Xhelal Zejneli: Në një histori dashurie fshihen fshehtësitë e jetës

1h më parë

“BUZË LUMIT PIEDRA U ULA DHE QAVA” – PAULO KOELHO

NË NJË HISTORI DASHURIE FSHIHEN FSHEHTËSITË E JETËS

Dashuria është e vetmja rrugë e vërtetë që i mundëson njeriut të njohë veten.

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Në një histori dashurie fshihen fshehtësitë e jetës. Pilara dhe shoku i saj ishin njoftuar qysh në fëmijëri. Në rini, u larguan nga njëri-tjetri. Pas njëmbëdhjetë vjetëve, përsëri takohen. Ajo, një grua të cilën jeta e kishte mësuar të bëhet e fortë dhe të mos i tregojë ndjenjat e veta. Ai është një burrë që ka forcë të bëjë mrekulli dhe i cili konfliktet e tij të brendshme kërkon t’i zgjidhë me ndihmën e fesë.

I bashkon dëshira për t’u ndryshuar, për t’i ndjekur ëndrrat e veta, për të gjetur shteg të ri. Për ta bërë këtë duhet të kapërcejnë shumë pengesa të brendshme: frikën nga dorëzimi, ndjenjën e fajit, paragjykimet. Pilara dhe miku i saj vendosin të shkojnë në një fshat të vogël malor dhe të çelin një shteg të vështirë që i çon tek e  vërteta e tyre.

Romani “Buzë lumit Piedra u ula dhe qava” (portugalisht: Na margem do Rio Piedra eu sentei e chorei) është një rrëfim dashurie tejet emocionues i shkrimtarit brazilian Paulo Koelo. Vepra është përkthyer në 34 gjuhë. Ka të dhëna që thonë se është përkthyer në 40 gjuhë. Është botuar në dhjetëra vende të botës.

Ngjarja ka të bëjë me dy shokë të fëmijërisë (një vajzë dhe një djalë) të cilët përsëri takohen pas njëmbëdhjetë vjetëve.

Në mënyrë poetike dhe me një stil modern, Paulo Koelo rrëfen për dashurinë, me ndihmën e së cilës zhytet në misteret më të thella të jetës.

Sipas të dhënave  zyrtare të “Paulo Coelho Fondation”, romani është përkthyer në 44 gjuhë. Disa botime të vjetra dhe rajonale thonë se është përkthyer në 34 gjuhë. Vepra është botuar në vitin 1994 si pjesë e parë e trilogjisë “Në ditën e shtatë”.

*   *   *

Pilara është një grua e re, racionale nga Saragoza. Ajo studion, kërkon siguri dhe ka frikë të rrezikojë në dashuri. Shoku i saj i fëmijërisë është i paemërtuar. Ai është dashuria e saj e parë që ishte bërë udhëheqës shpirtëror karizmatik, shërues dhe mbrojtës “i fytyrës femërore të Zotit” (të Shpirtit të Shenjtë si Nënë).

Përmbajtja e shkurtër e veprës ka të bëjë: me takimin e Pilarës me shokun e fëmijërisë; me udhëtimin e tyre të shoqëruar me një konflikt të brendshëm; me arsyen që i thotë Pilarës të qëndrojë në rrugë të sigurt; me zemra e saj që dëshiron ta pranojë dashurinë dhe botën shpirtërore që ia ofron ai.

Pas shumë vitesh, Pilara takohet me shokun e fëmijërisë. Ngjarja fillon kur ajo merr një ftesë prej shokut të saj të fëmijërisë për të marrë pjesë në ligjëratën e tij në Madrid. Kishin kaluar shumë vite pa u parë. Ai i kishte rënë rreth e përqark botës, në kërkim të urtisë shpirtërore, ndërsa ajo kishte zgjedhur një jetë monotone dhe të sigurt. Gjatë ligjëratës, Pilara e kupton se ai ishte bërë një mësues shpirtëror i respektuar i cili tërheq një numër të madh njerëzish dhe gjoja bën edhe mrekulli.

Udhëtimi dhe konflikti i brendshëm – Pas udhëtimit, që të dy vendosin të nisen në udhëtim për në Pirenejtë franceze. Gjatë rrugës, ai i thotë asaj se çdo gjë që ka bërë, ka bërë për të dhe se sot e kësaj dite e dashuron tej mase.

Pilara ballafaqohet me një luftë të brendshme të ashpër:

Arsyeja e saj i thotë që të qëndrojë në rrugë të sigurt, të kryejë fakultetin dhe të gjejë një punë të qëndrueshme.

Zemra e saj dëshiron ta pranojë dashurinë dhe botën shpirtërore që ia ofron ai.

Pilara përjeton një transformim shpirtëror. Duke qëndruar në fshatrat malore dhe duke i vizituar faltoret, siç ishte ajo e Zonjës së Lurdit në Lurdes (Lourdes) të Francës, Pilara dalëngadalë i hapet botës shpirtërore. Merr mësim për konceptin e dhurimit të dashurisë dhe flakjes së frikës nëpërmjet figurës së “Tjetrit”, të asaj pjese tonë që ka frikë prej ndryshimeve.

Buzë lumit të ftohtë dhe të rrëmbyeshëm Piedra në Spanjë, Pilara përjeton katarsis – ulet dhe qanë, duke lejuar që dhimbjet e saj të grumbulluara, frika dhe emocionet e ndrydhura të shkojnë me rrjedhën e lumit.

Pilara dhe miku i saj i fëmijërisë vijnë në një situatë tundimi dhe sakrifice. Çështja arrin kulmin kur Pilara mëson se bashkudhëtarit të saj i duhet të marrë një vendim të rëndësishëm. Për të qenë me të, ai duhet të heqë dorë nga dhuntia e vet shpirtërore e shërimit dhe e predikimit. Për hir të dashurisë ndaj saj, ai është i gatshëm të sakrifikojë. Mirëpo, Pilara e kupton se një sakrificë e tillë do ta shkatërronte atë, duke e shkatërruar atë që është në të vërtetë.

Pilara i jep çështjes zgjidhje. Ajo vendos ta kthejë sakrificën duke e bindur atë që të mos flakë dhuntinë e tij. Nëpërmjet këtij akti dashurie pa interes, që të dy gjejnë baraspeshë. Ata e kuptojnë se dhurata shpirtërore dhe dashuria tokësore nuk është patjetër ta përjashtojnë njëra-tjetrën. Ato mund të bashkëjetojnë.

Vepra përfundon me shpresën dhe me pranimin e fatit, ku dashuria ngadhënjen ndaj frikës.

Tema kryesore e romanit ka të bëjë: me anën femërore të Zoti, me mposhtjen e frikës; dhe me forcën e dashurisë.

Tek ana femërore e Zotit autori flet për rëndësinë e energjisë femërore (e Shën Mërisë, e Nënës së Madhe) në religjion dhe në spiritualitet. Te mposhtja e frikës shkrimtari flet për luftën e individit ndaj bllokadave të veta dhe pritjeve shoqërore. Për forcën e dashurisë Kuelo thotë se dashuria është e vetmja rrugë e vërtetë që i mundëson njeriut të njohë Zotin dhe veten.

*   *   *

Paulo Koelho de Souza (Paulo Koelho de Souza; Rio de Zhaneiro, 24 gusht 1947 - ) është romancier dhe lirik brazilian. Prej vitit 2002 është anëtar i Akademisë Braziliane të Letrave. Romani i tij “Alkimisti” (1988) është bestseller ndërkombëtar. Sipas të dhënave të nëntorit të vitit 2025, romani i sipërthënë është bërë fenomen global. Është përkthyer në 88 gjuhë dhe është shitur në mbi 320 milionë kopje. Është botuar në mbi 150 vende të botës.

Krahas shkrimtarit kolumbian Gabriel  Garsia Markez (Gabriel José García Márquez; Aracataca, Kolumbi, 1927- Meksiko, Meksikë, 2014), është një prej shkrimtarëve më të lexuar në botë.