Xhelal Zejneli: Çështja e Shën Naumit dhe e Vermoshit (1921–1926)
ÇËSHTJA E SHËN NAUMIT DHE E VERMOSHIT (1921 - 1926)
“MARRËVESHJE” TRAGJIKE NË DËM TË SHQIPTARËVE

Është një konflikt midis Shqipërisë dhe
Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene për përkatësinë e Shën Naumit dhe të zonës së
Vermoshit. Ky konflikt ka lindur nga interpretimi i vendimit të Konferencës së Londrës të datës 11 gusht
1913, që i kishte përfshirë ato brenda kufijve të Shqipërisë. Edhe Konferenca e Ambasadorëve në Paris, me
vendimin e saj të 9 nëntorit të vitit 1921 rinjohu Shqipërinë si shtet të
pavarur dhe tërësinë tokësore të saj, në pajtim me vendimet e Konferencë së
Londrës. Për përcaktimin në vend të kufijve, Konferenca e Ambasadorëve në Paris
ngriti një komision (Komisioni i kufijve) i cili u gjend përpara pretendimeve
të qeverisë së Beogradit, sipas të cilave Vermoshi dhe Manastiri i Shën Naumit
duhet të përfshihen në kufijtë jugosllavë.
Ndërkohë, pala shqiptare mbronte
vendimin e Konferencës së Londrës. Për zbatimin e vendimeve të Fuqive të Mëdha
në Konferencën e Parisit për kufijtë e Shqipërisë, Lidhja e Kombeve krijoi gjithashtu një komision hetimor të paanshëm.
Të dy komisionet u shprehën në favor të Shqipërisë.
Pasi shqyrtoi konfliktin, Konferenca e
Ambasadorëve më 6 dhjetor 1922 vendosi që Shën Naumi të përfshihej në kufijtë e
shtetit shqiptar. Në 4 shtator 1924, këtë vendim Lidhja e Kombeve ia përcolli
për gjykim juridik Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila e vlerësoi të
rregullt.
Megjithëkëtë, fundi i vitit 1924 e
gjeti konfliktin të hapur për shkak se pala jugosllave e kundërshtoi vendimin e
Konferencës dhe nuk e pranoi vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare.
Në janar të vitit 1925, Ahmet Zogu iu drejtua Konferencës së
Ambasadorëve me kërkesën që të rishqyrtohet çështja e përcaktimit të kufirit
shqiptaro-jugosllav. Ky ishte një lëshim që bënte qeveria shqiptare për ndihmën
e dhënë nga qeveria e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, për rikthimin e Ahmet Zogut në
fuqi.
Konferenca kërkoi që për çështjet
kufitare të diskutueshme, dy qeveritë të angazhohen për të arritur marrëveshje.
Pas bisedimeve të gjata midis dy
palëve, u arrit marrëveshje përkatëse. Qeveria dhe parlamenti i Shqipërisë
pranuan t’ia lëshonin Jugosllavisë Shën Naumin dhe Vermoshin.
Në këmbim të tyre, Shqipëria do të
përfitonte në kufijtë e saj fshatin e Peshkëpisë me 60 shtëpi dhe 300 frymë,
fushën e Çërravës dhe disa sipërfaqe të tjera të vogla në zonën e Pogradecit.
Protokolli mbi kufijtë e Shqipërisë u
nënshkrua në Firence më 26 korrik 1926, nga anëtarët e Komisionit të kufijve
dhe nga përfaqësuesit e Shqipërisë, të Jugosllavisë dhe të Greqisë. Kjo
marrëveshje njihet si “Protokolli i
Firences – 1926.”
Më 30 korrik 1926, Konferenca e
Ambasadorëve në Paris, bashkë me këta përfaqësues, nënshkruan aktin
përfundimtar të përcaktimit të kufijve, të regjistruar më pas edhe në Lidhjen e
Kombeve.
* * *
Manastiri i Shën Naumit - është një nga manastiret
më të njohura. Ndodhet dhjetë kilometra në lindje të Pogradecit, në bregun
lindor të liqenit. Manastiri i kushtohet kryeengjëllit Mëhill. U ndërtua rreth
vitit 900 nga Naumi, i cili punoi, vdiq dhe u varros atje në vitin 910. Nga
kisha e vjetër kanë mbetur vetëm themelet në trajtë trikonke (trifletësh).
Kisha e sotme është ngritur mbi të parën rreth shekullit XVI. Në të gjenden
edhe fragmente freskash të piktorit të shekullit XVI Nikollës së Onufrit. Vlerë të veçantë ka ikonostasi prej druri i
zbukuruar me gdhendje të stilizuara dhe me ikona të vitit 1711 të Konstandin Jeromonakut*, piktor i
fundit i shekullit XVII dhe i fillimit të shekullit XVIII i cili ka punuar në
zonën e Korçës (Vithkuq, Voskopojë) dhe Elbasan. Shquhet për elemente baroke
perëndimore, të cilat ushtruan ndikim te piktorët e mëvonshëm. Piktura murale e
kishës është vepër e vitit 1806 e Tërpo
Korçarit*, i biri i Athanas Zografit*
Është e pikturuar edhe kisha e vogël, një ndërtim i mëvonshëm. Në brezin e
sipërm shtjellohet cikli i mrekullive të Naumit, ndërsa poshtë janë figurat në
këmbë. Mbi arkivolin e Naumit, në një kompozim origjinal, paraqitet vdekja e
tij. Midis figurave që vajtojnë, dallohet Klementi
i Ohrit*. Shën Naumi ka pasur një bibliotekë të pasur që u dogj bashkë me
konakët e murgjve.
Shënim: Kostandin Jeromonaku ka qenë piktor dhe
murg i ikonografisë pasbizantine i shekullit XVIII. Zhvilloi veprimtari rreth
viteve 1692–1726. Punoi kryesisht në Voskopojë dhe në zonat përreth, duke
krijuar ikona në dru me stil të veçantë.
Shënim: Tërpo Korçari (i njohur si Tërpo Zografi) ka qenë piktor, ikonograf dhe krijues freskash.
I përket fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. Lindi në
Korçë. Ishte i biri i ikonografit të
njohur Kostandin Zografit*. Vazhdoi
traditën artistike të familjes Zografi. Punoi në vitet 1782 - 1819.
Në veprat e tij shpesh shkruante: "Tërpo me dorën e tij, si djali i
piktorit Konstandin nga Korça".
Shënim: Vëllezërit Kostandin Zografi dhe Athanas
Zografi ishin piktorë shqiptarë të shekullit XVIII nga Dardha e Korçës.
Konsiderohen piktorët më të shquar të artit të ikonave shqiptare pasbizantine
të shekullit XVIII dhe përgjithësisht të rajonit të Epirit.
Shënim: Klementi i Ohrit (840-916) ka qenë peshkop bullgar, i nderuar nga
kisha ortodokse dhe katolike, i nderuar si shenjtor. Në kalendarin gregorian
kujtohet më 27 korrik kurse në atë julian më 9 gusht.
* * *
Me marrëveshjen dypalëshe të vitit 1926
ndërmjet qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe qeverisë së Ahmet Zogut (1895-1961), manastiri i
Shën Naumit dhe territori i tij i kaluan asaj mbretërie. Sot i përkasin
Maqedonisë.



