Xhelal Zejneli: Rasti i Kumanovës

RASTI I KUMANOVËS

Tragjedia e Kumanovës është akt i
dhimbshëm për shqiptarët kudo që janë. Faktori politik shqiptar në Maqedoni si
dhe autoritetet e Kosovës, brenda këtyre 11 vjetëve nuk kanë bërë asgjë për t’u
ndihmuar viktimave të tragjedisë së lartpërmendur. Bashkimi Demokratik për Integrim,
derisa ishte në qeveri, lidhur me të dënuarit e Lagjes së Trimave nuk ndërmori
asgjë. Vleni hyri në qeverinë e Mickovskit, pa arritur një marrëveshje për të
dënuarit e Kumanovës. Sjellja e BDI-së dhe e Vlenit është e turpshme dhe e
pafalshme. Injorimi dhe shpërfillja e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës nga
organet dhe nga institucionet e Kosovës, është akt i turpshëm dhe i
pakuptueshëm.
Pjesëtarët e grupit të Kumanovës janë
dënuar me dënime drakonike. Dënime të tilla nuk janë shqiptuar pas luftës së
dytë Botërore në asnjë vend të Evropës. Me të tilla dënime Maqedonia e Veriut
nuk meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Faktori politik shqiptar tha
dikur se lidhur me rastin e Kumanovës do t’i angazhojmë edhe ekspertët
ndërkombëtarë. Nga kjo që u tha, nuk doli asgjë, kurrfarë angazhimi. Është për
t’u habitur se si për dënimet drakonike ndaj shqiptarëve të Lagjes së Trimave
nuk reagojnë as institucionet e BE-së.
Le të lihet mënjanë ana politike apo
ideologjike e çështjes. Le të analizohet ana juridike. Cili është ai hetues apo
ai gjyqtar që mund të konstatojë me saktësi se kush ka gjuajtur, kush ka
qëlluar, kush ka vrarë, sa ka vrarë, cilin ka vrarë, cilin ka plagosur etj. –
gjatë të shtënave midis dy palëve?!
Pyetësorët tregojnë se gjyqësisë në
Maqedoninë e Veriut i besojnë jo më shumë se 2% e të anketuarve. Maqedonia e
Veriut është një prej shteteve më të korruptuara në botë. Nga dënimet drakonike
ndaj pjesëtarëve të grupit të Kumanovës mund të konstatojmë se në Maqedoni nuk
kemi të bëjmë vetëm me gjyqësi antishqiptare. Kundër shqiptarëve është edhe
politika dhe ideologjia e këtij vendi.
A e di gjyqësia e këtij shteti se të
dënuarit e grupit të Kumanovës kanë: prindër, nëna dhe etër të moshuar, kanë
bashkëshorte, kanë fëmijë të vegjël, fëmijë që rriten pa baballarë, kanë
gjyshër, gjyshër në ditët e fundit të jetës së tyre, kanë motra e vëllezër,
kanë nipa e mbesa, kanë shokë, miq, kolegë. Dënimi i tyre paraqet dënim për
familjet e tyre, për anëtarët e familjeve të tyre. Çdo gjykatë në vendet
demokratike e posedon edhe anën humane të aktgjykimit. Maqedonia është vend
evropian dhe jo i ndonjë kontinenti ku figurojnë shtete me vlera demokratike të
kufizuara apo të reduktuara. Evropa e Dekartit, e Volterit, e Rusoit, e Gëtes,
e Kantit, e Dostojevskit, e Zolës, e Kafkës, e Hajdegerit, e Beketit, e
Sartrit, e Kamysë - e hoqi dënimin me vdekje. Shteti nuk guxon të vrasë, të
ekzekutojë, të varë.
Ku është Avokati i Popullit, ku është
Komiteti i Helsinkit, ku janë shoqatat humanitare, të vendit dhe ato
ndërkombëtare?! Ku janë shoqatat që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut?!
Mos vallë janë bërë vegla, mjete dhe instrumente të verbra të shtetit, të
pushtetarëve, të qeveritarëve?! Mos vallë janë bërë mercenarë dhe shërbëtorë të
pushtetit?! Drejtësia nuk mbrohet me pseudo-avokatë, me avokatë injorantë dhe
gjysmë-analfabetë!
Faktori politik shqiptar duhet të
kërkojë nga organet kompetente të këtij vendi të bëjnë rishqyrtimin e procesit
gjyqësor të të dënuarve të rastit të Kumanovës. Faktori politik shqiptar nuk
duhet të hyjë në qeveri pa e zgjidhur tragjedinë e Kumanovës. Nuk është e
arsyeshme që ministrat shqiptarë të akomodohen nëpër kolltukët e pushtetit,
kurse shqiptarët, në Evropën e qindvjeçarit XXI të vuajnë dënime të përjetshme.
S’ka dyshim se çdo njeriu racional i vjen keq për humbjen e jetëve të çdo
personi, përfshi edhe vrasjen e 8 policëve të policisë së shtetit.
Do të ishte e arsyeshme që autoritetet
e Kosovës dhe këto të Maqedonisë së Veriut të ulen e të bisedojnë që të gjithë
të dënuarit e Republikës së Kosovës të transferohen sa më parë në Kosovë në
mënyrë që dënimin ta vuajnë në vendin e tyre. Një hap i tillë duhet bërë edhe
për arsye praktike. Anëtarët e familjeve të të dënuarve më lehtë do të mund t’i
vizitonin të afërmit e tyre.
Po qe se për rastin e Kumanovës
autoritetet e Maqedonisë së veriut nuk ndërmarrin ndonjë veprim human ndaj të
dënuarve me dënime mesjetare, atëherë del se ky proces qenka politik dhe jo
juridik.
Mbajtja e shqiptarëve nëpër burgje
famëkëqija sllave nuk u ndihmon marrëdhënieve ndëretnike. Pushtetarët sllavë
duhet ta dinë se s’ka shqiptarë në botë që e ka dënuar publikisht aktin e tyre.
Rrjedhimisht del se për shqiptarët ata nuk janë terroristë. Dërgimi i tyre në
Kosovë do të ndihmonte në konsolidimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë
e Veriut.
Historia e shqiptarëve në Maqedoni nuk
fillon dhe nuk mbaron, as me BDI-së, as me Vlenin.
* * *
Historia e tragjedisë
- Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës ndodhi
konflikti i armatosur midis një grupi shqiptarësh, në një anë dhe policisë së
Maqedonisë, në anën tjetër. Që atëherë kanë kaluar 11 vjet. Me këtë rast u
vranë 9 shqiptarë. Tetë prej tyre u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve në
Prishtinë, më 26 maj të atij viti. Të vrarë ishin: Xhafer Zymberi, Mirsad
Ndrecaj, Valon Kabashi, Tugaj Gashi, Samid Kastrioti, Hysen Rushiti, Fatlum
Vishesella dhe Arben Rexhaj. I vrari i nëntë, Riza Begaj. ishte varrosur një
ditë më parë në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Gllogjan të
komunës së Deçanit. Disa nga të vrarët kanë qenë pjesëmarrës në luftën e
UÇK-së, të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.
Në konfliktin e 9 dhe 10 majit 2015, u
vranë edhe 8 pjesëtarë të sigurimit shtetëror të Maqedonisë. Midis tyre edhe
shqiptari Isamedin Osmani.
Qeveria e Kosovës, përkatësisht
institucionet e Kosovës zyrtarisht nuk i kanë mbështetur kosovarët që luftuan
në Kumanovë, por për ngjarjen tragjike kanë kërkuar hetime të hollësishme.
Historia e rastit të Kumanovës – Më 9
maj 2015, në Kumanovë shpërthen një shkëmbim zjarri midis policisë së
Maqedonisë, në një anë dhe një grupi shqiptarësh të armatosur, të identifikuar
si Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Gjatë të shtënave vriten 8 pjesëtarë të
policisë së shtetit dhe 9 luftëtarë shqiptarë. Sipas të dhënave të caktuara,
janë plagosur 37 oficerë.
Të shtënat ndërpriten më 10 maj 2015 në
një operacion të policisë sllavo-maqedonase. Me këtë rast arrestohen 28
luftëtarë shqiptarë. Nga autoritetet sllavo-maqedonase akuzohen për terrorizëm.
* * *
Ngjarjes tragjike në Kumanovë i
paraprinte situata politike në Maqedoni - e përkeqësuar. Opozita publikonte
përgjime apo “bomba”. Nga përgjimet
rezultonte se pushtetarët sllavo-maqedonas flasin zi e më zi për
bashkëqytetarët e tyre – shqiptarë. Midis tyre binte në sy qëndrimi
antishqiptar i ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska.
Më 21 prill 2015 rreth 40 pjesëtarë të
UÇK-së sulmuan policinë kufitare sllavo-maqedonase në Goshnicë pranë kufirit me
Kosovën. Në këtë sulm nuk ka pasur të vrarë apo të plagosur.
* * *
Fillimi i përleshjeve
të armatosura – Ka qenë ora pesë e mëngjesit të ditës
së shtunë. Mediumet njoftojnë për të shtëna me armë zjarri. Në Lagjen e Trimave
të Kumanovës fillon përqendrimi i forcave të mëdha policore sllavo-maqedonase.
Lagjja e sipërthënë ka qenë e banuar kryesisht me shqiptarë. Në zonë fluturonin
edhe helikopterët e shtetit. Të
pranishme kanë qenë edhe forcat speciale. Një pjesë e madhe e banorëve janë
evakuuar. Në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës, ministrja e Punëve të
Brendshme, Jankulovska deklaron se policia po përballet me një grup terrorist,
të armatosur rëndë, të përbërë nga shtetas të Maqedonisë por edhe të një vendi
në kufi. Grupi synon të godasë institucionet e rëndësishme të vendit. Sipas
saj, në radhët e policisë ka pasur viktima, ndërsa në radhët e popullsisë civile
nuk ka të vrarë apo të plagosur. Të nesërmen, më 10 maj 2015 rreth orës 18:00
28 persona të armatosur të grupit janë dorëzuar dhe janë arrestuar.
* * *
Pas përfundimit të konfliktit,
prokurorët sllavo-maqedonas 30 pjesëtarë të grupit shqiptar i fajësuan për
terrorizëm. Sipas autoriteteve sllave, 18 nga të pandehurit kanë qenë shqiptarë
nga Republika e Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme
të Maqedonisë, gjatë operacionit të forcave të armatosura të shtetit janë vrarë
8 policë dhe 14 persona të armatosur. Janë plagosur 37 oficerë. Gjatë kësaj
kohe, kryetar i Maqedonisë ka qenë Gjogje Ivanov. Për oficerët e policisë që u
vranë gjatë sulmit, qeveria e Maqedonisë shpalli dy ditë zie.
* * *
Policia sllavo-maqedonase shkatërroi
shumë shtëpi shqiptare. Shumë shtëpi qenë të djegura apo të pabanuara. Shumë
shqiptarë dolën refugjatë dhe u vendosën pranë fshatrave kufitare në Kosovës. Lidhur
me shtëpitë e dëmtuara, autoritetet sllave nuk kanë dhënë të dhëna të sakta. Më
10 maj 2016, d.m.th. një vit pas rënies së ushtarëve shqiptarë, Organizata e
Veteranëve të Luftës në Kosovë deklaroi: “Shqiptarët
luftuan me ushtrinë maqedonase, për bashkim kombëtar. U tradhtuan dhe luftuan
në raport 1 me 60”.
* * *
Pjesëtarët e grupit të Kumanovës, gjykata sllavo-maqedonase i ka dënuar me
gjithsej 746 vjet burg. Për veprën u akuzuan 37 perona. Prej tyre, 7 me
burg të përjetshëm. Ata janë: Andi
Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra
dhe Fejzulla Rushitovski.
Me nga 40 vjet burg janë dënuar 18
veta. Këta janë: Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim
Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn, Rufki Dogani, Bajram Elshani,
Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Reçica.
Prej 37 të akuzuarve, 6 janë dënuar me
nga 20 vjet burg. Këta janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija,
Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.
Të tjerët janë dënuar me nga 18 vjet burg
e më poshtë. Ragmi Latifi është dënuar me 18 vjet heqjen lirie, Irfan Lutfiu me
14 vjet burg, Arsim Bajrami me 13 vjet burg, Musa Pajaziti me 12 vjet burg,
Seadudin Abdullahu me 14 vjet burg, Elham Arifi me 13 vjet burg dhe Ebib Alimi
me 12 vjet burg.
Shumica e të dënuarve janë shtetas të
Kosovës. Sipas disa të dhënave, ata konsiderohen organizatorë të ngjarjeve të 9 majit të vitit
2015.
Si të pafajshëm, Gjykata Penale e
Maqedonisë i ka liruar: Ibrahim Murtezanin, Besnik Bajramin, Fazli Osmanin dhe
Besnik Ajdinin.
* * *
Në përleshjet dyditëshe më 9 dhe 10 maj
të vitit 2015, u vranë 8 pjesëtarë të forcave policore sllavo-maqedonase dhe 10
pjesëtarë të grupit shqiptar të armatosur.
Sipas pjesëtarëve të grupit të
armatosur, ata janë vendosur në Kumanovë për shkak të shkeljes së të drejtave
të shqiptarëve në Maqedoni.








