Xhelal Zejneli: Përmirësimi i mundshëm i cilësisë në arsim
PËRMIRËSIMI I MUNDSHËM I CILËSISË NË ARSIM
Arsimi fillor, i mesëm, universitar dhe
pasuniversitar duhet të depolitizohen dhe të jenë jashtë ndikimit të partive.
Drejtorët e shkollave nuk duhet të emërohen nga partitë bolshevike apo
staliniste të Ballkanit. Mësuesit, arsimtarët dhe profesorët nuk duhet të
punësohen nëpërmjet partive jodemokratike, të pandërgjegjshme dhe
joprofesionale.
Shkolla është institucion edukues, arsimor dhe
human. Thelbi i arsimimit është edukimi, pajisja me dituri dhe manifestimi i
qëndrimit të njerëzishëm ndaj tjetrit.
- Regjistrimi në gjimnaze të bëhet
vetëm me provim pranues. Për të parandaluar keqpërdorimet, provimi
pranues duhet të realizohet sipas parimeve dhe rregullave të maturës
shtetërore;
- Të
ndërpritet praktika e deritashme
që arsimi i mesëm të kryhet edhe si “nxënës” i çrregullt;
- Të reduktohet numri i lëndëve
mësimore në gjimnaze. Lëndët mësimore që janë në plan-programet e shkollave të
tjera, të hiqen prej gjimnazeve. Mund të hiqen lëndët si: ekonomia, biznesi,
menaxhmenti, fillet e së drejtës. Lëndët e sipërthëna ligjërohen në shkollën e
mesme të ekonomisë;
- Lënda e Gjuhës shqipe dhe letërsisë duhet të ndahet në dy pjesë: Gjuha shqipe – veç dhe letërsi – veç. Kjo do të bënte të mundur
shmangien e vështirësive me të cilat ballafaqohemi gjatë të shkruarit të
shqipes. Gjuha shqipe duhet të
mësohet prej klasës së parë të fillores deri në maturë, nga katër orë në javë.
Po kështu edhe lënda e letërsisë do të duhej të mësohej që nga
klasa e parë e fillores, deri në maturë, nga katër orë në javë. Lëndët e
sipërthëna të ndara do të ligjëroheshin prej dy arsimtarëve apo prej dy
profesorëve të veçantë;
- Duhet të mirëpritet vizita e
kohëpaskohshme e pedagogut të shkollës nëpër klasa;
- Nuk duhet të pritet me ftohtësi
vizita e inspektorit të arsimit në shkollë dhe pjesëmarrja e tij në orën
mësimore;
- Mësuesi, arsimtari dhe profesori,
para se të vijnë në shkollë, duhet të përgatiten për njësinë mësimore
përkatëse. Pjesë e përgatitjes është edhe koncepti i njësisë mësimore i hartuar
apo i përpiluar me shkrim, të cilin gjatë realizimit të orës, e mban mbi
tavolinë;
- Mësuesi, arsimtari apo profesori i
mirë, gjatë orës mësimore krijon atmosferë të relaksuar. Shkolla nuk është
hapësirë zbavitjeje apo argëtimi, por s’është as institucion me disiplinë
policore apo kazerme ushtarake;
- Mësuesi, arsimtari apo profesori çdo
nxënësi i mundëson hapësirë që të vijë në shprehje dhe të shprehet. Është
detyrë parësore e mësuesit, e arsimtarit apo e profesorit që ta njohë gjendjen
ekonomike, sociale dhe familjare të nxënësit të vet. Ka nxënës me probleme
ekonomike, me probleme shëndetësore, nxënës pa prindër, nxënës bonjakë, nxënës
me prindër të shkurorëzuar, nxënës të familjeve pa të ardhura apo me të ardhura
të vogla, të pamjaftueshme;
- Mësuesi, arsimtari apo profesori
duhet t’i mundësojnë nxënësit që për një çështje të caktuar t’i shprehë
mendimet dhe qëndrimet personale. Më së shumti vlerësohet dhe çmohet, jo
nxënësi që e mëson njësinë mësimore prej librit, por ai i cili për atë njësi i
paraqet mendimet dhe gjykimet e veta. Shkollimi duhet të ndihmojë edhe në
formimin e personalitetit të nxënësit. Shkolla nuk është institucion për
shpëlarjen e trurit të nxënësit. Shkolla nuk shërben për indoktrinimin e
nxënësve me ideologji të caktuar, me racizëm, nazizëm, bolshevizëm, stalinizëm,
ultranacionalizëm, ksenofobi, mizogami, me koncepte religjioze etj. shkolla nuk
është vend i propagandës politike apo partiake;
- Notimi
apo vlerësimi i lëndëve si: arti muzikor, arti figurativ dhe edukata fizike të
bëhet jo në mënyrë numerike, por në mënyrë përshkruese. Për shembull:
“tregon interesim të lartë”, “tregon
interesim mesatar”, “tregon interesim të ulët”;
- Gjuha e huaj e dytë të jetë lëndë
fakultative dhe pa nota;
- Notimi apo vlerësimi i njohurive të
nxënësve të bëhet kryesisht me shkrim, nëpërmjet testeve të matjes së njohurive
të nxënësve;
- Klasa apo paralelja duhet të ketë maksimum
24 nxënës;
- Klasa apo paralelja me më tepër se 24
nxënës apo me më pak se 24 nxënës, nuk është klasë;
- Të ndalohet në mënyrë të prerë bashkimi i dy
klasave në rastet kur mungon ndonjë arsimtar apo ndonjë profesor. Më
mirë është nxënësit të shkojnë në shtëpi sesa të bashkohen dy klasa;
- Ditët mësimore të humbura nuk duhet
të kompensohen duke mbajtur mësim ditëve të shtuna. Kjo nuk prodhon kurrfarë
efekti;
- Nxënësi që ka numër të palejuar të
mungesave, duhet të përcillet në ndonjë shkollë tjetër të qytetit ose në ndonjë
shkollë të qytetit tjetër më të afërt;
- Nxënësve të padisiplinuar sa më parë
duhet t’u ndërrohen klasat. Nxënësit e padisiplinuar duhet të shpërndahen
nëpër klasa të tjera;
- Nuk duhet të praktikohet organizimi i
trajnimeve të mësuesve, të arsimtarëve apo të profesorëve të shkollave
të mesme. Trajnimi i tyre vë në dyshim cilësinë dhe nivelin profesional të
institucionit që ua ka lëshuar diplomat mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve.
Ka raste kur niveli profesional i trajnuesit është nën nivelin profesional të
profesorëve. Trajnimet e deritashme të mësuesve, të arsimtarëve apo të
profesorëve deri tash nuk kanë dhënë
kurrfarë rezultati;
- Për të parandaluar futjen në shkollë
të armëve, të sendeve të mprehta dhe të lëndëve narkotike, herë-herë, te hyrja
e shkollës, duhet të zbatohet kontrolli i nxënësve dhe i çantave të tyre.
Kontrollin duhet ta zbatojnë organet kompetente të shteti;
- Veshja e nxënësve dhe pamja e tyre
duhet të jenë në përputhje me kodin etik të ndjekësit të shkollimit. Po qe se
është efektive, nxënësit mund të mbajnë edhe uniforma;
- Veshja dhe dukja e mësuesve, e
arsimtarëve dhe e profesorëve apo e profesoreshave duhet të jetë në përputhje
me kodin etik të punëtorëve të arsimit;
- Shkollat duhet të posedojnë
biblioteka të pajisura me libra lëmenjsh të ndryshëm;
- Shkollat duhet të respektojnë rendin
shkollor dhe disiplinën shkollore. Ora e fundit, përkatësisht ora e shtatë duhet
të mbahet sikur të kishte qenë orë e parë;
- Shkolla e fortë i përgatit nxënësit
për të marrë pjesë në gara në shkallë shteti apo edhe në
ato ndërkombëtare;
- Shkollat duhet të kenë sallë
fizkulture. Shkolla pa sallë edukate fizike, nuk është shkollë;
- Shkollat duhet të jenë të pajisura me
kabinet
biologjie dhe me kabinet fizike;
- Shkollat duhet të janë të pajisura laborator
kimie;
- Shkollat duhet t’i kushtojnë rëndësi higjienës;
- Shkollat duhet të pajisen me pajisje dhe aparate
bashkëkohore të realizimit të procesit mësimor;
- Shkollat duhet të kryejnë deratizimin (asgjësimin e minjve) dhe
dezinsektimin (asgjësimin e insekteve) e hapësirave shkollore;
- Kohë pas kohe, mësuesve, arsimtarëve
dhe profesorëve shkolla duhet t’u mundësojë vizitë në panairin e librit
në Tiranë dhe në Zagreb;
- Nxënësit e dalluar, shkolla duhet t’i
shpërblejë me udhëtim treditor në Tiranë apo në Zagreb;
- Shkollat duhet të kultivojnë frymën e
shoqërimit nëpërmjet organizimit të manifestimeve sportive;
- Nuk është zgjidhje e drejtë që për
shkak të ditarit elektronik, ditari klasik i klasës të nxirret nga përdorimi;
- Për të parandaluar kopjimin nga
nxënësit, në ditën e mbajtjes së provimeve të maturës shtetërore,
valët e internetit duhet të shkyçen nëpër shkolla. Këtë duhet ta zbatojnë
orghanet kompetente të shtetit;
- Për t’u regjistruar në Fakultetin
e Mjekësisë, nuk duhet të vlejë matura shtetërore. Regjistrimi në
Fakultetin e Mjekësisë duhet të bëhet nëpërmjet provimit pranues nga
lëndët, si: biologji dhe kimi;
- Në fakultetet që nxjerrin punëtorë
arsimi – mësues, arsimtarë dhe profesorë, regjistrimi duhet të bëhet
nëpërmjet provimit pranues. Në këto degë studimi duhet të regjistrohen vetëm
nxënësit që kanë të kryer shkollë të mesme gjimnaz, me sukses shumë mirë apo shkëlqyeshëm.
- Rroga apo paga e mësuesit që i mëson
nxënësit e klasave I – IV duhet të jetë mbi njëmijë euro. Mund të ndodhë që një
ditë shkollat të mbeten pa mësues;
- Vitet e fundit, në fakultetet që kanë
nxjerrë mësues apo arsimtarë janë regjistruar kryesisht nxënësit e shkollave të
mesme që kanë kaluar me dysh apo me mirë. Nxënësit e dalluar shkojnë kryesisht në
mjekësi ngase aty janë paratë. Për të pasur arsimim cilësor, në fakultetet që nxjerrin mësues, arsimtarë dhe
profesorë shkollash të mesme duhet të regjistrohen vetëm nxënësit e gjimnazeve
që kanë korrur sukses shumë mirë apo shkëlqyeshëm. Nxënësi i cili ka kryer me
dysh apo me tresh një shkollë profesionale dhe i cili pas kësaj “e kryen” edhe fakultetin, kurrë nuk
bëhet mësues, arsimtar apo profesor i mirë;
- Shteti me shpenzimet e veta, nxënësit
shqiptarë të dalluar duhet t’i dërgojë për të studiuar në Universitetin e Zagrebit. Kjo duhet të zgjasë disa vjet. Me t’u kthyer
që andej, këta intelektualë të shkolluar, të arsimuar dhe të pajisur e të
mbathur me dituri dhe kulturë, do të viheshin në krye të arsimit shqiptar, por
edhe të proceseve të tjera në shoqëri, proceseve politike, ekonomike, sociale
dhe kulturore;
- Për fat të keq, universitetet tona
nuk i zë as rangimi ndërkombëtar i universiteteve;
- Në testimin PISSA, Maqedonia e Veriut
zë vendin
e katërt në botë, nga fundi. Kosova zë vendin e tretë
në botë, nga fundi. Testimi PISSA është matje ndërkombëtare e njohurive të
nxënësve të moshës pesëmbëdhjetëvjeçare. Maten kryesisht njohuritë logjike të
nxënësve që i kanë fituar në arsimin fillor;
- Shoqëria shqiptare nuk duhet të
qëndrojë indiferente dhe indolente ndaj problemeve në arsim;
- Rroga e profesorit të matematikës, të
fizikës, të kimisë dhe të informatikës nëpër shkolla të mesme duhet të
jetë mbi
njëmijë euro. Nëpër universitetet tona, në degën e fizikës regjistrohet
një numër simbolik i nxënësve. Një ditë shkollat rrezikojnë të mbeten pa
arsimtarë apo profesorë fizike.















