Xhelal Zejneli: Shqipëria është vend demokratik dhe jo tiranik
SHQIPËRIA ËSHTË VEND DEMOKRATIK DHE JO TIRANIK

Më 27 prill të vitit 2026, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO) në
Tiranë, u paraqit Ilir Meta. Ish-presidenti i cili gati dy vjet ndodhet në paraburgim, u shfaq
dukshëm i dobësuar dhe me shenja lodhjeje.
Në vitet 2017-2022
Ilir Meta ka qenë kryetar i Shqipërisë. Në vitet 1999-2002 ka qenë kryeministër
i Shqipërisë. Në vitet 2013-2017 ka qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ka qenë zëvendëskryeministër, ministër për Evropën dhe për Punë të Jashtme dhe ministër i
Ekonomisë, i Tregtisë dhe i Energjetikës. Ka mbajtur
kryesinë e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian. Në vitin 2004 themeloi Lëvizjen
Socialiste për Integrim (LSI). Kryetar i Partisë së Lirisë.
* * *
Pamja
e Metës në sallën e gjykatës më 27 prill të vitit në vazhdim, në një pjesë të
publikut shkaktoi shqetësim. Ish-kryetari i shtetit shqiptar nuk është as
kriminel, as vrasës, as terrorist. Gati dy vjet qëndron në qeli. Askush s’ka të
drejtë morale të flas për dukjen e Metës. Askush s’ka të drejtë të komentojë se
si dukej ish-kryetari i shtetit. Pamja e tij trazoi ndërgjegjen e shumë
njerëzve humanë. Shqipëria është vend me sistem demokratik. Shqipëria nuk është
Kore e Veriut apo vend latino-amerikan. Shqipëria është vend evropian, anëtare
e NATO-s dhe synon integrimin në Bashkimin Evropian. Në botën demokratike, edhe
krimineli, edhe vrasësi, edhe terroristi trajtohen apo duhet të trajtohen në
mënyrë të njerëzishme, humane. Shteti dhe institucionet e tij s’mund të jenë
dhe s’mund të sillen e të veprojnë si kriminelë, si vrasës apo si terroristë.
Meta s’është kriminel, as vrasës, as terrorist. Ish-kryetari i shtetit duhet të
trajtohet në burg në mënyrë humane, të njerëzishme. Përgjegjësi për gjendjen
shqetësuese të tij duhet të mbajnë
Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme. Për gjendjen e
ish-kryeministrit duhet të brengosen gjykatat, organet e gjyqësisë, organet e
burgut. Shqiptarët janë popull evropian, ndaj nuk mund të lejojnë një degradim
shqetësues të të burgosurve. Nuk jemi në mesjetë, jemi në shekullin XXI.
Trajtimi human i të burgosurve nuk vlen vetëm për ish-kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë. S’ka dyshim se të
gjithë të burgosurit duhet të kenë trajtim të njëjtë. Para veprimeve anakronike
të gjyqësisë dhe të burgjeve, shoqëria shqiptare nuk duhet të rijë duarkryq,
nuk duhet të jetë indiferente apo indolente. A ka Shqipëria Avokat Populli? A
është diku ai që quhet Komitet i Helsinkit?! A janë gjallë shoqatat e mbrojtjes
së të drejtave të njeriut? Forumet e pavarura nuk duhet të jenë vegla dhe instrumente
të shtetit, të qeverive, të qeveritarëve, të pushteteve, të pushtetarëve, të
oligarkëve, të bosëve. Edhe i privuari nga liria është njeri. Edhe i arrestuari
ka integritet dhe dinjitet. Askush s’ka të drejtë ta cenojë dinjitetin dhe
integritetin e personit të prangosur. Aq më tepër shteti. Burgu duhet t’u
sigurojë të arrestuarve, të akuzuarve, të pandehurve dhe të dënuarve kushte
normale për vuajtjen e dënimit apo për kryerjen e hetuesisë. ndryshe, burgjet
do të na i përkujtojnë zandanët e kohëve obskurantiste. Askund nuk është parë
një proces gjyqësor të zgjasë me vite. Faji i dikujt duhet të konstatohet
brenda gjashtë muajve. Pas kësaj, i pandehuri ose lirohet si i pafajshëm, ose
dënohet. Pasi të dënohet, fillon në burg faza dhe procesi i risocializimit të
të dënuarit. Në është i ri, i jepet në burg ose zanat, ose shkollë që kur të
përfundojë vuajtjen e dënimit, të mund të integrohet në shoqëri. Pamja dhe
dukja e Ilirit na përkujton Burrelin dhe Spaçin. Do të ishte mirë që Meta t’i
nënshtrohet një kontrolli mjekësor të hollësishëm dhe profesional, jashtë
hapësirave të burgut. Të kontrollohet nga mjekët specialistë sa s’është bërë
vonë.
Ç’është kjo marrëzi që ish-kryetarin e shtetit ta sjellin
në gjykatë në kafaz prej qelqi?! Kush është ai
që i frikohet njeriut duarlidhur, të rrethuar nga policë e gardianë?! Kush
është që mendon se ka të drejtë ta degradojë personalitetin e individit, para bashkëshortes
apo ish-bashkëshortes, para fëmijëve, para prindërve, shokëve, farefisit,
ish-kolegëve. Ku mund të ikë e të arratiset një 57-vjeçar, baba i te fëmijëve?
Mbase edhe me shëndet të rënduar?! Ata që ia kanë caktuar Metës apo edhe të
paraburgosurve të tjerë kafazin e qelqtë, duhet të mbajnë përgjegjësi. A thua
prej kujt kanë marrë një sugjerim apo urdhër të tillë? Kafaze qelqi nuk janë
përdorur as në Procesin e Nurembergut të viti 1946 ndaj krerëve nazistë të
Luftës II Botërore.
Po qe
se një proces gjyqësor zvarritet apo prolongohet pafundësisht, atëherë ai
rrezikon të shndërrohet në proces politik.
Çdokush
duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e paligjshme, por gjithmonë duke
respektuar dinjitetin dhe integritetin e individit.







