Xhelal Zejneli: Çështja shqiptare në Maqedoni – Ridefinimi i Maqedonisë
ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI – RIDEFINIMI I MAQEDONISË
Krijimi
i Maqedonisë federale justifikohet: me argumentin historik, me argumentin e
bashkëkohësisë dhe me argumentin hipotetik

Në Jugosllavinë e Versajës,
shqiptarët nuk njiheshin si komb. Politika kolonialiste e Beogradit dhe e
Shkupit, mbi shqiptarët në Maqedoni vazhdoi edhe pas vitit 1945, përkundër
demagogjisë politike dhe ideologjike të LKJ-së (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë),
e cila thoshte se ndërton politikën e barazisë së kombeve dhe të kombësive.
Maqedonasit nuk trashëgojnë
shtetësi, as nga Mbretëria Jugosllave, e as nga RSFJ-ja. Ata, më parë se
shtetësi, trashëgojnë aparatin shtetëror represiv, ideologjinë totalitariste,
konceptet unitare, paragjykimet antishqiptare, albanofobinë dhe projektet e Vasa Çubriloviqit (1897-1990) për
shfarosjen e shqiptarëve. Maqedonasit trashëgojnë një status kolonial ndaj
shqiptarëve, ndonëse edhe vetë kanë qenë koloni serbe apo serbosllave. Në vitin
1991, faktori politik maqedonas synonte që statusin politik të shqiptarëve ta
ruante të pandryshuar. Nën trysninë e faktorit shqiptar, pala maqedonase ishte
e detyruar të bënte ca ndryshime. Me ndryshimet që pasuan, çështja shqiptare në
Maqedoni, nuk lëvizi nga vendi. Ndryshimi ishte ky: Në monizëm shqiptarët ishin
popull i shtypur, ndërsa në pluralizëm u shndërruan në popull të dorës së dytë,
d.m.th. në pakicë.
Në fillim të viteve ’90 të
shekullit XX, Shkupi i refuzoi kërkesat e shqiptarëve, historikisht të
justifikueshme. Madje me kushtetutën maqedonase të kohës së pluralizmit
politik, d.m.th. të kohës së Kiro Gligorovit
(1917-2012), statusi i shqiptarëve në Maqedoni, krahasuar me atë të vitit
1974, shënoi degradim.
Qeveria maqedonase që drejtohej
nga kryeministri Lubço Georgievski (1966-
), për diskriminimin e shqiptarëve hiqej sikur e fajësonte të kaluarën. Në të
vërtetë, vetë ai dhe partia e tij VMRO, ndoqën ndaj shqiptarëve po atë politikë
restriktive, represive dhe diskriminuese – si në të kaluarën. As qeveria e tij
pra, nuk tregoi kurrfarë gatishmërie për korrigjimin e padrejtësive të së
kaluarës.
Çështja shqiptare shënoi lëvizje
para, gjatë qeverisjes së viteve 2002-2005. Ishte kjo e para qeverisje e pas
2001-shit.
Në vitet 2006-2011, me rikthimin
në qeverisje të nacionalistëve VMRO-istë, tani të drejtuar nga Nikola Gruevski (1970- ), çështja
shqiptare në Maqedoni filloi të shënojë rënie. Ka që thonë: “Gjendja e
shqiptarëve në Maqedoni sot është po ajo e para 2001-shit” . Madje ca të tjerë
shtojnë: “Sot është më keq se në kohën e
komunizmit. As në komunizëm s’kemi qenë
më keq” etj.
Me fjalë të tjera, çështja
shqiptare në Maqedoni, në dy dhjetëvjeçarët e fundit, u përplas midis skilës
dhe haribdës.
Kuptohet, çështja shqiptare në
Maqedoni, nuk është punë qeverish dhe individësh, por e marrëveshjes historike
ndërmjet dy popujve. Të drejtat e një populli nuk maten në shtratin e Prokrustit.
Është koha për riorganizimin e
faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe e formimit të një fronti politik të
përbashkët. Sot shqiptarët s’kanë nevojë për luftë. Mjafton që asnjë parti politike
shqiptare të mos hyjë në qeveri, dhe Maqedonia të rrënohet. S’ka Maqedoni pa
shqiptarët në qeveri.
Padrejtësitë ndaj shqiptarëve në
Maqedoni, nuk janë padrejtësi të rastit. Ato janë përpunuar dhe janë përfshirë
në projekte dhe në elaborate të cilat janë institucionalizuar dhe janë
shndërruar në politikë shtetërore, në politikë kombëtare sllavo-maqedonase. “Naçertania” (1844) e IlijaGarashaninit (1812-1874) dhe
vendimet e Traktatit të Shën Stefanit (1878) janë djepi dhe promotori i
politikës antishqiptare. Sllavo-maqedonasit nuk janë veçse zbatues të verbët të
projekteve serbo-bullgare ndaj shqiptarëve.
Ideologjitë retrograde,
anakronike, johistorike dhe antidemokratike Shkupi tenton t’i mbajë në jetë
edhe sot, në kohën e zhvillimeve demokratike dhe të integrimeve euro-atlantike.
Çfarë paradoksi?!
Sot janë pjekur të gjitha kushtet
për zgjidhjen e dejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni, për arsye se:
– Faktori shqiptar në Maqedoni,
përkundër politikës restriktive dhe diskriminuese, në saje të vitalitetit të
pashembullt, në dy dekadat e fundit shënoi një zhvillim dinamik në shumë
lëmenj: në fushën politike, ekonomiko-shoqërore dhe kulturore;
– Populli shqiptar në Maqedoni, në
dy dekadat e fundit, përjetoi një shkallë të lartë të ndërgjegjësimit kombëtar;
– Populli shqiptar në Maqedoni, në
dy dekadat e fundit, arriti një shkallë të lartë të kulturës politike;
– Shqiptarët në Maqedoni, njësoj
si dhe mbarë kombi shqiptar në Ballkan, gjatë viteve të krizës në rajon, duke
ndjekur një filozofi politike paqeruajtëse dhe konstruktive, dëshmuan një
pjekuri politike të shkallës së lartë. Krejt kjo, në funksion të ruajtjes së
paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe të demokratizimit të tij;
– Çështja shqiptare në Maqedoni
përjetoi fazën e emancipimit, të afirmimit, të aktualizimit dhe të
ndërkombëtarizimit;
– Faktori kohë, d.m.th. kalimi i
një periudhe prej njëzet vjetësh në pluralizëm politik dhe ideologjik e bëjnë
të domosdoshëm trajtimin politik dhe jo policor të çështjes shqiptare në
Maqedoni. Me fjalë të tjera, shqiptarët e kanë tejkaluar tanimë fazën e
pritjes. Edhe sa duhet të presin shqiptarët që kauza e tyre të përfundojë me
një epilog politik e juridik të qëndrueshëm dhe jo me një trajtim gjyqësor dhe
epilog politik fiktiv?!
– Shqiptarët dhe maqedonasit,
brenda dy dekadave të demokracisë parlamentare dhe të pluralizmit politik,
tanimë e kanë tejkaluar fazën e përshtatjes, përkatësisht të adaptimit ndaj
njëri-tjetrit;
– Kërkesat e shqiptarëve, duke
qenë se janë shtruar në institucionet e shtetit dhe në instancat më të larta të
tij, si p.sh. në organin ligjvënës, ato vetvetiu posedojnë legjitimitetin dhe
justifikimin e tyre;
– Kërkesat e shqiptarëve, duke
qenë se janë shtruar në mënyrë demokratike, të organizuar dhe në rrugën
politike e institucionale, gëzojnë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar;
– Kërkesat e shqiptarëve, përpos
që janë historikisht të justifikueshme, për ta, ato kanë edhe rëndësi jetike
dhe ekzistenciale.
– Kërkesat e shqiptarëve nuk janë
të skajshme dhe radikale, por reale dhe racionale. Njohja e statusit të
popullit shtetformues për shqiptarët në Maqedoni dhe krijimi i një Maqedonie me
dy entitete nuk i vë në dyshim kufijtë ndërkombëtarë të saj.
Maqedonia hiqet si shtet
demokratik. Por, karakterin e vet demokratik ajo duhet ta dëshmojë në praktikë.
Zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare në Maqedoni është testi i
demokracisë së saj dhe dëshmi e demokratizimit të saj. Maqedonia pluraliste,
shumëpartiake dhe me demokraci parlamentare duhet të dallohet nga Maqedonia
moniste, jodemokratike dhe e periudhës së vetëqeverisjes socialiste. Maqedonia
e sotme pretendon të quhet demokratike. Zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare
do të ishte vlera që do ta dallonte atë nga ajo moniste dhe jodemokratike.
Kështu sepse zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare:
– Është interes, sa i shqiptarëve
aq edhe i maqedonasve;
– Është në funksion të
stabilitetit të Maqedonisë dhe të rajonit, si dhe të zhvillimit të proceseve
demokratike dhe integruese në vend dhe në rajon;
– Është në përputhje me tendencën
historike;
– Do ta konsolidonte, do ta
forconte dhe do ta stabilizonte Maqedoninë përbrenda. Si e tillë, ajo do të
ishte më e denjë për të qenë një anëtare e respektuar e BE-së dhe NATO-s.
Zgjidhjen e drejtë të çështjes
shqiptare në Maqedoni e lehtësojnë edhe zhvillimet dhe tendencat demokratike si
dhe klima dhe integrimet demokratike në rajon. Me zgjidhjen e drejtë të
çështjes shqiptare në Maqedoni do të respektoheshin edhe parimet e demokracisë
dhe vlerat e qytetërimit perëndimor.
In ultima linea, zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare në Maqedoni
është imperativ i kohës. Moszgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare, e prolongon
zhvillimin e proceseve demokratike në Maqedoni, tensionon marrëdhëniet
ndër-etnike, e dekonsolidon dhe e destabilizon atë, parandalon zhvillimin
ekonomik, vonon transformimin demokratik si dhe integrimin e saj në familjen e
botës së qytetëruar.
Duke qenë se çështja shqiptare në
Maqedoni është një dimension i çështjes kombëtare shqiptare, zgjidhja e saj ka
rëndësi gjithëkombëtare. Zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare në Maqedoni,
krahas Kosovës së pavarur dhe demokratike dhe Shqipërisë së konsoliduar dhe
anëtare e NATO-s janë conditio sine qua non
për faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe për krijimin e një ekuilibri
politik të ri në rajon.
Duke qenë se shqiptarët janë
përçues të natyrshëm të interesit perëndimor në rajon, zgjidhja integrale e
çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan është interes i Uashingtonit dhe i
Brukselit. Duke qenë se shqiptarët janë digë e parë e Evropës latine dhe
gjermane nga mësymjet sllavo-bizantine, bolshevike dhe rusomadhe është e
vetëkuptueshme që shqiptarët të mbështeten prej aleatëve të tyre perëndimorë.
Janë shqiptarët ata që kontribuuan
në shembjen e Serbosllavisë, mini-perandori kjo e së keqes, e dhunës dhe e
tmerrit, që mbante në këmbë Serbinë e madhe – këtë murtajë
të zezë të Ballkanit. Janë shqiptarët ata që dhanë ndihmesën e vet dhe
luajtën rolin historik në këtë fundshekull, për ta larguar nga rajoni i
Ballkanit Rusinë cariste dhe bolshevike. Me fjalë të tjera, me shpërbërjen e
Jugosllavisë së AVNOJ-it* rusët
s’kishin ç’të kërkonin më në gadishullin që ringrihej.
Shënim: AVNOJ, në shqip KAÇKJ – Këshilli Antifashist i Çlirimit Kombëtar të
Jugosllavisë. Mbledhja e KAÇKJ-së u mbajt në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës,
më 29.11.1943. Në mbledhje morën pjesë komunistët jugosllavë të udhëhequr nga Josip Broz Tito (Kumrovec, Kroaci, 7
maj 1892 – Klinika e Lubjanës, Slloveni, 4 maj 1980; u varros në Beograd).
* * *
Duke qenë se ishin shqiptarët ata
të cilët kontribuuan që ShBA-ja dhe demokracia të hyjnë në gadishullin
grindavec do të ishte e natyrshme që faktori ndërkombëtar influent të mbështesë
zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni dhe krijimin e Maqedonisë
dykombëshe, demokratike dhe euroatlantike.
Shtetet fragjile (të brishta, të
thyeshme) dhe të brishta të rajonit – Në rajonin e ex-Jugosllavisë lindën ca
shtete me stabilitet të brishtë, si: Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Mali
i Zi. Sipas Beogradit, këtij grupi shtetesh të paqëndrueshme i takon edhe
Kosova. Tre shtetet e sipërthëna, për arsye të ndryshme historike, etnike,
kulturore, linguistike dhe fetare kanë stabilitet të paqëndrueshëm.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë për
shembull, nga serbët dhe nga kroatët kontestohet identiteti i myslimanëve të
cilët veten e quajnë boshnjakë, ndërsa gjuhën që e flasin – boshnjakishte.
Sipas serbëve dhe kroatëve, këta
myslimanë nuk janë veçse serbë apo kroatë të islamizuar, ndërsa gjuha që e
flasin na qenkësh një serbishte apo kroatishte e ngarkuar me turqizma, arabizma
dhe fjalë perse.
Kur është fjala për malazeztë,
sipas nacionalistëve serbë, s’ka komb malazias. Ata janë serbë, ndërsa gjuha që
flasin nuk është veçse një dialekt i serbishtes. Kur Milo Gjukanoviqi (1962- ) e shpalli referendumin për pavarësinë e
Malit të Zi, ishin votat e shqiptarëve dhe të myslimanëve ato që vendosën për
shkëputjen e këtij vendi të vogël nga Serbia. Me fjalë të tjera, shoqëria
malazeze është e ndarë më dysh: në një anë janë malazeztë, në anën tjetër –
serbët apo malazeztë proserbë.
Çështja e sllavo-maqedonasve
dihet. Këta mohohen si prej bullgarëve, ashtu edhe prej serbëve dhe grekëve.
Vetë sllavo-maqedonasit ndahen në: proserbë dhe në probullgarë.
Në që të tre shtetet e sipërthëna
është e implikuar Serbia, me ideologjinë e saj nacionaliste, hegjemoniste,
ekspansioniste, etatiste, centraliste, unitare, dominuese dhe kolonialiste.
Kosova nuk bën pjesë në grupin e
vendeve me stabilitet të brishtë për arsye se mbi 90% e popullsisë së saj janë
shqiptarë – popull ky me identitet të pakontestueshëm dhe me kapacitet të duhur
shtetndërtues.
Të katër shtetet e lartpërmendura
kaluan nëpër fazën e luftës. Rregullimi i brendshëm i Bosnjës dhe Hercegovinës
është rezultat i luftës dhe i Marrëveshjes së Dejtonit që u arrit më 21.11.1995 në Dejton të ShBA-së e që u nënshkrua më
14.12.1995 në Paris. Pjesë e luftërave pushtuese të Serbisë ishte edhe Mali i
Zi. Në vitin 2001 lufta shpërtheu edhe në Maqedoni. Rezultat i saj ishte Marrëveshja
e Ohrit të nënshkruar më 13 gusht 2001. Dhjetë vjet pas nënshkrimit të
saj, u pa se ajo nuk arriti t’ua sigurojë shqiptarëve statusin e popullit
shtetformues. Përse? Për arsye se Marrëveshja e Ohrit:
– Nuk u zbatua brenda afatit të
parashikuar;
– Nuk u zbatua plotësisht dhe deri
në fund;
– U interpretua një-anshëm;
– U shtrembërua përmbajtja e saj;
– U keqinterpretua;
– Në praktikë, nuk u zbatua me
përpikëri;
– Përjetoi dhe pësoi kompromise;
– Vetë marrëveshja, në çastin e
nënshkrimit, ishte një kompromis. Në fazat e mëtejme, ajo pësoi kompromise të
tjera, duke u shndërruar kësisoj në kompromis të kompromiseve;
– Pala maqedonase, ndonëse
nënshkruese e saj, asnjëherë nuk e njohu atë.
Në rrethana të tilla, shqiptarëve
në Maqedoni s’u mbetet tjetër, pos të riorganizohen për të realizuar të drejtat
e tyre legjitime.
Përse pra të mos njihet të paktën
e drejta e natyrshme e tyre për komb në një Maqedoni dykombëshe?!
Kur mund faktori ndërkombëtar të
krijojë dy shtete serbe në Ballkan, siç janë Serbia dhe Republika Srpska, përse
të mos formohen tre shtete shqiptare në rajon, si Shqipëria, Kosova dhe
Maqedonia dykombëshe, kur dihet se shqiptarët, në krahasim me sllavët, përkatësisht
me myslimanët e BH-së, janë popull i lashtë, popull historik, me identitet të
pakontestueshëm dhe popull autokton i Gadishullit. Meqë nuk mundësohet formimi
i një shteti kombëtar shqiptar, atëherë le t’i lejohet këtij populli të krijojë
tre të tillë.
Si është e mundur të njihet nga
qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes kreatura fantomike në BeH –
Republika Serbe (Republika Srpska), e cila ishte rezultat i agresionit dhe i
gjenocidit serb, e të zvarritet njohja e subjektivitetit politik të shqiptarëve
në Maqedoni, të cilët janë lëvduar sa e sa herë nga të huajt për pjekuri
politike, për politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese.
Çështja
shqiptare në Maqedoni dhe modeli i konfederatës zvicerane – Përse të zvarritet krijimi i Maqedonisë
binacionale, kur ekziston Zvicra me tre popuj shtetformues. Zvicra është
republikë federative. Rregullimi federativ i ka kontribuar shumë zgjidhjes së
drejtë të çështjes kombëtare në Zvicër, me tre grupe etnike kryesore: gjermanë
65%; francezë 18,4% dhe italianë 9,8%. Fisi i vogël – retoromanët ose
romanshët, të cilët flasin një dialekt të posaçëm me prejardhje latine,
paraqesin grupin e katërt etnik të Zvicrës me 0,8%. Të katër gjuhët janë gjuhë
zyrtare të konfederatës. Fetë: katolikë 48%; protestantë 44%; çifutë 0,3%. (Të
dhëna të vitit 2005).
Çështja
shqiptare në Maqedoni dhe modeli
i federatës belge- Përse zvarritet krijimi i Maqedonisë dykombëshe,
shqiptaro-maqedonase, i Maqedonisë federale, kur shembull identik kemi në
rastin e Belgjikës, e cila me ndryshimin e Kushtetutës më 1993 u bë shtet
federal me tri bashkësi kulturore: flamanët, valonët, d.m.th. francezët dhe
gjermanofonët dhe me tre rajone: Flandria, Valonia dhe kryeqyteti Bruksel.
Grupet etnike: flamanë 56,3% në veri; valonë 32% në jug; gjermanë 0.6%; hebrenj
0,3% (të dhëna të vitit 1977). Valonët, banorë të pjesës jugore dhe juglindore
të Belgjikës, flasin frëngjisht me elemente holandeze dhe gjermane. Gjuhët:
flamanishtja, frëngjishtja, gjermanishtja (të tria zyrtare).
Parlamenti federal i Belgjikës
përbëhet prej dy dhomave, të zgjedhura për katër vjet: Dhoma e përfaqësuesve
dhe Senati. Komunat në Belgjikë gëzojnë një vetëqeverisje vendore të gjerë. Me
fjalë të tjera, komunat kanë një autonomi të gjerë. Në Belgjikë dikur,
fliteshin dy gjuhë: gjuha flamane, e cila pothuajse është identike me gjuhën
holandeze dhe gjuha frënge. Gjuha frënge deri në vitin 1914 ka qenë e vetmja
gjuhë zyrtare. Shtypi, arsimi, radioja dhe mediumet në Belgjikë, qëmoti janë në
dy gjuhë: në gjuhën frënge dhe në atë flamane. Në përbërje të qeverisë, në
administratën e vendit dhe në gjyqësi janë bërë përpjekje gjithnjë e më
konsekuente për sigurimin e përfaqësimit të barabartë të të dy grupeve etnike
kryesore. Në sistemin e arsimit universitar u flak dominimi i mëparshëm i
gjuhës frënge. Kërkesat për rregullimin federativ të vendit fituan gjithnjë më
shumë reformat kushtetuese më 1967 dhe 1971 u harmonizuan marrëdhëniet ndërmjet
bashkësive gjuhësore – flamanëve dhe valonëve, me çka u krijua baza për
autonominë e tyre të gjerë në të gjitha fushat e jetës politike dhe ekonomike.
Belgjika sot, pas shumë peripecive ndëretnike është shtet federativ. Tendencat
qendërikëse në të, përkundër sistemit federativ, sot janë mjaft të fuqishme.
E tillë duhet të jetë edhe
Maqedonia. Kuptohet, rrethanat historike, gjeografike, ekonomike, kulturore dhe
shkalla e zhvillimit ekonomik në Belgjikë, në një anë, dhe në Maqedoni, në anën
tjetër – dallohen.
Ndërmjet Belgjikës dhe Maqedonisë
sa ka dallime, po aq ka edhe ngjashmëri.
Moszgjidhja e çështjes shqiptare
në Maqedoni mund t’i trimërojë një ditë forcat nacionaliste dhe radikale të
shoqërisë shqiptare.
Moszgjidhja e drejtë e çështjes
shqiptare në Maqedoni mund ta destabilizojë Maqedoninë dhe ta rrezikojë paqen
në rajon. Pikëpamja se zgjidhja “radikale” e çështjes shqiptare në Maqedoni
mund t’i nxitë tendencat proserbe, përkatësisht probullgare në të, nxjerr në
sipërfaqe të vërtetën evidente – krizën e identitetit të sllavo-maqedonasve.
Pikëpamja se zgjidhja e drejtë e
çështjes shqiptare në Maqedoni mund të çelë kutinë e Pandorës dhe të
destabilizojë vendin, nxjerr në sipërfaqe dilemën historike – identitetin e
dyshimtë të bashkësisë sllavo-folëse në Maqedoni.
Në Maqedoni nuk ka tendenca
proserbe, përkatësisht probullgare. Ka forca politike proserbe, përkatësisht
probullgare që përbëjnë sistemin politik dhe juridik të saj, që ndodhen në
shtet dhe që e drejtojnë atë, radhazi, herë njëra e herë tjetra. Në Maqedoni
pra, më parë se tendenca proserbe, përkatësisht probullgare, ka forca proserbe,
përkatësisht probullgare që janë dishepuj të bindur dhe epigonë të devotshëm të
ideologjive garashaniniste dhe shënstefaniste. Forcat dhe
nomenklaturat proserbe në Maqedoni janë ithtarë të ideologjisë serbomadhe të ultranacionalistit
serb Ilija Garashaninit (1812-1874) dhe
të “Projektit” (Naçertanije, 1844) të
tij. Ndërkaq forcat politike probullgare në Maqedoni, janë romantikët e vonuar
të Bullgarisë së Shën-Stefanit.
Populli
sllavo-maqedonas sot, ashtu si në të kaluarën, ballafaqohet me krizë identiteti. Rrjedhimisht, edhe ideologjia kombëtare e Maqedonisë
vihet në dyshim ose më saktë ajo bëhet inekzistente. Për ta kapërcyer krizën
nacionalistët sllavo-maqedonas lansojnë tezën e prejardhjes antike të tyre.
Pikërisht kjo politikë e
padefinuar e Shkupit, herë pro Beogradit, e herë pro Sofjes, i determinon
forcat politike shqiptare në Maqedoni ta rishqyrtojnë politikën paqësore dhe
konstruktive, në thelb shterpe, të pafrytshme dhe joefektive të tyre.
Politika e faktorit politik
shqiptar në Maqedoni, në vitet e fundit ka filluar t’i ngjajë gandizmit.
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk
mund të reduktohet në çështje kulturore. Çështja shqiptare në Maqedoni është
çështje e territorit të pushtuar, është çështje e popullit të shtypur, të
shfrytëzuar, të dëbuar, të shpërngulur, të akulturuar, të margjinalizuar dhe të
getoizuar, që nga viti 1912 e deri në ditët tona.
Zgjidhja e çështjes shqiptare në
Maqedoni parakupton:
– Krijimin e Maqedonisë federale;
– Njohjen e kombit shqiptar në
Maqedoni;
– Krijimin e Maqedonisë
dykombëshe,
– Krijimin e Maqedonisë me dy
entitete;
– Të drejtën e popullit shqiptar
për vetëvendosje;
Krijimi i
Maqedonisë federale justifikohet: me argumentin historik, me argumentin e
bashkëkohësisë dhe me argumentin hipotetik.
Në qoftë se zgjidhja e çështjes
shqiptare në Maqedoni, d.m.th. federalizimi i Maqedonisë po e
destabilizuaka Maqedoninë, atëherë, më parë se çështja shqiptare në Maqedoni,
duhet të shtrohet çështja e Maqedonisë në Ballkan.
Zgjidhja e çështjes së Maqedonisë
në rajon vetvetiu zgjidh edhe çështjen shqiptare në të, për arsye se bashkësia
etnike, gjuhësore dhe kulturore shqiptare në Maqedoni është faktor historik dhe
politik, është potencial ekonomik, kreativ, prodhues dhe riprodhues… që jeton
si popullsi autoktone në trojet ilire.
Populli sllavo-maqedonas nuk mund
të ndërtojë shtëpi në tokë të huaj. Në qoftë se paqja në Maqedoni dhe
stabiliteti në të, vareshkan nga viktimizimi i interesave jetike dhe
ekzistenciale të shqiptarëve, atëherë një kreaturë e tillë është më mirë të mos
ekzistojë. Shqiptarët nuk mund të pranojnë vullnetarisht të sakrifikojnë
interesin kombëtar, për hir të ekzistimit të kreaturave artificiale.
Pikëpamja se zgjidhja “radikale” e
çështjes shqiptare në Maqedoni mund ta destabilizojë atë, është johistorike
d.m.th. në kundërshti me tendencën historike.
Në jetën e brendshme politike të
Maqedonisë, krahas fërkimeve dhe koalicioneve ndër-partiake, vend qendror duhet
të zënë edhe raportet ndëretnike. Raportet midis dy komuniteteve, përveç
dimensionit etnik, kanë edhe rrënjë të thella ekonomiko-shoqërore: shkalla e
pabarabartë e zhvillimit të rajoneve, përbërja sociale, papunësia, problemet
sociale, shkalla e emancipimit të shoqërive të të dy bashkësive etnike,
përqindja e popullsisë rurale, përkatësisht urbane të të dy bashkësive etnike,
përqindja e pjesëmarrjes së dy bashkësive etnike në krijimin e të ardhurave
etj.
Në Maqedoni gjithnjë e më tepër do
të forcohen tendencat që do të konsiderojnë se problemet akute në lëmin e
marrëdhënieve ndërnacionale nuk do të mund të zgjidhen brenda suazave të
unitarizmit tradicional.
Kërkesat për rregullim federativ
një ditë do të fitojnë gjithnjë më shumë ithtarë. Forcat dominuese në Maqedoni,
më kot përpiqen t’i kënaqin aspiratat kombëtare me masa gjysmake. As në këtë
plan nuk është bërë ndonjë hap i rëndësishëm. Nuk janë duke u realizuar sa
duhet as masat paliative.
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk
mund të zgjidhet as me zgjidhjet që ndodhen ndërmjet rregullimit federativ dhe
atij unitar. Në realitetin politik të Maqedonisë duhet të paraqiten elementet e
trajtimit të ri të problemit kombëtar.
Në strukturën politike të
Maqedonisë duhet të formësohen qartas dy pjesë themelore vendim-marrëse: pjesa
shqiptare dhe ajo maqedonase. Në përbërje të qeverisë, në administratën e
vendit dhe në gjyqësi duhet të bëhen përpjekje më dinamike dhe gjithnjë më
konsekuente për sigurimin e përfaqësimit plotësisht të barabartë të të dy
grupeve etnike kryesore, duke zgjidhur sa më parë edhe çështjen e zyrtarizimit
të gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit; duke u kryer sa më parë
decentralizimi i plotë i pushtetit qendror në mënyrë që komunat të kenë një
vetëqeverisje vendore të gjerë, përkatësisht një autonomi të gjerë.
Në Maqedoni gjithnjë e më tepër po
depërton vetëdija se në thelbin e trazirave ndërmjet dy bashkësive etnike
ndodhen probleme të mëdha ekonomike strukturore.
Në Maqedoni duhet të zbatohen
reforma kushtetuese të mirëfillta me qëllim të harmonizimit të marrëdhënieve
ndërmjet bashkësive gjuhësore – shqiptarëve dhe maqedonasve, me çka do të
krijohej baza për autonominë e tyre të gjerë në të gjitha fushat e jetës
politike dhe ekonomike.
Ndryshimi radikal i kushtetutës
maqedonase, në thelb duhet të jetë në funksion të ripërkufizimit të njëmendët
të Maqedonisë dhe të krijimit të shtetit federativ dykëmbësh. Duhet të njihet
kombi shqiptar në Maqedoni, duhet të njihet subjektiviteti politik i
shqiptarëve, ndërsa gjuha shqipe duhet të zyrtarizohet në shkallë vendi.
Mbartës i pushtetit ligjvënës duhet të jetë parlamenti dydhomësh i përbërë nga
dhoma e përfaqësuesve dhe nga dhoma e qytetarëve. Në të parën do të duhej të
zbatohej institucioni i demokracisë
konsenzuale. Koha e dëshmoi se parimi i Badinterit* nuk u respektua
sa duhet.
Shënim: Robert Badinter (1928-2024)
ishte avokat dhe politikan francez, ministër i Drejtësisë në kohën e presidentit
Fransua Miterand (François Mitterrand,
). Në vitin 1981, Badinetri e miratoi heqjen e dënimit me vdekje në Francë. Ishte i përfshirë në hartimin e
Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja bazohej në parimin: “Propozimet që kanë të bëjnë me etninë e që miratohen nga Parlamenti,
të cilat pastaj zbatohen në punët e këshillave komunalë dhe në organet e tjera
të pushtetit vendor, duhet të mbështeten
nga një shumicë e dyfishtë e grupeve etnike shqiptare dhe maqedonase”.
Ky shpesh quhet "parimi i
Badinterit".
* * *
Raporti i forcave politike në
parlamentin maqedonas sot bën të mundur ngritjen e nismës për ndryshime
kushtetuese të mirëfillta. Çdo vonim në këtë drejtim do t’i kthehej Maqedonisë
si bumerang. Sikundër iu kthye Serbisë.
Koncepti dyetnik dhe koncepti i
shoqërisë binacionale në Maqedoni duhet të institucionalizohet.
Në Maqedoni kemi ballafaqimin e dy
koncepteve:
– Koncepti unitar –
maqedonas, i cili është johistorik, antidemokratik dhe anakronik; dhe
– Koncepti federativ – shqiptar,
i cili është në përputhje me tendencën historike.
Ishte Serbia ajo e cila
pretendonte imponimin e konceptit unitar në Jugosllavinë shumëkombëshe. Epilogu
dihet: shpërbërja me luftë e RSFJ-së, çintegrimi i Serbisë së madhe, rënia e
saj në konflikt me faktorin ndërkombëtar.
Federalizimi i Maqedonisë nuk ka
alternativë. Refuzimi i konceptit federativ në Maqedoni mund të çojë
pashmangshëm në çintegrimin e saj. Zgjidhjet gjysmake: Maqedonia unitare me
koncept demokratik qytetar, nuk janë veçse mashtrim.
Pikëpamja: “Maqedonia është bashkësi e qytetarëve”, synon t’i mbajë shqiptarët
në pozitë të nënshtruar. Maqedonia, më parë se bashkësi e qytetarëve, është
bashkësi e dy komuniteteve etnike, gjuhësore, kulturore, konfesionale,
shqiptaro-maqedonase.









