Xhelal Zejneli: Nuk është shkollë, shkolla
NUK ËSHTË SHKOLLË, SHKOLLA

- në të cilën, gjatë
çdo pushimi, hyjnë në zyrën e arsimtarëve pesë-gjashtë nxënës për të parë
orarin e mësimeve, për të pyetur në ‘humbin’ diçka dhe për të bërë
zëvendësimin e orëve apo bashkimin e klasave;
- në të cilën, në 1 qershor, madje edhe në
8
qershor, d.m.th. vetëm dy ditë
para përfundimit të vitit shkollor, nxënësi me dhjetë apo dymbëdhjetë nota të
dobëta, nuk e përsërit vitin, saqë kalon ‘pastër’, pra nuk shkon as në
riprovim;
- në të cilën ideal i nxënësve dhe i të
gjithë prindërve pa përjashtim është nota dhe jo
dituria, pa e përfillur faktin se nota pa dituri nuk është veçse numër
i thjeshtë;
- në të cilën lajmërimet apo njoftimet që lexohen nëpër
klasa përmbajnë gabime gjuhësore, përkatësisht gramatikore, kryesisht
drejtshkrimore, sintaksore dhe terminologjike;
- në të cilën lajmërimet apo njoftimet që vihen në pllakën
e njoftimeve të zyrës së arsimtarëve, nuk janë të përpiluara në frymën
e gjuhës shqipe; me fjalë të tjera përmbajnë gabime gjuhësore, përkatësisht
gramatikore, kryesisht drejtshkrimore, sintaksore dhe terminologjike;
- në të cilën vërejtjet e shënuara në ditar nga
arsimtarët apo nga profesorët, përfshi edhe arsimtarët dhe profesorët e gjuhës
shqipe, të gjuhës angleze, të gjuhës gjermane, të gjuhës frënge, pa hyrë te të
tjerët që nuk kanë të bëjnë me gjuhën, përmbajnë gabime gjuhësore, përkatësisht
gramatikore, kryesisht drejtshkrimore dhe sintaksore;
- në të cilën dhjetëra, në mos dhe qindra
mësues, arsimtarë dhe profesorë janë të angazhuar në të ashtuquajturat
aktivitete
të lira të cilat kurrë nuk janë mbajtur dhe nuk janë realizuar; kësisoj
shkollat janë shndërruar në ente punësimi apo në institucione për zbutjen e
papunësisë mbi baza partiake;
- në të cilën bëhen abuzime financiare në kuadër të sigurimit
personal të nxënësve;
- në të cilën bëhen abuzime financiare në kuadër të angazhimit
të punëtorëve të sigurisë së shkollës, edhe pse shkollat, në të shumtën
e rasteve, nuk kanë nevojë për një
sigurim të tillë;
- në të cilën bëhen abuzime financiare duke i detyruar
nxënësit të plotësojnë nga një formular apo fletëparaqitje për ta regjistruar vitin
shkollor, kundrejt një pagese prej 50,oo ose 100.oo denarësh;
- në të cilën kujdestaria në korridoret e shkollës
mbahet
pjesërisht, mbahet formalisht apo nuk mbahet fare nga mësuesit, nga arsimtarët
apo nga profesorët;
-
në të cilat orët plotësuese apo orët shtuese nuk janë mbajtur pothuajse asnjëherë;
- në të cilat tualetet nuk janë sipas standardeve të
kohës;
- në të cilat klasat shndërrohen në kuazi kabinete
duke varur nëpër muret e tyre hamerë me përmbajtje kimie, arti figurativ, gjuhe
angleze, gjuhe gjermane, gjuhe shqipe etj.;
- në të cilën tualetet janë shndërruar në hapësirë
për të pirë cigare nxënës të caktuar;
- në të cilën terreni sportiv vlon prej letrave dhe
hedhurinave të tjera;
- në të cilën hapësirat e gjelbra mirëmbahen pjesërisht
ose nuk mirëmbahen fare;
- të cilat, ç’prej se janë ndërtuar para 60 vjetësh, nuk
kanë sallë fizkulture;
- të cilat punojnë me sallë fizkulture të vjetruar, që
është jashtë çdo standardi e që është i papërdorshëm;
- në të cilën, në një sallë fizkulture, orën e
edukatës fizike apo të sportit e realizojnë apo e mbajnë tri klasa përnjëherë;
- në të cilën mësuesi, arsimtari apo profesori, gjatë
orës së mësimit e përdor telefonin celular;
- në të cilën, arsimtari apo profesori e dërgon nxënësin
për t’i blerë gjevrek, simite, byrek, cigare, për të mos thënë edhe tiketë
sportive;
- në të cilën, programi artistik që përgatitet me
rastin e “Ditës së Mësuesit”, “Ditës së
Alfabetit”, “Ditës së Pavarësisë” apo patronatit
të shkollës, në të shumtën e rasteve nuk është veçse improvizim;
- në të cilën përqindja e përqindja e shfrytëzimit të
veprave letrare apo të lektyrave shkollore në bibliotekën e shkollës është e
ulët;
- në të cilën dimensionit “edukim” nuk i kushtohet rëndësi
e duhur;
- në të cilën krejt klasa ikin prej ore; ndaj
nismëtarëve të këtij akti të paarsyeshëm nuk ndërmerren kurrfarë masash qortuese,
pedagogjike apo administrative; ndodh të ndërmerret masa e thyerjes së
sjelljes për krejt “klasën”, masë kjo që në fund të vitit suprimohet. Kjo masë
është njësoj sikur të përpiqesh që arushën ta trembësh me lodër;
- në të cilën nuk ndërpriten shprehitë infantile të nxënësve
që i mbartin me të madhe nga shkolla fillore në të mesmen;
- në të cilën individë të caktuar hyjnë nëpër klasa për
t’i reklamuar universitetet, me ç’rast çrregullohet procesi mësimor;
- në të cilën e ndjekin mësimin nxënës të cilët paralelisht
janë të angazhuar edhe në veprimtaritë sportive – futboll, basketboll,
hendboll, edhe pse dihet mirëfilli se mësimi në gjimnaz dhe angazhimi në futboll,
nuk shkojnë bashkë, për arsye se nxënësve që janë të angazhuar në futboll, u
duhet të mungojnë shpesh;
- në të cilat ekskursionet më tepër kanë karakter shëtitës
dhe zbavitës sesa kulturor, ngase nuk u kushtohet rëndësi e duhur
vizitës së objekteve dhe të monumenteve kulturore-historike të vendit
që vizitohet;
- në të cilat në mbledhje prindërore, shpeshherë vijnë
jo më shumë se pesë-gjashtë prindër;
- në të cilat, në prag të mbarimit të vitit shkollor,
d.m.th. prej 1 deri më 10 qershor, lejohet hyrja e prindërve në shkollë edhe
pse është më se e qartë se ata vijnë për të kërkuar notë (numër) për fëmijët e
tyre;
- në të cilat u mundësohet dhe u lejohet nxënësve që të
pyesin: “Profesor, a bën ta shtyjmë testin për orën tjetër”?;
- në të cilën u mundësohet dhe u lejohet nxënësve që të
pyesin: “Profesor, a bën ta na lejoni këtë orë të ushtrojmë, se kemi test në
....”?;
- në të cilën i mundësohet dhe i lejohet nxënësit që t’i
drejtohet arsimtarit apo profesorit për
t’i kërkuar notë, ngase i duhesh
për “suksesin”;
- në të cilën shenja
që paralajmëron ndalimin e duhanit nuk respektohet sa duhet;
- e cila (shkollë) mban emrin e ndonjë figure sllave,
jugosllave apo serbo-komuniste, edhe pse 80% e nxënësve dhe e kuadrit arsimor
janë të bashkësisë etnike shqiptare;
* * *
Organet kompetente të arsimit, si të nivelit qendror,
ashtu edhe të nivelit vendor, duhet ta dinë se shkolla nuk është zanat, se
mësimdhënia nuk është punë zanati.
Aktorët prej të cilëve përbëhet procesi arsimor ku bëjnë
pjesë nxënësit, kuadri arsimor, udhëheqja e shkollës, prindërit dhe mbarë
shoqëria, duhet ta dinë se shkolla nuk është çerdhe zbavitjeje apo
argëtimi, por institucion pune, mësimi, arsimimi, formimi dhe edukimi që
funksionon dhe që e realizon procesin edukativ dhe arsimor në mënyrë
profesionale dhe me metoda pedagogjike e humane.
Në raportet që ua dërgojnë shkollat organeve të pushtetit
vendor, në vend që ta paraqesin gjendjen në mënyrë reale, shpeshherë ato e
paraqesin atë të idealizuar. Në raste të caktuara, këto raporte u ngjajnë
raporteve ushtarake në të cilat thuhet se çdo gjë është kryer në mënyrë të
shkëlqyeshme. Shkrimtari kroat Miroslav
Kërlezha (1893-1981) thotë: “Askund
nuk gënjejnë më shumë se në ushtri”.
Rezultatet
brengosëse dhe shqetësuese të testimit PISA dëshmojnë se politika e arsimit në
Maqedoni nuk është në nivel të duhur. Kjo tregon se infrastruktura e arsimit –
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e RM-së dhe sektorët e tjerë të arsimit, si
Biroja për Zhvillimin e Arsimit, inspektorati i arsimit, këshilltarët për arsim
etj nuk janë në krye të detyrës. Arsimi nuk duron eksperimentime. Arsimi nuk
është punë diletantësh të punësuar pa kritere, apo me kritere partiake, nëpër
organet e arsimit. Arsimi nuk është punë seminaresh apo trajnimesh, aq më parë
kur trajnuesit janë jokompetentë dhe me njohuri të kufizuara.







