Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe gjeopolitika
SHQIPTARËT DHE GJEOPOLITIKA

Shqiptarët janë popull evropian. Si të
tillë, i takojnë familjes perëndimore të popujve. Humanistët shqiptarë – Marin Barleti (rreth 1450-1512), Marin Biçikemi (1468-1526), Gjon Gazuli, Mikel Maruli (1453-1500), Leonik
Tomeu (1456-1531), Maksim Greku (rreth
1480-1556) - ishin shkolluar në frymën e Rilindjes evropiane. Në frymën latine
u formuan edhe shkrimtarët e letërsisë së vjetër shqiptare – Gjon Buzuku (shekulli XVI), Lekë Matrënga (1567-1619), Frang Bardhi (1606-1643), Pjetër Budi (1618-1621), Pjetër Bogdani (1630-1689), poeti i
parë arbëresh vërtet i talentuar i shekullit XVIII Jul Variboba (1724-1788) etj.
Nga sa më sipër rezulton se shqiptarët
asgjë nuk i lidh me vendet e Orientit, d.m.th. me Turqinë, me vendet arabe apo
me Teheranin. I lidh vetëm sundimi i egër i Perandorisë Osmane. Si pasojë e
sundimit osman, Shqipëria në shekullin e kombeve, d.m.th. në
qindvjeçarin XIX, dolën si vendi më i prapambetur i gadishullit. Ka të tillë që
thonë se Perandorinë Osmane, turqit e paskan qeverisur bashkë me shqiptarët.
Midis tyre që e thonë këtë, ka edhe historianë dhe osmanologë shqiptarë. Këta
s’janë veçse mercenarë. Po qe se perandorinë e paskan administruar
bashkërisht, turq e shqiptarë, përse atëherë Shqipëria në shekullin e kombeve
doli vendi më i prapambetur i rajonit?!
Në Kongresin
Berlinit (1878) tre vende të Ballkanit – Rumani, Serbia dhe Mali ii Zi
fituan pavarësinë. Grekët e arritën këtë gjysmë shekulli më parë. Në këtë kohë
edhe Bullgaria fitoi një lloj autonomie. Shqiptarët ndërkaq, ngecën. Kur
fqinjët e shqiptarëve fituan lirinë, rilindësit shqiptarë iu rrekën punës për
të themeluar Komitetin për mbrojtjen e të
drejtave të kombësisë shqiptare dhe Shoqërinë
e të shtypurit shkronja shqip. Këta dy organizma u themeluan më 1879,
d.m.th. një vit pas krijimit të shteteve të pavarura të sipërthëna. Kur fqinjët
e shqiptarëve fituan dritën, rilindësit shqiptarë duhej të krijonin alfabetin e
shqipes, të botonin gazetat e para në shqip, të hartonin tekste shkollore, të
përpilonin gramatikën e gjuhës shqipe, të themelonin një shtypshkronjë për
botimin e veprave në shqip. Derisa fqinjët e shqiptarëve kishin sistem arsimor
në gjuhët e tyre kombëtare, shqiptarët e kishin të ndaluar shkollimin në gjuhën
amtare. Sot shqiptarët, themelimin e shkollës së parë shqipe (1887) - e festojnë. Por krahas
manifestimeve, duhet edhe të vajtojnë, për arsye, se kur u hap shkolla e parë
shqipe në Korçë, disa nga fqinjët e shqiptarëve kishin shkolla të larta, në mos
dhe universitete. Ky vonim historik paraqet tragjedinë e
popullit shqiptar. Liria në Kongresin e
Berlinit, nuk fitohej me një abetare.
Si pasojë e sundimit të egër turk mbi
shqiptarët, e kemi copëtimin e trojeve etnike shqiptare në Konferencën famëkeqe të
ambasadorëve në Londër (1912-13). Shqipëria në këtë kohë,
konsiderohej si mbetje turke në Ballkan. Si e tillë, tokat e saj duhet të
ndaheshin midis fqinjëve grabitqarë – Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të
Zi. Si pasojë e copëtimit të tokave shqiptare në Londrën e viteve 1912-1913,
lind një gjysmë Shqipërie. Kjo gjysmë Shqipëri, gjatë tërë shekullit XX do të
mbetet si vendi më i pazhvilluar i gadishullit. Gjatë tërë shekullit, ajo do të
qeveriset me turbulenca të brendshme dhe me diktaturë. Mbi shqiptarët
të mbetur nën pushtimin serb, grek dhe malazias, do të ndiqet politika
e gjenocidit. Me ndihmën e Beogradit, mbi shqiptarët do të ushtrohet
gjenocid edhe nga një popull pa identitet siç janë
sllavo-maqedonasit. Edhe sot, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XXI,
shqiptarët nuk mund ta marrin veten. Vazhdojnë të mbeten të fundit në gadishull.
Tragjedia e shqiptarëve është
rrjedhojë:
- e sundimit të egër turk,
- e rrethimit me hienat
sllavo-bizantine,
- e politikës antishqiptare të Rusisë
cariste dhe bolshevike,
- e politikës joparimore të Fuqive të
Mëdha të Evropës, si dhe
- e aftësisë shtetformuese të kufizuar
të shqiptarëve.
Sot e tutje, shkaqet e tragjedisë
kombëtare, shqiptarët nuk duhet t’i kërkojnë në sundimin egër osman, te
politika hegjemoniste e fqinjëve apo te diktatura dhe politika izolacioniste e
Enver Hoxhës. Është koha që fajin e vonimit ta kërkojnë në vete.
Autoritet turke shpesh e përsërisin
refrenin se turqit dhe shqiptarët na qenkan vëllezër. Si mund të jenë vëllezër
dy popuj të ndryshëm – shqiptarët evropianë dhe turqit aziatikë?! Si mund të
jenë vëllezër shqiptarët, me sunduesit pesëshekullor turq?! Po të ishin
shqiptarët vëllezër mbi bazën e fesë islame, atëherë do të duhej të ishin vëllezër
edhe me çeçenët apo me ujgurët, ngase edhe ata janë
myslimanë. Nuk duhet harruar se ka shqiptarë të fesë katolike apo të fesë
ortodokse. Çdo të kishte ndodhur me shqiptarinë sikur shqiptarët ortodoksë të
vëllazëroheshin me grekët, ndërsa shqiptarët katolikë - me italianët?! A nuk do
të shpinte kjo në bosnizimin e kombit shqiptar?!
Thonë se në Turqi sot paska disa
milionë shqiptarë. Po qe se në Turqi vërtet ka katër apo edhe pesë milionë
shqiptarë, përse atëherë gjithë ky numër kaq i madh shqiptarësh nuk e kanë as
edhe një abetare në gjuhën amtare?! Përse nuk e kanë as edhe një gazetë në
gjuhën shqipe?! Përse nuk e kanë të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare?!
Po t’i shikojmë arbëreshët e Kalabrisë
dhe të Sicilisë do të shohim se këta, edhe pas pesë shekuj të shpërnguljes së
tyre përtej Jonit dhe Adriatikut, flasin dhe shkruajnë shqip. Sot e kësaj dite zhvillojnë
veprimtari letrare e kulturore në gjuhën shqipe. Romantizmi në letërsinë
shqiptare, para afro dy shekujve, lindi pikërisht ndër arbëreshët.
* * *
Tendencat e Ankarasë për të ndërhyrë në
punët e brendshme të kombit shqiptar në Ballkan janë të dëmshme për shqiptarët.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë – Ahmet Davutoglu (1959-), përhapi teorinë e neo-otomanizmit. Kjo
nënkupton pretendimet e Turqisë për t’u rikthyer në zonat e Ballkanit, të
banuara me popullsi myslimane, siç janë Bosnja e Hercegovina, Shqipëria,
Kosova, Maqedonia, Sanxhaku në Serbi. Këtë pjesë të gadishullit, Ankaraja
pretendon ta shndërrojë në zonë të vet të interesit dhe në sferë
të vet të ndikimit.
Vende të caktuara të fuqishme,
objektivat e veta në Ballkan synojnë t’i arrijnë në forma të ndryshme, si:
nëpërmjet të ashtuquajturave shoqata humanitare, mediumeve të caktuara,
gazetarëve mercenarë, politikanëve të shitur, intelektualëve, historianëve dhe
dijetarëve antikombëtarë, disa klerikëve antishqiptarë etj. Pikërisht për këtë,
shqiptarët duhet të rinë në distancë ndaj Turqisë dhe vendeve të tjera të
Orientit. Ka kohë që Tirana dhe Prishtina e kanë lejuar Turqinë të depërtojë
ekonomikisht në trojet shqiptare. Forma bashkëkohore e ndikimit, me ndihmën e
kapitalit të huaj, shpie pashmangshëm në krijimin e zonës së interesit dhe të
sferës së influencës. Në pikat ekonomike strategjike të një kombi duhet të
investojnë vetëm aleatët strategjikë të tij dhe jo shtetet me të cilat ai
popull nuk ka ndërmend ta lidhë të ardhmen e vet.
Shqiptarët, janë me Perëndimin apo me
Orientin?! Mos pandehin shqiptarët se mund të rinë në dy karrige. Politikanët
shqiptarë vazhdimisht e përsërisin refrenin se janë për integrimin në
organizmat euro-atlantikë. Por, integrimi në strukturat euro-perëndimore nuk
bëhet duke u çelur rrugë fuqive joperëndimore të penetrohen në gadishull. Tirana
dhe Prishtina duhet të kërkojnë investime kryesisht nga vendet e Perëndimit,
sidomos nga Gjermania, nga ShBA-ja etj. Mirëpo, për të tërhequr investime nga
vendet perëndimore, qendrat politike shqiptare duhet të krijojë rrethana
politike dhe sociale të volitshme. Kjo nënkupton që shqiptarët:
- ta ngrenë cilësinë e arsimit;
- ta zhvillojnë vetëdijen kombëtare;
- të manifestojnë kapacitet
shtetformues;
- të tregojnë se janë popull politik;
- të kenë orientim dhe përcaktim
strategjik të qartë, properëndimor e pro-amerikan dhe të mos rinë në dy karrige;
- të ndërtojnë shtetin ligjor dhe të
luftojnë korrupsionin;
- të mos ia zënë frymën demokracisë dhe
të respektojnë lirinë e të menduarit ndryshe;
- t’i japin fund pasurimit brenda natës;
- ta luftojnë mafien urbane;
- të mos e ngatërrojnë politikën me
fenë;
- të jenë të vetëdijshëm se çështja
shqiptare në Ballkan nuk është çështje fetare, por kombëtare.
Një komb në zhvillim e sipër, nuk ecën
para pa ideal dhe pa idealizëm. Si është e
mundur që një Shqipëri, e bregëzuar me dy dete dhe me qindra mijë të punësuar
jashtë vendit, të ketë në disa zona të saj varfëri të skajshme?!
* * *
Ekstradimi i gjashtë profesorëve turq
Ankarasë, është akt absurd, pikërisht për disa arsye:
- rrëmbimi dhe deportimi i tyre është
bërë pa i respektuar rregullat ligjore të shtetit të Kosovës;
- gjashtë shtetasit turq i janë
dorëzuar një shteti që udhëhiqet në mënyrë autoritare, totalitare dhe
jodemokratike;
- gjashtë shtetasit turq i janë
dorëzuar një pushteti që i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut;
- në burgjet e Turqisë, shtetasit turq
të deportuar mund të ballafaqohen me trajtim jonjerëzor dhe me proces gjyqësor
të padrejtë.
Duhet shtuar se disa udhëheqës politikë
të Kosovës po ashtu kanë qenë të ballafaquar me çështjen e fletarrestimeve të
lëshuara nga Serbia. Por, asnjë vend i Evropës nuk iu bind kërkesës së
pajustifikueshme të Beogradit për ekstradimin e tyre. Përpos kësaj, kodeksi
shqiptar për mbrojtjen e mikut nga rreziku nuk e lejon një veprim të tillë. Po qe
se gjashtë të ekstraduarit turq kanë bërë veprime të paligjshme në Kosovë,
atëherë këtë është dashur ta zgjidhnin organet e drejtësisë dhe jo shërbimet e
mjegullta. Me ekstradimin e shtetasve
turq cenohet sovraniteti i Kosovës dhe integriteti politik i saj. Kosova është
shtet i pavarur dhe sovran, ndaj ndërhyrjet nga jashtë janë të papranueshme për
të. Ekstradimi i turqve një regjimi jodemokratik, pa procedurë ligjore, ndikon
që vendet demokratike të BE-së dhe ShBA-ja të shohin me mosbesim Kosovën. Mos vallë
shqiptarët dolën nga diktatura komuniste që oligarkët dhe klasa politike të
pasurohen brenda natës?! A thua Kosova u çlirua nga pushtimi shekullor serb, me
qëllim që rinia e saj t’i marrë rrugët pa kthim të Perëndimit?! Nuk
duhet të habitemi po qe se vërejmë se
mbështetja e miqve perëndimorë për shqiptarët po zbehet.
* * *
Në këto momente komplekse për kombin,
shqiptarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm. Me ndihmën e Vladimir Putinit (1952-), hienat e Ballkanit duan t’i tregojnë
dhëmbët. Një vonim historik i kushton një populli më shumë se një shekull. Edhe
një vonim historik, shqiptarët nuk do të mundë ta përballonin.



