Xhelal Zejneli: Ndre Mjeda

2h më parë

Me rastin e 89-vjetorit të vajtjes në amshim

NDRE MJEDA

Vargu i Mjedës paraqet një hap përpara drejt një kulture sovrane për një komb sovran

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Ndre Mjeda (Shkodër, 20 nëntor 1866 - Shkodër, 1 gusht 1937) ka qenë prift, gjuhëtar dhe poet lirik. Sikundër Andon Zako Çajupi (Sheper, Shqipëri, 1866 – Heliopolis, Egjipt, 1930), poeti klasik Mjeda, është urë që lidh kulturën e Rilindjes të fundit të shekullit XIX me krijimtarinë letrare të periudhës së pavarësisë. Si shumë shkrimtarë të tjerë të veriut, të kësaj kohe, shkollimin e mori prej jezuitëve. Në edukimin e tij ushtruan ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo De Martino (1830-1923). Shoqata e Jezuit, djaloshin Mjeda e dërgoi për studime jashtë. Në pranverë të vitit 1880 ndenji tre maj në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës. Më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coelit në veri të Valencias në Spanjë, ku studio letërsinë. Në vitin 1883 Mjedën e gjejmë në Kroaci. Në një institut jezuit të qytezës Kralevica (italisht: Porto Re) në bregdetin dalmat, studion retorikën, latinishten dhe italishten. Në vitet 1884-1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës. Në vitin 1887 u transferua në një tjetër kolegj Gregorian në Kieri (Chieri) në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti.

Në këto vite Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip. Midis tyre, e shkroi edhe poezinë melankolike Vaji i bylbylit, të botuar në vitin 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar). Në këtë poezi autori shpreh mallin për vendin e tij. E kësaj periudhe është edhe pozia Varri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim që e merr malli për atdheun nën zgjedhën osmane, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij, poetit katolik shkodran Leonardo De Martino. Përmbledhja poetike e De Martinos me 442 faqe dhe në dy gjuhë “L’Arpa di un italo-albanese” (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik në vitin 1881. Në vargun e Mjedës ndihet edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938). Mjeda ka krijuar edhe nën ndikimin e letërsisë latine të lashtësisë klasike.

Në vitet 1887-1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin “Marko Xhirolamo Vda (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi. Njëherazi u mor edhe me përkthime fetare. Në vitin 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij “Jeta e sceitit sc’ Gnon Berclunans” (Jeta e Shën Gjon Berhmansit), për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621). Në vitin 1892 ia botoi librin “T’perghjamit e Zojs Bekume” (Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga spanjishtja. Më vonë Mjeda botoi një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, “Historia e shenjtë” dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).

Prej vitit 1891 Mjeda studio për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloni. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologut austriak Gustav Majer (Gustav Meyer; Strzelce, Opolskie, Poloni, 1850 - Gracë, Austri, 1900) dhe të albanologut danez Holger Pedersen (1867-1953). Poezia e Mjedës “Gjuha shqype” e shkruar në dhjetor të vitit 1892 iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit “Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) ishte botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe të Pedersenit zgjuan te Mjeda interesim për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do ta vazhdonte edhe në vitet e mëvonshme dhe do të kthehej në ndihmesë për çështjen e alfabetit të shqipes. Këtë kontribut Mjeda e dha nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimeve për autorët e vjetër Pjetër Budin (1566-1622) dhe Pjetër Bogdanin (rreth 1630-1689). Në vitin 1893 poetin e gjejmë në Goricë buzë kufirit italo-slloven. Pas një viti përsëri në Kralevicë ku dha mësim filozofie dhe teologjie. Në kolegjin Gregorian shërbeu edhe si bibliotekist. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Sipas disa të dhënave, në vitin 1898, në gjirin e jezuitëve të Kralevicës shpërtheu një konflikt. Prej atij viti Mjeda nuk është më në Urdhrin Jezuit.

Vëllai i Ndre Mjedës, Lazër Mjeda (Deja, Shqipëri, 1869 – Shkodër, 1935), në vitin 1896 ishte peshkop i Sapës. Më pas u bë kryepeshkop i Prizrenit dhe kryepeshkop i Shkodrës. Në vitin 1899 Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Në këtë rast e ndihmoi sidomos Preng Doçi (Bulgër, vilajeti i Shkodrës, 1846 – Shkodër, 1917), abat i Mirditës dhe poet i lëvizjes kombëtare. Ndre Mjeda mori pjesë në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze. Themelues të shoqërisë letrare “Bashkimi” (Shkodër, janar 1899) ishin Preng Doçi; romancieri i parë shqiptar, autor i romanit “Shkodra e rrethueme” (1905) Ndoc Nikaj (Shkodër, 1864 – Shkodër, 1951) dhe Gjergj Fishta (Fishtë, 1871 – Shkodër, 1940).

Në vitin 1901, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme lidhur me alfabetin, Ndre Mjeda dhe Lazër Mjeda themeluan një organizatë tjetër, shoqatën letrare “Agimi”, e cila po ashtu propagandoi përdorimin e shqipes në tekste shkollore dhe në letërsi, e që ishte për një sistem shkronjash me kroatishten si model. Me këtë alfabet, Ndre Mjeda dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, si: “Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë” që përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në shtator të vitit 1902 Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve. Aty lexoi kumtesën me titull “De pronunciacione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis” (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908. Alfabeti i tij “Agimi” humbi para “Bashkimit”Gjergj Fishtës. Mjeda ishte anëtar i Komisisë Letrare të ngritur në Shkodër më 1 shtator 1916 nën administratën austro-hungareze. Në vitet 1920-1924 ishte deputet i kuvendit të shtetit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të Fan Nolit (Qytezë / Ibriktepe, Turqi, 1882 – Fort Lauderdejl, Florida, ShBA,   1965) dhe vendosjes përfundimtare të pushtetit të Ahmed Zogut (Kalaja e Burgajetit, Shqipëri, 1895 – Suresnes, Francë, 1961), Mjeda u tërhoq nga politika. Punoi si famullitar në Kukël, fshat midis Shkodrës dhe Shëngjinit. Prej vitit 1930 ishte mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër ku dhe vdiq më 1 gusht 1937.

*   *   *

Mjeda është autor i veprave me vlera artistike të larta. Në vitin 1887 shkroi poemën romantike “Vaji i bylbylit”. Në të ndihen nota përmallimi dhe fryma atdhetare. Kjo i shquante edhe paraardhësit e tij – Leonardo De Martinon, poetin e fillimeve të Rilindjes Kombëtare Ndue Bytyçin (Shkup, 1847 - 1917) etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihet për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë deri në vitin 1917, kur doli në dritë vëllimi me poezi “Juvenilia”, Mjeda shkroi, por nuk botoi gjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike “I tretuni” në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, poezia “Shtegtari”, “Malli për atdhe”, “Gjuha shqype”, “Bashkoniu!” etj. Përpos krijimeve të përshkuara nga nota elegjiake, Mjeda krijoi edhe vepra poetike në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake së Rilindjes, si “Liria” (1910-1911), Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së veriut e vitit 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Në këtë vepër bien në sy synimet demokratike të poetit që bashkë me patriotizmin përbën anën më të fortë krijimtarisë së tij. Poezia “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj.

Poezia e Mjedës, sidomos përmbledhja “Juvenilia”, Vjenë 1917, shquhet për stilin klasik dhe pastërtinë e gjuhës. Titulli i kësaj vepre të Mjedës është po ai i vëllimit poetik të Xhozue Karduçit (Giosuè Carducci, 1835-1907) “Iuvenilia” të botuar pothuajse gjysmë shekulli më parë. “Juvenilia” e Mjedës përfshin jo vetëm poezi origjinale, por edhe përshtatje nga poezia e huaj – nga poeti dhe romancieri italian Tomaso Grosi (Tommaso Grossi, 1790-1853), nga poeti italian Xhuzepe Kaparoso (Giuseppe Capparozzo, 1802-1848), nga poeti irlandez Çarls Vulf (Charles Wolfe, 1791-1823) dhe nga shkrimtari gjerman Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832).

*   *   *

Në poemën “Andrra e jetës”, nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, poeti zbulon tragjedinë e malësorëve të varfër që jetonin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe ku ishin kredhur. Kjo poemë është himn i ekzistencës njerëzore.

Fazës së dytë krijimtarisë së Mjedës që fillon pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima “Scodra” dhe “Lissus” ku nëpërmjet historisë së lashtë të këtyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit shqiptar, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve, duke vijuar në kohën e poezisë së Rilindjes Kombëtare. Pra, cikli i dytë i poezive i filluar nga Mjeda do t’u kushtohej qyteteve të lashta të Ilirisë: Lissus (Lezha), Scodra (Shkodra), Dyrrachium (Durrësi) dhe Apolonia (Pojani). Dritën e botimit mundën ta shohin vetëm dy pjesët e para të këtij cikli. Lissus, e përbërë prej dymbëdhjetë sonetesh doli në maj të vitit 1921 në të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, kurse Scodra u botua në vitin 1939, pas vdekjes së autorit.

Nga kjo periudhë e jetës së tij është cikli Lirija i përbërë prej gjashtë sonetesh, si dhe oda Shqypes arbnore të botuar së pari nga prifti jezuit italian Fulvio Kordinjano S.J.* (Fulvio Cordignano, 1887-1952) në vitin 1931.

Shënim: Në vitet 1926-1941 Fulvio Kordinjano shërbeu si misionar në Misionin shëtitës shqiptar. Në vitin 1929 u ftua nga drejtori i Liceut Francez Sotir Papahristo (1887-1979) të vendosej në Korçë për t’u shërbyer katolikëve që ishin vendosur në qytet dhe të kontribuonte në lice me përgatitjen profesionale që posedonte. Në vitin 1942, pas një polemike publicistike dhe pas qëndrimeve antishqiptare, Fulvio Kordinjanon jezuitët e larguan nga Shqipëria.

Në krijimtarinë poetike të Mjedës zënë vend edhe vjershat për fëmijë. Mjeda ka lënë edhe disa përkthime. Romantik në thelb, Mjeda bëri një hap drejt realizmit. Synoi përsosmërinë klasike dhe dëshmoi mjeshtëri poetike të rrallë. Dha ndihmesë edhe në lëmin e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në gramatikë, në leksikologji dhe në filologji. Krijoi alfabetin që u përdor nga shoqëria “Agimi” me kriterin shkencor “për çdo tingull një shkronjë”, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të çmuar në lëvrimin e gjuhës letrare.

Në historinë e gramatologjisë shqiptare mund të përmenden: “Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe”(1934), “Mbi shqiptimin e qiellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe”(1902).

Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u mor me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë së vjetër shqipe. Në vitin 1930 transkriptoi pjesërisht veprën e Pjetër Bogdanin (Lindi në Gur të Hasit, Kukës, rreth vitit 1625 – Vdiq në Prishtinë në vitin 1689) dhe Pjetër Budin (Lindi në Gur të Bardhë të Matit, në vitin 1566 – U mbyt në Drin në rrethana të paqarta, gjatë kalimit të lumit, në vitin 1622). Mjeda shkroi edhe për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për “Perikopenë e ungjillit të shek.. XIV-XV” (1933).

Me jetën dhe krijimtarinë letrare dhe shkencore të dre Mjedës janë marrë studiuesit shqiptarë më eminentë si dhe studiues të huaj.

“Andrra e jetës”

Molla t’kputuna nji deget,

dy qershia lidhë n’nji rrfanë,

ku fillojnë kufijt’ e Geget,

rrijnë dy çika me nji nanë.

*   *   *

Edhe pse nuk mbulon ndonjë gamë të gjerë tematike, poezia e Mjedës dëshmon një gjuhë mjaft të përpunuar nën ndikimin e klasikëve italianë të shekullit XIX dhe një nivel të lartë përsosmërie metrike. Sikur Andon Zako Çajupi (1866-1930), Mjeda ngre një urë kalimi midis letërsisë së Rilindjes dhe asaj të periudhës së pavarësisë, por po ashtu si Çajupi, mbetet i ngulur fort në fillimet e këtij kalimi. Pas Çajupit dhe Mjedës vjen Asdreni, pseudonim i Aleks Stavre Drenovës (Drenovë, rreth pesë kilometra larg Korçës, 1872 – Bukuresht, 1947). Veprat e para të autorit të himnit kombëtar u ndikuan nga Naim Frashëri*, Frashër, 25 maj 1846 – Këzëll Toprak, Stamboll, 20 tetor1900). Njëherazi, Asdreni është i pari poet i periudhës kalimtare që mund të vendoset në anën tjetër të urës.

Shënim: Naim Frashëri vdiq në shtëpinë e vet në lagjen Këzëll Toprak (K?z?ltoprak) të Kad?köy-it në Stamboll, rreth orës 2 të mëngjesit, më 20 tetor 1900, por nuk e varrosën aty. Varrimi i tij krye të nesërmen, më 21 tetor 1900, në teqenë bektashiane në Merdiven Köy (Merdivenköy), pranë vëllait të vet, Abdyl Frashërit (Frashër, 1839 – Stamboll, 1892).

*   *   *

Çajupi, Mjeda dhe Asdreni me krijimet letrare të tyre paraqesin urë midis romantizmit dhe realizmit në letërsinë shqiptare. Vargu i Mjedës paraqet një hapë përpara drejt një kulture sovrane për një komb sovran.