Hamza Halabaku: Te varri i Zejnullah Halilit

1h më parë

TE VARRI I ZEJNULLAH HALILIT*

Nga Hamza Halabaku

Verën që e lamë pas, pikërisht në gusht të vitit 2016, isha në “Gurinë” të mikut tim, Zejnullah Halilit. Që në Prishtinë isha pajisur me një tufë lulesh që t’ia lija Zejnës mbi varrin e tij.

Gushti i vitit që përmenda, nuk ishte ndonjë përvjetor i ndarjes së Zejnës nga ne, apo i shkuarjes së tij në amshim. Po unë, si mik që e kisha Zejnën, ia kam borxh që sa herë të jem në Kosovë, apo të pak­tën një herë në vit të jem për pak çaste pranë varrit të tij. Është njerëzore, apo jo!?

Kisha dëgjuar e lexuar se një dorë e keqe e kishte thyer varrin e Zejnës!

Nuk u kisha besuar as lajmeve të gazetave e as fjalëve që më kishin treguar njerëzit për atë shëmti që e kishte bërë një dorë e keqe.

Kur arrita te “Gurina”, si e quante Zejna ven­din ku është varrosur, e pashë me sytë e mi shëmtinë!

Ndodhem pranë varrit të Zejnës së madh, da­sha­mirit të letërsisë, krijuesit të mrekullueshëm të letër­sisë, në përgjithësi, dhe në veçanti asaj për fëmijë. Pranë varrit të mikut më të mirë të të gjithë fëmijëve, të njeriut më të dashur, më njerëzor, më të padja­llëzuar, më të sinqertë e më të ngrohtë nga të gjithë ata që i njoha, shikoj atë shëmti të asaj dore të ligë dhe pyes veten: Kush ishte ai apo ata që patën punë me varrin e Zejnës së urtë e të sjellshëm tej mase me të gjithë?!

Një gurë varri ku shkruante:

Zot, bekoje shpirtin e tij. Zot fali dritë!

Gurë të bërë copë-copë!

Zejnës i lashë lulet te koka dhe i fola: “Ti, miku im i shtrenjtë, pusho i qetë! Atje ku je! Besoj, e ke më mirë se ne këtu! Është e shëmtuar të shohësh e të dëgjosh çka po ndodh mbi tokën tonë! Një dorë e shëmtuar është përpjekur që ta shëmtojë varrin tënd. Po, ai që e bëri këtë nuk e di se ai të ka lartësuar edhe më shumë! Ti do të jesh edhe më i lavdëruar dhe shumë më afër të madhit Zot. Ai, Zoti pra, Ty do të të vendosë në vendin më të mirë të asaj bote, sepse Ti atë e meriton. Po kush tjetër mund ta dijë se ku do të të vendosë, i madhi Zot, përveç atij vetë!

Këta që thyejnë gurë varresh, nuk dinë se ç’bëjnë! Të lutem, mos u dëshpëro, se duar të këqija, të thata e pa ndjenja, si dhe koka të boshatisura, kishte dhe do të ketë në mesin tonë, të cilët edhe mund të mos e kenë ditur se çfarë vlera ke pasur dhe ke lënë Ti!

Kur e kam marrë vesh ndarjen tënde nga kjo botë, kam ndier dhembje të madhe, po edhe një kre­nari që të kam pasur mik. Mik, pa lajka e pa djallëzi, mik të sinqertë e të pastër në mendje e në zemër”.

Duke u larguar nga “Gurina” e Zejnës, me­ndo­ja se njëra nga shkollat e fshatrave të asaj ane mund të mbante me krenari emrin e Zejnullah Halilit. Atje Zejna mblodhi eshkë për të bërë dritë për atë anë të Karadakut, atje e takoi shitësen flokartë, takoi borë­bardhat, nga atje nisi udhën kah agu, këputi mollëkuqen dhe shkroi për Luleshqiponjën.

Emrin e Zejnullah Halilit me nder do ta mba­nte edhe ndonjëra nga rrugët, shkollat apo çerdhet e Gjilanit. Kjo do të ishte një mrekulli, por, ndonëse kaluan dymbëdhjetë vjet pa praninë fizike të Zejnës në këtë botë, kjo mrekulli nuk ndodhi, as në rrethinën e vendlindjes së tij, as në Gjilan e as në Prishtinë.

Këtë nuk munda t’ia thosha mikut tim te varri. Nuk munda t’i tregoja se gjatë kësaj dekade pa Zejnën kanë ndodhur gjëra të tjera, që janë për keqardhje. Në Kosovën tonë, që brezi ynë e donte aq shumë, është shtuar numri i komunave. Nga njëzet e dy, sa i kishim, janë bërë tridhjetë e shtatë! Komunë është bërë Kllokti, Graçanica, Ranilluku...! Thuaja nuk ka mbetur vend­banim i serbëve pa u bërë komunë dhe udhëheqësit e atyre komunave nuk ua varin fare qeveritarëve tanë!

Por, as në disa komuna shqiptare punët nuk shkojnë mirë. Disa kryetarë komunash janë të dënuar me burgim, por pozitën e kryetarit nuk e lëshojnë. Ka edhe kryetarë komunash që, kur dënohen, ikin nga vendi.

Kosova jonë ka një kabinet qeveritar shumë të madh, me ministra e zëvendësministra, të cilët më shumë përmenden në opinion për të keq se për të mirë. Kosova tani ka shumë njerëz që kanë shkollë, por jo edhe dije. Për disa tani është lehtësuar shumë puna e ngritjes akademike, mund të marrësh diplomë të çfarëdo niveli shkollimi, sikur ta blesh një pako cigare. Mjafton të bëhesh ministër, zëvendësministër, deputet, apo vetëm të rreshtohesh pas të fortëve dhe pastaj mund të pasojnë diplomat që i do, të shkollës së mesme, të fakultetit, magjistraturës e doktoratës. Nje­rëz me këso diplomash kanë zënë pozitat kryesore kudo në pushtet dhe në shoqëri. Ata madje u mbajnë ligjërata edhe studentëve të rinj.

Kemi qeveri të korruptuar, me një admini­stratë sakate, shëndetësi për faqe të zezë, shkollim për faqe të galme.

Tani këtu shahen edhe figurat më të ndritshme kombëtare, me të cilat ne krenoheshim!

Atë që e donte brezi ynë, o miku im i shtrenjtë, nuk e kemi ende. Nuk e di, po më beso se shpeshherë ta kam lakmi! Shpresoj se shpejt do të takohemi!

Pusho i qetë në Gurinën tënde, miku im i shtrenjtë! Të urtit t’i dinë vlerat, e për të tjerët...

*Hamza Halabaku: “Rrjedhë motesh, Takimi, kujtime, ditar...  Prishtinë, 2017 ,fq. 169