Xhelal Zejneli: 'Hamleti' - Shekspir

1h më parë

''HAMLETI'' - SHEKSPIR

Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja

hakmarrja, tradhtia, çmenduria e simuluar, pasojat morale

Nga Prof. Xhelal Zejneli

"Tragjedia Hamleti, Princ i Danimarkës" (The Tragedy of Hamlet, Prince of Denmark) është një tragjedi epike e Shekspirit. Shkurtimisht njihet me emrin “Hamleti.” Është shkruar rreth viteve 1599-1601. Trajton hakmarrjen, çmendurinë dhe ekzistencën njerëzore. Princi Hamlet kërkon të vërtetën për vrasjen e të atit nga xhaxhai i tij, Klaudi, duke u ballafaquar me dilema të thella, me dashurinë dhe me vdekjen.

Ngjarjet zhvillohen në kështjellën mbretërore të Elsinores në Danimarkë, në shekujt XVI-XVII. Tragjedia përmban 5 akte. Personazh kryesor është Hamleti, princi i Danimarkës.

*   *   *

Hamleti” është njëra ndër veprat më të njohura të dramaturgut, poetit dhe aktorit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616)*. Këtu bëhet fjalë për Hamletin, princin e Danimarkës. Babai i Hamletit mbytet nga vëllai i tij, Mbreti Klaud, për ta rrëmbyer  pushtetin mbretëror. Pasi e merr pushtetin, ai martohet me nënën e princit Hamlet, Gertrudën. Mbreti Klaud i bind të tjerët se kjo ka qenë një vdekje natyrore. Ndërkohë Hamletit i shfaqet fantazma e babait. Ai fillon të dyshojë për shkaqet e vdekjes së të atit. Thotë se kjo nuk ka qenë një vdekje natyrore. dyshon se babanë ia ka vrarë Mbreti Klaud. Pas një kohe në qytet vijnë do aktorë të huaj. Hamleti u kërkon të luajnë ngjarjen që i kishte ndodhur babait. Pas kësaj ngjarjeje, Hamleti vërtetohet për vdekjen e panatyrshme të të atit. E dashura e Hamletit ishte e bija e Polonit, Ofelia. Ajo ishte motër e Laertit. Që t’i hakmerret Mbretit, Hamleti fillon të sillet si i marrë. Në kuadër të sjelljes së tillë, ai vret babanë e Ofelisë, Polonin. Pas kësaj tragjedie, Ofelia u trondit tej mase ndaj u mbyt në lumë. Kur i vëllai mëson për vdekjen e babait dhe të motrës, i vërsulet Mbretit. Ai me dinakërinë e vet arrin ta  bindë Laertin se babanë ia kishte vrarë Hamleti. E sugjeron njëherazi që të ndeshet me të. Para se te ndesheshin, Mbreti i jep Laertit një thikë të lyer me helm për ta vrarë Hamletin. Fillon dyluftimi. Laerti e qëllon Hamletin me thikën të lyer me helm. Ndodh t’i ndërrojnë armët. Hamleti e plagos për vdekje Laertin. Gjatë dyluftimit, Mbretëresha pi verën e helmuar dhe vdes. Në çastet e fundit të jetës, Laerti i kërkon falje Hamletit dhe vdes. Shoku më i ngushtë i Hamletit – Horati, dëshiron ta vras veten por Hamleti nuk lejon. I thotë se dikush duhet të jetojë për ta treguar të vërtetën. Pas shumë përpjekjeve, Hamleti e qëllon Mbretin me thikë dhe e vret. Tragjedia përfundon me vdekjen e Hamletit.

*   *   *

Shënim: Ka studiues që e kanë kontestuar autorësinë e Shekspirit për veprat e tij. Të tillët kanë thënë se ai nuk është autor i tragjedive për të cilat thuhet se i ka shkruar ai. Këta studiues, pohimet e tyre i arsyetojnë me faktin se Shekspiri në moshën 13-vjeçare e ka ndërprerë shkollimin. Ata thonë: “Si është e mundur që një i pashkollë të shkruajë tragjedi të shkëlqyera?! Si është e mundur që një i paarsimuar të bëhet baba i tragjedisë moderne”. Lidhur me sa më sipër reagon edhe shkrimtari gjerman Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 28 gusht 1749 – 22 mars 1832) i cili thotë: “Për të krijuar art, nevojitet të jesh gjeni. I tillë ka qenë Shekspiri. Pra ai është autor i veprave të tij.”

Shënim: “Çështja homerike” - Duhet shtuar se në shekullin III para K. u shtrua ajo që në histori të letërsisë është quajtur “çështje homerike”. Është ose jo Homeri (midis shekujve VIII dhe IX para K.) autor i poemave epike “Iliadës” dhe “Odisesë”?! Mbi figurën e Homerit janë hedhur shumë hije dyshimi te cilat vënë në pikëpyetje edhe ekzistimin e tij. Por, ajo qe bie më shumë në sy është dallimi artistik midis dy veprave. Përderisa Iliada” është shkruar në një stil epik, Odisea” paraqitet me stil lirik. Madje nga studiues të shumtë është hedhur ideja se ndoshta këto dy vepra nuk janë shkruar nga i njëjti autor. Për Homerin është thënë se ka qenë i verbër.

Shënim: Katër tragjedi të Shekspirit i ka përkthyer në shqip, Noli. “Otello” e përkthyer prej tij, u botua në vitin 1916. “Makbethi”, “Hamleti” dhe “Jul Qesari” u botuan në Bruksel në vitin 1926.

*   *   *

Shekspiri e ka shkruar “Hamletin” midis viteve 1599-1601. Është drama më e gjatë e tij. Është publikuar në vitin 1623.

*   *   *

Vetëm një shekull më vonë, “Hamleti” u bë drama më e famshme e Shekspirit dhe mbetet e tillë edhe sot e kësaj dite. Për këtë merita u takon shkrimtarëve romantikë të Gjermanisë dhe të Anglisë. Ata i tërhoqi eksplorimi intensiv i Hamletit. Në karakterin e princit danez i njohën edhe konfliktet e veta të brendshme. Romani i dytë i shkrimtarit gjerman Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749- 1832) për rritjen e moshës, "Mësimi i Vilhelm Meisterit" (Wilhelm Meisters Lehrjahre, 1795-1796), duke u bazuar te Hamleti krijoi një model për të gjitha portretet e mëvonshme të artistit në rininë e tij.

Njëri nga kritikët dhe eseistët më të mëdhenj në historinë e gjuhës angleze Uilliam Hezlit (William Hazlitt, 1778-1830) shkroi: "Edhe ne jemi Hamlet. Të menduarit e ka dobësuar forcën e tij të veprimit."

Semjuel Tejllor Kollrixh* deklaroi: "Edhe unë kam pak Hamlet brenda meje.”

Poeti anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George Gordon Byron; 1788-1824), ka thënë: "E duam Hamletin, sa veten.”

Shënim: Semjuel Tejllor Kollrixh (Samuel Taylor Coleridge; Ottery Saint Mary, Mbretëri e Bashkuar, 21.10.1772 - Highgate, 25.07.1834) - poet, kritik letrar, filozof dhe teolog anglez, një nga themeluesit e lëvizjes romantike në Angli; anëtar i Poetëve të Liqenit me mikun e tij Uilliam Uordsfërth.

Shënim: Uilliam Uordsfërth (William Wordsworth, Cockermouth, Mbretëri e Bashkuar, 07.041770 - Rydal Mount, Rydal, Mbretëri e Bashkuar, 23.04.1850) - poet romantik anglez. Bashkë me Semjuel Tejllor Kollrixh (Samuel Taylor Coleridge) botuan përmbledhjen me poezi “Balada lirike” (Lyrical Ballads, 1798). Me këtë kontribuuan në fillimin e Epokës romantike në letërsinë angleze.  

Shënim: Rreth vitit 1864 Hamletin e pikturoi piktori amerikan Uilliam Moris Hunt (William Morris Hunt; 1824 -1879).

*   *   *

"Hamleti" është një nga tragjeditë më të famshme të Shekspirit, nga më të  interpretuarat në skena në gjithë botën. U shkrua midis viteve 1600 dhe verës së vitit 1602, në periudhën e dytë të veprës së Shekspirit. Legjenda e Hamletit përmendet që në shekullin IX dhe buron nga sagat e lashta skandinave. U shkrua nga poeti dhe historiani danez Sakso Gramatikus (Saxo Grammaticus; Zealand, Danimarkë, 1150 - 1220) i njohur edhe si Saxo cognomine Longus, në shekullin XIII. Burimi i drejtpërdrejtë  për “Hamletin” e Saxos supozohet të ketë qenë drama e pazbuluar “Ur-Hamlet” (Pra-Hamleti) e dramaturgut anglez, njërit nga figurat më të rëndësishme të zhvillimit të dramës elizabetane, Tamëz Kid (Thomas Kyd; Londër, 1558 – Londër, 1594). Tragjedia është kompozuar në 5 akte dhe është shkruar në formën e një studimi të vërtetë të natyrës njerëzore, moralit dhe sjelljes së njeriut. Shekspiri e krijoi atë në fund të Rilindjes evropiane, në një kohë kur botëkuptimi njerëzor po ndryshonte, kur njeriu  kërkonte të vërtetën.

Vështrim përmbledhës - Babai i Hamletit ka vdekur. Dy muaj më vonë, nëna e tij martohet me Klaudin, xhaxhain e Hamletit, përkatësisht me vëllain e burrit të saj të ndjerë. Hamleti, i cili është tejet i pikëlluar për të atin, e qorton të ëmën se u martua kaq shpejt me xhaxhain e tij. Njëherazi e di se ai duhet të heshtë. Rojet i thonë se e kanë parë Fantazmën. Hamleti shkon ta shohë vetë. Fantazma i thotë Hamletit të hakmerret për të. Ai është i dënuar të endet natën dhe të jetë në zjarr gjatë ditës, derisa flakët ta pastrojnë nga mëkatet që ka kryer. Hamleti mëson se babai i tij në fakt është vrarë, edhe pse e gjithë Danimarka e di se ai është kafshuar nga një gjarpër në kopsht. Në të vërtetë vëllai i tij, Klaudi, i qiti në vesh lëng titani dhe e vrau mëkatarin. Fantazma kërkon prej tij që të hakmerret dhe ta lërë nënën në parajsë. Hamleti kërkon ta zbulojë të vërtetën. Fillon të shtiret si i çmendur gjë që e prek shumë Ofelinë e re e cila është e dashuruar në të. Ai e vret gabimisht babanë e Ofelisë, Polonin. E vret edhe vëllain e saj, Laertin. Ai u beson fjalëve të fantazmës kur u kërkon aktorëve, të cilët rastësisht vijnë në oborr, të luajnë një skenë të ngjashme me vrasjen e babait të tij. I thotë shokut të vet, Horacit, të ruhet nga Klaudi. Pas shfaqjes, ai bindet për fajin e Klaudit. Mbreti e dërgon atë të vdesë në Angli, por Hamleti e zbulon këtë dhe kthehet në Danimarkë në ditën e varrimit të Ofelisë, e cila e vret veten për shkak të ndodhive tragjike. Hamleti dhe Horaci flasin me varrmihësit. Vëllai i Ofelisë, Laerti, për vdekjen e motrës dhe të babait të tij e fajëson Hamletin dhe dëshiron të hakmerret. Ai e sfidon Hamletin për një dyluftim. Laerti dhe Klaudi tentojnë ta mashtrojnë Hamletin. Shpata e Laertit është e lyer me helm. Si mjet shtesë për vrasje, përgatitet një kupë me verë të helmuar. Laerti e plagos Hamletin, por në dyluftim e sipër, shpatat ndërrohen. Hamleti e plagos Laertin. Ndërkohë, mbretëresha e merr kupën me verë të helmuar për të ngritur dolli për Hamletin dhe bie e vdekur. Hamleti, i tërbuar, pa e planifikuar, e godet mbretin me thikë. Mbreti vdes. Vdes edhe Laerti. Më në fund vdes edhe Hamleti. Fortinbrasi, i cili gëzon të drejtë për mbretërinë, habitet nga gjithë këto vrasje. Ai vendos t'i bëjë homazhe Hamletit, ndërsa tragjedia përfundon me një marsh funeral.

Personazhi kryesor - Në fillim të shfaqjes ai përshkruhet si njeri ideal i Rilindjes (Renesancës) - i ditur, fisnik, orator, me sjellje shembullore, me pamje të bukur.

Harmonia midis Rilindjes dhe figurës së Hamletit çrregullohet me shfaqjen e fantazmës së mbretit danez, përkatësisht babait të Hamletit, i cili i kërkon të birit të ndëshkojë vrasësin, d.m.th. vëllain e vet, mbretin e përtashëm - Klaudin, me të cilin nëna e Hamletit, Gertruda, u martua menjëherë pas vdekjes së burrit të vet.

Hamleti është një personazh fisnik dhe i ndjeshëm ndaj padrejtësive. I premton Fantazmës hakmarrje të shpejtë, por në të njëjtën kohë dyshon dhe shtyn zbatimin e saj. Ai hiqet si i çmendur, e përgatit shfaqjen "Vrasja e Gonzagës", e ashtuquajtura “Kurth për minjtë” me të cilën dëshiron ta bindë veten për fajin e mbretit. Nuk dëshiron ta vrasë mbretin kur është duke u lutur.

"Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja" (këtu qëndron puna)

Konfliktet dramatike

1. Konflikti midis Hamletit dhe Klaudit

Klaud është një vrasës, krimi i të cilit duhet të ndëshkohet. Ai është gjithashtu një sundimtar i keq sepse oborri i tij drejtohet nga oborrtarë intrigantë. Me ndihmën e oborrtarëve të vet e planifikon vrasjen e Hamletit.

- Në këtë tragjedi e hasim citatin: "Diçka është e kalbur në shtetin e Danimarkës"

2. Konflikt midis Hamletit dhe nënës së tij

Hamleti e përçmon nënën e vet për arsye se ajo e tradhtoi të atin. Për shkak të saj e përbuz krejt racën femërore*. Reflektimi i zhgënjimit të tij me të ëmën shihet në qëndrimin e tij ndaj Ofelisë të cilën e çmend dhe e çon drejt vdekjes.

Në tragjedi e hasim citatin: "Brishtësi, emri yt është grua!"

Shënim: Filozofi dhe poeti gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900), i zhgënjyer me gruan mendjendritur e cila i vuri bazat e feminizmit, Lu Salome (Lou Andreas-Salomé), bërtiti: “Tradhti, e ke emrin grua!”

Shënim: Lu Salome (Lou Andreas-Salomé, Shën Petersburgu, Rusi, 12.02.1861 - Göttingen, Gjermani, 05.02. 1937) - psikanaliste, autore, tregimtare dhe eseiste me prejardhje ruse; u shkollua në Universitetin e Cyrihut. Vjen nga një familje hugenote franceze-gjermane.

*   *   *

3. Konflikt midis Hamletit dhe botës apo njerëzve

Hamleti jeton në një botë të papërsosur, ku mbizotërojnë padrejtësitë, konspiracioni, hipokrizia, gënjeshtrat, tradhtia bashkëshortore, vrasja, etja për pushtet...

Në monologët e tij, Hamleti flet për çështjet themelore të ekzistencës njerëzore: për raportin midis drejtësisë dhe fajit, jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe urrejtjes, besnikërisë dhe tradhtisë.

Hamleti thellësisht është i zhgënjyer me botën dhe njerëzit.

4.Konflikti i brendshëm i Hamletit

Hamleti është i vetmi që e kupton thelbin e vërtetë të botës dhe njeriut, por në të njëjtën kohë e mundojnë dilemat si mund ta luftojë të keqen.

Me premtimin që ia ka dhënë Shpirtit, ai dëshiron të korrigjojë padrejtësinë në botë dhe ta ndëshkojë krimin, por ai është i vetëdijshëm se për këtë i duhet të kryejë një krim të ri. Për këtë arsye është i pavendosur.

Kulmin e dilemave të brendshme Hamleti e shpreh në monologun që fillon me: "Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja"

Hamleti mendon për vetëvrasje, por ka frikë nga vdekja, nga e panjohura.

Për shkak të pavendosmërisë, pasivitetit dhe mosveprimit, Hamleti është i zhgënjyer me vetveten.

Studiuesit e Shekspirit flasin për dilemat hamletiane apo për ambiciet makbethiane. Personazhi kryesor, Hamleti mendon nëse duhet të bëjë një hap të vështirë drejt hakmarrjes apo të gjithë t’i lërë të qetë. Kuptohet, ai vendos të hakmerret kështu që e gjitha përfundon me vdekje masive në oborr, me tradhti në dashuri dhe me rrëmujë.

Dilema është: "Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja"

Shënim: Sipas disa psikanalistëve, Hamleti e dashuronte të ëmën. Kur i ati ia merrte çdo mbrëmje, ai xhelozonte. Vrasjen e të atit nga Klaudi, ai e mirëpret dhe pikërisht për këtë arsye e zvarrit hakmarrjen ndaj xhaxhait.

Shënim: Ka studiues që thonë: “Shekspiri me qëllim ka krijuar një Hamlet që nguron të veprojë. Po të vepronte shpejt, si do të ndërtohej drama?”

*   *   *

Fundi i shfaqjes – Për dilemën e Hamletit s’ka zgjidhje, ndaj shfaqja përfundon tragjikisht. Laerti dhe Hamleti vdesin në dyluftim, mbretëresha pi verë të helmuar, mbreti vdes nga goditja me thikë, të lyer me helm, Ofelia dhe i ati Poloni, kishin përfunduar tragjikisht qysh më parë

*   *   *

Mesazhi i shfaqjes - Fundi tragjik i Hamletit flet për pafuqinë e individit për të eliminuar të keqen në botë, por nëpërmjet mikut të Hamletit, Horacit dhe sundimtarit të ri norvegjez Fortinbrasit, e vërteta dhe drejtësia megjithëkëtë triumfojnë. Hamleti në shtratin e vdekjes i kërkon Horacit t'ia tregojë botës të vërtetën për krimin e kryer nga Klaudi. Mbret i ri do të bëhet Fortinbrasi i ri, gjë që do të korrigjojë padrejtësinë e kryer shumë kohë më parë.

*   *   *

Analiza e dramës - Tragjedia ngre çështjen e të qenët apo e të mos qenët të cilën secili prej nesh e ka përjetuar apo e ka ndjerë të paktën një herë në jetë. Ajo shtron një sërë çështjesh dhe mendimesh filozofike. Flet për hakmarrjen dhe luftën e pabesueshme për të ruajtur krenarinë. Hamleti zbuloi se xhaxhai i tij ia kishte vrarë të atin dhe aty fillojnë shqetësimet e tij. Ai e përçmon të ëmën ngase ajo e tradhtoi dashurinë e të atit dhe u martua me vrasësin e tij. Ai i përçmon të gjitha femrat. Pastaj Hamleti u zhgënjye në dashuri.

Kjo është një tragjedi që i kapërcen të gjitha barrierat morale dhe flet për një luftë me vetveten, sepse beteja më e madhe e Hamletit është lufta me vetveten. Drama na flet për pyetjen brenda tij: të jetë apo të mos jetë, të veprojë apo të mos veprojë, të vrasë apo të mos vrasë.

Shfaqja e parë e Hamletit në skenë, i veshur me të zeza, bie ndesh me shkëlqimin, me begatinë dhe pasurinë e oborrit danez.

Monologu i tij i parë e zbulon gjendjen e errët të vetëdijes së tij para takimit të parë me Fantazmën. Hamleti mendon për vetëvrasje. Hamleti zhgënjehet se Zoti e ka ndaluar vetëvrasjen. Ai nuk dëshiron të jetojë në një botë që i duket e pashije, e mërzitshme dhe e padobishme. Si shkas për dëshirën për vdekje, e merr vdekjen të atit, e mbi të gjitha martesën e nxituar të së ëmës me xhaxhain e vet. Sipas pikëpamjeve elizabetiane, ky veprim konsiderohej incest.

"Nuk mund t’i përmbahem gjithë jetën një vije të drejtë. Nuk ka asgjë nga e cila do të doja të ndahesha, përveç jetës sime" – thotë heroi i Shekspirit.

*   *   *

Monologu që fillon me pyetjen: "Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja" është më i njohuri dhe më i famshmi nga të gjithë monologët e Shekspirit, por edhe nga monologët e e dramave në letërsinë botërore. Fillimi i tij "Të jesh apo të mos jesh" ka hyrë aq shumë në gjuhën dhe në letërsinë standarde angleze, por edhe në gjuhët e tjera evropiane dhe botërore, saqë citohet shpesh edhe nga njerëz që as nuk e kanë lexuar dramën. Përdoret në kuptimin "O sot, o kurrë", "Të veprosh, e të mos veprosh", “O të rrosh, o të vdesësh" etj.

Në monologun "Të jesh apo të mos jesh", përemrat unë, imja, mua Hamleti i zëvendësoi me përemrat ne, tonët, neve. Me këtë, rastin e tij personal e përgjithësoi. E ngritur atë në nivel më të lartë, universal. Fatin e tij e barazoi me fatet e të gjithë njerëzve në këtë botë.

Hamleti mendonte se njeriu mund t’u jepte fund vështirësive duke i dhënë fund jetës, por nga ky akt kaq të tmerrshëm parandalohet nga frika e jetës pas vdekjes "në një rrugë të panjohur nga e cila nuk kthehet asnjë udhëtar. Jeta mund të jetë më e rëndë se e tashmja në të cilën personi duhet të vuajë.

“Dhe plaga apo përbuzja e botës, padrejtësia e shkaktuar nga arrogantët, turpi që vjen nga mendjemëdhenjtë, përbuzja në dashuri, zvarritja e drejtësisë, indiferenca e njerëzve ndaj pushtetit shtypës dhe fyerjet e rënda që shpirti delikat i përjeton nga të pavlerët" – përsiatje të heroit shekspirian.

Pikërisht në këtë pikë e vërejmë gjykimin e Hamletit për frikën nga e ardhmja dhe për jetën e amshueshme, si arsye për të hequr dorë nga vetëvrasja. Me vetëdije ose pa vetëdije duhet kujtuar fjalët e Shpirtit që i flet të birit për tmerret e papërshkrueshme në botën tjetër, që janë shumë më të rënda se mundimet dhe tmerret në jetën tokësore të njeriut.

T’i përgjigjesh pyetjes se ç’kuptim ka në të vërtetë vargu "Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja" do të thotë të zbulosh sekretin e zemrës të Hamletit, rebusin humanist të tij, por kjo është e pamundur. Megjithëkëtë, është e mundur të tregohen disa nga kuptimet e shumta që përmban dhe që tregon ky varg, e që mund të na çojnë më afër kuptimit të dilemës hamletiane. Ja ku janë: Ta vrasësh apo të mos e vrasësh (xhaxhain), domethënë të veprosh apo të mos veprosh. Të kryesh vetëvrasje apo të mos kryesh. Të jetosh apo të vdesësh? Ta pranosh jetën ashtu siç është, apo të mos e pranosh. Vargu "Të jesh apo të mos jesh" i përmban të gjitha kuptimet e mësipërme por edhe shumë të tjera.

*   *   *

Hamleti ka motivin, dëshirën, forcën dhe mjetet për ta vrarë Klaudin. Megjithëkëtë, ai nuk e bën këtë, duke lënë gjithçka të flejë. Asnjë rrethanë e jashtme nuk e pengon Hamletin të     hakmerret. Shkaqet e hezitimit duhet të kërkohen brenda tij apo në botën e brendshme të tij. Shekspiri e dëshmon këtë me shembullin e dy të rinjve, etërit e të cilëve u vranë – Hamletit dhe Laertit, duke përdorur teknikën e tij të provuar të pasqyrave paralele apo të shumëfishta. Duke vënë përballë dhe në kundërshti rastin e dy të rinjve të sipërthënë, tragjediografi pyet tërthorazi, por qartas: “Ç’do të kishte bërë Hamleti, trashëgimtari i fronit, i preferuari i popullit danez, sikur vetëm ta kishte ngritur gishtin e vogël?”

Por ai nuk e ngriti gishtin e vogël. Ai nuk mund ta planifikonte vrasjen. Sipas poetit dhe kritikut anglez Kollrixh (Coleridge), Hamleti vazhdimisht merr vendime për të bërë diçka, por s’bën tjetër pos që merr vendime. Edhe kur në fund të tragjedisë e vret Mbretin, ai nuk e bën këtë sipas një plani, por në një çast zemërimi, kur zbulon se Mbreti, pasi e fut në kurth, harton plan për ta helmuar atë.

Pavarësisht në e pranojmë apo jo interpretimin frojdian të Hamletit, duhet kuptuar se kjo vepër si tragjedi assesi nuk është mbyllur me analizën e motiveve të heroit të saj. Hamleti nuk është personazh i ndonjë klinikë për analizën e historisë së sëmundjeve. Ai është hero tragjik me përmasa të mëdha dhe të paharrueshme. Zhvillimi i tij nga bindja tipike e epokës së Rilindjes (Renesancës) se bota mund disi të përmirësohet, deri te pranimi filozofik, pothuajse fatalist i kufizimeve njerëzore, i padijes njerëzore dhe faktit të tmerrshëm për ekzistimin e vdekjes, nuk paraqet vetëm kritikë të pikëpamjes së Rilindjes së hershme, por edhe koment ideor mbi gjendjen e njeriut në çdo kohë dhe në çdo vend.

*   *   *

Personazhet

Hamleti - princ i Danimarkës, djalë i mbretit të ndjerë dhe nip i mbretit të tashëm;

Klaudi (Claudius) - Mbret i Danimarkës;

Gertruda - Mbretëresha e Danimarkës dhe nëna e Hamletit;

Fantazma e babait të Hamletit

Poloni (Polonius) - kamerier i mbretit dhe sekretar kryesor i shtetit;

Laerti (Laertes) - djalë i Pollonit

Ofelia (Ophelia) - vajza e Pollonit;

Horaci (Horatio) - mik i Hamleti;

Ambasadorë danezë te mbreti norvegjez:

Voltimandi;

Korneli;

Ish-shokët universitarë të Hamletit:

Roenkranci (Rosencrantz);

Guildensterni;

Osrici - dendy kokëkrisur i oborrit;

Një fisnik;

Një prift;

Oficerët në roje:

Marceli;

Bernardi;

Francisko (Francisco);

Rejnaldo (Reynaldo) - shërbëtori i Pollonit;

Katër ose pesë aktorë;

Dy varrmihës;

Fortinbrasi, princ norvegjez;

Një kapiten norvegjez;

Ambasadorët anglezë;

Fisnikë, gra fisnike, ushtarë, marinarë, lajmëtarë dhe shoqërues.