Dom Fran Sopi: Kalvari i ndërtimit të Kishës në Dobërdol të Klinës
KALVARI I NDËRTIMIT TË KISHËS SË “TË NGRITURIT E ZOJËS NË QIELL” NË DOBËRDOL KLINËS

Shkruan:
Dom Fran Sopi
Ndërtimi
i Kishës së “Të Ngriturit e Zojës në Qiell” që në këtë trevë më rrethinë më
konkret njihet edhe si Kisha “Zojës e Berishës” në Dobërdol të Klinës përbën
një nga ato ngjarje të historisë sonë kishtare dhe kombëtare që nuk mund të
shpjegohen vetëm përmes kronologjisë së punimeve, dokumentacionit administrativ
apo përmasave arkitekturore të objektit.
Historia
e saj është, para së gjithash, historia e një kalvari të gjatë shpirtëror,
shoqëror dhe politik, nëpër të cilin kaloi një bashkësi besimtarësh që kërkonte
të drejtën themelore për ta shprehur lirisht fenë e vet dhe për ta pasur pranë
një shtëpi lutjeje.
Kjo
kishë nuk filloi të ndërtohej në çastin kur u hapën themelet e saj, por ajo
kishte nisur të ngritej shumë më herët në ndërgjegjen e besimtarëve, në mallin
e të moshuarve për Meshën e Shenjtë, në dëshirën e prindërve që fëmijët e tyre
të edukoheshin në frymën e Ungjillit dhe në përkushtimin e një bashkësie që nuk
dëshironte ta humbiste lidhjen me traditën e vet fetare, kulturore dhe
kombëtare. Para se të bëhej tempull prej guri, ajo ishte një tempull i
padukshëm në zemrat e njerëzve.
Nevoja
për ndërtimin e saj buronte nga rrethanat konkrete të jetës së besimtarëve të
famullisë së Klinës, pikërisht nga besimtarët katolikë të Qabiqit, Dobërdolit,
Gjurgjevikut të Madh, Pogragjes dhe të fshatrave përreth. Largësia nga qendra
famullitare, vështirësitë e udhëtimit, mungesa e infrastrukturës dhe trysnia
politike e kohës ua vështirësonin pjesëmarrjen e rregullt në jetën liturgjike
dhe sakramentale. Për këtë arsye, ndërtimi i një kishe nuk ishte as kërkesë
luksi dhe as dëshirë për të ngritur një monument të jashtëm. Ai përbënte një nevojë
baritore, shpirtërore dhe kulturore. Bashkësia kishte nevojë për një vend ku të
kremtohej Mesha, ku fëmijët të mësonin të vërtetat e fesë, ku familjet të
kërkonin bekimin e Hyjit dhe ku të vdekurit të përcilleshin me lutje drejt
amshimit.
Mirëpo,
ideja për ngritjen e kësaj kishe lindi dhe u zhvillua në një periudhë kur
regjimi komunist e shihte fenë katolike me mosbesim dhe armiqësi. Ideologjia
zyrtare synonte ta largonte Hyjin nga jeta publike dhe ta kufizonte
veprimtarinë fetare brenda një hapësire sa më të ngushtë. Në këtë këndvështrim,
çdo përpjekje për ndërtimin e një objekti kishtar trajtohej jo vetëm si çështje
urbanistike, por edhe si çështje politike dhe ideologjike.
Përfaqësuesit
e regjimit komunist të Klinës përfshirë edhe disa shqipfolës të vënë në shërbim
të tij, e kuptonin se Kisha Katolike nuk ishte vetëm një institucion fetar, por
kishte qenë ndër shekuj ruajtëse e gjuhës, e kulturës, e kujtesës historike dhe
e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Në një popull që kishte kaluar nëpër pushtime,
ndalime dhe përndjekje të vazhdueshme, Kisha kishte mbetur një nga hapësirat ku
njeriu mësonte se ndërgjegjja nuk është pronë e pushtetit dhe se dinjiteti
njerëzor nuk mund të përcaktohet nga ideologjia e radhës. Pikërisht për këtë
arsye, ndërtimi i saj shihej nga disa struktura të sistemit si rrezik për
kontrollin ideologjik të shoqërisë.
Përballë
kërkesës së besimtarëve të trevës së Llapushës nuk u shfaq vetëm një pengesë
teknike. U ngrit një mur i hekurt administrativ dhe politik në komunen e Klinës.
Vendimet ndaluese, refuzimet, vonesat dhe kërkesat e përsëritura u bënë pjesë e
përditshme e këtij kalvari. Në vend që kërkesa për një shtëpi lutjeje të
trajtohej si një e drejtë e ligjshme e qytetarëve, ajo u shoqërua me dyshime,
etiketime dhe akuza. Kisha dhe përfaqësuesit e saj paraqiteshin si bartës të
nacionalizmit, separatizmit dhe veprimtarisë armiqësore, ndonëse misioni i tyre
ishte fetar, kulturor dhe human.
Akuza
të tilla dëshmonin natyrën e sistemit të atëhershëm. Çdo formë e ndërgjegjes që
nuk kontrollohej plotësisht nga partia konsiderohej e dyshimtë. Feja Katolike
ndër shqiptarë shihej si pengesë për krijimin e njeriut ideologjik, ndërsa
meshtari, i cili qëndronte pranë popullit dhe mbronte të drejtën e tij për liri
shpirtërore, paraqitej si armik i rendit. Në të vërtetë, kundërshtimi ndaj
ndërtimit të kishës ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta zvogëluar
ndikimin e fesë dhe për ta dobësuar rolin kulturor e shoqëror të Kishës në
mesin e shqiptarëve.
Në
këtë rrethanë merr kuptim të veçantë fjala e Krishtit: “Nëse bota ju urren,
dijeni se para jush më urreu mua.” Kjo thënie nuk duhet kuptuar si thirrje
për konflikt me botën, por si paralajmërim se e vërteta dhe ndërgjegjja shpesh
përballen me kundërshtime. Ndërtuesit e kishës nuk kërkonin të luftonin askënd.
Ata kërkonin vetëm të drejtën për ta adhuruar Hyjin, për t’i edukuar fëmijët e
tyre në besim dhe për ta ruajtur identitetin e vet shpirtëror.
Një
nga pengesat më të rënda ishte vendimi i autoriteteve komunale të Klinës për ta
ndaluar ndërtimin. Për besimtarët, ky vendim nuk ishte vetëm një shkresë
administrative. Ai përbënte një goditje ndaj shpresës së tyre dhe një përpjekje
për t’ua mohuar një të drejtë themelore. Ata kishin filluar të organizoheshin,
të mblidhnin ndihma dhe të mendonin për ndërtimin, ndërsa papritur u përballën
me një refuzim të prerë.
Këtu
filloi një nga pjesët më të mundimshme të kalvarit: ecja nga një zyrë në
tjetrën, paraqitja e kërkesave, pritja e përgjigjeve, përballja me heshtjen institucionale
dhe shpresa se e drejta juridike do të dëgjohej. Përballë këtij sistemi nuk u
zgjodh dhuna, por rruga ligjore. U paraqitën ankesa dhe u kërkua ndërhyrja e
instancave më të larta. Ky veprim ishte dëshmi e një qëndrimi të pjekur qytetar
dhe baritor: Kisha nuk kërkonte privilegje, por drejtësi.
Në
këtë proces u dëshmua edhe urtia e fjalës së Krishtit: “Jini të mençur porsi
gjarpërinjtë dhe të pafajshëm porsi pëllumbat.” Besimi duhej ruajtur i
pastër, ndërsa veprimi duhej të ishte i matur. Qëllimi nuk ishte krijimi i
konfliktit, por hapja e rrugës për realizimin e një të drejte të ligjshme. Kjo
ishte një betejë e ndërgjegjes dhe jo një përplasje e dhunshme.
Fillimisht,
kërkesa u paraqit për ngritjen e një kapeleje të vogël në varreza. Leja e
kufizuar për një objekt me përmasa të vogla ishte shumë më pak sesa nevoja
reale e bashkësisë, por për besimtarët ajo u bë një fillim shprese. Ashtu si
kokrra e sinapit, e cila, sipas Ungjillit, është e vogël, por rritet dhe bëhet
strehë, edhe kjo leje e kufizuar përmbante brenda saj mundësinë e një vepre më
të madhe.
Pengesat
nuk ishin vetëm administrative. Regjimi komunist kërkonte të ndërhynte edhe në
edukimin e brezit të ri. Fëmijët dhe të rinjtë duhej të formoheshin sipas
botëkuptimit marksist leninist, ndërsa edukimi fetar paraqitej si i
padëshirueshëm. Kjo përpjekje prekte vetë zemrën e misionit të Kishës, sepse
një nga arsyet kryesore të ndërtimit ishte krijimi i një hapësire ku brezi i ri
të mësonte fenë dhe të përgatitej për marrjen e sakramenteve.
Përballë
kësaj kërkese, qëndrimi i Kishës ishte i prerë. Ndërgjegjja e fëmijëve nuk mund
të bëhej objekt marrëveshjeje politike. Fjala e Krishtit: “Lërini fëmijët të
vijnë tek unë e mos ua ndaloni”, fitonte këtu një kuptim të drejtpërdrejtë.
Edukimi fetar nuk synonte t’i largonte fëmijët nga shoqëria, por t’i formonte
si njerëz të ndershëm, të përgjegjshëm, paqedashës dhe të lidhur me traditën e
tyre.
Një
formë tjetër e pengesës ishte përpjekja për ta paraqitur ndërtimin e kishës si
rrezik për marrëdhëniet ndërfetare. Kjo ishte një strategji e njohur e
regjimeve shtypëse: krijimi i dyshimit mes njerëzve për ta dobësuar unitetin e
tyre. Ndërtimi i një kishe paraqitej sikur do të shkaktonte ndarje ndërmjet
shqiptarëve të besimeve të ndryshme.
Mirëpo,
kjo përpjekje dështoi, sepse populli e kuptoi se një faltore nuk ngrihej kundër
askujt. Mbështetja e banorëve të traditave të ndryshme fetare dëshmoi se
shqiptarët mund ta respektonin njëri-tjetrin pa e mohuar identitetin e vet.
Kisha nuk ishte instrument përçarjeje, por shprehje e një të drejte të ligjshme
të bashkësisë. Solidariteti ndërfetar u bë një nga përgjigjet më të fuqishme
ndaj politikës së dyshimit dhe të ndarjes.
Fjala
e Krishtit: “Lum pajtimtarët, sepse do të quhen bij të Hyjit”, e shpreh
më së miri këtë frymë. Ndërtimi i kishës nuk e cenonte paqen, por e forconte
atë, sepse paqja e vërtetë ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë dhe jo mbi
mohimin e identitetit të tjetrit.
Përkundër
të gjitha pengesave, bashkësia e Famullisë së Klinës nuk u tërhoq asnjëherë.
Ajo u bashkua rreth një qëllimi të përbashkët. Njerëzit kontribuuan sipas
mundësive të tyre: me punë, me mjete materiale, me transport, me ushqim për
punëtorët, me këshillë dhe me lutje. Në këtë mënyrë, ndërtimi mori karakterin e
një vepre të përbashkët.
Materialet
e përdorura për ndërtimin e kishës nuk u bashkuan vetëm me material ndërtimor por edhe me sakrificën e njerëzve. Hekuri nuk
shërbeu vetëm si armaturë, por u bë metaforë e qëndrueshmërisë së një bashkësie
që nuk u përkul. Djersa e punëtorëve nuk ishte vetëm pasojë e lodhjes fizike;
ajo ishte pjesë e një flije të heshtur për brezat e ardhshëm.
Në
këtë kuptim, mund të kujtohet rrëfimi ungjillor për gruan e varfër që dha dy
monedhat e saj. Vlera e dhuratës nuk matet vetëm me madhësinë materiale, por
edhe me dashurinë dhe sakrificën që ajo përmban. Edhe në ndërtimin e kësaj
kishe, një ditë pune e një njeriu të varfër mund të kishte vlerë më të madhe
shpirtërore sesa një ndihmë e madhe e dhënë pa përkushtim.
Më
18 maj 1988 u hodhën themelet e kishës ku edhe është bërë bekimi i themeleve të
Kishës nga unë si famullitar i Kishës së Klinës. Ky moment ishte shumë më tepër
sesa fillim i punimeve ndërtimore. Ai përfaqësonte një fitore morale mbi frikën
dhe ndalimin. Toka që hapej për themele dukej sikur hapte një faqe të re në
historinë e bashkësisë.
Fjala
e Krishtit për njeriun e urtë që e ndërtoi shtëpinë mbi shkëmb merr këtu një
domethënie të veçantë. Shkëmbi nuk ishte vetëm materiali i fortë i themeleve.
Shkëmbi ishte besimi, bashkimi, durimi dhe bindja se e drejta, edhe kur vonon,
nuk humbet.
Kur
muret filluan të ngriheshin, ato u bënë një përgjigje e heshtur ndaj të gjitha
ndalesave. Nuk ishin mure të ngritura kundër dikujt. Ishin mure që dëshmonin se
ndërgjegjja fetare nuk ishte shuar. Çdo rresht gurësh tregonte se dhuna
ideologjike mund ta vonojë një vepër, por nuk mund ta zhdukë nevojën e njeriut
për Hyjin.
Më
15 gusht 1989, me kremtimin e Meshës së Parë, kalvari i ndërtimit arriti në një
çast gëzimi dhe përmbushjeje. Ajo që dikur kishte qenë vetëm ëndërr, tashmë
ishte altar. Ajo që ishte refuzuar nëpër zyra, tashmë ishte bërë vend lutjeje.
Ajo që ishte paraqitur si rrezik, u dëshmua si shtëpi paqeje dhe bashkimi.
Për
të moshuarit, ky çast ishte kurorëzimi i një pritjeje të gjatë. Ata e panë se
mundi dhe lutjet e tyre nuk kishin qenë të kota. Fjalët e Krishtit: “Lum
sytë që shohin çka po shihni ju”, mund të përdoren për ta përshkruar
përjetimin e tyre. Ata panë se një bashkësi e vogël, e kundërshtuar nga
pushteti, kishte arritur ta ngrinte shtëpinë e vet të lutjes.
Megjithatë,
historia e kësaj kishe nuk përfundoi me përurimin e saj. Gjatë luftës së vitit
1999, ajo u granatua dhe u dëmtua nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.
Dyert, hapësira e brendshme dhe pjesë të tjera të objektit u shkatërruan.
Kisha, e ndërtuar me aq shumë mund, hyri në një kalvar të dytë. Plagosja e saj
ishte pjesë e plagosjes së përgjithshme të Kosovës. Ashtu si shtëpitë, familjet
dhe njerëzit, edhe tempulli u bë viktimë e dhunës. Por shkatërrimi nuk e zhduku
kuptimin e tij. Përkundrazi, e bëri edhe më të fuqishme dëshminë e tij.
Fjala
e Krishtit: “Rrënojeni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre”, e
lidh simbolikisht këtë ngjarje me misterin e ringjalljes. Tempulli mund të
plagosej, por nuk mund të zhdukej nga ndërgjegjja e popullit. Muret mund të
goditeshin, por besimi që i kishte ngritur ato vazhdonte të jetonte.
Pas
luftës filloi rindërtimi. Përsëri u kërkuan mund, bashkëpunim dhe sakrificë.
Kisha u rinovua, plagët e saj u mbyllën dalëngadalë dhe kambana nisi të
kumbonte sërish mbi Dobërdol. Ky tingull nuk ishte vetëm thirrje për kremtimin
e Meshës së Shenjtë. Ai ishte zëri i lirisë së rifituar, i kthimit në
vendlindje dhe i ringjalljes së një bashkësie që, megjithëse e plagosur, nuk e
kishte humbur besimin dhe shpresën.
Kumbimi
i kambanës përmbante në vetvete një domethënie që i kapërcente kufijtë e vendit
dhe të çastit. Ai nuk ishte vetëm jehona e metalit që përhapej mbi fshat, por
një zë që vinte nga thellësia e historisë sonë kishtare dhe kombëtare. Pas
heshtjes së imponuar, pengesave ideologjike dhe dhunës së luftës, kambana
dëshmonte se kujtesa e një populli mund të plagoset, por nuk mund të shuhet; se
tradita mund të pengohet, por nuk mund të zhduket; dhe se besimi, edhe kur
kalon nëpër kalvar, e gjen përsëri udhën drejt dritës.
Duke
reflektuar mbi atë çast historik, profesor Prend Buzhala shkruante: “Pas 500 e
sa viteve, përsëri po kumbonte lirshëm kambanorja e Kishës sonë. U ringjall
jehona, shpirti, edhe ideja e imzot Pjetër Bogdanit...”. Këto fjalë e vendosin
kumbimin e kambanës së Dobërdolit në një horizont më të gjerë historik dhe
shpirtëror. Ajo kambanë nuk përfaqësonte vetëm ringritjen e një objekti të
dëmtuar nga lufta, por edhe vazhdimësinë e një ideali të mishëruar në figurën
dhe veprën e imzot Pjetër Bogdanit: idealin e fesë së ndriçuar, të kulturës, të
dijes dhe të dashurisë ndaj atdheut. Në tingullin e saj dukej sikur rizgjohej
kujtesa e një tradite që, ndër shekuj, kishte bashkuar altarin me librin,
lutjen me kulturën dhe shërbimin ndaj Hyjit me përgjegjësinë ndaj popullit. Prandaj,
kumbimi i lirë i saj ishte shumë më tepër sesa një ngjarje liturgjike. Ai ishte
një pohim historik se Kisha, pavarësisht përndjekjeve, pengesave dhe rrënimeve,
kishte mbetur e pranishme në jetën e popullit. Ishte zëri i brezave që e kishin
ruajtur fenë në kohë të vështira, jehona e lutjeve të thëna në heshtje dhe
shenja e një agimi të ri pas natës së gjatë të dhunës.
Në
atë çast, fjala e Krishtit: “Drita shndrit në errësirë dhe errësira nuk e
pushtoi”, bëhej pothuajse e prekshme. Dhuna kishte kaluar, por tempulli
qëndronte. Predhat kishin heshtur, ndërsa kambana fliste. Frika ishte përpjekur
ta mbyllte zërin e fesë, por ai zë ishte kthyer më i fuqishëm, duke bashkuar të
kaluarën me të tashmen dhe duke ua përcjellë brezave të ardhshëm mesazhin se
një popull që ruan besimin, kujtesën dhe kulturën e vet nuk mund të mposhtet
shpirtërisht.
Kalvari
i ndërtimit të Kishës së Dobërdolit të Llapushës së Klinës, dëshmon se liria
fetare nuk ka qenë gjithmonë një e drejtë e dhënë pa sakrificë. Ajo është
fituar përmes durimit, urtisë, përkushtimit dhe qëndresës. Regjimi komunist
mund ta vononte ndërtimin, ta pengonte përmes vendimeve dhe ta shoqëronte me
akuza, por nuk arriti ta shkatërronte bindjen e njerëzve se kishin të drejtë të
ndërtonin një shtëpi të Hyjit.
Kjo
histori na mëson gjithashtu se tempulli sakral i vërtetë nuk përbëhet vetëm nga
muret. Ai ndërtohet në ndërgjegjen e njerëzve, në besnikërinë ndaj së vërtetës,
në respektin për tjetrin dhe në gatishmërinë për të sakrifikuar për të mirën e
përbashkët. Kisha e Dobërdolit mbetet sot një dëshmi e këtij kalvari. Në
themelet e saj gjendet kujtimi i pengesave. Në muret e saj gjendet mundi i
besimtarëve. Në plagët e saj gjendet historia e luftës. Në kambanën e saj
gjendet zëri i lirisë.
Ajo
qëndron si dëshmi se një pushtet mund ta pengojë përkohësisht ndërtimin e një
tempulli, por nuk mund ta ndalojë përgjithmonë besimin e një populli. Mund t’i
mbyllë dyert e zyrave, por nuk mund ta mbyllë qiellin. Mund t’i rrëzojë muret,
por nuk mund ta rrëzojë shpresën. Mund ta heshtë kambanën për një kohë, por nuk
mund ta heshtë përgjithmonë ndërgjegjen.
Prandaj,
historia e kësaj kishe është histori e kalimit nga pengesa te themeli, nga
refuzimi te altari, nga plagosja te rindërtimi dhe nga heshtja te kumbimi i
lirisë. Ajo është dëshmi se, kur një vepër ndërtohet mbi besim, dashuri dhe
drejtësi, stuhitë mund ta godasin, por nuk mund ta shkatërrojnë.
Sikurse
thotë Krishti: “Secili që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i zbaton, i
përngjan njeriut të urtë që e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb.” Mbi këtë
shkëmb u ngrit edhe Kisha e Dobërdolit, mbi Krishtin, mbi besimin e popullit
dhe mbi sakrificën e atyre që nuk pranuan që frika ta kishte fjalën e fundit.
Si
meshtar i Kishës Katolike në Dioqezën Prishtinë–Prizren, si famullitar i parë i
Famullisë së Klinës dhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ndërtimin edhe të kësaj
kishe në Dobërdol të Klinës , këtë histori nuk e shoh vetëm si kujtim të një
ndërtimi të vështirë, por edhe si dëshmi të gjallë të besimit që nuk u përkul
para frikës, të shpresës që nuk u shua përballë pengesave dhe të dashurisë që i
bashkoi njerëzit rreth një qëllimi të shenjtë. Kisha e Dobërdolit nuk u ngrit
vetëm mbi themele prej guri, por mbi lutjet, djersën dhe sakrificën e një
bashkësie që e kuptoi se tempulli i Hyjit është njëkohësisht shtëpi e shpirtit,
shkollë e ndërgjegjes dhe vatër e paqes.
Prandaj,
dëshiroj që brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë ta ruajnë këtë kishë jo vetëm
si trashëgimi arkitekturore, por edhe si amanet shpirtëror. Ta ruajnë me
pjesëmarrje në jetën sakramentale, me dashuri ndaj familjes, me respekt ndaj
tjetrit dhe me besnikëri ndaj së vërtetës. Sepse kisha nuk mbahet gjallë vetëm
nga muret e saj, por nga zemrat që luten, nga duart që shërbejnë dhe nga
njerëzit që dinë të falin.
Le
të mbetet ky tempull sakral një vend ku i lodhuri gjen ngushëllim, i riu gjen
drejtim, familja gjen bekim dhe i varfri gjen një derë të hapur. Le të jetë
gjithmonë vatër pajtimi ndërmjet njerëzve dhe dëshmi se feja e vërtetë nuk
ndan, por afron; nuk përjashton, por përqafon; nuk mbjell frikë, por shpresë. Kambana
e kësaj kishe le të mos na thërrasë vetëm për kremtimin e Meshës, por edhe për
zgjimin e ndërgjegjes. Sa herë që ajo kumbon mbi Dobërdol, le të na kujtojë
mundin e atyre që e ngritën, plagët e atyre që vuajtën dhe përgjegjësinë tonë
për ta ruajtur këtë trashëgimi të shenjtë.
Mbi
të gjitha, le të na rikujtojë fjalën e Krishtit: “Mos kini frikë! Unë e
munda botën.” Me këtë besim ecën Kisha jonë, me këtë shpresë jeton populli
ynë dhe mbi këtë shkëmb duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë.
Qoftë
Kisha e “Të Ngriturit e Zojës në Qiell” në Dobërdol një dritë që nuk shuhet,
një urë që nuk shembet dhe një altar nga i cili lutja e popullit tonë të
ngrihet gjithmonë drejt Hyjit për paqe, bekim dhe mirësi.
Pejë, më 15 gusht 2026


