Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe rrethimi tragjik i tyre
SHQIPTARËT DHE RRETHIMI TRAGJIK I TYRE

Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në
botë, në mos të vetmit që janë të ndarë në gjashtë copa: Shqipëri, Kosovë,
Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal i Zi dhe Çamëri.
Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) ndodhet nën administrimin e
Serbisë. Shqiptarët kanë diasporë të madhe – në Evropën Perëndimore dhe në
ShBA. Për shqiptarët, kjo është tragjedi.
Si ka ndodhur që një popull i vogël të
copëtohet në gjashtë pjesë?! Një copëtim i këtillë është pasojë e rrethanave të
shumta. Kjo tragjedi e shqiptarëve është determinuar nga shumë faktorë, sidomos
nga faktori gjeografik dhe ai historik.
Shqiptarët në Ballkan:
-
rrethohen prej grekëve, serbëve, bullgarëve, malazezëve;
- rrethohen nga popuj të fesë ortodokse;
- rrethohen nga popuj sllavë.
Duhet shtuar se gjeografikisht,
Shqipërinë nga bota perëndimore, përkatësisht nga Italia, e ndajnë edhe detet –
Adriatiku dhe Joni.
Sipas Fuqive të Mëdha të kontinentit,
gjatë sundimit osman, shqiptarët kanë qenë në shërbim të sunduesit, kanë qenë
shërbëtorë të sunduesit dhe të sundimtarit. Përveç kësaj, gjatë sundimit osman,
shqiptarët janë islamizuar. Si pasojë, kemi një popull të islamizuar, në Evropën
e krishterë.
Të islamizuar, me pozitë gjeografike në
Evropën e krishterë, shqiptarët nuk e kanë pasur mbështetjen apo mbrojtjen e
Fuqive të Mëdha të kontinentit. Kjo rrethanë u shkon në favor fqinjëve
grabitqarë – Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë, përkatësisht
sllavo-maqedonasve. Këta grabitqarë sllavo-grekë dhe ortodoksë, janë mbështetur
nga Rusia e madhe sllave dhe ortodokse. Ky rrethim, ky raport forcash apo ky
konstelacion është fatal për shqiptarët. Në rrethana gjeografike dhe historike
të sipërthëna, më tepër se gjysma e territorit të shqiptarëve është grabitur
prej hienave – greke, serbe, malazeze, bullgare, përkatësisht
sllavo-maqedonase. Fuqitë e Mëdha i kanë konsideruar shqiptarët si mbetje turke
në Ballkan.
* * *
Duhet shtuar se për tragjedinë e vet,
shqiptarët edhe vetë janë fajtorë. Ka shqiptarë që e shajnë heroin kombëtar të
tyre, Gjergj Kastriotin (1405-1468),
që e mohojnë Nënë Terezën*, laureate
e çmimit “Nobel”, që e shpërfillin Ismail
Kadarenë (1936-2024) të përkthyer në 47 gjuhë të botës. Flitet edhe për
shqiptarë që shajnë Amerikën dhe lëvdojnë Rusinë. Të shash Amerikën e cila
bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e çliroi Dardaninë prej pushtuesve dhe
kolonialistëve serbomëdhenj dhe serbo-çetnikëve, do të thotë të mos e dush
lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, do të thotë ta duash robërinë, shtypjen dhe
terrorin serbosllav. S’ka shqiptar që s’e di se pa Amerikën s’ka Kosovë të
pavarur dhe të lirë, s’ka as Shqipëri dhe shqiptari.
* * *
Shekulli XIX është quajtur shekull i kombeve. Në atë qindvjeçar,
Greqia, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi fituan pavarësi. Shqiptarët qenë të
fundit që e fituan pavarësinë nga Perandoria Osmane. Në shekullin XIX, për dallim nga
fqinjët e tyre, shqiptarët nuk kishin një shtresë sociale relevante, domethënë
një borgjezi, e cila do ta çonte Shqipërinë në liri. Këtu shihet se
shqiptarët që kanë qenë në funksione në Perandorinë Osmane, paskan punuar për
vete dhe jo për popullin e vet, jo për shqiptarinë. Shqiptarë që kanë qenë në
shërbim të Jugosllavisë së Josip Brozit (1892-1980)
dhe të serbosllavisë ka pasur edhe pas Luftës II Botërore. Numri i tyre ka qenë
pak. Për ta ruajtur integritetin e pasardhësve të tyre, nuk i përmendim me
emra. Prej tyre janë distancuar edhe familjarët e tyre. Shqiptarët që kanë punuar për të
huajt, për sundimtarët, për pushtuesit, për kolonialistët nuk e krijojnë
historinë e Shqipërisë. Në vitet 1985-1990 shtypi i Beogradit e
përdorte shprehjen “shqiptar i ndershëm”
(poshteni Albanac). Të ndershëm i quanin ata shqiptarë që shanin Shqipërinë
dhe lëvdonin Jugosllavinë.
* * *
Në historinë politike të kohës më të
re, domethënë që nga fillimi i shekullit XIX
e këndej, kundër shqiptarëve është Rusia
- ajo cariste, bolshevike dhe kjo e kohës së Putinit.
Në periudhën e sipërthënë, vendime
antishqiptare kanë marrë edhe disa prej Fuqive të Mëdha të Perëndimit, si Franca dhe Britania e Madhe. Italia
njihet për të ashtuquajturën marrëveshje sekrete e Londrës që parashikonte
ndarjen e Shqipërisë midis saj (Italisë), Greqisë dhe Serbisë.
Popujt me të cilët rrethohen
shqiptarët, kanë qenë të mbrojtur nga Rusia sllave, përkatësisht bizantine. Në
historinë politike të kohës më të re, Rusia gjithmonë ka qenë kundër shqiptarë
dhe për fqinjët e tyre – për Bullgarinë, për Serbinë, për Malin e Zi, për
Greqinë. Në saje të mbështetjes ushtarake, politike dhe diplomatike të Moskës,
fqinjët e shqiptarëve janë zgjeruar në trojet shqiptare, i kanë pushtuar trojet
shqiptare. Kundër shqiptarëve ka qenë politika e Rusisë cariste, e Rusisë
bolshevike, e Rusisë së periudhës pas shpërbërjes së perandorisë së kuqe,
d.m.th. e Rusisë së sotme, të kohës së Vladimir
Putinit (1952- ) dhe të Sergej
Lavrovit.(1950- )
Kundër shqiptarëve dhe territore të
tyre etnike historike Fuqitë e Mëdha kanë vendosur në forumet ndërkombëtare, në
konferenca dhe në kongrese.
Më 24 dhjetor 1876, me nismën e Anglisë
u mbajt në Stamboll një konferencë ambasadorësh. Londra synonte shmangien e
luftës midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane në periudhën e Krizës Lindore. Morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të
Mëdha. Stambolli ishte kundër kësaj konference. Me këmbënguljen e Rusisë, ajo i
vazhdoi punimet në Londër. Aty u hartua një protokoll i cili e njohu
parimin e autonomisë për kombësitë e Perandorisë Osmane. Nga ky parim
shqiptarët u përjashtuan pasi ata nuk u njohën si një komb i veçantë
* * *
Më 3 mars të vitit 1878 u arrit Traktati
i Shën Stefanit. Është Traktat paqeje që Rusia cariste ia imponoi
Turqisë pas disfatës që kjo pësoi në luftën ruso-turke të vitit 1877. U quajt
sipas emrit të fshatit Shën Stefan, sot Jeshilköj), ku u nënshkrua. Pika qendrore
e Traktatit ishte krijimi i Bullgarisë
së madhe. Asaj duhej t’i bashkëngjiteshin Tetova, Kërçova, Gostivari, Dibra,
Struga, Pogradeci, Korça etj. Traktati i cungonte rëndë tokat shqiptare. Mali i Zi e trefishonte territorin e
tij. Ai merrte Ulqinin, Tivarin dhe Bunën, gati gjithë Liqenin e Shkodrës me përjashtim
të qytetit, Hotin e Grudën, Plavën e Gucinë. Serbia shtrihej deri në sanxhakun e Prishtinës në afërsi të
Mitrovicës. Pjesa më e madhe e Shqipërisë veriore dhe lindore ndahej midis tre
shteteve sllave. Traktati hasi në kundërshtimin e Fuqive të Mëdha të tjera, gjë
çoi në mbledhjen e Kongresit të Berlinit të mbajtur më 13 qershor 1878. Më 10
qershor 1878 u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
* * *
Trojet shqiptare do të cungohen edhe në
Kongresin
e Berlinit të mbajtur më 13 qershor 1878. Në të morën pjesë përfaqësues
të Fuqive të Mëdha të kohës: Anglisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë,
Francës, Italisë dhe Turqisë. Traktati i Berlinit parashikonte një
rregullim të ri territorial në Ballkan pas disfatës së Perandorisë Osmane në
luftën me Rusinë, në vitet 1877-1878. Në Kongresin e Berlinit çështja shqiptare
nuk u diskutua, edhe pse Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe degët e saj
iu drejtuan disa herë (Memorandumi i Shkodrës, Memorandumi i Stambollit,
qershor 1878). Kancelari gjerman Oto fon
Bizmark (Otto von Bismarck, 1815-1898) e mohoi aty ekzistencën e kombësisë
shqiptare. Në Protokollin XIII të Kongresit të Berlinit (pjesa e dytë)
bëhet fjalë për “privilegjet dhe liritë”
e popullsisë katolike të Mirditës “të
njohura prej së lashti” (ab antiquo)
(“autonomia e Mirditës”) Kjo u bë me nismën e Francës dhe të Austro-Hungarisë
të cilat pretendonin secila për vete të drejtën e “protektoratit të kultit” mbi
popullsitë katolike brenda kufijve të Perandorisë Osmane. “Autonomia e
Mirditës” e mbështetur në kriterin krahinor dhe fetar ishte një mohim i
autonomisë shqiptare në nivel kombëtar.
Kongresi i Berlinit mori vendime që
cungonin vise të banuara nga popullsi shqiptare në dobi të shteteve fqinje. Serbia merrte disa toka me popullsi
shqiptare në krahinat e Vranjës, Nishit etj., deri në afërsi të Gjilanit. Mali i Zi merrte Plavën dhe Gucinë dhe
fitonte të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë dhe në Liqenin e Shkodrës.
Kongresi i Berlinit shtroi edhe çështjen e rishikimit të kufirit me Greqinë në
jug që do të zgjidhej me bisedime dypalëshe turko-greke mbi bazën e vijës së
formuar nga lumi Selemvria në Thesali dhe lumi Kalamas në Epir në vilajetin e
Janinës. Ky rekomandim u përdor nga qeveria greke për të ngritur kërkesa që
synonin të aneksonin krahinën shqiptare të Çamërisë. Lidhja Shqiptare e
Prizrenit iu kundërvu copëtimit të tokave shqiptare.
* * *
Në vitet 1912-1913 u mbajte në Londër Konferenca
e Ambasadorëve. Morën pjesë ambasadorët e gjashtë fuqive të kohës:
Anglisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Rusisë. Në qendër
të vëmendjes së saj konferenca pati çështjen shqiptare. Organizimin e brendshëm
të Shqipërisë Konferenca e Ambasadorëve nuk ia njohu Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, por e la në dorë të Fuqive të
Mëdha. Sa u përket kufijve, Konferenca e Ambasadorëve bëri një padrejtësi të
madhe në dëm të kombit shqiptar. Brenda kufijve të Shqipërisë u përfshinë vetëm
gjysma e tokave shqiptare, një sipërfaqe prej rreth 28 mijëkm2 dhe
më pak se gjysma e popullsisë me kombësi shqiptare, rreth 800 mijë frymë. Më
tepër se gjysma e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Pjesa
më e madhe kaluan nën Serbinë, pjesa tjetër nën Malin e Zi dhe Greqinë.
Në kufijtë e Shqipërisë u la një pakicë e vogël greke (në zonën e
Gjirokastrës). Nga trungu i atdheut “gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në
Londër”, siç u shpreh shtypi i kohës, shkëputën krahinat më pjellore
dhe që kishin qenë vatra të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare.
* * *
Më 26 prill 1915 u arrit në Londër ajo
që njihet si Traktati i fshehtë i Londrës. Kjo marrëveshje e
fshehtë u arrit midis Fuqive të Antantës dhe Italisë
për t’i plotësuar pretendimet italiane në Shqipëri dhe synimet
territoriale të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë mbi tokat shqiptare. Sipas pikës 5 të Traktatit të fshehtë të Londrës, bregdeti shqiptar prej derdhjes së
Bunës në veri deri në derdhjen e Drinit në jug, përfshirë Shëngjinin, i kalonte
Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas pikës 6, Vlora dhe ishulli i Sazanit i kalonin Italisë. Sipas pikës 7 Italia detyrohej
të mos e kundërshtonte dëshirën eventuale të Francës, të Anglisë dhe
të Rusisë që pjesët veriore dhe
jugore të Shqipërisë të ndaheshin midis Malit
të Zi, Serbisë dhe Greqisë,
ndërsa në Shqipërinë e Mesme do të formohej shteti shqiptar “autonom”, i cili
do të ishte nën protektoratin e Italisë.
Me Traktatin e fshehtë të Londrës
Fuqitë e Antantës dhe Italia merrnin nëpër këmbë të drejtat sovrane të popullit
shqiptar dhe e likuidonin pavarësinë e Shqipërisë. Traktati u botua për herë të
parë nga qeveria sovjetike pas fitores së Revolucionit të Tetorit. Qarqet
shqiptare e quajtën “Qefini i Shqipërisë”.
Traktati i sipërthënë u hodh poshtë nga Kongresi
i Lushnjës.
*
* *
Ndaj shqiptarëve të mbetur jashtë
vendit amë – Shqipërisë, fqinjët grabitqarë si Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe
sllavo-maqedonasit ushtruan gjenocid. Sipas elaborateve të llojit të Çubriloviqit, i detyruan të shpërngulen
për në Anadolli. Ndaj atyre që i bënë ballë dëbimit dhe deportimit, hienat e
rajonit ushtruan dhunë, ndoqën politikë diskriminuese, restriktive, ushtruan
opresion, i larguan nga puna, i ballafaquan me hetues, me milicë, me xhandarë,
me gjyqtarë, me dëshmitarë të rrejshëm, me gardianë, me qeli burgu, me shkopinj
gome, me varfëri, me konfiskim të pasaportave, me bastisje shtëpish, i quajtën
separatistë, secesionistë, nacionalistë, luftëtarë që luftojnë për Shqipëri të
madhe, antijugosllavë etj.
Fuqitë e Mëdha
historike të Evropës – Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Italia nuk ndërmorën
asgjë për t’i marrë në mbrojtje shqiptarët që ata i lanë nën thundrat e
gjakpirësve sllavo-bizantinë. Gjermaninë, humbësen e dy luftërave botërore, s’e
bënte hesap kush.
Për qëndrimin e pakuptimtë të Evropës
ndaj shqiptarëve ka thurur vargje edhe Homeri shqiptar, Gjergj Fishta (Fishtë, 1871 – Shkodër, 1940).
* * *
Shqiptarët dhe Udro
Uilson – Presidenti i ShBA-së Udro Uilson (Thomas Woodrow Wilson,
1856-1924), në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) ishte kryetar
i delegacionit amerikan. Ai hartoi deklaratën e 14 pikave të shpallur më 8
janar 1918 ku kërkohej vendosja e paqes mbi bazën e parimit të kombësisë dhe të
vetëvendosjes së popujve. E kundërshtoi kompromisin anglo-franko-italian
të janarit të vitit 1920 që parashikonte kalimin e Shkodrës dhe të Shqipërisë
së Veriut në kufijtë e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (MSKS). Ndërhyrja e
Uilsonit ishte fitim kohe për lëvizjen kombëtare shqiptare e cila e organizoi Kongresin e Lushnjës (1920) dhe Luftën e Vlorës (1920). që siguruan
tërësinë tokësore dhe pavarësinë e Shqipërisë.
* * *
Bashkimi Evropian është union ekonomik dhe politik, bashkësi ndërqeveritare
dhe mbinacionale unike e shteteve evropiane. U krijua si rezultat i një procesi
bashkëpunimi dhe integrimi që filloi në vitin 1951 midis gjashtë vendeve -
Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Luksemburgut dhe Holandës. Zyrtarisht u
themelua më 1 nëntor 1993 me hyrjen në fuqi të Traktatit për Bashkimin Evropian, i njohur si Traktati i Mastrihtit (Maastricht). Është e vetmja organizatë e
këtij lloji në botë, e për këtë arsye ndonjëherë është e vështirë të përkufizohet.
Politikat në të cilat vepron i ndryshon
dhe i përmirëson vazhdimisht. Aktualisht mund të përkufizohet si një federatë në marrëdhëniet monetare, në bujqësi, në tregti dhe në mbrojtje të
mjedisit; një konfederatë në politikën sociale dhe ekonomike, në mbrojtjen e
konsumatorit, në politikën e
brendshme; dhe si një organizatë ndërkombëtare në politikën e jashtme.
Është interes jetik i Shqipërisë, i
Kosovës, i shqiptarëve kudo që janë – në Maqedoni, në Mal të Zi, të integrohen
në BE. Të mbetesh jashtë BE-së do të thotë të jesh pre e përplasjeve
gjeopolitike të Fuqive të Mëdha globale. BE-ja për shqiptarët është një strehë
apo ombrellë sigurie kombëtare, politike, ekonomike dhe sociale. Alternativë e
BE-së është Rusia, ajo ku shqiptarët nuk e kanë vendin.
BE-ja e do Malin e Zi në radhët e veta
për ta parandaluar gllabërimin e tij nga Serbia.
* * *
Shqiptarët njihen si populli më proamerikan
në botë. Pa Amerikën, s’ka as Kosovë, as shqiptari. Shqiptarët vazhdojnë të
jenë të rrethuar nga hiena. Fuqitë Historike të Evropës e përkëdhelin Serbinë.
Ndonjëherë edhe në dëm të Kosovës. Brukseli asgjë s’bën për t’i mbrojtur
shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) ndaj të cilëve
Beogradi ushtron gjenocid të heshtur.
BE-ja synon ta nxjerrë Serbinë nga zona
ruse e interesit dhe nga sfera ruse e ndikimit, për ta futur në zonën perëndimore
të interesit dhe sferën perëndimore të ndikimit. Por kjo nuk mund të bëhet në
dëm të interesit të Kosovës.
* * *
Shënim: Anjezë Gonxhe Bojaxhiu (Shkup,
26.08.1910 – Kalkutë, Indi – 05.09.1997). Njihet si Nënë Tereza ose Shën Nënë
Tereza e Kalkutës. Ka qenë
murgeshë katolike, themeluese e Misionareve të Bamirësisë. Kur i vdiq i ati,
ishte tetë vjeçe. Më 10 dhjetor 1979 iu
dha çmimi “Nobel” për paqe.
E ëma e Nënë Terezës quhej Dranafile
Bojaxhiu e njohur si Drane Bojaxhiu (Prizren, ? – Tiranë 1971), kurse i ati
Nikollë Bojaxhiu i njohur si Kolë Bojaxhiu (Prizren, 1874 – Shkup, 1919). Viti
i lindjes i Dranes nuk dihet. Mbiemri i vajzërisë i Dranes është Barnaj. Ka
qenë me prejardhje nga Novo Sella e Gjakovës. Drane dhe Kola patën 5 fëmijë. Dy
prej tyre vdiqën të vegjël. Tre të tjerë ishin Lazër Bojaxhiu, Gonxhe Bojaxhiu
(Nënë Tereza) dhe Age Bojaxhiu (1905- ?).
Pas vdekjes së bashkëshortit (disa vjet para fillimit të Luftës II
Botërore), Drane u largua nga Shkupi dhe u vendos në Shqipëri Në vitet 1932-1933, me të bijën Age, ka
banuar në Shkodër. Vdes në Tiranë në vitin 1971. Nënë Tereza mundi ta vizitonte
varrin e saj vetëm në vitin 1990, gjatë vizitë së saj të parë në Shqipëri.
Lazër Bojaxhiu studioi në Grac të Austrisë
në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi herët në Itali.









