Xhelal Zejneli: Babai i letërsisë amerikane – Mark Twain
BABAI I LETËRSISË AMERIKANE - MARK TUEN
Merk Tueni, është i pari romancier amerikan, i formuar pavarësisht traditës
evropiane.
* * *
Vepra
e Tuenit, e krijuar në kufirin midis romantizmit dhe realizmit, shoqërisë
agrare dhe industriale, lindjes dhe perëndimit të kontinentit amerikan, është
vendtakim i miteve dhe burim i temave që ia kanë çelur rrugën zhvillimit të
përgjithshëm të letërsisë amerikane të mëvonshme. E kanë quajtur baba të
letërsisë amerikane.

Emri i plotë:
Samuel Langhorne Clemens; Pseudonimi: Mark Twain; Lindi më 30 nëntor 1835; Vdiq
më: 21 prill 1910; Profesioni: shkrimtar, ligjërues, sipërmarrës; Llojet
letrare: roman, humoreskë, novela, udhëpërshkrim; kujtime (memoare) Periudha
letrare: Letërsia amerikane e shekullit XIX.
Samuel
Langhorne Clemens (Florida, Missouri, 30 nëntor 1835 –
Redding, Connecticut, 21 prill 1910), shkrimtar amerikan, autor i romaneve të famshme “Aventurat e Tom Sojerit” (1876) dhe “Aventurat
e Hakëllberi Finit” (1884,1885), të vendosura në brigjet e lumit Misisipi
të jugut amerikan. Me paraqitjen e tij në letërsinë
amerikane, merr fund dominimi i autorëve nga Anglia e Re (New England). Qysh i
gjallë arrin famë ndërkombëtare. Ushtroi ndikim mbi prozatorin amerikan,
laureat i çmimit “Nobel” (1949), Uilliam
Fokner (William Faulkner, 1897-1962) dhe prozatorin amerikan, laureat i
çmimit “Nobel” (1954), Ernest Heminguej (Ernst
Hemingway, 1899-1961). Ka qenë një prej shokëve të rrallë të Nikola Teslës (1856-1943)*. Humorist i shquar i letërsisë
botërore, është i pari romancier amerikan
i ngritur pavarësisht nga tradita evropiane. E quajnë baba
të letërsisë amerikane.
Shënim: Nikola Tesla ka qenë inxhinier, futurist dhe shpikës
serbo-amerikan. Njihet për kontributet e tij në projektimin e sistemit modern
të furnizimit me energji elektrike, me rrymë alternative. Lindi në Smilan të
Kroacisë më 10 korrik 1856. Vdiq në Nju-Jork, më 7 janar 1943.
Fëmijëria dhe rinia – Emri i vërtetë i Mark Tuenit është Samuel Langhorne Clemens.
Nëna Xhejn (Jane), e lindur Lampton (1803-1890) ka qenë prej Kentucky-t, kurse
babai John Marshall Clemens (1798-1847) ka lindur në Virxhini. Prindërit e
Markut janë takuar kur babai është shpërngulur në Missouri. Pas disa viteve,
ose më saktë më 1823, janë kurorëzuar. Kanë pasur shtatë fëmijë. Fëmijërinë e
kanë përjetuar vetëm tre prej tyre: vëllai Orion (1825-1897), Henri (1838-1858)
i cili humb jetën me rastin e shpërthimit të anijes lumore dhe motra Pamela
(1827-1904). Samueli (Marku i ardhshëm) ka qenë fëmija i gjashtë. Motra
Margaret (1833-1939) ka vdekur e vogël, vëllai Benjamin (1832-1842) ka vdekur
kur ka qenë dhjetë vjeç, kurse vëllai Pleasant (1828-1829) ka jetuar jo më
shumë se gjashtë muaj.
Kur Samueli ishte katër vjeç, shpërngulet me prindërit
në Hannibal, qytet portual në lumin Misisipi, ku e ndjek shkollën fillore.
Babai ka qenë avokat dhe gjyqtar. Në vitin 1847, ai vdes nga ndezja e mushkërive
(pneumoni). Samueli shkon në zanatin për shtypshkronjë.
Më vonë punon si tipograf nëpër shumë qytete të Amerikës – në Nju-Jork, në
Pensilvani, në Filadelfi etj. Pas kësaj punon si timonier i avullores në lumin
Misisipi, deri në fillim të luftës civile në Amerikë (1861), kur iu bashkëngjit
një kohë të shkurtër kalorësisë së Konfederatës. Atë vit iu bashku vëllait në
territorin e sapokrijuar në Nevadë, ku punoi në minierën e argjendit.
Veprimtaria letrare – Në vitin 1862 Samueli bëhet raportues i gazetës “Enterprise” në Virginia City në Nevadë, kurse në vitin 1863, për
po atë gazetë, me pseudonimin Mark Tuen (Mark Twain), fillon të shkruajë
artikuj. Në lumin Misisipi kjo shprehje ka kuptimin “shenjë piloti për 12 hapa thellësi.” Në vitin 1864, pas shpërnguljes në Kaliforni, apo më saktë në San
Francisko, takon shkrimtarin humorist amerikan Çarls Ferer Broun (Charles
Farrar Browne), i njohur me pseudonimin Artemus Uard (Artemus Ward 1834-1867) dhe shkrimtarin amerikan Bret Hart (Francis Bret Harte, Albany/New York, 1836 – Camberley, Angli, 1902) të cilët e
mbështesin në punën e tij.
Në vitin 1865 e përpunoi përrallën që e kishte dëgjuar
në fushat e arit të Kalifornisë dhe e publikoi me titullin „Bretkosa e famshme kërcyese nga Qarku Calaveras“ (The Celebrated Jumping Frog
of Calaveras County, 1865). E mori rrugën për në Havaje. Për disa muaj, vepra u popullarizua shumë. Në
vitin 1867 ligjëron në Nju-Jork. Po atë vit viziton Evropën dhe Palestinën.
Tallet me qytetërimin dhe me institucionet evropiane të mplakura. Tallet edhe
me respektin e thellë të bashkudhëtarëve amerikanë që tregojnë ndaj tyre.
E fiton respektin e shkrimtarit të parë autokton amerikan i cili krijon në
mënyrë të pavarur nga tradita dhe modelet evropiane.
Udhëtimet e sipërthëna i
paraqiti në udhëpërshkrimin “Të pafajshmit jashtë vendit” (The Innocents
Abroad, 1869) që zmadhon disa aspekte të kulturës evropiane, që i ka
impresionuar turistët amerikanë.
Në vitin 1870 martohet me Olivia Langdon. Pas një qëndrimi të
shkurtër në qytetin Buffalo (shteti Nju-Jork), çifti i ri shpërngulet për në Hartford
në Konektikat (Connecticut).
Pjesa më e madhe e veprave
më të mira të Tuenit janë shkruar në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit XIX në
Hartford si dhe gjatë verës në fermën Quarry vendit Elmira (shteti Nju-Jork).

„Jeta në Misisipi“ (Life on the Mississippi, 1883) kombinon
paraqitjen autobiografike të përvojave të veta si pilot lumi. Aty e paraqet
fëmijërinë dhe pilotimin në Misisipi të krahasuar me përjetimin e Misisipit 20
vjet më parë. Romani satirik “Jenki në
pallatin e mbretit Artur” (A Connecticut Yankee in King Arthur’s Court, 1889) flet për
shtypjen e njerëzve në Anglinë feudale.
* * *
Romani “Aventurat e Hakëllberi Finit” (The
Adventures of Huckleberry, Finn,1884) është kryevepër. Paraqet vazhdim të
romanit “Aventurat e Tom Sojerit” (The
Adventures of Tom Sawyer, 1876)
dhe konsiderohet si më e mira vepër Tuenit. Në roman flitet për fëmijën e
quajtur Hak (Huck) i cili ikën nga i ati me një trap në lumin Misisipi me robin
e arratisur Xhim (Jim). Midis tjerash,
kjo vepër ia jep lexuesit pasqyrën e jetës në lumin Misisipi para luftës civile
në Amerikë. Në këtë vepër për ikjen e përbashkët dhe për shoqërimin e fëmijës
Hak (Huck) dhe të robit Xhim (Jim), në të cilën bota e idealizuar e natyrës paraqitet
në kontrast
me përshkrimin realist të lakmisë njerëzore dhe të instinktit vetëshkatërrues.
* * *
Për t’i botuar veprat e veta si dhe ato
të shkrimtarëve të tjerë, në të njëjtën vit kur publikohet “Hakëllberi Fini”, Tueni themelon kompaninë Charles L. Webster and Company
Vepra më e rëndësishme që e botoi
kompania janë “Kujtimet personale”
(Personal memories), në dy
vëllime, 1885-1886, të gjeneralit amerikan të luftës dhe të presidentit Ulysses
S. Grant* 1822 – 1885).
Shënim: Ulysses S. Grant (1822-1885) ka qenë
prijës ushtarak dhe shkrimtar, një prej personave më të merituar të fitores së
Veriut në Luftën Civile Amerikane. Ka qenë presidenti i 18-të i ShBA-sw.
* * *
Në vitin 1894, ndërmarrja bankrotoi për shkak të investimit të
pamjaftueshëm në makinën automatike të shkrimit.
Ligjërimet
nëpër botë dhe udhëpërshkrimi “Duke
ndjekur ekuatorin” (Following the Equator, 1897) që lindi në bazë të atyre udhëtimeve, i mundësuan Tuenit t’i
shlyente borxhet. Autori i përshkruan
udhëtimet me një humor të hidhur.
* * *
Puna e tij në vitet 1890 dhe
1900 karakterizohet nga një pesimizëm dhe hidhërim i theksuar të shkaktuar nga
mossuksesi afarist dhe më vonë edhe nga vdekja e së shoqes dhe të dy vajzave.
Vepra të kësaj periudhe janë “Tragjeditë
e budallait Vilson” (The Tragedy of Pudd’nhead Wilson, 1894). Është një novelë veprimi i të cilës
është vendosur në jugun e ShBA-së para luftë civile. Aty autori kritikon racizmin.
Biografia sentimentale “Kujtime personale të Zhan d’Arkut” (Personal Recollections of Joan of Arc, 1896) është roman romantik historik. .
Shënim: Zhan d’Ark (Jeanne d’Arc / Joan of Arc; Lindi në fshati
Domrémy-la-Pucelle, Francë, rreth vitit 1412- Vdiq në Ruen, Francë, 30 maj
1431) është një shenjtore mbrojtëse e Francës, e nderuar si mbrojtëse e kombit
francez gjatë rrethimit të Orleanit dhe këmbënguljes për kurorëzimin e Karlit
VII të Francës gjatë Luftës Njëqindvjeçare. Konsiderohet si heroinë që e
shpëtoi Francën nga Anglia pas një zbulimi hyjnor.
*
* *
Veprat e mëvonshme
përfshijnë dy tregime të shkurtra “Njeriu
që e korruptoi Hadlejburgun” (The Man That Corrupted Hadleyburg, 1899) dhe “Lutja e luftës” (The War Prayer, 1905). Janë dy eseje filozofike, sociale dhe politike. Dorëshkrimi i
veprës “I huaji misterioz” (The
Mysterious Stranger, 1916) ka
mbetur i paplotë. Është botuar postum
në vitin 1916.
*
* *
Në vitin 1907 Universiteti i Oksfordit e ka shpallur
Tuenin Doctor Honoris Causa.
*
* *
Në vitet e fundit të
jetës, Tueni ka shkruar më pak. por shpesh ka folur publikisht për tema të
ndryshme. Ka mbetur në kujtesë edhe për teshta me vija të bardha që gjithmonë i
ka mbajtur me rastin e paraqitjeve publike. Vdiq në Stormfield.
* * *
Puna e Tuenit është e
inspiruar nga Perëndimi jokonvencional.
Popullariteti i veprave të tij i dha fund dominimit në letërsinë amerikane, të
shkrimtarëve nga Anglia e Re (New England). Qysh i gjallë, fitoi famë me
romanet satirike, me ligjëratat dhe shpirtin e gjallë. Ka qenë i pranishëm në
qarqet më të larta të shkrimtarëve, të industrialistëve dhe të aristokracisë
evropiane të kohës së vet. Më vonë, shkrimtarët e famshëm amerikanë, që të dy
laureatë të çmimit “Nobel”, Ernest Heminguej (Ernets Hemingway) dhe Uilliam
Fokner (William Faulkner) i janë referuar Tuenit si frymëzues të tyre.
Bashkëkohësi dhe shoku i tij Uilliam Din Houells (William Dean Howells,
1837-1920)* e ka quajtur Mark Tuenin Abraham Linkoln i letërsisë.
Shënim: Uilliam Din Houells (William Dean Howells, 1837-1920) ka
qenë romancier amerikan, realist, kritik letrar, dramaturg dhe diplomat.
Njihej me nofkës “Dekan i Letrave
Amerikane” .
* * *
Teni la pas vetes një biografi të papërfunduar të
cilën e botoi në vitin 1924 sekretari i tij Albert Bigelow Paine.(1861-1937).*
Shënim: Albert
Bigelow Paine (1861-1937) autor dhe biograf amerikan, i njohur për punën e
tij me Mark Tuenin. Ka qenë anëtar i
Komitetit të Çmimit Pulitzer. Ka shkruar trillime, humor dhe vargje.
* * *
Në gjysmën e parë të vitit 1990 është gjetur në
Holivud (Hollywood) dorëshkrimi burimor i romanit “Hakëllberi Fini”. Në vitin 1992, pas një procesi gjyqësor të gjatë
për të drejtën e pronësisë, dorëshkrimi dhe materialet e tjera, deri atëherë të
pabotuara, iu dhanë bibliotekës Buffalo dhe Erie County (New York). Në vitin
1996 u botua botimi i reviduar (i rishikuar) i “Hakëllberit Finit” duke përfshirë edhe materialet e pabotuara.
* * *
Presidenti amerikan Heri Truman (Harry S. Truman, 1884-1972), një citat të futur në kornizë, e
ka mbajtur mbi tryezë. Në vitin 2008, gjatë fjalimit parazgjedhor në
Missourin e Mark Tuenit, Barak Obama (Barck
Obama; Honolulu, Hawai, 1961- ) e vlerëson atë si satirikun më të madh të Amerikës.
Me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Tuenit, gjatë
vitit 2010 janë publikuar një sërë punimesh shkencore dhe profesionale të cilat
opusin dhe ndikimin letrar të tij e kanë studiuar nga këndvështrime të
ndryshme.
* * *
Vepra e Tuenit, e krijuar në kufirin midis romantizmit dhe realizmit, shoqërisë agrare dhe industriale, lindjes dhe perëndimit
të kontinentit amerikan, është vendtakim i miteve dhe burim i temave që ia kanë
çelur rrugën zhvillimit të përgjithshëm të letërsisë amerikane të mëvonshme.



