Xhelal Zejneli: Përmendjet më të hershme të shqiptarëve dhe të shqipes
PËRMENDJET MË TË HERSHME TË SHQIPTARËVE DHE TË SHQIPES

“Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” viti 1285 Raguzë
(Dëgjova një zë që thërriste në pyll në gjuhën shqipe).
* * *
Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve
dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit.
Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes
dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës.
Shqipja i takon familjes së gjuhëve
indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër.
Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja.
Shqiptarët janë popull autokton i
gadishullit.
Shqiptarët janë popull autokton në
brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.
* * *
Në analet e historisë së dokumentuar,
shqiptarët kanë hyrë në gjysmën e dytë të shekullit XI. Në “Historinë” e tij të
shkruar më 1079-1080, historiani bizantin Mihaelis
Ataliates (Michaelis Attaleiates, rreth vitit 1020 – pas vitit 1085)* qe i pari që përmendi se Albanoi
kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Kostandinopojës më 1043
dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të Dukës së Dyrrachiumit (Durrësit).
Shënim: Mihaelis Ataliates (Michael Attaleiates,
rreth vitit 1020 – pas vitit 1085) ishte avokat, gjykatës dhe historian
bizantin i shekullit XI. Gjatë sundimit të perandorëve Romanos IV dhe Michael
VII u ngrit në poste të larta. Vepra e tij “Historia” mbulon vitet 1034–1079
dhe mbetet rrëfim i rëndësishëm i
dëshmitarëve okularë të krizave të perandorisë, përfshirë betejën katastrofike
të Manzikertit. Lindi në Ataleia (Antalia e sotme, Turqi). Si i ri u transferua
në Kostandinopojë për të studiuar drejtësinë
dhe për të ndërtuar karrierë në oborrin perandorak.
* * *
Po ashtu, historiani bizantin i fundit
të shekullit XI Gjon Skilices
(Ioannis Scylitzes, 1040 - 1110), në vitin 1081 përmend fjalën Arbanites
si pjesë e trupave të mbledhur në Durrës nga gjenerali bizantin i
fundit të shekullit XI, Niqifor Basilaku
(Nicephorus Basilacius, lindi ? – vdiq në vitin 1079).
Për ekzistencën e gjuhës shqipe, për
herë të parë bëhet fjalë aty nga fillimi i shekullit XIV. Në të vërtetë, midis
viteve 1285 dhe 1332 kemi katër përmendje të qarta dhe të padyshimta.
E para nga këto përmendje në histori
për ekzistencën e gjuhës shqipe është ajo e vitit 1285, në Ragusë (Dubrovnik),
ku për njëfarë kohe ka pasur një bashkësi shqiptare të konsiderueshme. Në një
proces hetuesie, midis tjerash figuron edhe fjalia:
“Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca”
(Dëgjova një zë që thërriste në pyll në gjuhën shqipe).
Njëzet vjet më vonë hasim një përshkrim
të Shqipërisë në të ashtuquajturin “Anonymi
Descriptio Europae orientalis” (Përshkrim anonim i Evropës Lindore).
Është një tekst mesjetar i vitit 1308 i
cili përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti mbi vendet e
Ballkanit. Autori anonim i tij mendohet të ketë qenë një klerik frëng apo i
shkolluar në Francë, me shumë gjasa i Urdhrit Dominikan, i dërguar në Serbi, ku
edhe mblodhi pjesën më të madhe të të dhënave për Ballkanin. Përveç pjesëve që
pasqyrojnë rajone të ndryshme të Greqisë Bizantine, Rashës, Bullgarisë,
Ruthenisë, Hungarisë, Polonisë dhe Bohemisë, ai përmban edhe një pjesë për
Shqipërinë, një nga përshkrimet e rralla për këtë vend në vitet e para të
shekullit XIV (1308). Kjo pjesë mbyllet me këtë përmendje të gjuhës shqipe:
“Habent enim Albani
prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se
inteligunt cum aliis nationibus
(Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga
ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren
vesh me popuj të tjerë).
Për herë të tretë, për ekzistencën e
gjuhës shqipe bëhet fjalë në njoftimin e një pelegrini gjatë udhëtimit për në
Tokën e Shenjtë më 1322. Dy pelegrinë anglo-irlandezë, Symon Semeonis dhe Hugo
Illuminator, që në shqip mund t’u thuhet Simon Simoni i Zrdhrit Françeskan dhe
Hugo Ndriçuesi, gjatë udhëtimit, më 1322 u ndalën në Shqipëri, me ç’rast i pari
bëri një përshkrim të gjallë të asaj çka pa. Përshkrimi i tij jep një vështrim
të gjallë të bregdetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIV, d.m.th. në
vitin 1322. Këta dy u nisën nga Klonmeli i Irlandës. Nga Uellsi verior kaluan
në Londër, Kentërberi, Dover, Uisant, Amien, Paris, Bonë (Beaune), Lion,
Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë dhe Viçencë,
deri në Venedik. Vijuan rrugën me anije për të arritur në Pullë, Zarë,
Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe Kretë, para se të mbërrinin në
Aleksandri. Përshkrimet e Simonit njihen si:
Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam
(Udhëtimi i Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë).
Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën Corpus
Christi College në Kembrixh. Udhëpërshkrimi përmban të dhëna për kontrollin dhe
procedurat e doganës, zakonet, monedhat, lëndët e para dhe prodhimet e vendeve
të vizituara, për kishat etj. Midis tjerash, ai shkruan:
”Albanya est
provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens”
(Shqipëria është një provincë midis Sllavëve dhe Romanisë
(Bizantit), me një gjuhë të vetën). Ai
shkruan edhe për Durrësin.
E fundit nga këto raste ku përmendet
gjuha shqipe dhe ndoshta e para përmendje e vërtetë për ekzistencën e shkrimit
në shqip ka qenë ajo e vitit 1332 nga murgu dominikan frëng Brokard ose Frère Brochard (lat.
Brocardus monacus)*.
Shënim: Vëllai Brokard (Brochard) i njohur edhe
si Brocardus Monacus ose Burcard) ka qenë frat dominikan dhe prelat katolik i
shekullit XIV. Është i njohur për dorëshkrimin e tij latin të vitit 1332 me
titull “Directorium ad passagium
faciendum” (Drejtoria për të
bërë pasazh). Është një traktat gjeopolitik dhe fetar i shkruar rreth vitit 1332. Autori bën thirrje për kryqëzatë.
I kushtohet Mbretit Philip VI të Francës.
* * *
Në një vepër latinisht me titull Directorium ad passagium faciendum,
Brokardi shkruan:
“Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina et diversam,
tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris”
(Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme
nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre).
Nuk dihet saktë nëse Brokardi ka pasur
parasysh libra në gjuhën shqipe të shkruar me alfabet latin apo thjesht libra
të shkruar në gjuhën latine.



