Xhelal Zejneli: Legjenda e Gjergj Elez Alisë
LEGJENDA E GJERGJ ELEZ ALISË

Kënga epike e Gjergj Elez Alisë u regjistrua nga
mbledhësit e folklorit dhe nga klerikët e njohur françeskanë – poeti, muzikanti
dhe mbledhësi i folklorit At Bernardin Palaj (Shkodër, 1894 – 1946) dhe frati,
edukatori, studiuesi dhe folkloristi shqiptar Donat Kurti (Shkodër,
1903-1983) në Nikaj të Tropojës. Varianti i regjistruar u botua në
Tiranë në vitin 1937, duke e
sjellë këngën nga tradita gojore në
atë të shkruar.
Shënim: Bernardin
Palaj u arrestua nga regjimi komunist më 22 tetor 1946. U mbyll në burgun e
Shkodrës. Vdiq në burg nga torturat, më
02 dhjetor 1946. Më 5 nëntor 2016 Papa
Françesku (1936-2025) e shpalli pjesë të 38 martirëve shqiptarë të rënë për
fe dhe për atdhe.
* * *
Legjenda e Gjergj Elez Alisë është një nga
krahët më të fuqishëm dhe më prekës të eposit
të kreshnikëve. Simbolizon sakrificën sublime, nderin familjar, dashurinë
vëllazërore dhe qëndresën e shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj.
Nëntë plagët dhe dergjja në shtrat - Gjergj Elez Alia ishte malësor, trim i madh. Në luftërat e tij kundër pushtuesve
të huaj kishte marrë në trup nëntë plagë të rënda. Nëntë vjet me radhë, u dergj në shtratin e vdekjes. Prindërit i
kishin vdekur. I vetmi person që i qëndroi natë e ditë pranë, ishte e motra. Ajo ia lante
plagët me lot dhe ia fshinte me flokët e saj.
Kërcënimi i Bajlozit të Zi - Pas nëntë vjetësh doli nga deti një
përbindësh i zi apo një trim i prapë
i quajtur Bajloz i Zi. Ai filloi ta shkatërronte vendin, t’i digjte
shtëpitë, t’i merrte djemtë e rinj si skllevër dhe t’i vriste trimat që guxonin
t'i dilnin përballë. Për ta ndalur masakrën, kërkoi që çdo familje t'i jepte para
dhe një vajzë të re. Kur i erdhi radha shtëpisë së Gjergjit, Bajlozi ia kërkoi
motrën.
Nderi - Motra nisi të qajë mu pranë kokës së të vëllait. Kishte frikë për fatin
e saj. Pa të, kush do të kujdesej për Gjergjin e rënduar prej plagëve. I prekur
në nder dhe i mbushur me dashuri për motrën, Gjergji mori një forcë mbinatyrore. Kërkoi nga motra të
shkonte te nallbani-probatin për t'i mbathur kalin e luftës apo gjokun. Ndonëse
armët i ishin ndryshkur, ai i përgatiti ato dhe u bë gati për dyluftim.
Dyluftimi - Të nesërmen, Gjergj Elez Alia doli në logun e luftës përballë Bajlozit të
Zi. Ma t’ia parë trupin e dërmuar, ai e nënçmoi. Gjergji ia bëri me dije se me nderi
dhe me trimëria s’bëhet dot lojë. Pas një përleshjeje të ashpër, Gjergji arriti
ta godiste dhe ta vriste Bajlozin e Zi, duke çliruar vendin nga tmerri.
Me ta fituar dyluftimin dhe me ta mbrojtur nderin e
motrës dhe të atdheut, Gjergji u kthye në shtëpi. Nga gëzimi dhe lehtësimi,
motër e vëlla u përqafuan. Në atë çast, nga dhimbja e grumbulluar dhe energjia
e harxhuar, zemrat e tyre pushuan së rrahuri në të njëjtin çast. Trupat e tyre
u varrosën në një varr të përbashkët.
Motivet kryesore të legjendës janë besa, nderi familjar, kujdesi dhe sakrifica e motrës
për vëllain.
* * *
Legjenda
e Gjergj Elez Alisë mjihet edhe te myslimanët në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Sanxhak dhe te goranët. Atje njihet me emrin
Gjerzelez Alija apo Gerzelez, Erzelez. Konsiderohet hero i këngëve popullore
dhe i gojëdhënave.


