Xhelal Zejneli: Akademia e Shkencave dhe kriza politike, sociale dhe morale
AKADEMIA E SHKENCAVE
DHE KRIZA POLITIKE,
SOCIALE DHE MORALE

Akademitë e shkencave janë institucione
më të larta shkencore dhe artistike kombëtare që i tubojnë intelektualët
kryesorë. Detyra kryesore të tyre janë nxitja, organizimi dhe zbatimi i kërkimeve
shkencore, nxitja e zhvillimit të arteve, kujdesi për ruajtjen e trashëgimisë
kulturore dhe dhënia e këshillave strategjike organeve shtetërore.
Struktura dhe detyrat kryesore të
akademive mund të përmblidhen në disa lëmenj kryesorë:
- Kërkime shkencore: Nëpërmjet instituteve dhe qendrave të tyre shkencore,
kryejnë kërkime rrënjësore dhe të zbatueshme në disiplina të ndryshme
shkencore.
- Krijimtari
artistike: I tubojnë artistët e shquar dhe e
nxisin zhvillimin dhe vlerësimin e artit muzikor, të artit figurativ, të
letërsisë dhe artit të interpretimit.
- Rol këshillues: Hartojnë dokumente strategjike, analiza dhe mendime
profesionale për nevojat e shtetit dhe të shoqërisë, sidomos në përkufizimin e politikave
kombëtare dhe kulturore.
- Identiteti kombëtar: Kujdesen për standardizimin dhe për studimin e gjuhës
kombëtare dhe të trashëgimisë historike dhe kulturore (p.sh. hartimi i fjalorëve,
përcaktimi i drejtshkrimit dhe krijimi
apo hartimi i enciklopedive).
- Bashkëpunimi
ndërkombëtar: Bashkëpunojnë me akademitë dhe me universitetet
e ngjashme të mbarë botës dhe shkëmbejnë përvoja shkencore dhe akademike.
- Botimi i veprave dhe
i punimeve studimore si dhe afirmimi i tyre: Botojnë punime shkencore, libra, përmbledhje punimesh,
revista dhe organizojnë tribuna publike, simpoziume dhe ekspozita.
Në rajon veprojnë disa institucione të
tilla qendrore.
* * *
Në botën shqiptare kemi dy akademi:
Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, të themeluar në vitin 1972 dhe Akademinë e
Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të themeluar në vitin 1975.
Ka të tillë që thonë: “Akademitë e shkencave të shqiptarëve nuk
janë në krye të detyrës”. Ka të tillë që flasin edhe më zi se kaq.
Prej vitit 1991 Shqipëria është
ballafaquar me probleme të shumta politike, ekonomike, sociale, morale, me
kriza formash të ndryshme, me shpopullimin e vendit, me shpërnguljen masive të
popullatës dhe të rinjve, me ikjen e trurit etj.
Akademia e shkencave është institucioni
shkencor më i lartë i shtetit dhe i shoqërisë. Akademikët apo anëtarët e Akademisë
janë njerëz të privilegjuar të shoqërisë. Përpos pagave mujore të rregullta,
ata kanë edhe të hyra të tjera. Shpesh qëllon të jenë nëpër konferenca dhe
simpoziume shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Për angazhimet e tilla
shpërblehen me honorarë.
Akademikët e dy akademive shqiptare a i
kanë kryer detyrimet e punës që ua imponon titulli dhe sa i kanë kryer ato?!
Brenda periudhës së pluralizmit apo të tranzicionit a kanë bërë hulumtime,
kërkime dhe gjurmime shkencore? Çfarë kërkimesh, hulumtimesh dhe gjurmimesh
shkencore kanë bërë? A kanë shpikur diçka dhe a kanë zbuluar diçka? A kanë hyrë
nëpër arkivat e vendeve të caktuara,? A kanë shkelur nëpër bibliotekat e
vendeve të caktuara? A kanë hartuar ndonjë plan, program, platformë kombëtare?
A kanë përpiluar ndonjë projekt apo elaborat kombëtar?
Prej vitit 1991 e deri më sot, asnjë
akademik shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk ka dhënë dorëheqje nga detyra
e akademikut! Dorëheqje në shenjë pakënaqësie me politikën e shtetarëve, të
pushtetarëve dhe të qeveritarëve? Dorëheqje si akt moral në shenjë mospajtimi
me qëndrimet dhe veprimet e politikanëve autoritarë, autokratë, despotë, tiranë
dhe diktatorë?!
Prej vitit 1991 e deri më sot, në botën
shqiptare nuk dha dorëheqje, qoftë edhe si akt moral, asnjë shtetar, asnjë
pushtetar, asnjë qeveritar, asnjë ministër, asnjë zëvendësministër, asnjë
deputet, asnjë kryetar komune, asnjë kryetar bashkie, asnjë drejtor i
përgjithshëm.
Shteti vlon prej problemeve, dorëheqje
s’jep askush! A thua shqiptarët janë kaq të etshëm dhe të unët për karrige, për
kolltuk, për favore, për privilegje, për karrierë?
Establishmenti apo elita institucionale
e qeverisjes, përkatësisht strukturat e pushtetit politik dhe shoqëror duhet të
punojnë për pasurimin e vendit dhe jo të vetvetes. Akademikët shqiptarë duhet
t’i dalën zot punës së tyre dhe t’i arsyetojnë rrogat, pagat, honorarët,
udhëtimet nëpër vende të ndryshme. Sa akademikë në periudhën e pluralizmit kanë
hyrë në arkivat apo në bibliotekat e qendrave politike historike, si: Vatikan,
Vjenë, Berlin, Romë, Londër, Paris, Shën Petersburg (i njohur më parë si
Petrograd, më vonë Leningrad), Selanik, Athinë, Stamboll, Kajro, Bukuresht,
Budapest, Zagreb etj.?
Akademiku duhet të dijë gjuhë të huaj,
si: greqishten e vjetër, latinishte, italishten, frëngjishten, anglishte,
gjermanishten, ndonjë prej gjuhëve sllave, gjuhët orientale – turqishten,
arabishten, persishten, etj. Akademiku që nuk lexon, që nuk shkruan, apo që nuk
komunikon të paktën në dy a tri gjuhë të sipërthëna, s’e ka vendin në
institucionin më të lartë të kombit.
Akademiku që bëhet i tillë me kritere
partiake, s’e ka vendin në Akademi. Atij duhet t’i pushojë vendi i punës.
Akademikëve nuk u lejohet të jenë
oportunistë, konformistë, puthadorë, demagogë. Ata duhet të jenë ndërgjegjja e
kombit. Ata nuk duhet t’u nënshtrohen politikanëve, pushtetarëve, qeveritarëve.
Ata nuk duhet të jenë në shërbim të partive politike. Ata duhet të jenë
parimorë, t’i respektojnë parimet, nuk
duhet të blihen dhe të shiten për interesa meskinë, për përfitime personale,
nuk duhet të jenë mjete, vegla dhe instrumente të udhëheqësve politikë. Partitë
politike shkojnë e vijnë, kurse populli mbetet. Udhëheqësit politikë ndërrohen,
kurse populli mbetet. Historinë nuk e krijojnë ata që nënshtrohen, por ata që e
mbrojnë të vërtetën.
Në sistemin diktatorial në Shqipëri ka
pasur shumë kundërshtarë të regjimit. Kas pasur disidentë, si në asnjë vend të
Evropës Lindore. Shumë prej tyre u ekzekutuan, të tjerë u dënuan me dënime
drakonike, familjet e tyre u syrgjynosën. Është për t’u habitur se si sot, në demokracinë parlamentare, në botën
shqiptare s’ka asnjë disident. Pothuajse të gjithë intelektualët e kanë mbyllur
gojën. Heshtin “të shkolluarit”,
përkundër faktit se pushteti nuk i arreston, as i dënon, nuk i dërgon në
Burrel, në Spaç, në kampet e punës. Megjithëkëtë, s’ka kundërshtarë të politikanëve
arrogantë, megalomanë, mendjemëdhenj, ambiciozë, karrieristë, të etshëm për
pushtet. Edhe politikanët në Kosovë dhe politikanët shqiptarë në Maqedoni duhet
ta dinë se nuk mund të jesh pafundësisht në krye të partisë, në pozitë të lartë
politike dhe në pozitë të lartë shoqërore. Politikanët e botës shqiptare i përfshijnë
në politikë fëmijët e vet, djemtë, vajzat, nipat, mbesat, u sigurojnë pozita, u
mundësojnë pushtet të pamerituar, u mundësojnë privilegje, favore. Midis
politikanë ka edhe të tillë të cilët deri dje kanë qenë pjatalarës dhe ngasës
kamioni. Ta mbyllë gojën para tij një i shkolluar, është absurde.
* * *
Në vendet e prapambetura siç është
Serbia, shumë akademikë e kanë fituar atë status, jo me kritere shkencore apo
artistike, por me kritere joshkencore. “Intelektualët” serbë që mohonin kombin
kroat, atë boshnjak, malazez dhe maqedonas, më lehtë bëheshin anëtarë të
Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Shumë historianë, gjeografë,
shkrimtarë, poetë, etnografë dhe studiues lëmenjsh të tjerë u promovuan në
akademikë me kritere nacionaliste serbomadhe. “Intelektualët” serbë që
trumbetonin zëshëm se Kosova na qenkësh djep i Serbisë, Jerusalem serb, më
lehtë avancoheshin në akademikë.
Një popull që ka akademi të politizuar, është
i prapambetur. Duke qenë e prapambetur, Serbia në vitin 1991 i nisi luftërat
kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Duke qenë e
prapambetur, Serbia kreu gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Në
qershor të vitit 1995, ushtria e Republikës Serbe (Republika Srpska) vrau në
Srebrenicë të BH-së 8.372 boshnjakë (myslimanë).
Më 23 maj të vitit 2024, Asambleja e
Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Ditë ndërkombëtare e
përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
* * *
Shqipëria do të bëhet! Po kështu edhe Kosova!





