Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe orientimi strategjik

Imazh i gjeneruar me ChatGPT (OpenAI)
SHQIPTARËT DHE ORIENTIMI STRATEGJIK

S’ka dyshim se ceremonia e vendosjes së pllakës përkujtimore
dhe e emërtimit të një rruge apo të një zone të Parkut të liqenit në Tiranë, e
organizuar me rastin e 3-vjetorit të tentativës së grushtit të shtetit në
Turqi, është realizuar me miratimin e autoriteteve shqiptare. Miratimi i aktit
të mësipërm nga autoritetet shqiptare është hap i pamatur, pikërisht për arsyet
e poshtëshënuara:
- Ngjarja e shënuar në Parkun e liqenit në Tiranë, d.m.th.
grushti i shtetit i dështuar, ka ndodhur në një shtet të huaj;
- Ngjarja që ka ndodhur në Turqi më 15 korrik 2016 është
çështje e brendshme e atij vendi. Me një fjalë, shqiptarët s’kanë të bëjnë me
të. As ngjarja ka të bëjë me Shqipërinë apo me shqiptarët.
- Marrja e pushtetit në rrugën jodemokratike apo me mjete të
dhunës dhe të forcës në botën demokratike dënohet dhe nuk pranohet. Si një vend
evropian, edhe Shqipëria e dënoi tentativën për grusht shteti në Turqi. Më
shumë se kaq, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të bëjnë;
- Duke qenë një vend evropian, veprimet politike të veta
Shqipëria duhet t’i harmonizojë me veprimet e vendeve të BE-së;
- Duke qenë shtet properëndimor, hapat politikë të vet
Shqipëria duhet t’i bashkërendojë me vendimet dhe me interesat e vendeve të
Perëndimit;
- Duke qenë popull evropian dhe properëndimor, qëndrimet e
veta shqiptarët duhet t’i harmonizojnë me qëndrimet e BE-së, përkatësisht të
Perëndimit;
- Shqiptarët duhet të kenë parasysh faktin se jetojnë në një
gadishull të banuar nga popuj të krishterë, sikundër janë grekët, bullgarët,
rumunët, kroatët, serbët, malazeztë;
- Shqiptarët duhet të kenë parasysh faktin se gjeografikisht
shtrihen në një kontinent popujsh të krishterë;
- Duke qenë pjesë e një Ballkani të banuar nga popuj të
krishterë si dhe pjesë e Evropës së krishterë, politikisht shqiptarët duhet të
qëndrojnë në distancë nga vendet sikundër janë Turqia, vende të caktuara arabe
si dhe Irani;
- Çfarëdo afrimi i shqiptarëve me Ankaranë, me vende të
caktuara arabe apo me Teheranin, i largon ata nga Evropa, përkatësisht nga
Perëndimi;
- Në shekullin XV, d.m.th. në epokën e Gjergj Kastriotit (1405-1468), ndërmjet shqiptarëve, në një anë dhe
turqve, në anën tjetër, janë zhvilluar luftëra të ashpra që kanë zgjatur një
çerek shekulli. Gjergj Kastrioti ka
luftuar 25 vjet për ta mbrojtur Arbërinë dhe Evropën e krishterë nga
inkursionet e Perandorisë Osmane;
- Arbëreshët nuk kanë ikur në Kalabri dhe në Sicili prej të
mirave. Diçka e madhe dhe e tmerrshme duhej të kishte ndodhur që të ishin
larguar nga mëmëdheu;
- Historia i mëson shqiptarët se Perandoria Osmane ka
sunduar mbi ta pesë shekuj;
- Gjatë sundimit osman, një pjesë e popullit shqiptar e ka
ndërruar fenë e të parëve. Historia e botës nuk njeh as edhe një rast të vetëm
që një popull i tërë apo një pjesë e tij ta ketë ndërruar fenë e të parëve e të
jetë konvertuar në një fe tjetër – vullnetarisht. Vullnetarisht mund ta
ndërrojë fenë individi apo një familje, por jo një popull i tirë apo një pjesë
e tij. Format e dhunës të pushtuesit apo të sundimtarit për t’ia ndërruar fenë
një populli janë të shumta dhe të llojllojshme. Një prej formave të zbatuara
janë edhe trysnitë politike dhe ekonomike mbi popullin e pushtuar dhe të
sunduar;
- Për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar dhe për t’i
shpëtuar dhunës së pushtuesve dhe të sunduesve osmanë, shqiptarët vazhdimisht
kanë qenë të detyruar të lënë atdheun. Më 1726 nga fshatrat Brisk dhe Shestan
në perëndim të Shkodrës, u shpërngulën shumë shqiptarë dhe u vendosën në
rrethinë të Zarës (Kroaci) ku themeluan qendrën e banuar Arbanasi (Borgo
Erizzo). Prej aty vjen Josip Rela (1895-1966), autor i dramës “Nita”, e para dramë e botuar në shqip në Jugosllavi. Që andej vjen
edhe poeti dhe tregimtari i hershëm Shime
Deshpali (1897-1980);
- Në vitet 1737-1739 u zhvillua lufta austro-turke. Si të
krishterë, fisi i kelmendasve ishte pjesë e ushtrisë perandorake austro-hungareze.
Austro-hungarezët pësuan humbje dhe u tërhoqën. Bashkë me ta u larguan edhe
kelmendasit dhe u vendosën në fshatrat Nikinci dhe Hërtkovci të Vojvodinës;
- Gjatë periudhës së sundimit turk mbi shqiptarët, Bushatasit (Bushatllinjtë), familje e
madhe feudale shkodrane, në shekujt XVIII-XIX qeverisën pashallëkun e Shkodrës
për rreth një shekull dhe synuan autonomi;
- Në vitin 1788, burri i dëgjuar i kombit shqiptar Ali pashë Tepelena (1740-1822) vuri nën
sundimin e vet Pashallëkun e Janinës,
nga Preveza deri në lumin Shkumbin. Gjatë viteve 1820-1822 ngriti krye kundër
Perandorisë Osmane. U mund nga sulltani - i
tridhjetë i Perandorisë Osmane - Mahmuti
II (1785 –
1839) dhe u ndëshkua rëndë me prerje koke;
- Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në vitet
1843-1844, në Kosovë dhe në trevat lindore të Shqipërisë shpërtheu kryengritja
popullore me karakter çlirimtar, e njohur në histori si Kryengritje e Dervish Carës që
radhitet ndër kryengritjet e
para dhe nga më të fuqishmet e fillimeve të lëvizjes kombëtare në Shqipëri;
- Gjatë periudhës së sundimit turk mbi shqiptarët, lindi Rilindja Kombëtare Shqiptare.
Rilindësit shqiptarë, duke filluar nga Naum
Veqilharxhi (Vithkuq, 1797 – Stamboll, 1846) e këndej, synuan shkëputjen e Shqipërisë nga Porta e Lartë;
- Në kohën e sundimit turk mbi shqiptarët, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878)
veproi për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Me fjalë të tjera,
kërkoi, veproi dhe luftoi për lirinë dhe për pavarësinë e Shqipërisë;
- Historia dëshmon se synimet e shqiptarëve për t’u
shkëputur nga Perandoria Osmane janë përcjellë me beteja dhe me luftëra të
armatosura;
- Historinë e popullit shqiptar nuk e krijojnë shqiptarët që
kanë qenë në shërbim të Portës së Lartë, por ata që luftuan për shkëputje, liri
dhe pavarësi;
- Në shekullin e kombeve, d.m.th. në
qindvjeçarin XIX, shqiptarët dalin si populli më i pazhvilluar i Ballkanit.
Borgjezia greke, rumune dhe serbe, kuptohet, edhe me ndihmën e Fuqive të Mëdha
të kohës, i krijojnë shtetet kombëtare të veta. Po kështu edhe malazeztë.
Rrugës drejt pavarësisë shkojnë edhe bullgarët. Shqiptarët ndërkaq, nuk kanë
pasur determinues historikë dhe sociologjikë të mjaftueshëm që do të
kishin qenë në krye të përgjegjësisë historike;
- Shqiptarët që kanë vepruar në kuadër të Perandorisë Osmane
dhe që kanë luftuar në kuadër të ushtrive të saj, nuk kanë punuar për interes
të popullit të vet, por për interes të huaj, atë turk;
- Çmimin e luftërave të caktuara që i humbte Perandoria
Osmane, shpeshherë e paguanin shqiptarët. Orekset e fqinjëve ballkanikë – të
grekëve, të serbëve, të bullgarëve dhe të malazezëve plotësoheshin duke u
dhuruar atyre troje etnike shqiptare;
- Si pasojë e sundimit osman mbi shqiptarët, në Kongresin e Berlinit (1878) Shqipëria u
cilësua si term gjeografik. Kështu tha kancelari i parë gjerman Oto fon Bizmark (Otto von Bismarck,
1815-1898). “Kancelari i hekurt” – Bizmarku, ishte një kritik i ashpër i
Ballkanit. Shqiptarët jo vetëm që nuk fituan shtetësi sikur fqinjët e tyre, por
në këtë kongres filloi edhe amputimi i trojeve etnike shqiptare në dobi të
fqinjëve;
- Si pasojë e sundimit osman mbi shqiptarët, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër
(1912-1913) trojet etnike shqiptare u përgjysmuan. Trojet shqiptare, prej
sunduesve turq kalojnë nën thundrat e pushtuesve grekë, serbë dhe malazezë. Në
Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it (KAÇKJ) të mbajtur në Jajce të Bosnjës dhe
Hercegovinës më 29.11.1943 dhe të udhëhequr nga Josip Broz Tito (Kumrovec, Kroaci, 1892 – Lublanë, Slloveni, 1980),
komunistët jugosllavë vendosën që Maqedonia e Vardarit apo “Serbia Jugore” siç
e quanin serbët, t’i merrej Serbisë dhe të krijohej Republika e Maqedonisë, si
një prej gjashtë republikave të federatës së ardhshme. Po kështu u veprua edhe
me Malin e Zi. Duhet shtuar se Maqedonia dhe Mali i Zi u bënë republika të
“Jugosllavisë së AVNOJ-it” duke i krijuar shtetet e tyre në pjesë të caktuara
të trojeve etnike shqiptare;
- Si pasojë e krejt kësaj drame tragjike, shqiptarët në
Ballkan janë të ndarë në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore
(Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri. Ky është rast i
vetëm në rruzullin tokësor dhe është pasojë e sundimit shumëshekullor turk mbi
shqiptarët;
- Që nga shpallja e pavarësi deri më sot, shqiptarët të
copëtuar në gjashtë pjesë nuk mund ta marrin veten. Duke mos treguar aftësi të
duhur për të ndërtuar shtet, shqiptarët edhe vetë janë fajtorë të tragjedisë së
tyre kombëtare. Të kesh qenë në shërbim të pushtuesit dhe të sundimtarit dhe të
presësh fat më të mirë, kjo s’ka ndodhur kurrë në histori;
- Ata që thonë se midis shqiptarëve dhe turqve ka lidhje
historike, duhet ta dinë se prej kësaj “lidhjeje historike” shqiptarët kanë
dalë humbës
historikë - nuk ia dalin të krijojnë shtet kombëtar në shekullin XIX,
ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më tepër se gjysma e trojeve etnike
historike shqiptare mbeten jashtë trungut të shtetit amë;
- Shqiptarët janë popull që u përkasin tre religjioneve:
katolike, ortodokse dhe myslimane. Si në çdo shoqëri, edhe ndër shqiptarë mund
të ketë të tillë që nuk janë as fetarë dhe as besimtarë. Mund të ketë edhe prej
atyre që janë besimtarë por jo edhe fetarë. Po qe se politika e sotme
shqiptare, në aspektin politik nuk ri në distancë ndaj Turqisë, atëherë kanoset
rreziku që shqiptarët e fesë katolike t’i afrohen Romës, ndërsa këta të fesë
ortodokse – Greqisë. Kjo do të shkaktonte bosnizimin
e Shqipërisë.
- Tërë bota i njeh shqiptarët si popull ku mbizotëron harmonia
ndërfetare. Por, afrimi eventual politik me Ankaranë mund të ndikojë në
çrregullimin e harmonisë fetare në botën shqiptare. E drejta e predikimi të
fesë në botën shqiptare është e garantuar me ligj dhe me kushtetutë, por kur feja shndërrohet në politikë dhe në
ideologji, atëherë ajo pushon të jetë besim në Zot;
- Prononcimet e herëpashershme të autoriteteve turke se
shqiptarët dhe turqit na qenkëshin vëllezër nuk janë në dobi të kombit shqiptar
për arsye se, sikundër u tha edhe më sipër, shqiptarët janë popull që u takojnë
tri feve. Përveç kësaj, prononcimet e tilla nuk mirëpriten nga Evropa apo nga
Perëndimi i krishterë;
- Çfarëdo afrimi i politikës shqiptare me Ankaranë krijon
përshtypje në Perëndim se shqiptarët mund të shndërrohen në përçues të interesit turk në rajon;
- Çfarëdo afrimi i politikës shqiptare me Ankaranë mund të
krijojë përshtypje në botën perëndimore se shqiptarët mund të shndërrohen në
zonë turke të interesit dhe në sferë turke të ndikimit;
- Ish-ministri turk i Punëve të Jashtme Ahmet Davutogllu (1959- ), me teorinë e tij të neo-otomanizmit, predikonte kthimin e Turqisë në
viset e gadishullit të banuara nga popuj të fesë islame, d.m.th. në pjesën
myslimane të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Sanxhak (Serbi), në Shqipëri, në
Kosovë dhe në Maqedoni;
- Autoritetet shqiptare duhet të kenë parasysh faktin se
kryetari i përtashëm i Turqisë nuk gëzon mbështetje të duhur, as në SHBA dhe as
në BE, ndaj afria e shtetarëve shqiptarë me të nuk shihet me sy të mirë në
Perëndim;
- Afrimin e autoriteteve shqiptare me Ankaranë e mbështesin
fuqimisht Beogradi, Athina dhe Moska për t’i denigruar pastaj nëpër kancelaritë
e fuqive perëndimore si përçues të interesit turk në rajon
dhe në Evropë. Në vijën e tyre ndodhen edhe mercenarët shqiptarë –
osmanologë, botues, mediume të shkruara, mediume elektronike, kryeredaktorë
mediumesh, analistë politikë, klerikë, shoqata humanitare, të cilat sa janë
humanitare, po aq janë edhe politike dhe ideologjike. Në këtë dance
macabre mund të hasen edhe politikanë nivelesh të ndryshme;
- Nuk duhet harruar faktin se kryetari i përtashëm i Turqisë
zhvillon marrëdhënie të mira me Rusinë dhe me Serbinë, shtete këto që nuk e
njohin pavarësinë e Kosovës e që pandërprerë punojnë kundër saj;
- Herë pas herë kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (Beograd, 1966- ) u ka dërguar sinjale fuqive
perëndimore duke u thënë: “Po qe se e
shpërfillni Serbinë, atëherë Beogradi do të kërkojë alternativa...” Sipas
Vuçiqit, alternativa të Serbisë janë Rusia dhe Kina;
- Nuk dihet në ka Serbia alternativë për integrimin në BE,
por politika shqiptare e integrimit euro-atlantik nuk ka alternativë. Për
politikën shqiptare, Turqia nuk paraqet kurrfarë alternative. Ajo nuk është
Rusi apo Kinë. Ankaraja nuk mund të zëvendësojë rolin e Uashingtonit dhe të
Brukselit në rajonin e Ballkanit. S’ka fuqi në rruzullin tokësor që mund t’i
dalë zot Kosovës dhe tërë botës shqiptare, si Uashingtoni. Shqiptarët duhet të
kenë kujdes që me veprimet e veta të mos e dobësojnë pozitën ndërkombëtare të
Kosovës, përfshi edhe pozitën përballë Beogradit. Pa ShBA-në, Kosova nuk mund
të bëjë as edhe një hap para në ndërtimin e shtetësisë së saj.
* * *
Sa u përket investimeve të huaja, shtetet e Ballkanit
perëndimor, me përjashtim të Serbisë, zënë vendet e fundit në Evropë. Ato janë
edhe larg integrimit në familjen evropiane. Kjo i zemëron udhëheqësit politikë
të këtyre vendeve. Autoritetet shqiptare duhet ta dinë se BE-ja nuk investon
aty ku nuk funksionon shteti ligjor dhe shtetin e tillë nuk e pranon në radhët
e veta. Askush nuk investon në thesin e çjerrë. Shkrimtari dhe filozofi francez
i drejtimit të ekzistencializmit Zhan-Pol
Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet”. Me mençuri dhe me
ndershmëri mund të zbuten pjesërisht edhe pasojat e vonesave historike. Me
pandershmëri dhe me gabime strategjike historia mund të përsëritet.
Shqiptarët janë i vetmi popull i gadishullit që nuk kanë një
projekt kombëtar. Akademikët shqiptarë duhet të zgjohen nga letargjia. Inteligjencia
shqiptare duhet të çlirohet nga kthetrat e politikës. Politikanët shqiptarë
duhet ta dinë se lufta për pushtet është politikë ditore. Rrëmbimi i pushtetit
dhe politika ditore janë kalimtare. Afatgjatë, në mos dhe i përhershëm, është kombi. Tirania, despotizmi,
autoritarizmi, autokracia, totalitarizmi dhe diktatura s’mund të mbijetojnë në
shekullin XXI, në Evropën e Volterit (François-Marie
Arouet, i quajtu “Dë Volter” apo Voletr, 1694—1778)
Dielli
shqiptar lind në Perëndim - Naimi





