Gjon Marku: Njeriu i Ditës së Zezë

Tregim nga Gjon Marku
Përrojet, arat, sukat, shtëpitë tona të shpërndara në faqen e
atij shpati mali po binin në gji të muzgut, kur kishte filluar të binte një
borë me sqota të mëdha, e për pak minuta kishte zbardhur gjithçka. Skeletet e
pemëve në oborr ishin veshur me të bardha. Errësira nuk e kishte atë bardhësi
të mrekullueshme.
- Jam duke
zbritur në fundin e livadheve, t'ë marr një kërcunë të thatë lisi, - tha baba.
- E vëmë në oxhak mbas darke, na mban sonte zjarrin ndezur gjithë natën.
- Lëre, -
tha nëna, - kemi dru; po rrëshqet ndokund e mbetemi me të kërkuar.
- Jo, jo,
po zbres në krye të zabelit, se aty e kam lënë të prerë, e kam gati një copë
trungu të thatë lisi.
E mori
latushën e madhe, e zateti në lakun e krahut dhe u nis të dilte.
- A të vij
edhe unë, baba, e të marr edhe unë një dru?
Baba qeshi
ëmbël, si të më thoshte "hajde".
- Mos ma
nxirr djalin natën nëpër hije, - tha nëna.
Baba qeshi
përsëri.
- E ku ka
hije sonte? Po m'i vish një xhup të trashë e jepi dorezat.
Dolëm të
dy, e unë merrja ndonjë top bore e ia hidhja midis shpatullave. Edhe ai bënte
ashtu: e mbushte dorën me borë, ma hidhte, gjithnjë duke bërë kujdes që të mos
më binte fytyrës. Duke u mbajtur pas tij, zbritëm teposhtë livadheve dhe
mbërritëm te cepi i pyllit, ku fillonte një lisnajë me pemët gjetherëna, veshur
mrekullisht me bardhësi.
Në atë
kufi mbrëmjeje bora ishte tamam si në përralla.
Kur
mbërritëm në fund të livadheve, u përvodhëm teposhtë nëpër një shteg të ngushtë
që të çonte në krye të një tjetër livadhi, midis lisnajës, ku ishte trungu i
prerë. Kur im atë po e zatetite trungun e lisit mbi shpatull, në fushën e
bardhë, në cepin e përtejmë, një grumbull i madh bore nisi të lëvizë si hije.
Unë ia dhashë një ulërime frike dhe u turra drejt tim eti, duke lëshuar përtokë
topin e borës që kisha bërë gati t'ia hedhë mes shpatullave.
- Çfarë
ke? - më tha ai, duke më marrë në krah.
- Atje
diçka e zezë po lëviz, - dhe struka kokën midis qafës dhe shpatullës së tij.
- Ej, or
ti! - thirri baba.
- Mos u
tremb, or burrë, - thirri tjetri, me një zë që i dridhej. - A thua se tw kam
trembur fëmijën?
- S'ka
gjë. Po ç'do ti këtu, në këtë natë kiameti?
- Jam një
lumjan. Më zuri bora këtu e nuk di ku të shkoj.
U afruam
drejt tij. Ai i shkreti mbante mbi shpinë një shtresë të trashë bore, gjysmë i
ngrirë, mezi fliste.
- Baba, -
kisha thënë unë, gjithë frikë, duke kujtuar fjalët e nënës: "mos ma nxirr
djalin natën nëpër hije."
Buzë
dimrit, nëpër anët tona, vinin lumjanë e nxirrnin kërcuna shqope, të cilat,
pasi i thanin, i shisnin - ca në ndërmarrjet artistike, ku thuhej se bëheshin
gdhendje druri, ca për qymyr.
- Ngrihu,
- e urdhëroi baba dhe i zgjati dorën. - Po ti paske ngrirë! - Ia mori të dy
duart dhe ia futi nën sqetulla, që t'ia ngrohte.
- Hiqe
xhupin. - Tjetri ashtu bëri. Ia shkundi borën dhe ia veshi përsëri.
- A
mundesh të ecësh?
- Jo, bre
burrë, s'kam ku të shkoj.
- Merre
latushën e çaje shpejt këtë kërcunë lisi, të ngrohesh.
Ashtu
bëri, e ngadalë-ngadalë dukej se po i vinte shpirti e po ngrohej.
Ai
ngrohej, kurse mua nisën të më dhëmbin majat e gishtave.
- Baba,
kam shumë ftohtë.
- Ikim, të
pastë baba.
- Ku e ke
kalin?
- Ja, aty
poshtë, e kam lidhur në një rrënjë lisi.
- Hajde,
se po shkojmë në shtëpinë time. Unë marr këtë kërcunë të madhe, ti merr kalin.
- A ke për
t'i çuar këto dru te shtëpia?
- Po.
- T'ia
ngarkojmë kalit?
Ashtu
bënë: ngarkuan kalin bashkë me babën.
- Merre
djalin, - i tha lumjani babës, - se unë po marr një kërcunë. Kështu nxehem edhe
unë.
- Jo, jo,
ti merre djalin dhe kujdesu të mos i bjerë kali në ndonjë hendek. Unë po marr
këtë kërcunë. Hajde, ikim, se u bë vonë. - Hë, a e more pak veten?
- Po, bre,
po. Paskam qenë duke vdekur ngadalë, o burri i dheut.
Kështu
mbërritëm të tre në oborrin e shtëpisë. Shkarkuam kalin.
Vrapova
brenda.
- Po vjen
baba me një burrë që e kemi gjetur në fund të livadheve! - thashë me një frymë.
Doli nëna,
me vëllain që ishte më i madh se unë, në oborr.
- Hajde,
hajde brenda, se paske ngrirë.
- Ma bëj
hallall! - tha tjetri.
U fut në
kullë dhe u afrua pranë oxhakut. Nëna përpushi me një shkullojë hekuri prushin
e mrekullueshëm të druve të lisit, pastaj mori një legen me ujë të vakët dhe ia
afroi lumjanit.
- Fute
duart brenda, se ndryshe të bie përthonjësh.
Baba ishte
duke rehatuar kalin, që e kishte futur në vathin e lopëve, se s'kishte ku ta
vendoste. Pastaj thirri vëllain e madh, që edhe ai ishte fëmijë. Kur hyri
përsëri në dhomë, im vëlla i tha lumjanit:
- Po të
kërkon baba.
Ai u ngrit
menjëherë dhe doli.
- Hajde, më
ndihmo nja pesë minuta.
- Ku e ke
çuar kalin?
- Hajde,
hajde, se kalin e kam rehatuar.
Unë
vrapova pas lumjanit. U futën në vath. Baba e kishte lidhur kalin midis dy
lopëve, njëra prej të cilave priste të bënte viçin.
- Mos, or
burrë, tani kali të gjuan me ndonjë shqelm e dëmton ndonjë lopë.
- Lëre,
mor burrë, tani kalin e hajde më ndihmo, se kalamajtë, siç e sheh, janë të
vegjël e s'mund të më ndihmojnë.
Baba e
nxori në oborr, dhe aty, në degët e zhveshura të manit të bardhë, ia këputi
kryet rrunakut. Gjaku i kuq spërkati borën e bardhë dhe ia prishi hijeshinë e
saj përrallore. Nëna e vuri e zjeu një tenxhere të madhe me mish, dhe pasi
hëngra, më zuri gjumi aty në anë të oxhakut.
Të
nesërmen, kur u ngrita, lumjani kishte dalë në oborr dhe po bëhej gati të ikte.
Kishte
rënë një diell që, prej shkëlqimit mbi borë, të vriste sytë. Qielli ishte
qelibar. Era frynte.
- Ta paça
borxh, or burrë. Ti më shpëtove jetën, - tha lumjani, kur i dha dorën babës.
- Të qoftë
rruga e mbarë! - i tha baba, dhe kështu u ndanë njëri nga tjetri. Ai e shaloi
kalin e tij të kuq e mori udhën për t'u larguar. Unë ndejta te dera derisa ai
kaloi përtej qafës, atje ku s'mund ta shihja më.
Ajo borë e
fillimvjeshtës u shkri shpejt. Ishte një mëngjes i vesuar dhe unë po shkoja në
shkollë. E shtiva shikimin mbi zabel, dhe diku mes tij pashë lumjanin që po
merrte kërcunat e shqopës. Lëndina ishte thinjur nga bryma, si koka e tij.
Qielli ishte arnuar me re, vend më vend. Por unë nuk e takova.
Kur i
mbaroi të gjitha kërcunat dhe do të merrte shtegun e fundit me kalin, erdhi te
shtëpia jonë e piu një kafe me babën - po unë nuk isha.
- Qe
lumjani, - më kishte thënë im vëlla.
Pas atij
viti, ai nuk u duk më nëpër anët tona, dhe ne pothuajse ia harruam fare emrin
dhe historinë.
Isha në
shkollën e mesme kur im atë vdiq, pas një sëmundjeje të rëndë. Po atë vit im
vëlla shkoi në universitet, dhe jeta jonë mori një rrjedhë tjetër. Nëna bënte
gjithçka që ne të shkolloheshim. Vitin që vëllai mbaroi shkollën e lartë, unë
shkova student. Ai kujdesej që unë të ndihesha mirë midis moshatarëve të mi.
Gjithnjë më jepte para e më thoshte:
- Merri,
se të duhen.
Po kur
shkova në vitin e dytë, ai e ndryshoi formulën:
- Merri,
se të duhen, t'i japësh kafe ndonjë... vajze.
Fillimisht
isha ndjerë pak keq, por pastaj gjithçka kishte ndryshuar.
***
Ishte pragu i Krishtlindjeve, qielli i vrugët. Retë notonin
marramendshëm nëpër hapësirë. Një tufë patash të egra la Drinin e ngrirë e u
turr në qiellin e buzëmbrëmjes, drejt jugut. Zogjtë, ndër skajet e lumit që
rridhte mes qytetit tim, iknin idhshëm. Këputeshin gjethet e plepave. Pemët
përgatiteshin t'i rezistonin dimrit të zhveshura, veç në skelete. Sa gjethe të
verdha, si shpirtra të braktisur, binin udhës e shkeleshin shkujdesshëm.
Njerëzit ecnin me shpejtësi. Mbi qytet qielli regëtinte lot. Filloi të binte
shi; vajzat lageshin, dheu i tokës zbutej. Ndjeva mall të ecja anembanë
"Qytetit Studenti" mes tyre, e të lagesha bashkë me to.
U vesha
dhe dola. Pikat e shiut vazhdonin të binin dhe unë ecja pa e ditur për ku,
turrthi, si të gjithë njerëzit. Ndjeja lodhje - jo prej trupit, po prej diçkaje
që rrihte brenda meje çdo herë që mendoja për bukurinë e saj. M'u kujtua dita e
parë kur u kryqëzuam në rrugë: isha trandur nga bukuria e saj mahnitëse. Nga
kazanët e ngopura të qytetit, ku bredhin minjtë të dhjamosur, vinte një erë
mbytëse. Qyteti po bëhej gati të flinte në prehrin e natës. Ecja përskaj
rrugës; era frynte dhe më rrihte gjoksin. Një ndjenjë e pazakontë merrte fuqi
brenda meje.
Ecja në
zemër të këtij qyteti, ku dritat e zbehta të rrugës ndrisnin dhe bënin të
dukeshin pikat e shiut ndërsa binin. U ndala te godina numër tetë, e vendosur
në mes të qytetit, dhe hodha një vështrim drejt katit të katërt, si të doja të
zgjohesha prej një gjumi të thellë.
Zemra më
rrihte fort brenda. U ndala para saj dhe pashë njërën prej vajzave të dhomës
numër gjashtëdhjetë e pesë.
- Të
lutem, - i thashë, - nëse është e mundur, thirre Ildën.
Pas pak
minutash ajo erdhi, si një drenushë. E di se nuk jam shumë gojëtar, por goja
kishte filluar të m'i merrej fjalët, ndërsa ajo e kishte rrëzuar shikimin
përdhe.
- T'i lëmë
të gjitha mënjanë, - i thashë. - Unë të dua. Kam kohë që vuaj me vete e s'ta
them dot.
Nuk e di
se çfarë përrallisa më tej, veçse atë natë s'fjeta.
Nuk zgjati
shumë e mes nesh filluan përkëdheljet, loja u ndez. Një natë ajo hyri në
krevatin tim, siç hyn një dallëndyshe midis dimrit dhe pranverës. Filloi një
lojë e paparashikuar, që e luanim shpesh me dëshirë.
Im vëlla,
një buzëmbrëmje, kishte ardhur në Qytetin Studenti të më takonte, por jo vetëm:
përkrah kishte një vajzë të bukur. Mua nuk më kishte gjetur, kështu që kishte
pritur gjatë. Nuk ishte faji im: edhe unë po luaja një lojë të këndshme
dashurie, që më merrte shumë kohë.
- Kjo
është nusja ime, - më kishte thënë kur ishim takuar.
- Qenka
shumë e bukur, - i thashë.
Ata kishin
qeshur.
Mendjen e
kisha te shoqja ime, me të cilën, vetëm dy netë më parë, kisha provuar për herë
të parë atë marrëdhënie intime.
- Mua më
bëhet qejfi shumë. Jam i lumtur që ti paske gjetur shoqen tënde. Po pse nuk ia
thua nënës? Ajo do të gëzohet shumë.
- Po t'ia
mbarojë edhe kjo shkollën, - kishte thënë im vëlla. - Është në vitin e fundit.
Pastaj - po sikur t'ia thuash ti?
Fjalia e
fundit më kishte zënë të papërgatitur, por shpejt e kisha mbledhur veten.
- Po deshët,
unë i them. Po sikur ajo të më pyeste gjatë, çfarë t'i them?
- Të
tjerat ia them unë; ty të mjafton vetëm t'i hedhësh një fjalë. Se mua më vjen
pak zor, ngaqë ne s'e kemi babain...
- Shkojmë
të hamë diçka, - kishte thënë ai. Kështu, pasi lamë amfiteatrin, u futëm në një
ëmbëltore, aty, në pallatin e kulturës të Qytetit Studenti.
- Do t'ju
qeras unë sot, - kisha thënë. - Porositni çfarë të doni.
Ata sërish
kishin qeshur.
-
Studentët nuk qerasin, - kishte thënë ajo, dhe vështrimin e kishte hedhur nga im
vëlla, që ishte një djalosh i hijshëm. Ai i kishte hedhur krahun, kishte kthyer
kokën nga ajo dhe i kishte dhënë një puthje.
E hodha
vështrimin mbi akrepat e orës dhe pashë se ishte fiks ora kur unë e Ilda kishim
lënë të takoheshim. "Ajo pret ndoshta te dritarja," mendova. "O
Zot, sikur janë gdhendur për njëri-tjetrin," kisha menduar për vëllain dhe
të dashurën e tij.
Nuk fola
më gjatë. Atë natë, pasi hëngrëm ëmbëlsirat, im vëlla iku bashkë me të, ndoshta
të luante lojën e ëmbël të ndjenjave. S'e di pse i druhesha tim vëllai - s'i
thashë dot për shoqen time, derisa erdhën pushimet e fundit të shkollës, kur do
të hidhesha në vitin e fundit.
- Shumë
mirë, - kishte thënë ai. - Do të vijmë t'ju takojmë.
***
Kisha mbërritur në Qytetin Studenti dhe bridhja nga një cep në
tjetrin, sikur doja të çmallesha me çdo skaj të tij. Atë buzëmbrëmje dola te
treni, ta prisja, siç e kishim lënë - por ajo nuk erdhi. "Duket se i ka
ikur treni," mendova, dhe prita derisa u largua edhe udhëtari i fundit.
Një
ndjenjë vetmie, si mjegull që tëhollet nëpër dushqe, ma pushtoi papritur gjithë
qenien, dhe me të një inat i çuditshëm kundër vetes. U ktheva në dhomë dhe e
hodha vështrimin nga godina numër tetë, ku po ndizeshin dritat nëpër dhoma. Ajo
m'u duk e shkretë dhe pa jetë.
Të
pasnesërmen niste shkolla, dhe kishim lënë që të vinte sonte - po ndoshta e la
për nesër, mendova, dhe vështrimin ia drejtova qiellit, ku kishte dalë hëna.
"Eh, nuk ka gjë. Nëse gjumi s'më zë, le të ma tregojë hëna një përrallë."
Të
nesërmen në mëngjes, nuk e di se nga kishte mbirë, por ajo u shfaq në rrugën që
lidhte godinën e saj me rrugën kryesore, bashkë me një djalë të ri, që i
ngjante si pikë uji, dhe që ecnin drejt stacionit të autobusit.
Kisha
vrapuar shkallëve poshtë dhe u kisha dalë përpara.
- Im
vëlla, - e prezantoi ajo, ftohtë, pikërisht atëherë kur unë prisja të më hidhej
në qafë e të më puthte fort. - Takohemi mbasdite, - tha pastaj, sikur të mos
njiheshim, dhe u largua bashkë me të, drejt stacionit të autobusit.
M'u duk
vetja si një buburrec që e shkelin këmbët e kalimtarëve. Por s'fola. Kishim
lënë që ajo t'ua thoshte vetë në shtëpi.
Mezi
prita, e herë pas here e kërkoja te godina e saj, po më kot. Aty, në
buzëmbrëmje, kur më në fund e takova, ajo më tha se në shtëpinë e tyre kishte
plasur sherri, kur u kishte thënë prindërve se donte një djalë të një besimi
tjetër, siç isha unë.
- Kurrën e
kurrës, - kishte thënë i ati.
Edhe e ëma
diçka i kishte thënë rreth lidhjes sonë.
Takoheshim
aty, para godinës, dhe ndiqnim ritmin tonë - gjithnjë duke u munduar të mos i
binim në sy vëllait, që bënte të njëjtën gjë. Shpesh ai kthehej pa e takuar të
motrën, sepse unë i kisha zënë radhën. Me të përshëndetesha ftohtë e mundohesha
ta shmangia; nuk doja që të bënte sherr me të motrën. Por, siç më thoshte ajo,
i vëllai kurrë nuk ia zinte emrin tim në gojë.
***
Ishte fund prilli. Atë buzëmbrëmje sapo isha kthyer nga mensa
dhe isha ulur t'u hidhja një shikim të fundit librave, për provimin e nesërm,
kur trokiti dera. Zakonisht çunat e dhomës hynin pa trokitur.
- Hyr! -
thirra nga brenda.
Në derë u
ndal vëllai i saj. Mendova se kishte ardhur të më thoshte diçka për të motrën,
kështu që heshta e prita. Ai e rrëzoi vështrimin përdhe - duket se i ishin
kujtuar buzëmbrëmjet kur më kishte gjetur para godinës me të motrën, ndoshta
duke u përqafuar, dhe ishte larguar duke u munduar të mos na binte në sy.
"Ndoshta
tani i ka mbledhur të gjitha e nuk di nga t'ia nisë," mendova një çast.
"Ndoshta i ati fanatik, atje mes majëkreshtave të murrme, ku bora akoma
rri si kapuç mbi to, i ka nisur një ultimatum të fundit që të mos guxoja t'i
afrohesha të bijës."
Ai
s'kishte dy ditë që ishte kthyer nga Luma, dhe unë isha lumturuar prej mungesës
së tij në Qytetin Studenti atë javë.
- Urdhëro,
çfarë deshe?
- Kur të
shkosh në shtëpi, dua të vij edhe unë andej nga ju, se baba ka një mik atje dhe
më ka porositur ta takoj. Prandaj, nëse mundesh, kur të presësh biletë për
vete, prit edhe një për mua...
- Mirë, -
thashë, si i liruar prej një barre të rëndë. - Të lajmëroj vetë. Tani natën, se
nesër kam provimin e fundit. Kemi kohë, flasim.
- Të uroj
sukses! - Dhe m'u duk sikur më shkeli syrin, si të thoshte: "Unë e di
mirë, po babës s'kemi ç't'i bëjmë..."
Dy ditë më
vonë, si unë ashtu edhe ajo u jepnin fund provimeve. Ditën që ajo kishte
provimin e fundit, unë preva biletat paradite dhe i thashë se vëllai do të
vinte në qytetin tim.
- E di, -
më tha, - i ka thënë baba të shkojë te një mik që i ka shpëtuar jetën një ditë
të zezë.
Atë natë
kaluam një darkë së bashku, dhe një natë të paharrueshme, para se ajo, të
nesërmen, të niset për praktikat mësimore në Jug.
-
"Baba kurrë nuk do të pranojë," - më kishte thënë. - "Kurrë nuk
e kam parë më të nxehur sesa kur mori vesh se unë dua një djalë katolik,"
- vazhdoi.
***
Të nesërmen, kur ajo do të nisej për në Jug, isha takuar me të
vëllain para godinës tetë. Rrugës për ta përcjellë, çantën e saj e mbajta unë,
kurse çantën e shoqes së saj të dhomës e mbajti ai. Të katërt bashkë u nisëm
drejt fakultetit të Agronomisë, ku priste autobusi me të cilin ata do të
rrugëtonin drejt praktikave të fundit. Nuk kishim folur asnjë fjalë. U
përshëndeta normalisht, pa mundur ta përqafoja me gjithë shpirt - nuk doja të
prekja sedrën e vëllait.
Ai shkoi
në mësim, dhe unë i thashë se pas orës së tretë duhej të ikim.
- Nuk ka
linjë tjetër të drejtpërdrejtë. Të pres te treni.
Isha
ngjitur në dhomën time, kisha marrë çantën me rrobat e mia dhe isha nisur
menjëherë. Ndjeja një zbrazëti të madhe: sa dëshirë do të kisha që ajo të ishte
në vendin e tij! Isha penduar për atë ndarje të ftohtë, si brymë vjeshte.
Isha nisur
drejt stacionit dhe atje isha takuar me vëllain e saj. U ngjitëm në tren, po
s'kishim folur gjatë, dhe nuk e kisha pyetur se ku do të shkonte, sepse kishte
shumë njerëz. Ishte një djalë i pashëm, vishej bukur, kishte të njëjtat tipare
me të motrën. Nuk kisha kurajë ta shihja drejt në sy: nuk doja që ai të ma
zinte në gojë historinë time me të motrën, se e dija - ata, e sidomos i ati,
nuk më donin.
Në Milot,
pasi zbritëm nga treni, i thashë të vraponte pas meje, për te autobusi që
priste në stacion. U ulëm dhe u rehatuam.
- A e di
vendin ku do të shkosh?
- Po. Sapo
të mbërrijmë, dua të më çosh deri te taksitë.
"Të
lutem, kujdes: përcille deri ku të dojë, e mos i thuaj ndonjë fjalë," - m'u
duk sikur më pëshpëriti e motra në vesh.
E kishte
në çantë adresën dhe emrin e mikut të babait, po çantën e futa vetë në bagazhin
e autobusit. Mendjen e kisha më shumë atje - te rrugëtimi i shokëve të mi drejt
Jugut, te ajo, te përjetimi i një nate më parë. Kështu që pothuajse nuk fola,
deri sa mbërritëm në qytetin tim të lindjes.
Ai e mori
çantën e tij dhe nxori nga xhepi letrën me adresën e shënuar. E mora në dorë
dhe lexova emrin e tim eti - që, në fakt, kishte vdekur - si dhe adresën e
shtëpisë sime. S'i thashë asgjë, po pasi e pashë mirë, i thashë:
- Po ti je
nisur për në shtëpinë time!
Ai, për
një çast, dukej sikur mendonte se po tallesha.
- Të
lutem! - më kishte thënë, me zë lutës. - Unë dua të shkoj te këta njerëz që i
kanë shpëtuar jetën tim eti.
E kisha
vështruar thellë në sytë e tij, siç kisha vështruar një ditë brenda shpirtit të
së motrës.
- Unë nuk
tallem. Kjo është adresa e shtëpisë sime, vetëm se im atë nuk rron më.
Gjithsesi, mirë se vjen.
- Mos, -
kishte thënë tjetri, dhe i erdhi ndër mend ajo natë kur i ati, si asnjëherë
tjetër, kishte lëshuar atë duf sharjesh mbi të motrën: "Kurrë nuk do ta
marrësh atë njeri, kushdo qoftë ai."
Si t'ia
bënte? Po sikur të kthehej? Ishte zverdhur, i bërë dyll. S'dinte si të
vepronte. Sa do të donte ta dinte se ku po shkonte! Po sikur unë ta merrja këtë
si provokim?
- Ç'ke,
Ramiz? - ndërhyra, kur pashë fytyrën e tij të tjetërsuar dhe hutimin.
- Po ja,
si të them... mua më ka nisur këtu im atë. Ai vetë s'vjen dot, se është i
sëmurë, të betohem. - Dukej sikur donte të thoshte: "kjo s'ka lidhje me
motrën." - Po sikur unë të kthehem?...
- Si të
shkon mendja? Ti je nisur për te ajo shtëpi, e atje do të shkojmë. Aq më tepër
që jemi shokë të të njëjtit fakultet. Lëri të tjerat, kemi kohë t'i mendojmë e
t'i gjykojmë. Mos t'i ngatërrojmë gjërat këtu. Nëse unë e jotja motër kemi një
histori që duam ta bëjmë realitet - nëna ime nuk di asgjë, vetëm im vëlla e di.
- Dëgjo...
- S'ka
dëgjo. Tani mirë se erdhe në qytetin tim. Eja të pimë një kafe, pastaj bëjmë
një shëtitje dhe porosisim biletat për nesër. Fshati im është vetëm tetë
kilometra prej këtu, ka linjë urbani.
- Unë
sikur ndërrova mendje. Ndoshta është më mirë të mos vij.
- Ramiz,
unë e di se diçka po të mundon. Lëri ato gjëra - edhe nëse unë jam gabim, ti
nuk mund të kthehesh rrugës. Edhe nëse unë, sipas jush, e sidomos sipas tyt
eti, s'jam i denjë për familjen tuaj, ardhja jote deri këtu s'ka lidhje me
këtë. Unë s'mund të mendoj gjëra që s'i kanë shkuar askujt në mendje.
Ashtu,
duke bluar mendime, kishim mbërritur në shtëpinë time, ku u rizgjua historia e
lumjanit që nxirrte kërcuna shqope dhe që të birit i linte peng të vetëm të
jetës së tij të shkonte te miku i bukës, i gjetur në ditë të zezë.
Bëra
gjithçka që ai të ndihej mirë, si në shtëpinë e vet. Megjithatë, e kuptoja mirë
se diçka nuk shkonte - kishte një hutim, dhe shpesh nuk përqendrohej. Pas darke
ishim ngjitur në katin e dytë të kullës, ku ishin dy divanët, aty ku do të
flinim. Por gjumi nuk e zinte dot; rrotullohej e rrotullohej në divan. Pas
mesnate, mbi divanin ku flinte Ramizi, prej qielli shigjetuan disa rreze të
arta, prej hënës që dhuronte butësi. Jashtë, në rrëzë të kullës, gurgullonte uji
i kulluar i përroit, që prishte qetësinë e natës. E kisha vënë re se ai ishte
zgjuar, duke kaluar një natë të tallazitur mes mendimesh.
- Ramiz, -
i thashë, - ti nuk po fle rehat.
- Jo bre,
jo, s'e di.
Isha
ngritur dhe kisha ndezur një abazhur dritëzbehtë.
- Çfarë të
mundon, Ramiz? - pyeta.
Edhe ai u
ngrit, si të më thoshte: "sa mirë bëre."
- A ke
dëshirë të të bëj një kafe?
- Okej, -
tha ai. - Të them të drejtën, pashë një ëndërr të keqe.
- Ndoshta
je ndjerë keq që u gjende këtu, në këto rrethana, dhe u ule në një tavolinë të
darkosh me mua - aq më tepër, në shtëpinë time.
S'mund të
rrija pa i thënë se e doja të motrën me gjithë shpirt dhe s'dija asgjë për
historitë e vjetra, se e kujt bijë ishte.
- Të betohem,
as unë s'kam ditur gjë se ç'lidhje kishit ju me atë historinë e babait.
- Të
kuptoj, Ramiz. E di se në shtëpinë tuaj ka plasur sherri, se babai juaj është
betuar se unë kurrë nuk do të jem burri i saj. Unë kurrë nuk kam dashur të
cenoj sedrën tënde e të familjes suaj. I jam bindur ndjenjave të mia. Prandaj
kam qëndruar ftohtë - kam menduar se një ditë do të mund të më kuptonit, e kur
gjërat të qetësoheshin, do të vinim siç duhet në shtëpinë tuaj. Tani s'di çfarë
të them, po të ishte im atë gjallë, do ta dërgoja menjëherë në Lumë.
Nata
mbaroi shpejt, dhe të nesërmen, pasi na dha mëngjesin dhe disa ushqime të
gatshme, nëna na përcolli deri te porta e kullës.
- Të na
vish prapë, Ramiz. Tani ti e im bir jeni miq, apo jo?
Tjetri
heshti. Fjala "miq" ishte fjala më pa vend që kishte përdorur nëna
ime e moshuar, pa e ditur historinë time me të motrën e Ramizit.
E morëm
udhën dhe u kthyem në Qytetin Studenti.
- Ramiz,
mendoj të takohemi e të bisedojmë njëherë - e di se ju nuk keni dashur të na
lëndoni sedrën. Le të presim të vijë Ilda nga praktikat, e pastaj, po e shihni
të arsyeshme, rrimë një natë të tre e bisedojmë.
Ai vetëm
heshtte, s'fliste asnjë fjalë.
***
Pasi bëra dush, isha shtrirë të flija. S'mund të them sa kisha
fjetur, kur në ëndërr pashë një prift, veshur me të bardha, që, pasi kishte
mbajtur meshë, kishte mbajtur fjalimin e vetë-vdekjes. Kisha brofur në këmbë,
isha duke treguar ëndrrën e keqe, kur në dhomën time mbërriti lajmi i zi:
autobusi i studentëve të Agronomisë ishte rrëzuar në Himarë. Mes emrave të
atyre që thuhej se kishin vdekur, ishte edhe emri i saj.
U vesha
dhe u drejtova menjëherë për te dhoma e Ramizit. E gjeta duke qarë. Duke
dënesur, e përqafova fort - po ashtu edhe ai më përqafoi fort, si të donte të
më thoshte: "s'ka qenë e thënë."
***
Në furgonin e Agronomisë që shoqëronte trupin e saj pa jetë
ishin shumë shokë të Ramizit, por as unë, as ai, nuk ndenjëm në atë furgon - po
në makinën që mbante arkivolin. "Ani," mendova, "tani s'ka më
kohë të ndahemi ftohtë." Rrugëtoja për në shtëpinë e saj. Ajo sikur flinte
krejt e pafajshme, e frikësuar se mos i bërtiste i ati: "Mirë të tjerët,
po këtë pse ma ke sjellë në shtëpi? Unë të kam thënë kurrën e kurrës..." -
mbase kështu do t'i thoshte.
Kthesat
ndiqnin njëra-tjetrën, ashtu siç ndiqnin lotët njëri-tjetrin.
"...Ne
u ndamë ftohtë, si për fajin e tët vëllai - të kërkoj ndjesë. Unë e di sa kam
vuajtur që s'të putha me gjithë shpirt, për herë të fundit. Ah, sikur ta dija
se s'do të takoheshim më për të gjallë! Po ta dija, ti kurrë nuk do të kishe
marrë rrugën drejt Jugut. Eh, unë po vij në shtëpinë tënde, për ty - edhe pse
yt atë s'më deshi, po ç'faj kishte ai, ku e dinte kush isha unë? Një natë
dimri, të ftohtë, me borë, ai më kishte marrë në krahë, atje në fundin e
livadheve të mia. Më kishte puthur në faqe e në ballë, si të isha Ramizi, që
sapo i kishte lindur. Ai, për këta dy fëmijë, vinte deri atje e nxirrte kërcuna
shqope, t'i rriste e t'i shkollonte. Tani ajo s'ishte më."
Ishte
tamam në moshën për t'u bërë nuse. S'mund të ishte nusja e askujt tjetër, veç e
imja. E doja me gjithë shpirt. Tani ajo ishte nusja e vdekjes. Ndoshta, në
grahmat e fundit, kishte përmendur emrin tim - kështu më kishin thënë. Dhembjen
për mungesën e saj tani ua besoja lotëve, që s'i ndalja dot. O Zot, mos u
turpërofsha! Ç'fat kobi paskemi pasur, që na goditi tinëzisht, të na ndante
përjetësisht.
Kthesat e
Shëmrisë së Kukësit mbuloheshin nga mjegulla, që pikonte veç trishtim. Fytyrën
e saj të zbehtë e shihja poshtë xhamit të arkivolit.
Mbërritëm
në Lumë, në shtëpinë e saj. Na pritën e ëma dhe i ati, plot njerëz të tjerë.
Filluan të merren me Ramizin, të cilit i ra të fikët. Mua mezi më mbanin
këmbët, por gjithsesi u munda të mos e jepja veten - njerëzit ishin përqendruar
te trupi i saj pa jetë. Erdhi i ati i Ramizit, na hodhi nga një cigare; buza i
dridhej. Na pyeti me radhë nga ishim e kush ishim. Kur thashë djali i kujt jam,
ai m'w ridha dorën. Duke i dridhur buza, tha se im atë i kishte shpëtuar jetën
një natë të zezë. Mua më vinte të ulërija, t'ia jepja një të qarë të madhe.
E ngritën
të vdekurën dhe shkuam te varri. Kur po hidhnim lopatat e grushtet e para të
dheut, sërish i ra të fikët Ramizit. Pas tij rashë edhe unë, e u zgjova nga
kllapia kur gjithçka kishte mbaruar.
- Rri
sonte, pash hatrin e Zotit, - më tha i ati i Ramizit, kur na dha dorën, e unë
do të futesha në furgonin që bëhej gati të niset për në Tiranë.
Të qarët
nuk më linte t'i jepja përgjigje.
- Lëre
babën të shkojë, - i tha i biri.
** *
Brenda meje, pikëllueshëm, zuri vend vetmia, që u strukur thellë
skutave të qenies sime. Zemra lypte pak ngrohtësi. Sa herë e hidhja vështrimin
drejt godinës numër tetë, ndieja trishtim.
...Ishte
dita kur do të merrja diplomën. Në sallën njëqind e një të fakultetit të
Agronomisë ishte edhe im vëlla, me nusen e tij - atë verë do të martoheshin,
dita e dasmës ishte caktuar. Pranë tyre ishte edhe nëna. Diku, mes rreshtave,
pashë babanë e Ramizit, me Ramizin. Atë ditë do të diplomohej edhe ajo. Mezi e
përmbajta veten.
Ai zbriti
rëndë-rëndë shkallët dhe u afrua pranë podiumit, afër grupit të pedagogëve, në
mes të të cilëve ishte edhe rektori, ku unë po prisja të më dorëzohej diploma.
Ngjiti ato
tri shkallë dhe u afrua pranë meje. Më zgjati dorën dhe filloi të më urojë.
Askush s'po kuptonte asgjë. U krijua një heshtje varri. Pastaj u drejtua nga
tavolina ku ishin profesorët e mi, u dha dorën - s'e di ç'u tha - pasi unë
kisha nxjerrë shaminë nga xhepi dhe po fshija përlotjen. Veçse diplomën time ia
dhanë atij.
Rektori u
ngrit në këmbë dhe e shoqëroi deri afër foltores ku qëndroja. U mundova të
shmangesha pak, por rektori më mori për krahu.
- Këtu
kemi babanë e Ildës, shoqes suaj të fakultetit, që sot, fatkeqësisht, mungon, -
tha rektori.
Salla u
ngrit në këmbë.
- Babai i
saj, - vazhdoi ai, - ka ardhur nga Luma sot, për të qenë në dhënien e diplomës
së Martinit.
U bë një
qetësi varri. Aty, në rreshtin e tretë, Ramizi kishte filluar të qante. Por,
vetëm pas pak, dënesa e tij u kthye në kor: studentët e kursit, të gjithë, u
përlotën.
Babai i
Ildës mbante në dorën që i dridhej diplomën time.
- Dua t'ju
them dy fjalë, nëse më lejohet. Edhe nëse bëj ndonjë gabim, ju lutem më faleni.
Unë sot, ndoshta, s'do të isha këtu, po të kishte për ta marrë diplomën e saj
ime bijë, që u aksidentua në Himarë. - Salla shpërtheu në një të qarë të
zëshme. - Por s'mund të rrija pa ardhur sot, kur merr diplomën njëri prej
shokëve më të afërt të sime bije - të cilin unë e rinjoha ditën e varrimit të
saj. Mund të pyesni pse e rinjoha? Sepse e kisha marrë në krah kur ishte
fëmijë, një natë që luftoja me vdekjen, dhe sot mund të mos isha gjallë, po të
mos ishte ai, me të atin, që tani nuk rron më. Dua t'i uroj, me gjithë zemër,
marrjen e diplomës, siç do ta kisha uruar me gjithë zemër time bijë...
Nuk mund
ta mbaja dot veten. Më zgjati diplomën, teksa salla duartrokiste.
- Të më
falësh, more bir. Unë nuk e dija, - ishin fjalët e tij, dhe më puthi në ballë.
Rektori
zgjati dorën drejt meje dhe më uroi marrjen e diplomës. Salla gumëzhinte, po më
së shumti dëgjohej një e qarë e mbytur. Mbërrita afër vendit ku do të ulesha.
- Po më
merren mendtë, - i thashë tim vëllai, i cili më uroi, duke thënë:
- S'ke ç'i
bën. Tashmë çdo gjë ka mbaruar, është vonë - po gjithsesi, jeta vazhdon...
Në
universitetin ku unë kam kryer studimet vete shpesh, por kurrë s'kam shkelur më
në oborrin e godinës numër tetë.


