Ilir Muharremi: Sislej Xhafa në jubileun e Les Moulins
Sislej Xhafa në jubileun e Les Moulins, dekonstruktimi i pushtetit dhe poetika e kujtesës në artin bashkëkohor

Një
nga qendrat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Evropë, Les Moulins,
pjesë e "GALLERIA CONTINUA", shënon këtë vit 20-vjetorin e themelimit
me një program të pasur ekspozitash, instalacionesh dhe aktivitetesh kulturore
që sjellin në një vend artistë me ndikim të madh në skenën ndërkombëtare. Që u
prezantuan me 31 maj. E vendosur në Boissy-le-Châtel, pranë Parisit, kjo
hapësirë artistike lindi nga transformimi i një ish-kompleksi industrial në një
qendër kushtuar krijimtarisë bashkëkohore. Gjatë dy dekadave të fundit, Les
Moulins është shndërruar në një pikë referimi për artin eksperimental,
projektet monumentale dhe dialogun ndërkombëtar mes artistëve dhe publikut.
Programi jubile përfshin pjesëmarrjen e shumë figurave të njohura të artit
bashkëkohor, ndër ta Daniel Buren, Anish Kapoor dhe Sislej Xhafa, vepra e të
cilëve ka kontribuar në identitetin artistik të këtij institucioni përgjatë
viteve.
Prania
e Sislej Xhafa në këtë jubile ka një rëndësi të veçantë edhe për artin shqiptar
dhe atë kosovar. Me një karrierë të ndërtuar në institucionet më prestigjioze
të artit bashkëkohor në botë, ai vazhdon të jetë ndër artistët më të njohur
ndërkombëtarisht me origjinë nga Kosova, duke prezantuar vepra që trajtojnë
tema si identiteti, migrimi, kufijtë dhe realitetet sociale.
Gjatë
njëzet viteve të veprimtarisë së saj, Les Moulins nuk është kufizuar vetëm në
organizimin e ekspozitave. Institucioni ka zhvilluar rezidenca artistike,
projekte kërkimore, programe edukative dhe bashkëpunime ndërkombëtare që kanë
krijuar ura komunikimi mes artistëve, studiuesve dhe publikut.
Festimi
i këtij përvjetori përfaqëson jo vetëm një reflektim mbi historinë e Les
Moulins, por edhe një vizion për të ardhmen e artit bashkëkohor. Përmes veprave
monumentale, instalacioneve dhe programeve publike, jubileu riafirmon misionin
e GALLERIA CONTINUA për ta bërë artin një hapësirë dialogu, eksperimentimi dhe
bashkëpunimi ndërkombëtar. Pas dy dekadash aktiviteti, Les Moulins mbetet një
nga modelet më të suksesshme evropiane të transformimit të trashëgimisë
industriale në një qendër të gjallë të kulturës, duke vazhduar të tërheqë
artistë, kuratorë dhe vizitorë nga e gjithë bota. Në këtë ekspozië Sislej Xhafa
prezantohet me dy punime: Vepra "Silvio", 2010 është figura
monumentale e Silvio Berlusconit. Vepra paraqet një bust monumental të ish-kryeministrit
italian Silvio Berlusconi. Figura është modeluar si një lloj Bude medituese ,
me fytyrë të ngrysur dhe autoritare. Edhe pse pamja është monumentale dhe
imponuese, e gjithë skulptura është ndërtuar nga rëra mbi një bërthamë
polistireni, duke e bërë materialisht të brishtë. "Në konceptimin e një
figure monumentale të Silvio Berlusconit, imagjinata ime u rrëmbye nga fuqia e
shkretëtirës dhe bukuria e rërës... gjiganti 'Silvio' forcon marrëdhënien e
spektatorit me pushtetin politik.", ka deklaruar Xhafa. Kur ai thotë:
"imagjinata ime u rrëmbye nga fuqia e shkretëtirës dhe bukuria e
rërës", rëra nuk është zgjedhur thjesht si material skulpturor. Ajo
përfaqëson një substancë paradoksale: është vizualisht madhështore, por
fizikisht e paqëndrueshme. Në shkretëtirë, rëra krijon peizazhe monumentale që
ndryshojnë vazhdimisht nga era. Duke e ndërtuar figurën e një politikani nga
rëra, Xhafa sugjeron se edhe pushteti më imponues mbështetet mbi një materie të
përkohshme dhe të cenueshme. Monumenti fiton madhështi përmes formës, por e
humbet pretendimin për përjetësi përmes materialit. Ky kontrast përbën boshtin
konceptual të veprës. Shprehja "gjiganti 'Silvio'" nuk duhet kuptuar
vetëm si referencë ndaj përmasave fizike të skulpturës. Ajo i referohet edhe
përmasës simbolike të figurës së Silvio Berlusconi në kulturën politike
italiane. Skulptura e shndërron një figurë reale politike në një ikonë
monumentale, duke e vendosur në kufirin ndërmjet monumentit heroik dhe satirës.
Monumentaliteti nuk funksionon si glorifikim, por si një strategji që e bën
edhe më të dukshme kontradiktën ndërmjet fuqisë së dukshme dhe brishtësisë së
saj materiale. Në këtë kuptim, Silvio nuk është thjesht një portret i
Berlusconit; është një reflektim mbi mënyrën se si pushteti ndërton imazhin e
vet monumental dhe mbi faktin se, pavarësisht pretendimit për qëndrueshmëri, ai
mbetet po aq i brishtë sa rëra nga e cila është modeluar figura.
Nuk
funksionon si një portret realist i destinuar të përjetësojë një figurë
historike, por si një dekonstruktim kritik i ikonografisë së pushtetit politik.
Duke e zmadhuar trupin përtej përmasave njerëzore, Sislej Xhafa e zhvendos
veprën nga tradita e monumentit heroik drejt një reflektimi mbi mënyrën se si
pushteti prodhon imazhe, mite dhe mekanizma simbolikë të dominimit. Përmasa
kolosale nuk glorifikon individin, përkundrazi, ajo e ekspozon disproporcionin
ndërmjet figurës politike dhe qytetarit të zakonshëm, duke e bërë shikuesin të
përjetojë fizikisht asimetrinë e pushtetit. Zgjedhja e Berlusconit nuk është
rastësore. Ai përfaqëson një nga figurat më komplekse të politikës evropiane të
dekadave të fundit, ku kufijtë ndërmjet politikës, kapitalit, medias dhe
spektaklit publik janë bërë gjithnjë e më të paqartë. Në këtë kontekst,
skulptura nuk flet vetëm për një individ, por për një model të ushtrimit të
pushtetit në shoqërinë bashkëkohore, ku autoriteti ndërtohet po aq nga
kontrolli i imazhit sa edhe nga kontrolli institucional. Xhafa nuk merret me
biografinë personale të Berlusconit, por me statusin e tij si simbol kulturor
dhe politik. Estetikisht, vepra ndërton një tension të vazhdueshëm ndërmjet
realizmit figurativ. Fytyra ruan tiparet karakteristike, por përmasat e saj e
largojnë portretin nga çdo funksion memorial. Shprehja e ngrirë, vështrimi i ftohtë
dhe mungesa e çdo dinamike emocionale krijojnë një figurë pothuajse
impersonale, ku individualiteti zëvendësohet nga abstraksioni i autoritetit.
Pikërisht kjo ambiguitet e bën veprën të fuqishme: ajo nuk kërkon admirim, por
nxit shqetësim dhe reflektim kritik.
Raporti
ndërmjet skulpturës dhe publikut është thelbësor për kuptimin e saj. Vizitorët,
të vendosur në këmbët e figurës gjigante, bëhen pjesë e kompozimit vizual. Ata
nuk e shikojnë vetëm veprën, ata përfshihen në një marrëdhënie fizike me të, ku
dimensioni monumental prodhon një ndjenjë të vogëlsisë dhe ekspozimit. Në këtë
mënyrë, përvoja estetike shndërrohet në përvojë politike. Pushteti nuk
paraqitet si koncept abstrakt, por si një realitet që përjetohet në raportin
ndërmjet trupit individual dhe strukturave dominuese.Vendosja e veprës në
hapësirën industriale të Les Moulins e zgjeron më tej leximin kritik.
Arkitektura e ish-fabrikës, e lidhur historikisht me punën, prodhimin dhe
kapitalin industrial, krijon një dialog me figurën e Berlusconit, e cila evokon
kapitalizmin mediatik dhe transformimet e pushtetit në epokën neoliberale.
Kështu, hapësira nuk mbetet një sfond neutral, por bëhet pjesë e narrativës
konceptuale të veprës.
Në
planin filozofik, skulptura trajton marrëdhënien ndërmjet individit dhe
aparatit simbolik të pushtetit. Ajo sugjeron se autoriteti nuk mbështetet vetëm
në institucionet politike, por edhe në prodhimin e imazheve që ndikojnë
perceptimin kolektiv. Kjo ide lidhet me teoritë bashkëkohore mbi shoqërinë e
spektaklit dhe kulturën vizuale, ku figura publike fiton një prani që tejkalon
dimensionin politik dhe bëhet pjesë e imagjinatës kolektive.Në praktikën
artistike të Sislej Xhafës, kritika nuk ndërtohet përmes deklarimeve të
drejtpërdrejta, por përmes paradoksit vizual. Duke përdorur gjuhën formale të
monumentit një gjuhë tradicionalisht e lidhur me lavdërimin e pushtetit ai
arrin të prodhojë efektin e kundërt, monumenti nuk legjitimon autoritetin, por
e vë atë në pikëpyetje. Kjo përmbysje e funksionit tradicional të monumentit e
vendos veprën në traditën e artit kritik bashkëkohor, ku skulptura nuk shërben
për të ruajtur kujtesën zyrtare, por për ta sfiduar atë dhe për të nxitur një
reflektim të thellë mbi mekanizmat e pushtetit, përfaqësimit dhe përgjegjësisë
politike.
Vepra
e dytë "Relaxing Duplicity", 2006 e Xhfës operon në një regjistër
krejt tjetër formal. Vepra përbëhet nga pesë objekte qeramike të vendosura mbi
një tavolinë me sipërfaqe pasqyre. Reflektimi i pasqyrës shumëfishon objektet
dhe i bën ato të perceptohen njëkohësisht si forma reale dhe si imazhe të
dyfishta. Megjithatë, vetë titulli Relaxing Duplicity ("Dyfytyrësia e
qetësuar" ose "Dyfishësia e relaksuar") dhe përdorimi i
sipërfaqes pasqyruese krijojnë një marrëdhënie midis objektit dhe reflektimit
të tij, duke aktivizuar temat e dyfishimit, reflektimit, identitetit të
shumëfishtë, dhe paqartësisë midis origjinalit dhe imazhit të tij. Tavolina,
tradicionalisht simbol i bashkësisë, mikpritjes dhe komunikimit familjar,
paraqitet këtu si një hapësirë ku mungon prania njerëzore. Objektet e
porcelanit nuk funksionojnë më si enë përdorimi, por si forma që mbajnë gjurmët
e mungesës. Ato duken njëkohësisht të njohura dhe të çuditshme, duke krijuar
një ndjesi pezullimi ndërmjet funksionit praktik dhe statusit të tyre si objekte
artistike. Pasqyra e zezë e tavolinës shton një shtresë të rëndësishme
semantike. Reflektimi nuk prodhon vetëm imazhin e objekteve, por krijon një
hapësirë të dyfishtë ku realiteti dhe iluzioni bashkëjetojnë. Në këtë aspekt,
sipërfaqja e errët mund të lexohet si metaforë e kujtesës, e historisë ose e
ndërgjegjes kolektive, ku objektet nuk paraqiten vetëm si sende materiale, por
si bartëse të përvojës njerëzore. Minimalizmi formal rrit idenë konceptuale.
Përkundrazi, reduktimi i elementeve e zhvendos vëmendjen te marrëdhëniet
ndërmjet tyre. Heshtja vizuale bëhet pjesë e gjuhës së veprës. Mungesa e
figurës njerëzore është po aq domethënëse sa prania e objekteve, sepse e bën
shikuesin të projektojë përvojat dhe kujtesën e vet mbi skenën. Në planin
filozofik, kjo vepër trajton tensionin ndërmjet funksionit dhe simbolit.
Objekti i përditshëm humbet përdorimin praktik dhe fiton një identitet të ri
estetik e konceptual. Ky transformim është karakteristik për praktikën e Sislej
Xhafës, ku sendet e zakonshme çlirohen nga funksioni utilitar për t'u bërë
mjete reflektimi mbi identitetin, kujtesën, migrimin dhe marrëdhëniet sociale.
Edhe
pse formalisht të ndryshme, të dyja veprat ndërtojnë një dialog të përbashkët
mbi marrëdhëniet e njeriut me strukturat që organizojnë jetën shoqërore. Në
njërën anë, monumentaliteti materializon autoritetin dhe mekanizmat e pushtetit
, në anën tjetër, objekti i zakonshëm shndërrohet në metaforë të mungesës,
kujtesës dhe komunikimit të ndërprerë. Ky kontrast ndërmjet spektaklit monumental
dhe heshtjes minimale përfaqëson një nga tiparet më të rëndësishme të praktikës
artistike të Sislej Xhafës, ku forma nuk synon të imponojë një kuptim të vetëm,
por të krijojë një hapësirë interpretimi kritik mbi kushtin njerëzor,
institucionet dhe kompleksitetin e përvojës bashkëkohore.
Ekspozita
do të jetë e hapur deri më 20 dhjetor.






