Xhelal Zejneli: Qëndrimi parimor i Kosovës dhe mosmirënjohja e Zelenskit

3h më parë

QËNDRIMI PARIMOR I KOSOVËS DHE MOSMIRËNJOHJA E ZELENSKIT

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Vuçiqin, Zelenski për Kosovën deklaroi: “Politika e Kievit ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar. Ukraina e respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Qëndrimi i Ukrainës bazohet në respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe të integritetit territorial.”

*   *   *

Zelenski qenka mosmirënjohës dhe bukëshkalë. Ai e injoroi luftën shekullore të shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E injoroi luftën heroike çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesve, okupatorëve, kolonialistëve, çetnikëve serbomëdhenj. Ai s’ka as njohuri themelore për historinë, për politikën dhe për të drejtën ndërkombëtare. Me vokacion është aktor komedish. Ai duhet ta dijë se krimet serbe në Kosovë i parandaloi NATO-ja me në krye ShBA-në, duke ndërhyrë kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare pushtuese serbe. Me deklaratën e vet për Kosovën, ai e shpërfill aleancën veri-atlantike. Për ta futur Ukrainën në NATO, e futi vendin e vet në luftë me një fuqi globale.  Aktori komik nuk e di fare qëndrimin e drejtësisë ndërkombëtare për Kosovën.

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) në Hagë miratoi mendim këshillimor se “deklarata për shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme.Mendimi u aprovua me votim. 10 gjyqtarë ndërkombëtarë e mbështetën atë, kurse 4 sish votuan kundër.

Zelenski me qëndrimin kundër Kosovës, shpërfill 121 vendet e botës që e kanë njohur pavarësinë e saj. Të mbështesësh kryekriminelin Vuçiq dhe të shkelësh mbi gjakun e luftëtarëve shqiptarë të lirisë, është gabim historik i pafalshëm.

Ky mosmirënjohës duhet ta dijë:

- Kosova e dënoi agresioni rus në Ukrainë, që ditën e parë të invadimit;

- Kosova e ka mbështetur luftën e Ukrainës për çlirim, pavarësi dhe demokraci;

- Kosova e ka mbështetur kauzën ukrainase, me aq sa ka mundur, edhe nëpër forumet ndërkombëtare;

- Kosova ua çeli dyert nënave dhe fëmijëve ukrainas që ditën e sulmeve raketore ruse;

- Në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, Kosova i vuri Rusisë sanksione. Në anën tjetër, Serbia është i vetmi shtet i BE-së që nuk i ka vënë sanksione Moskës.

*   *   *

Në luftën midis Ukrainës dhe Rusisë, i tërë kombi shqiptar është me Kievin, ndërkaq të gjithë serbët, pa përjashtëm, janë në anën e Rusisë. Në krah të ushtrisë së Putinit luftojnë edhe shumë mercenarë serbë. Ata luftojnë për vëllezërit rusë mu pranë istikameve të ushtarëve të Koresë së Veriut.

Qëndrimi mosmirënjohës dhe bukëshkalë i Zelenskit është bizar, grotesk, i turpshëm dhe i pakuptimtë. Ai e injoron luftën e popullit shqiptar kundër hordhive të egra barbare serbo-çetnike, në një kohë kur vetë Ukraina zhvillon luftë për liri. Çfarë paradoksi, kontradikte. kundërthënieje!

*   *   *

Qëndrimi antikosovar i kryetarit të Ukrainës u dënuar ashpër nga tërë kombi shqiptar në rajon dhe në diasporë. Nga qendra e Prishtinës u hoq flamuri i Ukrainës. Në Beograd s’ka asnjë flamur ukrainas, ka flamuj rusë. Kundër prononcimit të aktorit ukrainas reaguan edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca (Prishtinë, 1981- ) dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha (Koplik, Malësi e Madhe, 1967- ).

Deklaratën e Zelenskit në Beograd e ka kritikuar edhe deputeti ukrainas Oleksy Oleksijovich Goncharenko (Odesë, 1980- ). Ai është anëtar i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kryetar i Komitetit të APKE-së për Migracion, Refugjatë dhe Persona të Zhvendosur Brenda Vendit.

Deklarata e Zelenskit u kritikua edhe nga kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha (Viçidoll, Shqipëri, 1944- ).

Mosmirënjohja e Zelenskit ndaj Shqipërisë – Rrallë shtete në botë e kanë mbështetur Ukrainën sa Shqipëria. Tirana zyrtare e ka denigruar agresionin rus në shumë forume ndërkombëtare. Më 20 shtator 2023, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama (Tiranë, 1964- ), në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e mbrojti fuqishëm Ukrainën dhe dënoi ashpër invadimin rus të këtij vendi. Midis tjerash, ai tha: “Agresioni rus është i pajustifikuar dhe i paprovokuar.”

*   *   *

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të vogla dhe ekonomikisht jo mjaft të zhvilluara. Duke qenë të tilla, ato nuk duhet të implikohen gjithaq në konfliktet apo në luftërat e të mëdhenjve. Në raste të tilla, shqiptarët në shkallë kombi duhet të jenë më të matur dhe më të përmbajtur.

Shqipëria duhet të tregohet e matur dhe e përmbajtur edhe me shtetet, anëtare të BE-së apo të NATO-s, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja.

Marrëdhëniet diplomatike me Serbinë, Shqipëria duhet t’i ulë në shkallë konsulli, kurse çeljen eventuale të njëfarë konsullate serbe në Shkodër, duhet ta pezullojë sakaq. Nuk çilet zyrë diplomatike për një grusht serbësh, shumë prej të cilëve as që e dinë se ç’janë.

*   *   *

Vonimi i krijimit të institucioneve shtetërore në Kosovë, i Kuvendit, i Qeverisë dhe i Presidencës e vë në dyshim autoritetin e saj në arenën ndërkombëtare.

Nuk është vështirë të lihet pas dore një shtet që nuk ia del të ngrihet në shtet. Shqiptarët duhet t’i tregojnë botës se janë popull historik, popull politik dhe popull shtetformues.

Problemet me të cilat ballafaqohet Shqipëria shkojnë në dëm të saj po edhe të Kosovës.

*   *   *

Kryetari i Ukrainës, Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy, 1978- ) dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, brenda më pak se një muaji takohen dy herë: në samitin Evropa Juglindore – Ukraina, të mbajtur në Kiev në korrik 2026 dhe takimi në Beograd i datës 8 gusht 2026. Kjo ishte vizita e parë e Zelenskit në Beograd, që nga fillimi i invadimit të Rusisë në vitin 2022. Zelenski ndodhet në atë funksion që nga vitit 2019.

Ndonëse  kandidate për anëtarësim në BE, Serbia krahas Bjellorusisë, është i vetmi vend evropian që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës.  Në këtë pikëpamje,  politika serbe nuk është në përputhje me politikën e jashtme të BE_së.

Sipas pohimeve të shërbimeve sekrete  ruse, lloje të caktuara armësh dhe municioni të eksportuara nga Serbia, kanë përfunduar në duart e ushtrisë ukrainase.

Në korrik të vitit në vazhdim, Vuçiqi ishte i pranishëm në samitin “Evropa Juglindore – Ukraina”. Ai nuk e nënshkroi deklaratën e përbashkët me të cilën kërkohej forcimi i çdo lloj trysnie ndaj Rusisë. Para kësaj, erdhi për vizitë në Beograd  kryetari i Kuvendit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk (Ruslan Stefanchuk, 1975- ). Vizita e tij në Beograd ngjalli reagimin e ashpër të Rusisë.

Kur vijnë në Beograd zyrtarë shtetërorë të lartë, në rrugët nëpër të cilat kalojnë ata, një ditë më parë varen flamujt e tyre. Këtë herë, në rrugët nëpër të cilat kaloi Zelenski, nuk kishte flamurë ukrainas. Beogradi nuk dëshiron të prishet me Rusinë. Ri në dy karrige. As mediumet pro-qeveritare të Serbisë nuk dhanë shumë lajme për këtë vizitë. Zyrtarët e lartë që vijnë për vizitë në Beograd, në aeroport rëndom i pret Vuçiqi. Zelenskin e priti ministrja e energjetikës. Pra, jo Vuçiqi. Kur e vizitoi Serbinë Vladimir Putini (1952- ), ai u prit me nderimet më të larta.

Sipas Vuçiqit, ai dhe mysafiri i tij do të bisedojnë për rrugën evropiane të Ukrainës dhe të Serbisë,. Në takim do të flitet edhe për çështje dypalëshe (bilaterale) si dhe  për bashkëpunimin energjetik. Lidhur me sanksionet ndaj Rusisë, ai tha: “Serbia e ka përcaktuar politikën e vet pothuajse para pesë vjetëve.” Me fjalë të tjera, Serbia nuk ka ndërmend t’i vendosë sanksione Rusisë.

Në Twitter, Zelenski shkruan: “Ukraina është e gatshme të punojë në mënyrë konstruktive në dobi të të dyja palëve, kundrejt respektimit të ndërsjellë. Do të bisedojmë për zgjerimin e lidhjeve ekonomike midis vendeve tona, për marrëdhëniet me BE-në, për lëmenjtë e tjerë që mund të jenë në dobi të popujve tanë si dhe për çështjet e sigurisë.”

Mund të kenë biseduar edhe për bashkëpunimin në lëmin e industrisë mbrojtëse. Çështje të caktuara për të cilat mund të kenë folur dy kryetarët, nuk bëhen shpalosen për publikun.

Që nga fillimi i invadimit rus, nëpërmjet shteteve të treta, Serbia ka eksportuar në Ukrainë armë dhe  municion. Ky lloj i tregtisë ka zgjatur deri në vitin 2025.

Serbia dhe Ukraina theksojnë se e respektojnë integritetin territorial të ndërsjellë ngase Kievi nuk e ka njohur Kosovën, kurse Beogradi aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014 dhe të katër rajoneve të tjera të Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

Serbia në njërën anë e çon mirë me Rusinë, në anën tjetër, ka tre vjet që i ndihmon Ukrainës. Pra, Serbia rri në dy karrige!

Dy kryetarët e lartpërmendur janë takuar disa herë nëpër samitet e shteteve të ndryshme evropiane. Vuçiqi ishte për vizitë në Ukrainë në qershor të vitit 2025, një muaj pasi mori pjesë në Paradën ushtarake në Moskë. Udhëheqjes ukrainase, Vuçiqi u ofroi ndihmë për rimëkëmbjen e rajoneve të goditura nga lufta. Ai thotë: “Me ardhjen në Odesë, Serbia nuk e ka tradhtuar Rusinë.”

Në maj të vitit 2014, Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska (1978- ) e vizitoi Beogradin, bashkë me shefin e atëhershëm të diplomacisë, Dmitri Kuleba (Dmytro Kuleba, 1981- ). Kryetarja e Kuvendit të Serbisë Ana Bërnabiq (1975- ) u takua me Zelenskin në Kiev në nëntor të vitit 2025, ndërsa në vitin 2026 u takua me kryetarin e Kuvendit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk (1975- ).  Që prej invadimit rus të Ukrainës, Zelenski shpesh është takuar me liderët evropianë. Ai mban kontakte edhe  me shtetet që janë të afërta me Rusinë, si Armenia, Azerbajxhani dhe Sllovakia.