Xhelal Zejneli: “Makbethi” – Shekspir
“MAKBETHI” – SHEKSPIR
AMBICIA E SËMURË PËR PUSHTET
Tragjedi ku flitet për ambicien, pushtetin dhe
rënien morale, të shkaktuar nga personazhet kryesore – Makbethi dhe Zonja
Makbeth, të cilët bëhen tiranë.
Lufta e përgjakshme për pushtet në Skoci gjatë
shekullit XI
“Makbethi” ose me
emrin e plotë “Tragjedia Makbeth” (The
Tragedy of Macbeth) është tragjedia më e përgjakshme e tragjediografit dhe
poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564 - 1616). Konsiderohet
se u vu në skenë për herë të parë në vitin 1606. Shekspiri e shkroi atë në
fillim të mbretërimit të Xhejmz I (James I)*, i cili ishte mbrojtës i trupës së
aktorëve të Shekspirit. Ajo bazohet kryesisht në raportin midis shkrimtarit dhe
sundimtarit. Për herë të parë u botua në "Në
folion e parë" në vitin 1623. “Makbethi”, i
njohur edhe si ”Shfaqje skoceze”,
është tragjedia më e shkurtër dhe më e përgjakshme e Shekspirit.
Shënim:
Mbreti James I (Xhejmz I; lindi në Edinburg, Skoci,
Mbretëri e Bashkuar, më 19 qershor 1566 – vdiq në Theobalds House, më 27 mars 1625). Ishte
mbret i Skocisë (i njohur si James VI i Skocisë). Figurë
historike kyçe që bashkoi kurorat e Anglisë dhe të Skocisë. Njihet si monarku i parë që e quajti veten
"Mbret i Britanisë së Madhe".
* * *
Është e mundur që “Makbethi” të jetë shkruar në vitin 1606, në fillim të sundimit të James I (Xhejmz I) i cili para se të
ulej në fronin anglez në vitin 1603, ka qenë James VI i Skocisë. James ka qenë mbrojtës i trupës teatrore të
Shekspirit, kurse të gjitha dramat Shekspiri i ka shkruar gjatë sundimit të
James I. “Makbethi” e pasqyron më së
qarti marrëdhënien e ngushtë të dramaturgut me sovranin. Duke u përqendruar te
Makbethi, një personazh nga historia e Skocisë, Shekspiri i bëri nder mbretit
të vet nga gjaku skocez.
* * *
Titulli burimor i
veprës: “The Tragedy of
Macbeth”; Zhanri: tragjedi; Lloji
i veprës: dramë; Koha dhe vendi i krijimit të veprës:
viti 1606, Angli; Koha e zhvillimit të veprimit: mesjetë, shekulli XI; Vendi
ku zhvillohet veprimi: Skoci dhe Angli; Personazh kryesor:
Makbethi; Kulmi i tragjedisë: Makbethi vritet në dyluftim me Mekdafin; Temat
që shtjellohen në dramë: pushteti i korruptuar i ambicies së shfrenuar,
raporti midis mizorisë dhe burrërisë, dallimi midis sundimit mbretëror dhe
tiranisë.
* * *
Gjenerali i guximshëm skocez Makbeth
merr një profeci nga tri shtriga se një ditë do të bëhet mbret i Skocisë.
Ambicioz dhe i nxitur nga gruaja e vet, Makbethi vret mbretin Dunkan dhe merr
fronin skocez. Pas vrasjes e mundon ndjenja e fajit dhe e përcjell paranoja. Për
të mbrojtur veten prej armiqve dhe dyshimeve i duhet të kryejë sa më shumë
vrasje. Shpejt bëhet një sundimtar tiranik. Gjakderdhja dhe lufta civile e
çojnë Makbethin dhe Zonjën Makbeth në çmenduri dhe vdekje.
Motive të Shekspirit për krijimin e
veprës janë Makbethi, mbreti i Skocisë, Mekdafi dhe Dunkani I, mbreti i Skocisë nga “Kronikat
e Holinshedit” të vitit 1587, historia e Anglisë, e Skocisë dhe e
Irlandës, ndonëse veprimi i veprës dallohet dukshëm nga historia e vërtetë e Makbethit.
Ngjarjet e veprës ndërlidhen me pjesëmarrjen e Henry Garnet* në Komplotin e
Barutit të vitit 1605.
Shënim:
Henri Garnet (Henry Garnet SJ ose Henry
Garnett; Heanor, Mbretëri e
Bashkuar, korrik
1555 – Londër, 3 maj 1606) -
prift jezuit anglez i ekzekutuar për tradhti të lartë, bazuar vetëm në
njohuritë paraprake të Komplotit të
Barutit të vitit 1605.
* * *
Prapa skenave të teatrove botërore
besohet se vepra është e mallkuar. Titulli
i veprës nuk duhet të shqiptohet me zë të lartë, kurse në publik vepra
mban titullin "Shfaqja skoceze".
Gjatë shekujve vepra ka tërhequr disa nga aktorët më të njohur për rolin e
Makbethit dhe të Zonjës Makbeth. Nga kjo vepër janë xhiruar filma, seri
televizive, janë krijuar opera, romane, vizatime dhe mediume të tjera.
Personazhet
Personazhe
kryesore janë Makbethi dhe Zonja Makbeth. Pranë tyre ndodhen edhe tri shtrigat,
mbreti Dunkan, Banko, Mekdafi dhe Malkolmi të cilët përmes tradhtive dhe
hakmarrjes, e krijojnë fatin e Skocisë.
Makbethi
është figurë tragjike i cili ndodhet midis
ambicies dhe ndërgjegjes, kurse Ledi Makbethi është nismëtarja e vrasjeve.
* * *
- Mbreti Dunkan – mbret i Skocisë;
- Malkolmi (Malcolm) – djali i madh i
Dunkanit;
- Donalbaini – djali i vogël i Dunkanit;
- Makbethi – gjeneral i ushtrisë së mbretit
Dunkan; në fillim fisnik i Glamisë, pastaj i Kaudorit (Cawdor) kurse më vonë mbret
i Skocisë;
- Zonja Makbeth – gruaja e Makbethit; më
vonë mbretëreshë e Skocisë;
- Banko (Banquo) – shok i Makbethit dhe
gjeneral i ushtrisë së mbretit Dunkan;
- Fleance – djalë i Bankos;
- Mekdaf (Macduff) – fisnik i Fifes;
- Zonja Mekdaf – grua e Mekdafit;
- Djali i Mekdafit;
- Rosi (Ross),Lenoksi (Lennox), Angus,
Menteith, Kaithnes (Caithness) – fisnikë skocezë;
- Siuardi (Siward) – gjeneral i forcave
angleze;
- Siuardi (Siward) i ri – djali i Siwardit;
- Seyton – armëmbajtës i Makbethit;
- Hikejt (Hecate) – mbretëreshë e shtrigave;
- Tri shtrigat;
- Kapiteni i ushtrisë skoceze;
- Tre vrasës – punonjës të Makbethit;
- Dy vrasës – për vrasjen e Zonjës Mekdaf;
- Portieri – rojtar i shtëpisë së Makbethit;
- Doktori – mjeku i Zonjës Makbeth;
- Doktori – në gjykatë;
- Zonja – truproja e Zonjës Makbeth;
- Patroni – kundër Makbethit;
- Shfaqja e parë – kokë e armatosur;
- Shfaqja e dytë – fëmijë i përgjakur;
- Shfaqja e tretë – fëmijë i kurorëzuar;
- Pjesëmarrës, lajmëtarë, nëpunës,
ushtarë.
* * *
Veprimi - Makbethi dhe Banko takohen me shtrigat për herë të
parë.
Akti i parë - Shfaqja fillon mes bubullimave dhe vetëtimave. Tri shtrigat
kanë vendosur që takimi i tyre i radhës të jetë me Makbethin. Në skenën tjetër,
rreshteri i plagosur i raporton mbretit Dunkan të Skocisë se gjeneralët e tij
Makbethi (bujar i Glamisit) dhe Bankoja, sapo i kanë mundur forcat aleate Norvegjinë
dhe Irlandën, të udhëhequra nga tradhtari Makdonvald dhe bujari i Kaudorit (Cawdor).
Kushëri i mbretit, Makbethi, merr lëvdata për besnikërinë dhe trimërinë e treguar.
Në skenën pasuese, Makbethi dhe Banko flasin
për motin dhe për fitoren e tyre. Ndërsa enden, tri shtrigat shfaqen me
profeci. Edhe pse Banko ishte i pari që pyeti për profecinë, shtrigat ia treguan
së pari Makbethit profecinë. I thanë se do të bëhej zot i Glamisit, i Kaudorit
(Cawdor) dhe në fund edhe mbret i Skocisë. Makbethi mbeti i mahnitur. Kur Banko
pyeti për profecinë e tij, shtrigat iu përgjigjën në mënyrë paradoksale. I
thanë se do të jetë më i lumtur se Makbethi, por jo i suksesshëm si ai. I thanë
se do të krijonte një linjë mbretërish skocezë, edhe pse vetë ai kurrë nuk do
të bëhet mbret. Derisa Makbethi dhe Banko mendojnë për profecitë, shtrigat zhduken. Shfaqet fisniku Ros
për t'ia treguar Makbethit titullin e tij të ri: Zot i Kaudorit (Cawdor) për
arsye se zoti i mëparshëm u vra për tradhti. Me këtë profecia e parë u përmbush.
Makbethi i cili në fillim dyshonte, sakaq
fillon të ushqejë ambicie për t'u bërë mbret.
Mbreti Dunkan i pranon dhe i lëvdon
Makbethin dhe Bankon. Thotë se do ta kalojë natën në kështjellën e Makbethit në
Invernes (Inverness). Njëherazi djalin e tij të madh, Malkolmin e emëron trashëgimtar
të vet. Makbethi i dërgon mesazh gruas
së vet, Zonjës Makbeth, për ta njoftuar për profecitë. Zonja Makbeth kërkon nga
Makbethi që të vrasë mbretin Dunkan dhe të bëhet mbreti i ri i Skocisë. Ishte
planifikuar që Makbethi dhe gruaja e tij t’i dehnin aq shumë dy truprojat e
mbretit sa të mos u kujtohej asgjë nga mbrëmja e kaluar dhe t'i akuzonin ata
për vrasjen e mbretit Dunkan.
Akti i dytë – Derisa mbreti Dunkan ishte në gjumë, Makbethi,
përkundër dilemave dhe halucinacioneve të veta nga kama e përgjakur, ia ngul thikën.
Aq shumë dridhet saqë Zonja Makbeth patjetër ta vrasë. Për të qenë plani i suksesshëm,
i fajëson truprojat e përgjumur të Dunkanit. Kamën e përgjakur ua lë atyre. Herët
në mëngjes, mbërrijnë fisniku skocez Lenoksi dhe fisniku
besnik i Fifeit (Fife), Mekdaf. Portieri e hap derën, ndërsa Makbethi i çon në dhomat e mbretit. Aty Mekdafi
e shpalon trupin e Dunkanit. Djemtë e Dunkanit, Malkolmi dhe Donalbaini, nga frika se vrasësit e Dunkanit
mund t'i vrisnin edhe ata, ikin në Angli dhe në Irlandë. Arratisja e papritur i
bën ata të dyshimtë, kështu që Makbethi, si i afërm i mbretit të vrarë bëhet
mbret i ri i Skocisë. Sakaq, për vrasjen e Dunkanit, Bankoja nisi të dyshojë te
Makbethi, ngase e dinte se profecia e shtrigave tregonte se mbret i ri do të
bëhej ai (Makbethi).
* * *
Në vitin 1854, piktori francez Teodor Kaserio (Théodore Chassériau)
realizon pikturën ”Makbethit i shfaqet
fantazma e Bankos” .
Shënim:
Piktori francez Teodor Kaserio (Théodore
Chassériau) ka lindur më 20 shtator 1819 në Santa Bárbara de Samaná, në
koloninë spanjolle të Saint-Domingue (Republika Dominikane e sotme). Ka vdekur në
Paris më 8 tetor 1856.
* * *
Akti i tretë – Përkundër suksesit, Makbethi, i vetëdijshëm për
profecinë e vet, ndihet i shqetësuar. E fton Bankon në banket mbretëror. Duke
pasur frikë nga dyshimet e Bankos, Makbethi angazhon tre burra për ta vrarë atë
dhe djalin e tij. Vrasësit ia dalin ta vrasin Bankon, por Fleance arrin të ikë.
Makbethi tërbohet. Po qe se trashëgimtari i Bankos mbetet gjallë, ka frikë se
mund ta rrëzojnë nga froni. Në ceremoninë mbretërore Makbethi i fton lordët dhe
Zonjën Makbeth. Fantazma e Bankos hyn dhe ulet në vendin e Makbethit. Ai argëtohej,
por e kishte rrokur frika. E dinte se fantazma ishte e dukshme vetëm për të.
Për shkak të zemërimit dhe frikës së Makbethit, Zonja Makbeth lordët dhe
mysafirët i dëbon nga festa.
Akti i katërt - I shqetësuar, Makbethi i viziton edhe një herë tri
shtrigat për t'ia thënë të vërtetën lidhur me profecitë që kanë të bëjnë me të.
Për t'iu përgjigjur pyetjes, ato thërrasin fantazma të tmerrshme, secila me një
fall dhe me profeci të mëtejshme. Në fallin e
parë, një kokë e armatosur i thotë të qëndrojë larg Mekdafit. Në fallin e
dytë një fëmijë i përgjakur i thotë se
nuk ka qenie që mund t’i bëjë dëm. Në fallin e tretë një fëmijë i kurorëzuar që
mban tre flamuj, i thotë se do të jetë i sigurt derisa Birnam Wood (Pylli
Birnam) të vijë në Kështjellën Dunsinane. Makbeth rri i qetë ngase e di se s’ka
bir nëne që mund t’ia punojë. Makbethi pyet gjithashtu nëse bijtë e Bankos do
të sundojnë ndonjëherë në Skoci. Shtrigat i tregojnë një procesion ku shihen
tetë fëmijë të kurorëzuar që i ngjajnë Bankos. I fundmi mban një pasqyrë ku
shihen akoma më shumë fëmijë të kurorëzuar. Makbeth e kupton se këta janë
trashëgimtarë të Bankos të cilët kanë sunduar disa vende. Me të mësuar Makbethi
se Mekdafi ka ikur në Angli për t'iu bashkuar Malkolmit, urdhëron që Mekdafit t'i
konfiskohet kështjella, kurse zonja Mekdaf dhe fëmijët e saj të vriten.
Akti i pestë - Ndërkohë, Zonja Makbeth ndihet fajtore për vrasjet
e kryera prej saj dhe Makbethit. Natën, në pallatin mbretëror në Dunsinane,
mjeku dhe zonja flasin për shprehinë e çuditshme
të Zonjës Makbeth të ecë në gjumë. Papritmas, Zonja Makbeth, me qiri në dorë
bie në trans. Për shkak të vrasjes së mbretit Dunkan, të Zonjës Mekdaf dhe të Banko,
ajo tenton të lajë gjakun e imagjinuar
nga duart e veta dhe gjatë gjithë kohës flet për të gjitha gjërat e këqija që i
kishin bërë me Makbethin. Zonja Makbeth largohet, kurse mjeku dhe zonja mbeten
të habitur me sjelljen jonormale të Zonjës Makbeth. Mendimi i saj se nuk mund
ta lajë krejt gjakun nga duart e veta bie ndesh me fjalët që ia kishte thënë Makbethit
pas vrasjeve se "me pak ujë mund të
lahen të gjitha veprat tona".
Në Angli, Rosi e njofton Mekdafin se
kështjella e tij është marrë dhe se gruaja dhe fëmijët e tij janë vrarë
brutalisht. Me të dëgjuar lajmin, Mekdafin e pushtojnë ndjenjat e pikëllimit
dhe dëshira për hakmarrje. Djali i Dunkanit, princi Malkolm, e ka forcuar ushtrinë
angleze. Mekdafi vendos t'i bashkohet për ta sulmuar Skocinë dhe për t’i sfiduar
forcat e Makbethit. Invadimi mbështetet nga fisnikët skocezë, të cilëve u ka hyrë
frika nga sjellja e çmendur e Makbethit. Malkolmi i prin ushtrisë, bashkë me Mekdafin
dhe anglezin Siuardi Plak (Siward the Elder), Kont i Northumberlandit, kundër kështjellës
Dunsinane.
Përpara se të mbërrinin kundërshtarët e
Makbethit, ai merr lajmin se Zonja Makbeth ka vrarë veten. Si rrjedhojë, Makbethin
e përshkon dëshpërimi. E shqipton monologun e tij "Dhe nesër, dhe nesër, dhe nesër". Edhe pse është i
dëshpëruar dhe i pikëlluar për vetëvrasjen e gruas së tij, Malkolmin
dhe Mekdafin i pret me trimëri. Më vonë Makbethi mëson se ushtria angleze e sulmon kështjellën
Dunsinane, të mbrojtur nga degët e prera nga Pylli Birnam (Birnam Forest).
Pylli Birnam (Birnam Forest) vërtet vjen në kështjellën Dunsinane, duke
përmbushur gjysmën e profecisë së shtrigave. Si pasojë, Makbethit i hyjnë ethet
e frikës.
Beteja bazohet në përleshjen e Mekdafit me
Makbethin, i cili gjatë përleshjeve e vret Siuardin e Ri (Young Siward). Forcat
angleze e pushtojnë kështjellën e tij dhe mposhtin ushtrinë e tij. Makbethi nuk
i frikohet Mekdafit ngase nuk ka bir nëne që mund t’i dalë para. Thotë se nuk
ka lindur nga nëna, por "është
nxjerrë me forcë nga barku i nënës.”
Edhe pse Makbethi e kuptoi se ndodhet buzë greminës, ai vazhdon të luftojë. Më
në fund Mekdafi e vret dhe ia pret kokën, duke përmbushur profecinë e fundit.
Malkolmi, tani mbret i Skocisë, i tregon
qëllimet e tij të mira për vendin. I fton të gjithë të vijnë në qytetin Skone
(Scone) për ta parë të kurorëzuar.
Bestytnia dhe
"Shfaqja skoceze" (Scottish Play)
- Edhe pse sot ka shumë të tillë që thonë se problemet gjatë shfaqjeve nuk janë
veçse rastësi, ka aktorë që besojnë se fatkeqësi në skenë sjell vetëm përmendja
e Makbethit. Për këtë arsye, shfaqja brenda teatrit është quajtur "Shfaqje skoceze", kurse
Makbethin dhe Zonjën Makbeth i kanë quajtur "z. M" dhe "z-nja
M" dhe herë-herë edhe "Mbreti i
Skocisë".
Kjo ndodh ngase Shekspiri apo regjisori i
shfaqjes i ka përdorur magjitë e vërteta të shtrigave. Kjo ka ndikuar që shtrigat
ta mallkojnë shfaqjen. Për këtë arsye besohet se përmendja e Makbethit me zë të
lartë gjatë shfaqjes mund të shkaktojë vdekjen e ndonjë aktori dhe dështimin e shfaqjes. Për fatkeqësitë e
ndodhura, përfshi edhe një vdekje që ka ndodhur gjatë një shfaqjeje të “Makbethit”, ka lloj-lloj interpretimesh.
Ka pasur të tillë që kanë besuar se trazirat në Astor Place kanë shpërthyer mu për
shkak të mallkimit.















