Xhelal Zejneli: Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe Amerika
Me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Amerikës
SHQIPTARËT
DHE AMERIKA

Më 4 korrik 1776 u
shpall pavarësia e ShBA-së. Me Dokumentin e Pavarësisë - të ratifikuar - 13
kolonitë e Amerikës së Veriut shpallën pavarësinë nga Britania e Madhe. I pari
president, në vitet 1789-1797, ishte Xhorxh
Uashingtoni (George Washington, 1732-1799).
* * *
Puna e Kosovës është çështje amerikane. Puna e Kosovës, nuk është çështje e kryeqendrave të fuqive historike të Evropës – Londrës, Berlinit dhe Parisit. Shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Të tillë do të mbeten deri në jetë të jetëve. Shqiptarët si komb, duhet t’i drejtojnë sytë, jo nga fuqitë evropiane, por nga ShBA-ja. Kauzës shqiptare në Ballkan mund t’i dalë zot vetëm Uashingtoni. Miqësia ndërmjet kombit shqiptar, në një anë dhe ShBA-së, në anën tjetër, është e përjetshme. Politika kombëtare e shqiptarëve duhet të jetë proamerikane. Interesi kombëtar i shqiptarëve është dhe duhet të jetë miqësia e përjetshme ShBA-në. Cilido shqiptar që do të vinte në dyshim miqësinë me ShBA-në, do të merrte mbi vete mallkimin e historisë. Vënia në dyshim e miqësisë shqiptaro-amerikane, paraqet akt tradhtie të lartë.
MBËSHTETJA
E SHQIPTARËVE NGA ShBA-ja
Në Konferencën e Paqes në Paris, në
vitin 1919-1920, Shqipërinë e mbrojti Presidenti amerikan Udro Uilson (Thomas Woodrow Wilson, 1856-1924). Në deklaratën e tij
prej 14 pikave, të shpallur më 8 janar 1918, ai kërkoi vendosjen e paqes mbi
bazën e parimit të kombësisë dhe
të vetëvendosjes së popujve. Kundërshtoi kompromisin anglo-franko-italian të
janarit të vitit 1920 që parashikonte kalimin e Shkodrës dhe të Shqipërisë së
veriut në kufijtë e Mbretërisë Serbo-Kroate- Sllovene.
Kah fundi i vitit 1992, Presidenti
amerikan Xhorxh Bush, i vjetri (George Herbert Walker Bush,
1924-2018), në mesazhin e Krishtlindjeve e paralajmëroi Beogradin se “Kosova
është vija e kuqe për ShBA-në, të cilën Serbia nuk guxon ta kalojë. Ndryshe, do
të ballafaqohet me përgjigjen amerikane”.
Në muajt e parë të vitit 1999
Presidenti Bill Klinton (William
Jefferson Clinton, 1946) mori vendim për ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së për ta
ndalur fushatën e Serbisë për pastrimin etnik të Kosovës dhe për t’i dhënë fund
gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.
Në mëngjesin e 7 qershorit të vitit
2007, Presidenti Xhorxh Bush, biri (George Walker Bush, 1946- ) mbërriti
në aeroportin e Rinasit. Ishte i pari president amerikan në detyrë që e
vizitonte Shqipërinë. Në sheshin e Skënderbeut u prit me entuziazëm nga qytetarët.
Në konferencën për shtyp në Tiranë, paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës
dhe mbështeti
anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pas tetë muajve, më 17.02.2008
Kosova shpalli pavarësinë. Në Samitin e NATO-s në Bukuresht, të mbajtur më 2
prill 2008, Shqipëria mori ftesë për t’iu bashkuar aleancës veri-atlantike.
Presidenti Barak Obama (Barack Hussein Obama, 1961- ) dhe sekretarja e
Departamentit të Shtetit Hilari Klinton (Hillary
Diane Rodham Clinton, 1947- ), punën e Kosovës e trajtuan në përputhje me
politikën amerikane të presidentëve Klinton dhe Bush. Për ta, puna e Kosovës
ishte çështje e mbyllur. Beogradit s’i mbetej tjetër pos ta njihte
pavarësinë e saj.
Më 14 dhjetor të vitit 2019, Forcat e
Sigurisë të Kosovës u transformuan në Ushtri
të Kosovës. Kjo nuk mund të bëhej pa mbështetjen e administratës së
Presidentit Donald Tramp (Donald
John Trump, 1946- ). Sot e kësaj dite Uashingtoni ndihmon në modernizimin dhe në
ngritjen profesionale të Ushtrisë së Kosovës dhe të policisë kosovare. Për
shumë vende të botës, Presidenti Tramp i suprimoi ndihmat financiare të
ShBA-së. Përjashtim bëjnë vetëm Izraeli, Kosova dhe Gjeorgjia.
Udhëheqësit e Kosovës duhet të tregohen
kooperues me Uashingtonin. Atë që e ka bërë Amerika për shqiptarët, ndodh një
herë në 2000 vjet. ShBA-ja s’heq dorë nga Kosova, por në rast se zemërohet,
mund t’i reduktojë ndihmat dhe investimet. Shqiptarët kurrë s’guxojnë ta
dëshpërojnë apo ta zhgënjejnë Uashingtonin.
Dihen synimet e Serbisë ndaj Kosovës.
Por, Beogradi e di mirë se garant i sigurisë së Kosovës është ShBA-ja. Uashingtoni
mund t’u zemërohet pushtetarëve shqiptarë, por Kosovën kurrë s’ka për ta lënë
vetë dhe të pambrojtur.
ShBA-ja në asnjë rrethanë nuk do ta
mbështeste një politikë antidemokratike, antiamerikane,
antiperëndimore, politikë të ekstremit të majtë, të ekstremit të djathtë, një
ideologji staliniste, bolshevike, marksiste-leniniste. Uashingtoni kur
s’do ta mbështeste një politikë shqiptare, në Tiranë apo në Prishtinë, që do të
kishte lidhje, transparente apo të fshehta, me Teheranin. Uashingtoni dhe
fuqitë evropiane nuk do të parapëlqenin që politika shqiptare të ketë lidhje të
ngushta as me një Turqi, të udhëhequr nga presidenti i përtashëm i atij vendi. Fatmirësisht,
politikat dhe ideologjitë e sipërthëna, në botën shqiptare kanë perënduar
qëmoti.
* * *
Interesi strategjik amerikan nuk është
çështje që mund të vihet në dyshim nga presidenti amerikan. Janë institucionet
ato që e përkufizojnë interesin strategjik të ShBA-së, si: Shtëpia e Bardhë,
Kongresi, Senati, Departamenti i Shtetit, Pentagoni.
Gjatë presidencës së Trampit, këshilltarë të caktuar të
administratës së tij kanë deklaruar se “Uashingtoni
do të pranonte një marrëveshje për të cilën bien dakord Prishtina dhe Beogradi”.
Deklarata e sipërthënë e parafrazuar, paraqet shmangie nga qëndrimet e
administratave të presidentëve Klinton,
Bush dhe Obama. Qëndrimi i
këtillë i këshilltarëve të Trampit i krijon mundësi Beogradit që të ngulë këmbë
për një marrëveshje kompromisi.
Rrallëkush e di domethënien e
deklaratave të këshilltarëve të administratës së Trampit se Uashingtoni do të
pranonte një marrëveshje për të cilën do të kishin rënë dakord të dyja palët.
Miqësia me ShBA-në vërtet është interes
strategjik i kombit shqiptar, por edhe shqiptarët paraqesin interes strategjik
për ShBA-në. Duke mos qenë sllavë, shqiptarët janë përçues të natyrshëm
të interesit amerikan në Ballkan. Nuk duhet harruar se në këtë rajon mëtojnë të
penetrohen edhe fuqi të tjera, si Rusia, Kina. ShBA-ja depërton në rajon
pikërisht nëpërmjet shqiptarëve. Serbia ndërkaq, është përçuese e interesit rus
në gadishull. Ajo është satelite politike historike e Rusisë. Nga kjo rezulton
se në kontestin midis shqiptarëve dhe Serbisë, Uashingtoni, Londra dhe Berlini
natyrshëm anojnë nga shqiptarët.
Nga sa më sipër del se Uashingtoni nuk
mund të heqë dorë nga mbështetja për Kosovën. Si mund ShBA-ja të heqë dorë nga
Kosova, në një kohë kur Serbia vazhdimisht përqendron armatime ruse në
territorin e vet. Me një veprim të tillë, Serbia rrezikon, jo vetëm Kosovën,
por tërë Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe Kroacinë. Rrjedhimisht, prania e
ShBA-së në rajon është më se e domosdoshme.
* * *
Nuk është mirë të ushtrohet trysni mbi
qeverinë e Kosovës për ta përshpejtuar dialogun me Serbinë. Ndoshta Trampi
dëshiron që “çështjen” e Kosovës ta
mbyllë para zgjedhjeve presidenciale në ShBA. Ai tentoi të arrijë marrëveshje
me Korenë e Veriut, por nuk ia doli. Administrata e tij ofroi një plan edhe për
zgjidhjen e konfliktit historik midis Izraelit dhe palestinezëve, por as kjo
s’kaloi. Administrata e tij ishte e angazhuar edhe në zgjidhjen e kontestit
rreth emrit midis Shkupit dhe Athinës. Ky angazhim u mbyll me Marrëveshjen e
Prespës.
Administrata e Trampit duhet të
respektojë qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin e saj, për arsye se kjo qeveri
buron nga vullneti i popullit, i shprehur në mënyrë demokratike në zgjedhjet
parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019. Respektimi i vullnetit të qytetarëve,
është parim bazë i demokracisë amerikane.
Uashingtoni duhet të kërkojë nga
Beogradi që t’i japë fund:
- luftës speciale ndaj Kosovës;
- luftës psikologjike ndaj Kosovës;
- armatosjes nga Rusia;
- përqendrimit të armatimeve ruse pranë
kufirit të Kosovës;
- veprimeve destruktive që kanë të
bëjnë me pengimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare;
- veprimeve destruktive që ndërlidhen
me çnjohjen e Kosovës nga vendet që tanimë e kanë njohur.
Po qe se trysnia ushtrohet vetëm mbi
qeverinë e Kosovës, atëherë pala serbe del e privilegjuar, Kosova ndërkaq vihet
në pozitë të pabarabartë. Po qe se taksat mbi mallrat serbe hiqen, ndërsa
Beogradi vazhdon të sillet ndaj Kosovës sikundër sillet sot, a do të thotë kjo
se ato do të duhej të riktheheshin? Një sjellje e tillë e Beogradit do ta
diskreditonte politikën e Uashingtonit, Londrës dhe Berlinit.
Serbia i ka shitur Kosovës mallra me
vlerë mbi gjysmë miliard euro. Me ato para ka blerë nga Moska armë. Me to i
është kanosur Kosovës dhe vazhdon t’i kanoset edhe sot. Një tregti si kjo s’është
parë dot në historinë e njerëzimit.
Uashingtoni, Londra dhe Berlini duhet
t’ia rikujtojnë Kleonit të
Ballkanit, Aleksandar Vuçiqit (1970-
) se ai dhe ministri i tij Ivica Daçiq
(1966- ), kanë qenë pjesë e pandarë e politikës së zjarrvënësit të gadishullit,
Sllobodan Millosheviqit (1941-2006).
Është për t’u habitur sesi Franca, Gjermania dhe Turqia e Rexhep Taip Erdoganit (1954- ), vitet e fundit kanë bërë investime
të konsiderueshme në Serbi. Në vend që të ndëshkohet dhe të izolohet për
gjenocidin e kryer, Serbia shpërblehet.
Në Beograd është përmendur një plan Ahtisari + +. Ç’përmban ky farë plani, rrallëkush
e di. Plusi i parë ka të bëjë ndoshta
me heqjen e taksës, ndërsa plusi i dytë,
mbase parashikon për serbët e Kosovës njëfarë autonomie kulturore. Pjesë e këtij plani me siguri janë edhe
investimet amerikane në Serbi dhe mbështetja për integrimin e saj në BE.
Shënim: Marti Ahtisari (Martti Ahtisaari, 23.06.1937 – 16.10.2023) politikan
finlandez, kryetar i dhjetë i Finlandës, laureat i çmimit “Nobel” për paqe (2008), diplomat i Kombeve të Bashkuara. Ishte i
dërguar special i Kombeve të Bashkuara për Kosovën i ngarkuar për organizimin e
bisedimeve për procesin e statusit të Kosovës.
* * *
Në anën tjetër, Beogradi do të duhej ta
njihte tërësinë e tokave, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës si dhe të
mbështeste anëtarësimin e saj në OKB.
E gjithë bota e di se s’ka shqiptar në
rruzullin tokësor që do të nënshkruante një marrëveshje me Serbinë, me të cilën
do të krijohej në Kosovë një bashkësi komunash me shumicë serbe, një “zajednicë” apo një “dodik republikë”.
Uashingtoni duket sikur i thotë
Prishtinës: “Hiqeni taksën menjëherë dhe
pa kusht, ndërsa punët e tjera me Beogradin, na i lini neve”.
Duhet shtuar se në vend të politikanes
italiane, Federika Mogerini (Federica
Mogherini, 1973-), përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe
Siguri, tani është ish-ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Zhozep Borel (Josep Borrell Fontelles,
1947-). Ky vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Si
“lehtësues” i BE-së në dialogun e sipërthënë është propozuar ministri në largim
i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav
Lajçak (1963-). Edhe ky i një vendi që s’e ka njohur Kosovën. Krahas
Lajçakut, në këtë detyrë ka qenë i parashikuar edhe diplomati gjerman Kristof Hojzgen (Christoph Heusgen,
1955- ). Prania e përfaqësuesit të Uashingtonit, pjesëmarrjen e Borelit apo të
Lajçakut e shndërron në formalitet të kulluar. Në dialogun që pritet, çdo gjë
do të jetë në duart e Uashingtonit.
* * *
Është imperativ i kohës që udhëheqësit
e Kosovës, veprimet dhe qëndrimet e tyre që kanë të bëjnë me dialogun ndërmjet
Prishtinës dhe Beogradit, t’i harmonizojnë dhe t’i bashkërendojnë me
përgjegjësi politike. Faktori politik i Kosovës duhet të respektojë:
- Kushtetutën e Republikës së Kosovës;
- Presidencën e Republikës së Kosovës;
- Kryeministrinë e Republikës së
Kosovës - organin ekzekutiv apo qeverinë;
- organin ligjvënës të Republikës së Kosovës
- kuvendin e saj.
Qeveritarët e Kosovës duhet të njihen
edhe me mendimet dhe qëndrimet e partive opozitare.
Dialogu me Beogradin nuk është punë
individësh, qoftë ky kryetar shteti, qoftë kryeministër qeverie. Dialogu
me Beogradin është punë e kryetarit të shtetit, e kryeministrit të qeverisë dhe
e kryetarit të kuvendit. Marrëveshja eventuale, miratohet apo hedhet poshtë,
në Kuvendin e Kosovës. Ka raste kur për vendime të tilla organizohen edhe referendume.
Interesi i Kosovës është mbi interesin
e individit, mbi interesin e një koniunkture dhe mbi interesin e një partie
politike. Animozitetet midis politikanëve, mendësia provinciale dhe të
gjykuarit fisnor, janë nën nivelin e imperativit të kohës. Nuk është kohë e
bajraktarizmit. Zënkat midis udhëheqësve
politikë, për Kosovën janë një luks i papërballueshëm. Shqiptarët duhet ta harrojnë
rapsodinë e katundit. Duhet dalluar luftën për pushtet nga ideali për shtet.
Burrat e mëdhenj të shtetit, më tepër shikojnë para se që kthehen pas.
Qeveria paraprake ra për shkak të
taksave. Mosmarrëveshjet midis partnerëve të bashkëqeverisjes mund të
përfundojnë edhe me rënien e qeverisë. Në një kohë kur Kosova ballafaqohet me
eksodin e rinisë saj, ky do të ishte skenari më i padëshiruar. Të rinjtë i kanë
marrë në sy rrugët pa kthim. Për zbrazjen e Kosovës, dikur e fajësonim
politikën serbomadhe dhe elaboratin “Dëbimi
i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) të
akademikut serb Vaso Çubrilloviq (1897-1990),
që e lexoi më 7 mars 1937 në Klubin Kulturor Serb në Beograd. Sot ndërkaq, për
dyndjen përmasash biblike të të rinjve, shqiptarët duhet ta fajësojnë vetveten.
* * *
Fati i popujve të vegjël është në duart
e fuqive të mëdha. Shqiptarët duhet të jenë të lumtur se i takojnë sferës
amerikane të ndikimit dhe zonës amerikane të interesit. Miqësinë
shqiptaro-amerikane duhet ta kultivojnë:
- inteligjencia shqiptare;
- klasa politike shqiptare në Shqipëri,
në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoninë e
Veriut, në Mal të Zi, çamët;
- shqiptarët në diasporë – në ShBA, në
Evropë dhe gjetkë;
- shtresat shoqërore që janë
determinantë sociologjikë dhe historikë;
- qeveritarët dhe pushtetarët;
- partitë politike shqiptare që janë në
opozitë;
- mediumet e shkruara dhe ato
elektronike;
- analistët politikë dhe ndërtuesit e
opinioneve.
Është e turpshme të flitet në janë
shqiptarët me Amerikën ose jo. Cili prej politikanëve shqiptarë është
proamerikan dhe cili s’është. Cili është proamerikan i madh dhe cili më pak
proamerikan. Është e tmerrshme dhe rrëqethëse të dëgjosh t’i thuhet një
udhëheqësi politik shqiptar të Kosovës: “Ti
je antiamerikan”! Shqiptarët, sot e mot, janë me ShBA-në dhe kurrë s’kanë
për të qenë me Rusinë, me Kinën, me Ankaranë apo me Teheranin.
Është infantilizëm politik t’i numërosh
të mirat e ShBA-së për shqiptarët dhe për Kosovën. Uashingtoni është pranë
Kosovës që nga viti 1991 deri më sot. Dhe ka për të qenë pafundësisht. Ndihmën
për Kosovën, Uashingtoni e ka përkufizuar si “ndërhyrje për të shmangur një
katastrofë humanitare përmasash të jashtëzakonshme”. ShBA-ja u ka
ndihmuar dhe vazhdon t’u ndihmojë të gjithë popujve të rajonit për të ndërtuar
shtetin e së drejtës dhe për t’i çuar para proceset demokratike.
Është e neveritshme kur i dëgjon fjalët
dhe shprehjet “ndarje e Kosovës”.
Fjalët e këtilla i dëgjon në Prishtinë dhe në Tiranë. I dëgjon prej
politikanëve, prej analistëve politikë, prej gazetarëve. I dëgjon edhe nëpër
debate. Njeriu që ka formim politik, kur s’e përdorë një shprehje të tillë.
Tërësia e tokave e Kosovës është çështje e paprekshme dhe e padiskutueshme.
Përdorimi i një shprehjeje të tillë krijon mundësinë e diskutimit për një gjë
të tillë. Shprehja e tillë e trimëron Serbinë dhe është në favor të saj.
Janë do çështje politike dhe kombëtare,
të cilat për nga natyra dhe karakteri kompleks, mbeten konfidenciale dhe
shërbejnë për përdorim të brendshëm dhe në rrethe të ngushta. Ka çështje që,
ndonëse preken nëpër kancelaritë evropiane, përsëri mbeten jashtë tryezave të
bisedimeve dhe jashtë agjendave. Sikur çështjet e tilla të bëhen publike për
opinionin e gjerë, atëherë mund të ndodhë keqinterpretimi i tyre.
Pa ShBA-në, shqiptarët në Ballkan janë
të rrezikuar prej fqinjëve grabitqarë!
Pa Amerikën s’ka Kosovë të lirë, të pavarur,
sovrane, demokratike dhe me kufij të mbrojtur!



