Xhelal Zejneli: Lypësit e trotuareve dhe të semaforëve
LYPËSIT E TROTUAREVE DHE TË SEMAFORËVE

Në pjesë të caktuara të qytetit
veprojnë lypësit. Veprojnë kryesisht në pjesët kryesore të qytezës. Lypës ka
edhe në rrugët e kryeqyteteve. Lypës janë kryesisht femrat, por ka edhe meshkuj
që lypin. Lypjen e kryejnë në mënyra të ndryshme. Lypëset janë kryesisht gra të
reja, me fëmijë. Por ka edhe gra moshash të mesme. Shumë lypëse janë nëna, nëna
me dy a tre fëmijë të vegjël. Lypësit lypin çdo ditë, verë-dimër. Lypin edhe
kur është ftohtë, edhe kur është vapë. S’ka dyshim se dikush manipulon me
lypëset. Burrat e lypëseve s’i sheh dot. Në muzg, ata i presin gratë e tyre dhe
nisen për në vendbanimet e veta. Lypëset mund të jenë bashkëshorte të tyre, por
mund edhe të mos jenë. Ka raste kur gratë i çojnë detyrimisht për të lypur. Për
ta trazuar ndërgjegjen e kalimtarëve, nënat e reja mbajnë në prehër apo në
krahë foshnjë. Foshnja mund të jetë një vjeçe apo një vjeçe e gjysmë. Ka raste
kur pran së ëmës rijnë tre fëmijë të vegjël. Ndodh që lypja të zgjatë mbi
gjashtë orë. Verë-dimër, mbi gjashtë orë. Në pikëpamje fizike, nënat lypëse
janë të dobëta. Të tillë janë edhe fëmijët e tyre. Me fjalë të tjera, janë të
paushqyer. Paratë e grumbulluara nga lypja ua merr bashkëshorti apo personi i
cili i nxjerr të lypin. Askush s’e di se ku i çon paratë ai që ua merr ato.
Mund t’ përdorë për bukë, për ushqim, për mbijetesë, për ekzistencë. Por, mund
të ndodhë që konfiskuesi i parave të mbledhura t’i përdorë ato për qëllim të
veta: bixhoz, lëndë narkotike, terma-teposhtë, lart e poshtë etj. Si ri foshnja
me orë të tëra në prehrin e së ëmës, pa qarë?! Me siguri, para se nëna të dalë
të lypë, i jep pjellës së vet preparate që e vënë në gjumë. Fëmijët e lypësve
janë të zbetë, të lodhur, të rraskapitur, të unët, të etshëm dhe të paushqyer. Veshja
e lypëseve dhe e fëmijëve të tyre është për të ardhur keq. Veshjet e lypësve
janë të palara, të papastra, të përlyera dhe të ndotura. Në shumë raste fëmijët
e lypësve, edhe vetë ata lypës, janë të zbathura. Ata ecin këmbëzbathur.
Fëmijët lypës nuk janë si fëmijët e tjerë. Fëmijët e lypësve nuk shkojnë në
shkollë, janë jashtë hapësirave shkollore, jashtë bankave shkollore, jashtë
sallave të fizkulturës. Ata nuk ndjekin kurse, kursin e pianos, të violinës, të
matematikës, të gjuhëve të huaja, anglisht, gjermanisht. Ata nuk janë pjesë e
ndonjë ekipi të futbollit, të basketbollit, të volejbollit, të hendbollit. Ata
nuk dinë se ç’është skijimi. Fëmijët e lypësve nuk shkojnë në çerdhet e
fëmijëve. Për ta trazuar ndërgjegjen e kalimtarëve, nënat lypëse qëllimisht nuk
ua veshin foshnjave të veta apo fëmijëve të vet këpucë. Në kulmin e dimrit, i
mbajnë në krah foshnjat këmbëzbathur. Lypëset ulen skaj trotuarit, mbi një
karton. Përpara vetes kanë të shtruar një copë pëlhure apo një kuti. Solidarët
rëndom u japin nga dhjetë denarë (1,5 cent). Por, ka raste kur kalimtari u jep
50 denarë (9 cent) ose 100 denarë (1,5 euro). Dikush nuk jep hiç dhe u thotë: “Zoti të dhëntë.” Lypësit lypin edhe
pranë semaforëve. Ndalen veturat para semaforëve dhe lypësit afrohen më
dritaren e ngasësit të automjetit. Numri i atyre që solidarizohen nuk është i
madh. Qytetarët e dinë se lypësit punën e lypjes e kanë shndërruar në zanat.
Lypësit kanë ndërtuar edhe strategji për lypje. Lypin përpara marketeve, zyrave
të këmbimit të valutave, bukëpjekësve, bankave, mishtoreve. Me fjalë të tjera,
lypin aty ku denduria e lëvizjes së njerëzve është më e madhe.
Lypësit janë kryesisht të
bashkësisë etnike rome. Është e pamundur të mos ketë punë për këtë
kategori njerëzish. Në vendet tona vijnë për të punuar njerëz prej shteteve
aziatike. e s’paska punë për lypësit e hapësirave tona. Punë ka sa të duash.
Madje për punë të caktuara ka edhe mungesë të fuqisë punëtore.
Numri i lypësve është shtuar. Ka raste
kur lypësit vijnë edhe prej qyteteve të tjera. Prej një qyteti më të
pazhvilluar, vijnë për të lypur në qytetin që është ca më i zhvilluar. Prej një
qyteti me më pak banorë, vijnë në qytetin që ka më shumë banorë. Numri i tyre
shtohet sidomos në kohë e verës kur vijnë kurbetçinjtë prej kurbeti, prej
Gjermanie, Zvicre, Italie, vendeve skandinave.
Lypës në një shtet të
Evropës, në shekullin XXI. Shteti
që ka lypës nëpër trotuaret e qyteteve dhe pranë semaforëve të udhëkryqeve, nuk
mund të konsiderohet shtet. Shteti i tillë është pseudo-shtet, kuazi-shtet. Ai
farë shteti s’e ka vendin, as në NATO, as në Bashkimin Evropian. Lypës ka në të
gjitha shtetet e Ballkanit. Ka që thonë se njerëz që janë pa kulm mbi kokë e që
flenë rrugëve, ka edhe nëpër vendet e zhvilluara të botës.
Pothuajse në të gjitha vendet e rajonit
e më gjerë, lypësit i përkasin kryesisht bashkësisë etnike të romëve. Shteti
ka për detyrë që bashkësinë etnike të cilës i përkasin lypësit, ta integrojë në
shoqëri. Romëve duhet t’u mundësohet shkollimi, arsimimi, emancipimi.
Duhet t’u mundësohet arsimim në shkollat profesionale. Duhet t’u
mundësohen zanate. Të rinjtë e kësaj bashkësie etnike mund të punojnë në
bujqësi, në blegtori, në ndërtimtari. Vajzave rome dhe djemve romë duhet t’u
mundësohet shkollimi, arsimimi, emancipimi dhe punësimi në institucionet
publike. Pjesëtarëve të këtij komuniteti duhet t’u jepen tokë për ndërtimin e shtëpive.
Për pjesëtarët e këtij komuniteti duhet të ndërtohen ndërtesa solidariteti,
ndërsa banesat e ndërtimeve t’u jepen atyre me favore. A ka buxhet për një gjë
të tillë?! Buxhet ka, por s’ka vullnet. Vullnet s’ka ngase ka vjedhje, abuzime,
pasurim brenda nate. Teoria se pjesëtarët e bashkësisë rome nuk duan të punojnë
apo nuk duan të shkollohen, është e pasaktë dhe e papranueshme. Ato janë pikëpamje
raciste.
Lypësit e trotuareve dhe të semaforëve
na e përkujtojnë kohën e poetit të mjerimit Millosh Gjergj Nikolla, të njohur me emrin Migjeni (Shkodër, 13. tetor 1911 – Torre Pellice, Itali, 26 gusht
1938), na i përkujtojnë skicat e librit “Novelat
e qytetit të veriut” (1936). Na e përkujton refrenin: “Zoti të dhashtë”, “A do qymyr, zotni?” Na e nxjerrin para syve shekullin e apoteozës së misrit, prozën që flet me realizëm të dhimbshëm për varfërinë,
mjerimin dhe padrejtësitë shoqërore të kohës. Na i përkujtojnë heronjtë migjenianë
që janë njerëz të thjeshtë, të papunë dhe të flakur tej, ku spikasin tema si
izolimi, gruaja e shtypur dhe shpresa e thyer.
Legjenda e misrit:
Misër! Misër! Në
shekullin e njëzet s'ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri – bërtet
dhimbshëm engjëlli i fjalës artistike. .
Për lypësit tanë fare nuk kujdeset
shteti, nuk kujdesen institucionet e tij. Ka shumë raste kur lypësit
keqtrajtohen, manipulohen dhe instrumentalizohen nga pronarët e tyre, kurse
autoritetet policore fare nuk çajnë kokën për të marrë masa. Indiferente janë
edhe organet e gjyqësisë, pushtetarët, qeveritarët, pushteti qendror, ai
vendor. Nuk çajnë kokën ministrat, deputetët, liderët e subjekteve politike. Ku
është i ashtuquajturi Avokat i Popullit?! Ku është i
ashtuquajturi Komitet i Helsinkit?! Ku janë të ashtuquajturat shoqata për
mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut?! Ku është akademia,
universiteti, ligjëruesit universitarë?! A janë diku shkrimtarët, kemi apo
s’kemi shkrimtarë?! A ka mbetur ndonjë filozof, sociolog?! Ku është zëri i
protestës, i reagimit. E tërë shoqëria paska rënë në gjumë! Për programet e Reality
show (Reality
television) me ditë të tëra ri pa gjumë.
Rini, thueja kangës ma të bukur që di! Thueja kangës sate që të vlon në gji!
- Migjeni













