Xhelal Zejneli: Eqrem Çabej
Me rastin e 46-vjetorit të vajtjes në qiellin engjëllor
EQREM ÇABEJ
Historia e një gjuhe është histori e atij
populli

Eqrem Çabej (Gjirokastër,
1908 – Romë, 1980) është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë së re
shqiptare. Lindi në Gjirokastër, më 7 gusht 1908, ndërsa vdiq në Romë, më 13
gusht 1980. Në Romë kishte vajtur për t’u mjekuar nga një sëmundje e rëndë. Në
periudhën kur jetoi Çabej, populli shqiptar përjetoi ngjarje nga më të
rëndësishmet të historisë së tij shumëshekullore në trojet e veta në brigjet
lindore të Adriatikut dhe të Jonit. Është bir Hysenit dhe Ajshes. Babai kishte kryer
shkollën e Drejtësisë në Stamboll. Çabej kishte një vëlla më të madh –
Salaudinin. Ka edhe të dhëna sipas të cilave Çabej ka lindur në Eskishehir,
asokohe në vilajetin e Bursës.
Mësimet e para i mori në Gjirokastër.
Në vitin 1921 atje mbaroi shkollën qytetëse. Duke qenë se këtë shkollë e mbaroi
me sukses të shkëlqyer, fitoi të drejtën e një burse të dhënë nga Prefektura e
Gjirokastrës, për të vazhduar shkollimin e mesëm dhe studimet e larta jashtë
Shqipërisë. Sikundër të rinj të tjerë shqiptarë, edhe Çabej mori rrugën e
mërgimit, në kërkim të diturisë.
Në kujtimet e të nipit Dragush Çabejit,
aty nga viti 1967, midis tjerash thuhet: “Çabej
kishte shumë mall për Gjirokastrën. Në prill të 1967-s e prita sa erdhi. Zbriti
te Sheshi i Çerçizit. Qëndroi një copë herë duke parë monumentin e tij. Pastaj
e brodhi me sy të gjithë qytetin. Isha njëmbëdhjetë vjeç pa bërë. Morëm Qafën e
Pazarit. Qëndroi para shtëpisë së tij. ... Ja libraria e Nimet Karagjozit. Këtu
nxënësit e shkollës blinin libra e broshura të Buzukut, Matrëngës, Samiut,
Naimit, letërsi klasike frënge...”
Për të vazhduar studimet, Çabej u
dërgua në Austri. Ai dhe shokët e ti shqiptarë përpiqeshin të paraqiteshin sa
më mirë në atë mjedis të ri të panjohur. Ata nisën të mbanin edhe kravata. Në
fillim e patën ca vështirë derisa mësuan t’i lidhnin. Një gjë të tillë ai e
rikujtonte shpesh me njëfarë humori. Për këtë flet në kujtimet e veta edhe
gruaja e tij, Shyretja, duke e cituar Çabejin: “Ishte nata e parë në Vjenë dhe të gjithë bashkëstudentët e mi e kishin
shqetësim si do të bënin në mëngjes të lidhnin kravatën. Unë nuk flisja, po
mendjen aty e kisha. Në mëngjes, shumica me kravata në dorë, i luteshin
njëri-tjetrit për t’ua lidhur. Kur më panë mua me kravatën të lidhur, shtangën
për një çast, pastaj m’u zemëruan që nuk i kisha ndihmuar. U qetësuan kur u
fola: Edhe nuk dija ta lidhja. Kam fjetur pa e hequr fare kravatën...”
Në Austri, para se të hynte në ndonjë
shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Rainmyler, në St. Pölten afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten.
Ishte një familje e kulturuar dhe dashamirëse. Çabej punoi shumë për ta
përvetësuar sa më shpejt gjermanishten. Me zellin e madh dhe me sjelljen
shembullore la përshtypje shumë të mira. Familja që e strehoi për një vit, me
Çabejin dhe me familjen e tij mbajti lidhje të vazhdueshme.
Nga një letër e 82-vjeçares Eli Rainmyler dërguar vajzës së
profesor Çabejit në vitin1977, midis tjerash thuhet: “... një ditë djemtë (nga Shqipëria) erdhën. Burri im, me shikimin e
tij prej njohësi, zgjodhi Eqrem Çabejin. Ishte një djalë trim dhe im shoq i
gëzohej shumë nxënësit të vullnetshëm. Na duhej ta nxirrnin me zor në kopsht
djalin, që s’ndahej dot nga librat.
Pas disa vjetësh, kur e dha provimin e pranimit për në klasën e pestë të
gjimnazit, ndërsa profesori i gjermanishtes pas pak kohe konstatoi se Çabeji ishte më i miri i klasës, ne të
gjithë ishim krenarë për të...”
Pas një vit qëndrimi në St. Pölten për
të mësuar gjermanishten, Çabej i mori njëherësh dy klasa të gjimnazit që e
mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë.
I ati, një gjykatës i diplomuar në
Dar-ul-Hukuk të Stambollit, e këshilloi të birin të vazhdonte universitetin për
mjekësi. Por Çabeji dëshironte të
bëhej gjuhëtar. I ati ia ktheu prerazi: “Gjuhësia
është për pasanikët, kurse neve na duhet një zanat që të na sigurojë jetën”.
Djali, “i bindur”, u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të
Romës. Këtu shkonte në bibliotekat romane dhe më fort studionte vepra gjuhësore
e letrare.
Bashkëshortja e Çabejit, duke
parafrazuar Çabejin, tregon një detaj tjetër: “Një profesori tim një ditë iu duk se kam shprehi për muzikore. Më
propozoi që të regjistrohesha në një shkollë muzikore. Në fillim edhe mua më
pëlqente kjo ide. Vendosa t’i shkruaja babait. Ai m’u përgjigj prerë: “Shiko
shkollën dhe hiqe nga mendja qemanen”. E fshiva nga kujtesa shkollën e muzikës.
Po muzikën jo...”
Në vitin akademik 1927-1928 u
regjistrua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Gracit. Këtu ndoqi
studimet për dy semestra. Pas kësaj, studimet i vazhdoi në Universitetin e
Vjenës.
Dega e gjuhësisë në Fakultetin
Filozofik të Universitetit të Vjenës kishte një traditë të çmuar. Aty kishin
punuar profesorë të shquar si: sllavistët e njohur Franc Miklosiç* (Franz Miklosich, 1813-1891), Vatroslav Jagiç (1838-1923), romanisti
me emër Vilhelm Majer-Lybke (Meyer-Lübke,
1861-1936) etj.
Shënim: Franc Miklosiç (Franz Miklosich,
1813-1891) - sllavist, ballkanolog dhe albanolog slloven, profesor në
Universitetin e Vjenës, akademik (Austri). Ka botuar edhe studime për gjuhën
shqipe si “Albanische Forschungen”
(Hulumtime shqiptare) I, II. Për shqipen ka shkruar edhe studime të tjera
sidomos në “Die slavischen Elemente im
Rumänischen” (Elementet sllave në rumanishte). Është autor i veprës “Vergleichende Grammatik der slavischen
Sprachen” (Gramatika krahasuese e gjuhëve sllave) në katër vëllime
(1852-1875); mbahet si themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë
sllave. Ka përkrahur tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.
Vatroslav Jagiç (1838-1923)
- gjuhëtar me prejardhje kroate, autor i disa veprave për historinë e gjuhës
dhe të letërsisë sllave.
Vilhelm Majer-Lybke (Meyer-Lübke,
1861-1936) - romanist me prejardhje zvicerane. Ka botuar studimin e gjatë “Rumänisch, romanisch, abanesisch” dhe e
ka ripunuar studimin e albanologut austriak Gustav Majerit (Gustav Mejer, 1850-1900) “Die lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet latine në
shqip). Majer-Lybke është autor i veprës madhore “Grammatik der Romanischen Sprachen” (Gramatikë e gjuhëve romane) etj.
* * *
Në kohën që u regjistrua Çabej, në atë
universitet punonin, ndër të tjerë, indoevropianisti dhe grecisti i njohur Paul Kreçmer* (Paul
Kretschmer, 1866-1956), albanologu i dëgjuar Norbert Jokl (1877-1942), arkeologu dhe historiani i njohur Karl Paç (Karl Patsch, 1865-1945) etj.
Shënim: Paul Kreçmer (Paul Kretschmer,
1866-1956) - gjuhëtar i shquar me prejardhje gjermane. Ka shkruar edhe për
ilirishten dhe shqipen. Me rastin e vdekjes së tij, Çabej ka shkruar një
nekrologji të botuar më 1957.
Norbert Jokl (Norbert
Jokl, 1877-1942) - gjuhëtar dhe albanolog i shquar austriak me prejardhje
çifute. Lindi në Bzenec të Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si
autodidakt. Si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht
mësim si pedagog i jashtëm për shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga
nazistët më 1942. Më 1972, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në
Insbruk të Austrisë u organizua një konferencë ndërkombëtare. Në të morën pjesë
edhe gjuhëtarë shqiptarë. Tërë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës
shqipe. Punoi në fushën e etimologjisë
dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e
tjera, për fonetikën dhe morfologjinë
historike të saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesischen Etymologie und
Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për
etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe “Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des
Albanischen”, Berlin-Lajpcig, 1923 (Gjurmë
gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka edhe
studime të tjera. Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë,
vizitoi Shqipërinë. Jokli mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po duke e vendosur djepin e
parë të tyre në Dardaninë e lashtë, Kosova e sotme.
Karl Paç (Carl
Patsch, 1865-1945) - arkeolog dhe historian austriak, një nga themeluesit e
arkeologjisë ilire. Prej viti 1921 profesor në Universitetin e Vjenës
dhe drejtor i Institutit Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore
e zgjeroi edhe mbi Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në
librin “Das Sandschak Berat in Albanien”
(Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë
1904). Në vitet 1922-1924 punoi në
Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në
shqip dy libra: “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë
në kohën e kalueme”, Tiranë 1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa
punime, për një nënshtresë trake në
trevën e ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për përbërjen etnike
helene të qyteteve ilire Klos e Bylis, është rrëzuar nga studimet e mëvonshme.
* * *
Në Austri ishte krijuar një traditë e
mirë për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë së popullit
shqiptar. Mjafton të përmendet vepra e njohur “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, 1854) e konsullit austriak në Janinë, me prejardhje gjermane, Georg fon Han* (Gerge von
Hahn, 1811-1869) si dhe veprimtaria albanologjike e Gustav Majerit (Gustav Meyer, 1850-1900). Këtu duhet shtuar edhe
veprimtarinë shkencore të albanologëve austriakë Norbert Joklit dhe të Maksimilian
Lambercit (Maximilian Lambertz, 1882-1963).
Nga sa më sipër rezulton se vendimi i
Çabejit për t’i vazhduar studimet universitare në Vjenë ishte plotësisht i
përligjur.
Shënim: Georg fon Han (Gerge von Hahn,
1811-1869) - albanolog austriak me prejardhje gjermane, një nga themeluesit
e shkencës së albanologjisë. Përpos veprës së sipërthënë, është autor
edhe i veprave “Reise von Belgrad nach
Saloniki” (Udhëtim nga Beogradi në Selanik) dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, 1867-1869).
Gustav Majer (Gustav
Mejer, 1850-1900) - albanolog austriak me prejardhje gjermane, një
nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, profesor i
gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Ndër të tjera, ka
botuar veprën “Etymologisches Wortebuch
der albanesischen Sprache” (Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, 1891) dhe gjashtë vëllime të serisë “Albanesische Studien”, I – VI, (Studime
shqiptare, Vjenë 1883-1897). Vuri
në dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke. Gustav
Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe vjen nga ilirishtja dhe se ajo zë
një vend të veçantë midis gjuhëve indoevropiane.
Maksimilian Lamberc (Maximilian
Lambertz, 1882-1963) - gjuhëtar austriak. Mori pjesë në punën e Komisisë
Letrare Shqipe. Ka botuar disa vepra për folklorin shqiptar, si “Die Volkspoesie der Albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë
1917), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde”
(Përralla shqiptare dhe të tjera tekste të folklorit shqiptar, Vjenë 1922), “Epika popullore shqiptare”, 1958) etj.
* * *

Shënim: Holger Pedersen (1867-1953) - gjuhëtar danez, indoevropianist, keltolog dhe albanolog.
Profesor i gjuhëve sllave dhe i gramatikës krahasuese indoevropiane në
Universitetin e Kopenhagës. Është marrë edhe me armenishten, me gjuhët
baltike-sllave, me gjuhët semitike, me gjuhët ugro-fine. Më 1893 qëndroi në
Korfuz. U interesua të mblidhte përralla dhe këngë popullore shqiptare. Bëri
një vizitë të shkurtër në Sarandë e Delvinë. Materialin e mbledhur e botoi më
1895 në veprën “Albanesische Texte mit
Glossar” (Tekste shqipe me fjalor, 1895).
Botoi studime me vlerë për shqipen, si: “Kontribut
për historinë e gjuhës shqipe” (1894); “Die
Gutturale im Albanesischen” (Grykoret në gjuhën shqipe, 1900); “Das
Neutrum im Albanesischen” (Asnjanësi në shqipen, 1899), “Albanesisch 1905” (Shqip
1905) etj. Vuri në dukje se
dallimi midis dy dialekteve të shqipes është shumë më i vogël sesa dallimet
dialektore të shumë gjuhëve të tjera. Mbajti një qëndrim kritik ndaj mbivlerësimit
të ndikimit të huaj mbi gjuhën shqipe. Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes
nga ilirishtja. Studimet e tij për shqipen janë përkthyer dhe kanë dalë
në dritë me titullin “Studime për gjuhën
shqipe”, botuar nga AShAK, Prishtinë 2003.
* * *
Norbert Jokli ishte
mik i Shqipërisë. Të gjitha energjitë e veta i përqendroi në studimet kushtuar
shqipes dhe historisë së saj. Prej vitit 1916 deri në vitin 1940, në revistën “Indogermanisches Jahrbuch” (Vjetari
indoevropian), mbajti rubrikën bibliografike
për studimet mbi gjuhën shqipe dhe për Shqipërinë. Jokli e mbajti afër
studentin e talentuar, Çabejin, kështu që midis tyre u zhvillua një bashkëpunim
i frytshëm.
Punën studimore rreth gjuhës shqipe
Çabej e nisi qysh kur ishte student. Në Universitetin e Vjenës, për të marrë
diplomën me gradën e doktorit, studenti duhej të mbronte një disertacion. Për
këtë qëllim, diplomanti Çabej zgjodhi temën “Studime
italo-shqiptare” (Italoalbanische Studien). Në vitin 1932, për këtë
disertacion shkoi e mblodhi material pranë arbëreshëve të Sicilisë.
Disertacionin e mbrojti më 7 tetor 1933 para Prof. dr. Paul Kreçmerit, Prof. dr. Norbert
Joklit dhe Prof. dr. Karl Paçit.
Për këtë, Universiteti i Vjenës ia dha diplomën për gradën doktor. Diploma,
përkrah vlerësimit shkëlqyeshëm (Ausgezeichnet),
është nënshkruar nga tre profesorët e lartpërmendur.
Disertacioni prej 145 faqesh të
daktilografuara përbëhet prej pesë kapitujsh. Kreu i parë bën fjalë për
emigrimin e arbëreshëve dhe për përhapjen e tyre në Italinë e Jugut dhe në
Sicili (f. 1-50). I dyti përmban një
skicë të sistemit gramatikor (f. 51-94). Në kreun e tretë trajtohet
fjalëformimi dhe fjalori (f. 95-113): prapashtesat romane, etimologjia
popullore, kalke gjuhësore dhe huazime (gjermane, turke, arabe). Në kreun e
katërt janë përfshirë tekste të mbledhura nga vetë autori (f. 114-130): jeta baritore
dhe mjekësia popullore, përralla, këngë, balada e Kostandinit të vogël,
ringjallja e Lazërit. Kreu i pestë përmban një fjalorth.
Qysh në vitet e para të studimeve, krahas
punës si student, Çabej ka bërë punë kërkimore në fushën e gjuhësisë e të
letërsisë. Në “Gazeta e re” të datës
22 shkurt 1929 botoi një artikull vlerësues mbi poezinë e Lasgush Poradecit (emri i vërtetë Llazër Gusho, 1899-1987). Në
vitin 1929, kur ende ishte student në Gracë, Çabej kishte shkruar artikujt “Një shkrim i panjohur i De Radës” dhe “Kundër pseudofilologëve”. Në artikullin
e dytë Çabej kritikon disa të ashtuquajtur intelektualë shqiptarë që orvateshin
të shiteshin si të përgatitur për çështje të vështira filologjike, nga të cilat
nuk merrnin erë fare. Studenti 22-vjeçar i quan diletantë, ashtu siç ishin.
Artikulli, jo pa arsye, nuk e pa dritën e shtypit. Midis tjerash, i riu i
talentuar ngrihet me guxim dhe shkruan: “Zakoni
i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide, e jo për inate personale,
për çfryrjen e të cilëvet janë të çelura kaq gjykatore!” “...
Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është
i vetmi thesar!...”
Me kërkesat serioze ndaj studimeve
shkencore në fushën e gjuhësisë, ky i ri tërhoqi vëmendjen e profesorëve të
shquar si P. Kreçmeri, N. Jokli etj.
Për çështje të rëndësishme nga lëmi i gjuhësisë Çabej diskutonte me profesorët
e vet, kur takohej me ta apo përmes letrave. Në njërën prej shumë letrave të N.
Joklit, të datës 7 prill 1940, profesori me emër i drejtohet Çabejit me “I dashur mik”. “Shpesh kujtoj me ëndje ato vite të punës sonë..., bisedat e shumta e
të zjarrta për të gjitha problemet e shkencës albanologjike dhe të historisë s
saj.”
Autoritetet drejtuese të Universitetit
të Vjenës i propozuan të diplomuarit Çabej të qëndronte në atë universitet si
asistent pranë N. Joklit. Por, për të porsadiplomuarin shqiptar, balta e mëmëdheut ishte më e ëmbël se
kryeqyteti i ish-Perandorisë Austro-hungareze.
Çabej 25-vjeçar, pas mbarimit të
studimeve universitare u kthye në Shqipëri. Dituritë dhe energjitë e tij do t’i
vërë në shërbim të atdheut. Në Shqipëri, nga plaga e analfabetizmit vuanin 80
për qind e popullsisë. Niveli i përgatitjes së nxënësve ishte ende larg nivelit
mesatar të kohës. Numri i nxënësve nëpër shkolla ishte shumë i vogël.
Çabej u emërua nëndrejtor i konviktit “Malet tona”, pranë gjimnazit të
Shkodrës, me të drejtën për të dhënë edhe orë mësimi në atë shkollë. Në këtë
gjimnaz, të themeluar në vitin 1922, Çabej zhvilloi lëndën e letërsisë shqipe.
Nga teksti “Elemente të gjuhësisë e të
literaturës shqipe” të botuar më 1936, në orët e mësimit ai jepte edhe
njohuri për gjuhën dhe folklorin shqiptar.
Në vitin shkollor 1935-1936 Çabej u
transferua në Shkollën Normale të Elbasanit. Për kulturën e gjerë, për sjelljen
dhe lidhjet e tij me nxënësit, ka lënë përshtypje shumë të mira, si në Shkodër,
ashtu edhe në Elbasan. Edhe në Normalen e Elbasanit Çabej qëndroi vetëm një
vit. U transferua në Ministrinë e Arsimit për t’u marrë me drejtimin e arsimit
të mesëm. Një emërim të tillë, ai nuk e kishte mirëpritur. Kërkesa e Çabejit që
të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës, nuk u pranua.
Drejtuesit e dikasterit të sipërthënë e dërguan në Shkollën e Plotësimit
Ushtarak! Pas mbarimit të kësaj shkolle autoritetet vendosën që Çabej të transferohet si profesor në Gjirokastër.
Më 25 korrik 1930, në ceremoninë e
varrimit të atdhetarit të Rilindjes, Bajo
Topullit (1868-1930) Çabej mbajti ligjëratë, në të cilën ndërmjet tjerash
thotë: “Ti, o rrëzuari lis, si ata lisa
që ngrihen në malet tona! Ti, mësues e edukator i kaq brezave shqiptare! Bajo,
prehu, pra! Dergje trupin tënd te balta jote! Për Atdheun që e bëre dhe na e le
trashëgim, mos ki frikë! Ne djalëria betohemi këtu para trupit tënd, se
ç’fitove ti, ne do ta ruajmë, qoftë edhe me gjakun tonë....”
Gjatë viteve 1938-1939 e gjejmë përsëri
arsimtar. Tani në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë, të
bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe. Një prej ish-nxënësve të tij, midis
tjerash thotë: “Profesor Çabej na kënaqte
me shpjegimet e tij për letërsinë arbëreshe...” Ai i këshillonte nxënësit
që në hartime të shkruanin shkurt e qartë.
Një ish-nxënës e kujton Çabejin për
orën e mësimit të mbajtur më 12 ose 13 prill 1939, pas pushtimit fashist të
Shqipërisë: “Ai erdhi në mësim i vrenjtur
dhe i mërzitur...”
Në vitin shkollor 1939-1940 Çabej u
transferua në Gjimnazin e Tiranës, ku u ngarkua me drejtimin e shkollës.
Autoritetet pushtuese më kot shpresonin ta bënin për vete profesorin me
kulturë. Ai nuk bëhej vegël e tyre. Në një shkresë të datës 29.7.1940, për
Çabejin midis tjerash thuhet: “... Deri më sot nuk ka treguar asnjë shenjë
afrimi në politikën fashiste. Duhet konsideruar i rrezikshëm dhe duhen marrë
masa për ta shkarkuar nga detyra...”
Autoritet pushtuese italiane e larguan
Çabejin nga Shqipëria, duke i gjetur një “punë shkencore” pranë Akademisë së
Shkencave në Romë. Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij për të punuar për “Atlasin gjuhësor shqiptar”.
Në autobiografinë e tij Çabej ndër të
tjera shkruan: “Kam hedhur poshtë çdo
propozim për bashkëpunim me të huajin...”
Në Romë Çabej qëndroi deri në korrik të
vitit 1944. Buka e huaj është e kripur. Rëndë është të ngjitesh e të zbresësh
nëpër shkallët e botës. Mëmëdheu kishte nevojë për të. U kthye në Shqipëri.
Pas viti 1945 u krye riorganizimi i
Institutit të Shkencave me tre sektorë: gjuhë-letërsi,
histori-gjeografi dhe shkencat
natyrore. Më 1946 u hap në Tiranë e para shkollë e lartë, ish-Instituti
Pedagogjik dyvjeçar me katër degë: gjuhë-letërsi,
histori-gjeografi, matematikë-fizikë dhe kimi-biologji. Më 1951 ky institut u shndërrua në Institut
Pedagogjik katërvjeçar. Më 1957 u themelua Universiteti i Tiranës. Pedagogë të
kësaj kohe, midis tjerësh ishin: personaliteti i shkencës dhe i arsimit Aleksandër Xhuvani (1880-1961), gjuhëtari, dijetari, albanologu Eqrem Çabej (1908-1980), gjuhëtari Kostaq Cipo (1892-1952), historiani Aleks Buda (1911-1993), shkrimtari, poeti dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), gjuhëtari dhe albanologu Mahir Domi (1917-2000) etj. Çabej
është ndër anëtarët themelues të ASHSH
dhe anëtar i Presidiumit të saj.
Në Institutin Pedagogjik dyvjeçar në
Tiranë Çabej zhvilloi lëndët linguistikë dhe
albanologji. Ai e vazhdoi punën
pedagogjike edhe më pas në Institutin Pedagogjik katërvjeçar, e sidomos në
Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, që në kuadër të Universitetit të
Tiranës, u ngrit mbi bazën e Institutit katërvjeçar. Këtu ai zhvilloi për shumë
vjet lëndët Hyrje në historinë e gjuhës
shqipe dhe Fonetika historike e
shqipes, për të cilën hartoi edhe tekstin përkatës. Më 1957 ky tekst me 94
faqe, u botua si dispensë. I zgjeruar, u ribotua disa herë. Si libër u ribotua
edhe në Prishtinë.
Duke qenë se ishte punonjës shkencor,
më parë në ish-Institutin e Shkencave, ndërsa pas riorganizimit të tij në vitin
1957, në Institutin e Gjuhës e të Letërsisë, punën pedagogjike Çabej e kryente
si pedagog i jashtëm. Ai punonte në sektorin e gjuhësisë, që më parë drejtohej
nga Aleksandër Xhuvani, ndërsa prej vitit 1955, nga Mahir Domi.
Në veprimtarinë gjysmëshekullore të
Çabejit vendin kryesor e zë prodhimtari e tij e pasur shkencore. Sipas disa studiuesve, veprimtari e tij mund të ndahet
në dy faza kryesore.
Faza e parë vazhdon deri në fund të
vitit 1944, ndërsa e dyta nis pas vitit 1945. Në fazën e parë ai është marrë me
studime thjesht shkencore, por edhe me botime për arsim të mesëm. Në fazën e
parë të veprimtarisë së tij bie në sy interesimi i madh, jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për folklorin dhe letërsinë artistike, me një anim të lehtë nga kjo fushë e dytë.
Në studimet gjuhësore të asaj periudhe bëjnë
pjesë: “Tekste italo-shqiptare”
botuar më 1935 në Hylli i Dritës XI; “Elemente dialektore nga Italia” botuar
në vitin 1936 në gjermanisht në revistën e Vjenës Glotta, XXV; “Marrëdhëniet
midis shqipes dhe rumanishtes” botuar në vitin 1936 në gjermanisht në Revue internationale des etudes balkaniques
(revistë në gjuhën frënge), Beograd, Viti I, Nr. 2; “Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike”, botuar në
revistën e sipërthënë, Nr. 4-6; “Atlasi
gjuhësor shqiptar”, Grottaferrata,
1943.
Fushës së folklorit dhe të letërsisë
i takojnë punimet: “Kënga e Leonorës në
poezinë popullore shqiptare”, botuar më 1934 në revistën Normalisti, Elbasan; “Zakone dhe doke të shqiptarëve”, revista
Illyria I (1936); “Kostandini i vogëlith dhe kthimi i
Odiseut”, Hylli i Dritës (1936); “Për
gjenezën e literaturës shqipe”, Hylli i Dritës (1937); Kulti dhe vijimi i hyjneshës
Diana në Ballkan”, botuar më 1941 gjermanisht në Lajpcig.
Në studimet me karakter gjuhësor,
letrar dhe folklorik bëjnë pjesë: “Studime
italo-shqiptare” dhe teksti për shkolla të mesme “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”. Ky tekst është i
ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë jepen njohuri mbi gjuhën, mbi gjuhët e
botës, mbi gjuhët indoevropiane dhe mbi shqipen. Në të dytën jepen njohuri për
shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, për shkrimtarët e shekullit XIX
dhe të fillimit të shekullit XX, si dhe për poezinë popullore shqiptare dhe
arbëreshe. Në pjesën e tretë, që përfundon me faqen 201, janë përfshirë pjesë
të zgjedhura nga shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, nga shkrimtarët
shqiptarë dhe arbëreshë të shekullit XX, nga poezia popullore e arbëreshëve të
Greqisë dhe të Italisë si dhe nga Shqipëria.
Veprimtaria shkencore e Çabejit mori
një zhvillim shumë më të madh në fazën e dytë, d.m.th. pas viti 1945, kur ai
punoi pranë ish-Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë Institutit të
Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe njëkohësisht edhe si pedagog në shkollën e
lartë.
Çabej bashkëpunoi edhe me gjuhëtarë të
tjerë: me profesor Aleksandër Xhuvanin për
hartimin e monografive “Parashtesat e
gjuhës shqipe” (1956) dhe “Prapashtesat
e gjuhës shqipe” (1962) që janë dy nga studimet shkencore më të rëndësishme
të gjuhësisë shqiptare. Ky bashkëpunim i këtyre dy dijetarëve të shquar duhet
t’u shërbejë si shembull edhe të tjerëve. Me A. Xhuvanin, Çabej ka bashkëpunuar
edhe në vepra të tjera. Për shpirtgjerësinë e këtij dijetari, Çabej shkruan me nderim.
Çabej ka bashkëpunuar edhe në mjaft
vepra kolektive, si në përgatitjen e Fjalorit
serbo-kroatisht – shqip (1947) dhe në hartimin e 13 terminologjive për shkenca të ndryshme. Ka bashkëpunuar edhe në
redaksitë e revistave shkencore të ish-Institutit të Shkencave dhe të
Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, në komisionet përgatitore të konferencave dhe të sesioneve shkencore të organizuara nga Instituti i Gjuhësisë
dhe i Letërsisë, si dhe në komisionin përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit
të Gjuhës Shqipe (1972).
Veprimtaria e tij shkencore në fushën e
gjuhësisë ka qenë pa krahasim më e frytshme dhe më e rëndësishme se në
fusha të tjera. Krahas bashkëpunimit në vepra kolektive me karakter gjuhësor,
Çabej ndërmori edhe disa punime të rëndësishme afatgjata që diktoheshin edhe
nga kërkesat e reja të zhvillimit të gjuhësisë shqiptare. Si dishepull i
gjuhëtarëve të mëdhenj si Kreçmeri,
Jokli etj., ai i vuri vetes si detyrë afatgjatë sqarimin e disa çështjeve
të rëndësishme të gjuhës shqipe që kërkonin zgjidhje sa më të argumentuara.
Është fjala sidomos për studimet në rrafshin historik (diakronik) ku deri
atëherë, fjalën e parë dhe të fundit e thoshin pothuaj vetëm studiuesit e huaj.
Gjuhëtarët shqiptarë ishin marrë kryesisht me çështje të gjuhës së sotme
shqipe. Studime nga fusha e historisë së
shqipes ishin ndërmarrë rrallë. Përpjekje
të tilla kishte bërë studiuesi arbëresh Dhimitër
Kamarda (1821-1882), autor i veprës Saggio
di grammatologia comparata sulla lingua albanese (Sprovë gramatologjie të
krahasuar mbi gjuhën shqipe, vëllimi I 1864 dhe vëllimi II (shtojcë) 1866.
Këtu mund të përmenden edhe Aleksandër
Xhuvani, studiuesi arbëresh Marko la
Piana (Marco La Piana, 1883-1958) etj.
Falë punës themelvënëse të disa
gjuhëtarëve si Aleksandër Xhuvani,
Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman
Riza (Gjakovë, 1909 – Tiranë, 1988) etj. nisi të zhvillohet mendimi
gjuhësor shqiptar në rrafshin bashkëkohor (sinkronik) dhe historik (diakronik). Tani e tutje shqipja do të studiohet
në mënyrë të shumanshme, përfshirë edhe studimin historik të saj. Aleksandër
Xhuvani dhe Mahir Domi kanë përkrahur çdo nismë për zhvillimin e shpejtë të
gjuhësisë shqiptare.
Shënim:Kostaq Cipo (1892-1952) gjuhëtar, filolog, veprimtar i arsimit; autor
i veprave Gramatika shqipe (1949) dhe
Sintaksa (1952);
Mahir Domi
(1915-2000) gjuhëtar, profesor, akademik. Mori pjesë në hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954);
kryeredaktor i “Gramatikës së gjuhës
shqipe” (në dy vëllime); redaktor dhe bashkautor librit “Sintaksa”, vëllimi II. Ka hartuar
tekste universitare “Morfologjia
historike e shqipes” (1961) dhe “Sintaksa
e gjuhës shqipe”, pjesa I (1968), pjesa II (1969). Është edhe autor i
veprave të tjera si dhe i shkrimeve studimore në lëmin e gjuhës apo të
gramatikës së shqipes.
* * *
Duke pasur dashuri të madhe për gjuhën
amtare, Çabej i përqendroi energjitë e
veta për të hedhur sa më shumë dritë mbi historinë e kësaj gjuhe të lashtë të
Ballkanit, pa lënë pas dore edhe çështjet e shqipes bashkëkohore. Ndihmesë më
të rëndësishme ka dhënë në fushën e etimologjisë, të fonetikës historike, të
gramatikës historike e të dialektologjisë si dhe për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe. Pra, në këtë
periudhë ai iu përkushtua studimit diakronik të shqipes. Profesorët e tij në
Universitetin e Vjenës P. Kreçmeri dhe
N. Jokli, si indoevropianistë,
merreshin kryesisht me studime diakronike.
Pas vitit 1945, studimet albanologjike
jashtë Shqipërisë nisën të pësojnë një rënie të dukshme. N. Jokli, albanologu më prodhimtar i viteve ’20 e ’30 të shekullit
XX, më 1942 u zhduk tragjikisht nga nazistët gjermanë. Holger Pederseni, tanimë i mplakur, nuk merrej më me shqipen.
Kjo zbrazëti e krijuar në këtë fushë studimesh duhej mbushur. Përpjekje të
suksesshme mund të bëheshin vetëm në Shqipëri. Krahas thellimit të studimit
sinkronik të shqipes, filloi në Shqipëri edhe studimi diakronik i kësaj gjuhe,
që mori hov sidomos me punën e frytshme të Çabejit dhe të disa gjuhëtarëve të
tjerë që ecën gjurmëve të tij.
Arritjet e gjuhësisë së re shqiptare
kanë bërë të mundur edhe zhvillimin e mëtejshëm të një bashkëpunimi shkencor
midis studiuesve shqiptarë dhe albanologëve, ballkanologëve dhe
indoevropianistëve në vende të ndryshme të botës.
Si në studimet etimologjike ashtu edhe në ato për fonetikën, gramatikën dhe
dialektologjinë historike, Çabej është mbështetur në parimin që, duke u nisur nga
faza e dokumentuar e shqipes, të ngjitemi shkallë-shkallë në fazat më të
hershme të saj. Metoda hulumtuese e tij bazohet në krahasimin e brendshëm, duke u nisur nga e njohura për të zbuluar
të panjohurën. Ai u mbështet edhe në krahasimin
me gjuhët e tjera indoevropiane. Në shqyrtimin historik të fjalëve ose të
dukurive të shqipes ai mori në shqyrtim edhe përhapjen e tyre gjeografike.
Në studimet etimologjike e ka zbatuar
parimin e shkollës “Fjalët dhe sendet”,
të zbatuar edhe nga mësuesi i tij N. Jokli. Sipas kësaj shkolle gjuhësore,
duhen pasur parasysh lidhjet e ndërsjella midis sendeve dhe fjalëve përkatëse.
Kjo shkollë u themelua në fillim të shekullit XX nga gjuhëtari austriak Rudolf Meringer (1859-1931) dhe nga
gjuhëtari gjerman Hugo Shuhard (Hugo
Schuchardt, 1842-1927) dhe ka të bëjë me një drejtim kërkimor në fushën e onomastikës.
Çabej iu përvesh punës për vjeljen
sistematike të fjalëve dhe të shprehjeve të shqipes jo vetëm nga fjalorët e
kësaj gjuhe, por edhe nga veprat e autorëve të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, nga
botimet me materiale dialektore të arbëreshëve të Greqisë, të Italisë, nga
ngulimet e tjera të vjetra shqiptare, si dhe nga krahina të ndryshme të
Shqipërisë.
Gjatë viteve 1950-1980 Çabej hartoi dhe
botoi një numër të madh veprash shkencore, artikujsh shkencorë dhe kumtesash në
fusha të ndryshme të dijes: në gjuhësinë historike dhe përshkruese të shqipes,
në ballkanistikë, dialektologji, folklor, letërsi etj. Shkrimet e tij u botuan
brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kryet e vendit në veprimtarinë e tij shkencore e
zënë studimet
etimologjike në fushë të gjuhës.
Çështja e burimit të gjuhës shqipe,
sidomos gjatë shekullit XX ka ngjallu diskutime të shumta. Mbase për këtë arsye
Çabej është marrë edhe me prejardhjen e shqipes. Për dijetarët
e mëparshëm prejardhja e shqipes nga
ilirishtja ishte një gjë e vetëkuptueshme. Por nga fundi i shekullit XIX, e
sidomos gjatë shekullit XX ,disa dijetarë e kanë kundërshtuar këtë mendim dhe
kanë mbrojtur hipotezat, sipas të cilave shqipja është bijë e trakishtes, apo e së ashtuquajturës dako-mizishte etj. Me argumente gjuhësore, historike-gjeografike
etj., Çabej i ka kundërshtuar ato hipoteza dhe ka mbrojtur tezën e
burimit ilir të shqipes. Nëpërmjet ndihmesave të tij, kjo tezë ka
gjetur tashmë përkrahje te një numër gjithnjë më i madh studiuesish të huaj.
Çabej ka dhënë ndihmesë edhe në fushën
e fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes.
Studimet në këtë fushë u ribotuan në vitin 1988 në një vëllim më vete, me
titullin “Studime për fonetikën historike
të gjuhës shqipe”.
Si studiues i evolucionit historik të
shqipes, Çabej u mor edhe me hulumtimin e dialekteve
të kësaj gjuhe. Në fushën e dialektologjisë ka dhënë ndihmesë të
madhe. Është ndalur sidomos te të folmet e shqipes që ruajnë më shumë elemente arkaike, siç janë të folmet e arbëreshëve të
Italisë.
Vëmendje të veçantë i kushtoi studimit
të autorëve të vjetër shqiptarë. Studioi gjuhën e Gjon Buzukut (shek.. XVI), “Mesharin” (1555) e të cilit e
ribotoi të transliteruar dhe të transkribuar.
Çabej njihet si një gjuhëtar që është
marrë me probleme të historisë së gjuhës shqipe. Por, ai ka punuar mjaft edhe për
gjuhën
e sotme letrare. Në artikullin “Për
pastërtinë e gjuhës shqipe” të botuar më 1979, vë në dukje nevojën e pastrimit
të shqipes nga fjalët e huaja të panevojshme. Mori pjesë në 13
komisione për hartimin e terminologjisë së shkencave dhe të disiplinave të
ndryshme dhe për hartimin e fjalorëve të terminologjisë për botanikën, matematikën dhe mekanikën teorike, energjinë atomike,
termodinamikën, optikën, akustikën, elektromagnetizmin, mekanikën,
elektroteknikën, kiminë, gjeologjinë, arkitekturën dhe gjuhësinë.
Çabej tregoi interesim edhe për folklorin
dhe letërsinë. Në krijimet popullore ai gjente edhe elemente arkaike, që i hynin në punë për studimet
diakronike. Këtu duhen përmendur shkrimet “Poezia
popullore e arbëreshëve të Italisë”, botuar më 1961 dhe “Disa figura të besimeve popullore
shqiptare”, botuar më 1972, etj.
Nga shkrimet për letërsinë mund të përmenden “Vatra
dhe bota në poezinë e De Radës”, botuar më 1965; “Fan Noli ynë”, botuar më 1965; dhe “Disa burra të shquar të arbëreshëve të Italisë”, botuar më 1974,
ku bëhet fjalë edhe për hulumtuesin dhe poetin Nikollë Keta (1741-1803).
Çabej ka marrë pjesë nëpër konferenca
dhe kongrese shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke dhënë
ndihmesa të rëndësishme me kumtesa, referate dhe diskutime. Në konferencat dhe
kongreset e mbajtura brenda vendit duhen përmendur ato të viteve 1952; 1962;
Tiranë 1969; Tiranë 1972; sërish Tiranë 1972. Nga konferencat ndërkombëtare
duhen përmendur: Firence-Pizë 1961; Sofje 1966; Insbruk 1972 etj.
Artikujt dhe studimet e Çabejit janë
botuar në shqip dhe në gjuhë të huaja. Studimet në gjuhën shqipe i ka botuar
nëpër revistat shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës, në revistat kulturore
dhe në gazetat e Maqedonisë e të Malit të Zi. Bibliografinë e punimeve të Çabejit e ka botuar më 1981 studiuesi Jup Kastrati (1924-2002).
Një numër të madh artikujsh shkencorë,
Çabej ka botuar edhe në gjuhë të huaja nëpër revista ose nëpër vëllime
përkujtimore në vende të ndryshme të botës: në Austri, në Francë, në Greqi, në
Gjermani, në Itali, në Jugosllavi – Beograd (1936, 1938), në Poloni, në Rumani,
në Turqi.
Veprimtaria shkencore e Çabejit ka
pasur jehonë të madhe në Kosovë. Të gjitha shkrimet e tij janë ribotuar me
titullin “Studime gjuhësore”, I-VII, Prishtinë 1975-1977. Botimi i tyre
ka vazhduar.
Gjatë vitit shkollor 1971-1972 e më
pas, Çabeji ka mbajtur një kurs leksionesh pasuniversitare apo ligjërata edhe
në Universitetin e Prishtinës.
Në organet e shtypit shkencor të
Austrisë, Gjermanisë, Rumanisë, Italisë, Francës, Polonisë etj., për studimet e
Çabejit, studiues të huaj kanë botuar recensione të shumta.
Çabeji ka pasur letërkëmbim me gjuhëtarë
të huaj, si: Holger Pedersen, Paul
Kreçmer, Norbert Jokli, Karl Paç, Maksimilian Lamberc, gjuhëtari rumun Aleksandër Graur (Alexandru Graur,
1900-1988), gjuhëtari rumun Aleksandër Roseti (Alexandru Rosetti,
1895-1990), gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986), gjuhëtari dhe albanologu polak Vaklav Cimohovski (Veclav Cimohovski,
1912-1982), gjuhëtari rumun Haralambie Mihëjesku (Haralambie
Mihaescu, 1907-1985) etj.
* * *
Çabeji argumentoi në
mënyrë shkencore prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar,
autoktoninë e tij në trevat ku banon sot në Gadishullin Ballkanik, vuri në
dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe
unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare.
* * *
Vdekja e parakohshme e ndërpreu në mes
punën këtij dijetari të shquar. Për t’u mjekuar nga sëmundja e pashërueshme, u
dërgua tri herë në një klinikë të Romës, ku dhe i mbylli sytë për të vajtur në
pavdekësi. Për në banesën e përjetshme u përcoll më 17 gusht 1980. Prehet në
gjirin e dheut mëmë, ku e kaloi fëmijërinë, u burrërua dhe u zhvillua si
dijetar. Në ceremoninë e varrimit të Çabejit lexoi nekrolog historiani Aleks Buda (1911-1993).
Puna shkencore dhe pedagogjike e babait
të gjuhës shqipe është vlerësuar me çmime të shumta. Shumë institucione
kulturore, shkencore dhe arsimore në të gjitha trojet shqiptare mbajnë
emrin e Çabejit. Krahas çmimeve të tjera, është dekoruar edhe me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së
tij, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, në vitin 1988 organizoi një sesion shkencor kushtuar veprës së tij.
Për jetën dhe veprën e dijetarit të
madh ka hartuar monografi profesor Shaban
Demiraj, “Eqrem Çabej”, Tiranë 1990.
“Eqrem Çabej është
dijetar dhe njeri i madh” – Ismail Kadare



