Xhelal Zejneli: Bodleri dhe simbolizmi
BODLERI DHE SIMBOLIZMI

Poezia e Bodlerit "Albatrosi", është një metaforë e fuqishme për fatin e dyfishtë të artistit në shoqëri.
Bodler e krahason poetin me albatrosin e madhërishëm që i mbizotëron lartësitë
qiellore dhe me stuhitë përplaset. Marinarët e gjuajnë dhe e lëshojnë mbi
kuvertën e anijes. Në moçalet e tokës,
mbreti i qiejve të kaltër bëhet i ngathët dhe qesharak.
* * *
Poeti dhe kritiku letrar francez Sharl Bodler (Charles-Pierre Baudelaire)
lindi në Paris më 9 prill 1821. Babai Joseph-François
Baudelaire vdiq kur poeti i ardhshëm s’i kishte
mbushur 6-vjeç. U edukua nëpër internate për arsye se e dashura nënë e
djaloshit, Karolina, u martua me
gjeneralin Opik (Jacques Aupick,
1789-1857). Nëna e Bodlerit Caroline Archimbaut-Dufays kishte ndikim vendimtar, të thellë dhe të jashtëzakonshëm
në jetën e tij, në zhvillimin emocional të tij dhe në krijimtarinë e tij. Midis
prindërve të Bodlerit kishte një diferencë të madhe në moshë. Nëna e poetit,
Karolina, ishte 34 vjet më e re se burri i parë i saj, Zhozef -Fransua Bodler (Joseph-François Baudelaire, babai i
Bodlerit). Sharli lindi në vitin 1821. Atëherë e ëma ishte 26-28 vjeçe, kurse
babai i tij ishte 60-61 vjeç.
Njerku fare nuk e deshi autorin e ardhshëm
të “Himnit të bukurisë”. Duke qenë
ushtarak, edhe Sharlit synonte t’i imponojë disiplinë ushtarake. E detyroi
gjigantin e ardhshëm të artit të fjalës, të niset në Lindje me anije. Me t’u
kthyer Sharli nga rruga, njerku i caktoi edhe një mentor. E privoi nga e drejta
e posedimit të pasurisë së tij që e trashëgonte nga i ati, tashmë i ndjerë.
Sharli u kthye nga udhëtimi me mulaten* Zhan Dyval (Jeanne Duval, 1818-1868)*. Lidhja me të e frymëzoi Bodlerin për t’i thurur vargjet më të
bukura të tij. Janë fakte biografike që do të prodhojnë poezi sfiduese,
transgresive, të përshkuar nga dhimbja, rebelimi dhe dëshira e zjarrtë.
Përmbledhja poetike e tij “Lulet e së keqes” (Les Fleurs du mal, 1857) shënon aktin e parë të lindjes së poezisë
moderne. Përmban 126 poezi. Ia përkushtoi poetit, dramaturgut,
romancierit, kritikut letrar dhe kritikut francez të artit, Teofil Gotje (Pierre Jules Théophile Gautier, 1811-1872). Botimi i përmbledhjes së sipërthënë, “për shkak të shkeljes së moralit publik”, i solli telashe dhe proces gjyqësor. Gjashtë poezi i ndalohen dhe hiqen nga
përmbledhja. Viktor Hygoja (Victor
Hugo, 1802-1885) ishte një prej të rrallëve i cili në poezinë e Bodlerit njohu
një sensibilitet të ri (“dridhje të re”). Në këtë përmbledhje të inkriminuar
ai pa një energji kthese të
strukturuar me kujdes rreth antitezës themelore “të spleen-it / të shpirtit dhe idealit”. As klasike, as romantike,
por tashmë moderne, në dialogun midis Jugut dhe Veriut, paganizmit dhe
krishterimit, fizikes dhe intelektit, poezia e tij është pasqyrim i konfliktit
të përhershëm të poleve kundërthënëse: Zotit dhe demonit, bukurisë dhe
shëmtisë, sublimes dhe triviales. Bodleri është poet i dikotomive ontologjike,
por edhe lajmëtar profetik i metamorfozave të tyre dhe komplementaritetit
sekret. Ai shënon një periudhë të re në historinë e poezisë. Në poezi solli më
shumë motive të reja se cilido poet tjetër i shekullit XIX, çeli horizonte dhe
qenësisht i zgjeroi mundësitë e shprehjes poetike. Shkroi edhe përmbledhjen
poetike në prozë “Spleeni i Parisit” (1862).
Ka shkruar një numër të madh esesh, kritika letrare dhe të artit figurativ,
recensione dhe artikuj. Rregullisht ka përdorur opium, kryesisht në formë të laudanumit
(tretësirë alkoolike e opiumit). Bënte jetë bohemi
dhe nuk i respektonte normat shoqërore. Vdiq në Paris më 31 gusht 1867.
Konsiderohet si një prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit të fjalës. Emri i
tij është bërë mit.
SIMBOLIZMI – Është tendencë apo drejtim në poezinë moderne që paraqitet në Francë në
vitin 1886, me Manifestin në gazetën
parisienë Figaro. Në vitin 1890 lë
gjurmë të rëndësishme në të gjitha letërsitë evropiane. Simbolizmi e kultivon
vlerën e jashtëzakonshme të fjalës si simbol. Poeti
me ndihmën e fjalëve krijon realitet
poetik të ri, që dallohet nga bota reale që na rrethon dhe që është e pavarur
nga bota reale. Poeti thellohet në botën e fshehtë dhe simbolike të shprehjes
poetike dhe qëndron larg realitetit të
përditshëm, nevojave të drejtpërdrejta të tij. Çfarëdo mendimi për ndonjë
lidhje praktike, racionale, jashtë-poetike e poezisë me shoqërinë, te
simbolistët e dobëson, nënvlerëson dhe degradon fuqinë misterioze dhe vlerën e
poezisë apo të artit. Stefan Malarme e
vuri në përdorim termin poezi e pastër (la poésie pure) si model dhe qëllim i shumë poetëve të kësaj
periudhe.
Simbolizmi është kundër përshkrimit,
mësimit, deklamimit dhe vendosmërisht ia mohon artit qëllimin dhe lidhjen e
drejtpërdrejtë me shoqërinë.
Arti ndahet nga shoqëria, kurse poeti mbyllet në kullën
e fildishtë. Poetët simbolistë kanë shkaktuar konflikte të ashpra me shoqërinë
e vet dhe me konventat shoqërore.
Pol Verleni thoshte: “Në
radhë të parë muzika”. Gjuha poetike e simbolistëve ecën në rrugë të re.
Gjuha e përditshme dhe tematika nuk gjejnë vend te simbolistët. Karakteristika
kryesore të simbolistëve janë metaforat e guximshme, liritë e mëdha në
ndërtimin e fjalisë dhe fjalori poetik i pazakontë. Forma letrare kryesore janë
lirika dhe drama lirike.
Zbulohet rrethi i ri i temave poetike të cilat më parë
kanë qenë plotësisht të panjohura. Simbolistët më së shpeshti përdorin motive
vetmie, të atmosferës nate, heshtjeje, të zonave të izoluara, të peizazheve të
vjeshtës, të gjitha të përshkuara nga një trishtim i pashpjegueshëm. Lirika e
simbolizmit merret me njeriun e pazakontë dhe të izoluar i cili në botën e gjërave
dhe në natyrë endet kryesisht i vetmuar.
Teorikisht për herë të parë dhe në mënyrë më të plotë
formulohet dukuria e tjetërsimit apo
e alienimit të njeriut në shoqëri.
Poetët e këtij drejtimi janë shumë të rëndësishëm me
arritjet artistike të tyre sesa me programin. I kanë zgjeruar dhe i kanë
thelluar mjetet shprehëse të muzikalitetit: rimën,
metrin dhe ritmin, sintaksën dhe pasurinë e fjalorit.
Në parimet teorike dhe në tendencat krijuese, në shumë pikëpamje paraardhës i simbolistëve ka qenë liriku, tregimtari dhe kritiku letrar amerikan Edgar Alan Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849). Ka qenë konsumues i alkoolit. Është martuar me të mbesën 13-vjeçare Virxhinia. Poeti i famshëm amerikan vdiq nga delirium tremens. Katër ditë më parë kishte rënë në rrugë në një gjendje deliri të plotë, bllokim i trurit, i veshur me rroba që nuk kanë qenë të tijat. Shkrimet e tij Bodleri i solli në frëngjisht.
Shënim: Poezitë "Korbi" (The
Raven, 1845) dhe "Anabel Li" (Annabel Lee, 1849) të Edgar Alan Posë i
përktheu në shqip Fan Noli (Qytezë, Vilajeti i Edrenesë /
Ibriktepe, Turqi, 6 janar 1882 – Fort Lauderdejl, Florida, ShBA, 13 mars 1965) Në përkthimet e veta Noli arriti të ruante me
mjeshtëri të rrallë ritmin, muzikën, zymtësinë dhe atmosferën mistike të
tekstit burimor.
* * *
“Anabel Li“(Annabel Lee) është poezia e fundit e plotë e krijuar nga Edgar
Allan Poe. Ashtu si shumë poezi të tij, edhe poezia “Anabel Li” flet për temën e vdekjes. Këtu flet për vdekjen e një
gruaje të bukur. Tregimtari ra në dashuri me Annabel Lee kur ata ishin të
vegjël. Aq fort e dashuron vashën saqë edhe engjëjt e kanë zili.
* * *
Përfaqësues të simbolizmit në Francë ishin Pol Verleni (Paul Verlaine, 1844-1896),
Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé,
1842-1898). Në rrethin e ngushtë të simbolistëve ndodhen Sharl Bodleri (Charles Baudelaire, 1821-1867), Artyr Rembo (Arthur Rimbaud, 1854-1891) etj.
Simbolistë në letërsinë gjermane janë Stefan George (1868-1933) dhe Rainer Maria Rilke (1875-1926). Përfaqësues të simbolizmit në letërsinë ruse janë Valerij J. Brjusov (1873-1924) dhe Konstantin D. Baljmont (1867-1942).
Shënim: Florine Prosper, e njohur si Zhan Dyval (Jeanne Duval; Jacmel,
Haiti, 1818 – Paris, 1868) ishte një aktore franceze-haitiane dhe partnere e
gjatë e Sharl Bodlerit. Marrëdhëniet
e tyre zgjatën dy dekada. Ato ishin të trazuara dhe me ndërprerje.
Shënim: Mulat
është personi i lindur nga prindër racash të ndryshme, rëndom nga
bashkimi i një personi me ngjyrë (zezaku apo zezakeje) me një person të bardhë.
Mulat është personi me prejardhje racore të përzier (evropiane dhe afrikane).
Përdore si emër (mulat-i; mulate-ja; përdoret edhe si mbiemër: vajzë mulate).



