, e psikologjisë
dhe e zakoneve popullore. Përmbledhja “Siç
më thotë nënua plakë” i kushtohet jetës në Gjirokastër dhe është shkruar
sipas së folmes së qytetit për t’i dhënë prozës një ngjyrë autentike.
Libri “Rreth vatrës” përmbledh përralla
popullore të stilizuara, në kornizën e jetës së një familjeje ku gjyshja tregon
përralla në një mjedis të jetës familjare të përditshme.
Vepra më e
rëndësishme e Kokalarit është “... sa u tund
jeta” që mund të quhet roman etnografik. Në të përshkruhet historia e një
dasme në Gjirokastër, me ritualin e vet, me këngë të mbledhura me kujdes.
Përveç vlerave etnografike, vepra ka edhe vlerë sociale e psikologjike. Aty
trajtohet fati i gruas në një familje patriarkale. Autorja mbronte emancipimin
e gruas, të drejtat e saj në familje dhe në shoqëri.
Veprat e
Kokalarit kanë edhe vlerë gjuhësore
për njohjen e frazeologjisë dhe veçorive të ligjërimit të grave në qytetin e
Gjirokastrës.
*
* *
Luftës II
Botërore po i vinte fundi. Musineja hapi një librari dhe u ftua të bëhej
anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve, të themeluar më 7 tetor 1945, nën kryesinë e
Sejfulla Malëshovës* (1900/1901 - 1971).
Shënim: Sejfulla Malëshova (Malëshovë, 2 mars
1900/1901 – Fier, 11 qershor 1971) ka qenë sekretar i kabinetit Noli,
ndër komunistët e parë, përkthye dhe letrar.
*
* *
Gjithë kohën Musinesë
i fanitej ekzekutimi pa gjyq i dy
vëllezërve të saj, Muntazit dhe Vejsimit, më 12 nëntor 1944 nga
komunistët. Ajo kërkoi haptazi drejtësi dhe shpagim. Në vitin 1944 ajo ishte e
lidhur ngushtësisht me Partinë Socialdemokrate Shqiptare, të sapolindur si dhe
me organin e saj “Zëri i lirisë”.

Më 17 janar
1946, në një atmosferë terrori që shoqëroi rënien e Malëshovës, Musineja u arrestua. Më 2 korrik 1946, nën
akuzën “sabotuese dhe armike e popullit”,
Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënua me 20 vjet heqje lirie. Tetëmbëdhjetë vitet
e tjera i kaloi në burgun famëkeq të Burrelit, e veçuar dhe nën vëzhgim të
vazhdueshëm, e përndjekur dhe e ngacmuar nga zyrtarët harbutë e të pashkollë të
burgut. E vrarë shpirtërisht, u lirua nga burgu në vitin 1964. E caktuan të
punojë fshesare në qytetin e Rrëshenit. Kjo rrëfimtare e talentuar u përndoq deri
në ditët e fundit të jetës. Vdiq më 14 gusht 1983.
*
* *
Musine
Kokalari ishte një veprimtare politike e
kulturore dhe shkrimtare e mesit të shekullit XX. Bashkë me Selfixhe Ciun dhe Jolanda Kodrën, ka qenë ndër shkrimtaret e para në Shqipëri.
Shënim: Selfixhe Ciu,
mbiemri martesor Broja, lindi në
Gjirokastër më 31 mars 1918. Vdiq në Tiranë më 22 gusht 2003. Ka qenë e para
shkrimtare që botoi shkrime letrare. Më 28 nëntor 1935, kur ishte 17 vjeç,
Selfixhe Ciu botoi me emrin Kolumbja një poezi në gazetën Populli. Ishte
anëtare e shkrimtarëve e viteve 1930. Libri i saj mban titullin: “Tallazet e jetës: kujtime, poezi,
publicistikë”.
Shënim:
Jolanda Kodra lindi në Romë më 18
mars 1910. Vdiq në gusht 1963. Ishte shkrimtare dhe përkthyese italo-shqiptare,
një nga shkrimtaret e para shqiptare. Përktheu në italisht vepra të Ndre Mjedës (1866-1937), të Migjenit (1911-1938), të
Petro Markos (Dhërmi, 1913 – Tiranë,
1991) dhe të Sterjo Spasses (Gollomboç,
1914 –Tiranë, 1989).
*
* *
Arrestimi dhe persekutimi në kohën e regjimit komunist
– Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë
në Lidhjen e Shkrimtarëve. Më 17 janar 1946, si motër e vëllezërve të pushkatuar
dhe si themeluese e partisë Socialdemokrate dhe e gazetës Zëri i lirisë,
u arrestua. Më 2 korrik të po atij viti, Gjykata Ushtarake e
Tiranës, e dënoi me 20 vjet heqje lirie. U dënua si sabotuese dhe si armike e
popullit.
Para se ta arrestonin, u dërgoi një
letër Aleatëve të cilët ende ndodheshin
në Tiranë. Në letrën e dërguar, ajo kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e
shprehjes.
Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë
qëndrim:
"Nuk kam nevojë që të jem
komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam
komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse
ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t'i persekutoni ata që kanë mendime të
ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua
vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë
nuk kam bërë asnjë faj!"
Në burgun e Burrelit vuajti 18 vjet
burg. Në vitin 1964, pasi e vuajti dënimin, u mbajt në izolim dhe nën mbikëqyrje.
Me fjalë të tjera, 19 vitet e tjera të jetës së vet i kaloi e internuar në
Rrëshen.
Musineja punoi 11 vjet si fshesare apo
pastruese në Ndërmarrjen e ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe
betonit. Në vitin 1979 i përfundoi internimi. I thanë të shkonte në
Gjirokastër. Meqë nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të largohej nga
Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983. Në
vitin 1991 anëtarët e familjes i zhvarrosën mbetjet mortore të saj për t’u
rivarrosur në fshatin Shishtufinë të bashkisë së Tiranës.
* * *
Veprat: “Siç më thotë nënua plakë”, korrik 1940. me një vështrim kritik të Lasgush Poradecit* (Pogradec, 1899 –
Tiranë, 1987);. “Rreth vatrës”, (1944);
“...sa u tund jeta”, janar 1945; Vepra, vëllimi i parë, 2009.

Në 1993, nga kryetari Sali Berisha (Viçidol, Shqipëri, 1944-
), Musineja u shpall pas vdekjes "Martire e Demokracisë". Në vitin 2008, nga kryetari në detyrë
Bamir Topi (Tiranë, 1957- ) i jepet titulli
i lartë "Nderi i Kombit".
Emrin e saj e mban një shkollë në Tiranë, Qendra kulturore në Gjirokastër, një
rrugë në Rrëshen, një rrugë në Prishtinë, një bibliotekë lagjeje në Tiranë.
Shënim:
Lasgush Poradeci lindi në Pogradec
më 27 dhjetor 1899. Vdiq në Tiranë më 12 nëntor 1987. U shkollua në University
of Graz, Leonteios School of Athens,Bucharest National University of Arts.



