Bedri Tahiri: Livadhi i Kolbibës
LIVADHI I KOLBIBËS
Një
popull pa njohjen e historisë, origjinës dhe kulturës së vet është si një pemë
pa rrënjë. - (Marcus Garvey)

Ishte zgjuar herët, ende pa lindur
dielli. Po të zuri drita e diellin në shtrat, të bëhet sëmundje! Kështu e
kishte mësuar gjyshja, ndjesë pastë, që kur ishte kalama. Dhe, ashtu vepronte
edhe sot e kësaj dite, si bari delesh. Ndonjëherë, që të mos i trazonte të
tjerët, kambanën e madhe të ogiçit bridredhur, e mbushte me gjethe, dhe ia
ndalte cingërimën, derisa dilte krye katundi. Në torbën prej leshi, që e quante
janxhik, fuste gjysmë bukë misërnike, pak kripë, një copë djathë, një qepë dhe,
në skajin e tojës, që shërbente si vegë për ta bartur krahaqafë, lidhte tasin e
aluminit, për t’i mjelë delet e për tu rrasur qumësht.
Sot, mbase qe zgjuar edhe më herët se
ditëve të tjera. Po, po, ashtu ishte puna. Se ishte më herët, po dihej, sepse,
tek kur mbërriti të Llazi i Tahirit e të
Rogat e Hasanit, dielli hodhi syrin e zjarrtë mbi majën e Qyqavicës. Cicërima
e zogjve, si një kor polifonik, e përcillte me ëmbëlsinë e freskinë e mëngjesit
që po agonte. Tufën e deleve, që varg e varg ndiqnin dhiaret dredharake, nuk e
ndali deri të Gurreci, vendi i mrekullueshëm
e i begatë me të gjitha të mirat. Aty, e shuanin etjen të gjithë: barinjtë,
argatët që punonin arat, kalimtarët, bagëtia, shpenia. Besa, në vapë të madhe,
edhe pastroheshim krejt, në puset e njëpasnjëshme që i kishin rregulluar
përgjatë rrjedhës së tij, deri poshtë tek Ligatina,
mbushur ma kallamishte. Pak përmbi të, ishte humusorja, vendi ku nxirrnin
humë, një lloj dheu i yndyrshëm, që shkumëzonte dhe përdorej në vend të sapunit.
Aty, ore lumë vëllai, vinin e merrnin me thasë, njerëzit e fshatrat përreth dhe
e përdornin në shtëpitë e tyre për pastrim.
Gjithë ai guri masiv, që me kohë kishte
fituar shenjtërinë e tij, qëndronte disi pezull, as në tokë, as në qiell. Barku
i tij, i tëri, kullonte ujë të ftohtë, që të binte në lule të ballit e të
kthjelltë bilur. Por, ç’e do të shkretën, kur nuk mund ta shijonim lezetshëm!
Për të pirë ujë në pusin që krijohej nga pikat që binin pa pushim, si një shi i
qetë, nuk ishte edhe aq lehtë e rehatshëm. Duhej futur trupi nën gurin e madh, i
zverdhur nga myshqet, që të kallte datën. Gjunjët duhej vënë në dy rrasa të
lëmuara e shuplakat e duarve në dy gurë të rrumbullakët, të rrëshqitshëm si
akulli. Buzët dhe gojën duhej futur në ujë, gjithmonë me frikë se do shembej
guri...
Kësaj radhe, nuk nxitonte për ta shuar
etjen, se ishte herët e ende nuk e kishte kapur etja, por për një punë tjetër.
Sot, bëheshin dy javë që kur në baltën e puseve të mëposhtëm kishte futur një
tubë lëvoresh të blinit për ta regjur e për të ber bahe. Ah, sa e dhimbshme
ishte të shihje nëpër mal drunjtë e rrjepur cullak të blinjve të drejtë si
qiri! Ama, kur e shihje çfarë bahesh
bëheshin nga blini i regjur, i harroje ato mëkate! Të forta, të përdorshme e të
përsosura. Pushkë e shkuar pushke! Me të mund ta hidhje gurin tej e tej, shpat
më shpat. Sa e sa herë përpiqeshim t’i qëllonim helikopterët! Bistakët e gjatë
në fund të saj, të bëra tufë, kërcisnin sa valteri i gjermanit!
E gjeta!- bërtiti gati me zë, kur duart
e futura në baltë deri në bërryla, hasen në lëmshin e butë të lëvores së blinit,
që ishte regjur e ishte ber si fije mëndafshi. U gëzua, sepse ishte nisur
shpërthyer, pas ëndrrës së mbrëmshme...
- O Shkëmb Lisi, po na sakaton me atë
bahe, ore burrë!- i erdhi zëri i ngjizur i Babëlokut, siç e quanin bariun më të
vjetër të katundit, emrin e të cilit, rrallëkush e dinte, i cili kishte kaluar
të tetëdhjetat dhe nuk u ndahej dhive të tij të kuqe.
-Dreq o punë!- mërmëriti me vete, po ky
ishte guri i parë që e hodhi në drejtim të Shpallazit,
më shumë për të provuar bahen e posa mbaruar. Nuk besoj që e ka hetuar gurin, se
ka rënë shumë larg, por e ka dëgjuar krismën, ia bëri vetës.
- Po ku je, o Babëlok?- i lëshoi në zë,
duke e mbështjellë bahen përreth belit.
- Ngjitu më lart, këtu në Livadhin e
Kolbibës!
- Erdha, erdha!
- A këtu ke fjetur a?- ia priti plaku
si me qesëndi, duke zënë vend mbi disa dushqe të prera rishtas, por, nga rrezet
e forta të diellit të korrikut, kishin nisur të merrnin ngjyrë të kuqërremtë.
- Jo Babëlok, por sot jam zgjuar shumë
më herët se ditëve të tjera, ngase pashë ëndërr sikur ma kishin gjetur e ma kishin marrë blinin e
regjur aty në baltakun e Gurinës.
-Eja këtu, or bir, eja, e mos ju beso
ëndrrave, ato të çojnë kahmos e nuk mundesh me u dalë në krye kurrë.
- Veç po i kthej delet këndej, ndoshta
mrizojnë pak në brekinë e madhe, e ne po
ia krisim muhabetit...
...Këtu ka qenë trualli i të parit
tonë, Kolës. E sheh, ende ka gjurmë vendbanimi, përplot copa gurësh e tjegullash,
- nisi rrëfimin Babëloku. Unë nuk mbaj mend asgjë, veç sa kam dëgjuar nga babai
e gjyshi, të cilit i përcillnin historitë e treguara nga gjyshërit e
stërgjyshërit e tyre.
Vërtet, ai vend ngjante në një truall
të hershëm, në një lëmë të rrahur, në një ngrehinë buzë përroskës, rrethuar me
plepa të egjër, me blinj, me brekia, me dardhë, me kumbulla, me lajthi, me
thana, me dëllinja, me shkozë të bardhë...Edhe dheu ishte si më i brishtë.
Përskaj rrugës që lidhte udhëkryqin e madh, që të gjithë e quajnë Udhëkrysa dhe shkonte deri poshtë të kalaja e Gjytetit,
breshkat lëshonin vezët, të cilat, nga kureshtja, shpesh ne fëmijët i zbulonim
dhe i dëmtonim,- u kujtua djaloshi sakaq...
-Po thua se katundi ynë këtu i kishte
themelet e para?!- pyeti Shkëmbi, duke i hapur sy e vesh, për të përpirë çdo
fjalë e për të kuptuar më mirë.
-Po, pikërisht këtu, ku jemi ulur, ka
qenë trualli i Kolë Bibës! Shiko si është vendi i pak si i ngritur, i rrafshët
dhe i rrumbullakët, si një sofër e shtruar. Mbaje mend mirë, Galica është një
vendbanim shumë i lashtë. Këtë e dëshmojnë edhe toponimet e sotme, si: Livadhi i Kolbibës, Livadhi i Gjeloshit, Vorret e
katolikëve, Katuni i moçëm, Arat e
Katunit të moçëm, Lugu i Katunit të
moçëm, Gurreci, Lugu i Zanave etj.
- E mandej, o Bacaloku ynë?!- nuk i
pritej djaloshit, derisa plaku piu një gllënjkë ujë nga paguri, që vazhdimisht e
mbarte krahaqafë.
- Epo, më thuaj ku mbeta...Dikur moti, Preka,
me dy vëllezër; Obrin e Lutën, e me nip Kolën e ri, djalin e Bibës, i cili kishte ngelur në
betejën e Kuçit në Mal të Zi, pasi kishin degdisur gjithandej, erdhën e zunë
vend në Drenicë. Një vëlla, që ia paskam harruar emrin, ishte ndalur në Bërnjakë
të Kolashinit e shumë anëtarë të tjerë ia kishte ngrënë lufta kundër
anadollakëve. Dorën në zemër, siç na thoshin pleqtë, një kohë, Rrafshi i
Kosovës ishte i mbytur në ujë dhe njerëzit kishin koptisur maleve e kodrave.
Shumë kishin kapërcyer edhe Bjeshkët e Nemuna. Kështu lëvizjet e tyre, bëheshin
andej e këndej...Nuk duhet ngulur këmbë në atë se nga erdhëm e nga shkuam,
sepse lëvizje të tilla ka pasur e do të këtë gjithmonë...
-Ndoshta të lodha, por si sot po më
kujtohen rrëfimet e gjyshit për familjen e madhe të të parëve tanë,- foli plaku
i ngazëllyer e i zhytur në rikujtime...
- Të lumtë goja, se më kënaqe,- ia ktheu
djaloshi, duke vrapuar për në përrua, që ta merrte tasin me qumësht, të futur
në ujë për ta ftohur e për të zënë pakëz mazë.
Plaku, pasi piu qumështin, fshiu buzët
me mindilin që mbante në xhepin e jelekut, në të cilin ruante kujdesshëm orën e
xhepit Serkisof, lëmoi mustakët e
zbardhur dhe ua hodhi një sy dhive që kullotnin atypari, vazhdoi qetë-qetë:
...Kjo derë fisnike karakterizohej për bujari, trimëri dhe
mençuri. Edhe pse i kalonte të nëntëdhjetë anëtarët, çdo gjë shkonte për lakmi.
Secili i dinte punët dhe detyrat e veta. Të gjithë, burrat, gratë fëmijët
punonin ashtu siç thoshte i zoti i shtëpisë. Ai pyetej dhe përgjigjej për çdo
gjë. Kjo nuk ishte punë edhe aq e lehtë. Mirëpo baca Prekë, siç e quanin të
gjithë, ia dilte mban e për lakmi. E qeveriste mirë e mbarë. Drejtësia dhe
korrektësia e ndihmonin. Çdo gjë bëhet mirë kur e qet dorën në zemër,- thoshte
ai. Zemra nuk të mashtron kurrë. Me të matet mirësia dhe burrëria. Mos puno më
hile, kurrë mos u friko. Ndero që të të nderojnë. Sillu mirë që të të
respektojnë. Këto janë rregulla që vlejnë për familje e për shoqëri.
Dhe, vetë i posedonte që të gjitha
këto. E nderonin dhe e respektonin kudo, në shtëpi, në dasma, në kuvende e në
vdekje gjithmonë në krye të vendit. E meritonte. Ishte i fjalës e i punës. Edhe
pse u afrohej të nëntëdhjetave, kurrë s’ndalej. E gjeje kudo. Rregullonte kroje
bri rrugëve, shartonte pemë arave e maleve, meremetonte ura e zgjeronte rrugë.
Me shembuj e jo me fjalë edukohet brezi i ri,- thoshte dhe, punonte e punonte,
pa u ndalur. Kjo e bënte edhe më të dashur e më të nderuar.
Bacën Prekë e gjeje edhe në kuvende
burrash. Ishte kokë katërqind dërhemësh, siç i thoshin shkodranët. Fjala e tij
peshonte dhe zinte vend në çdo kuvend. Fjala e burrit, pesha e gurit! Ajo nuk
duhej të ishte e rrumbullakët, që të rrokullisej e të mos zinte vend askund,
por petake e të ngulitej,- këshillonte
ai gjatë bisedave. I urrente shumë pleqnitë me gverr, që i bënin disa. Ato sillnin
ngatrrës dhe hasmëri të reja. Plagët e popullit duhej shëruar e mbyllur mirë.
Pajtonte ngatërresa e gjaqe me drejtësi.
Kudo e thërrisnin. Edhe nga larg vinin dhe të gjithë ndaheshin të kënaqur.
Netëve të gjata të dimrit me ëndje
rrëfente për ngjarje nga e kaluara jonë historike. Ende e kishte të kthjelltë mbamendjen. Në rini
kishte kënduar bukur dhe i kishte rënë lahutës për mrekulli. I njihte fort mirë
historinë dhe traditën kombëtare.
Dhe, vitet rridhnin lumë. Familja e tij
rritej e zgjerohej. Nga pesha e rëndë, zu të lëkundej. Nuk mbahej dot. U mbush
nipa e stërnipa, mbesa e stërmbesa. Bashkëjetonin mbi pesë breza. Plaku vërente
çdo gjë. Atij nuk i shpëtonte asgjë pa e parë. Ishte mbushur kupa.
Një ditë i tuboi meshkujt dhe u foli
shtruar: “Unë jam plakur dhe jam lodhur.
Një këmbë në dhe e një mbi dhe. Sot jam e nesër s’jam. Vdekjes nuk i dihet, e
kemi më afër se këmishën veshur. Deri këtu të gjithë na kanë marrë lakmi. Edhe
më tutje duhet të jemi shembull për të mirë. Çdo gjë ka kufi. Bleta kur mbushet
lëshon. Edhe ne jemi mbushur, duhet të ndahemi. Këtë punë dua ta bëj vetë, sa
jam gjallë. Është turp për mua që i kam rregulluar punët e botës t’ju lë
ngatërresa. S’kanë thënë kot se pleqnarët u ngjasojnë llambave, që botën e
ndriçojnë e veten e lënë në terr. E unë nuk dua të jem i tillë. E di çdo të
thotë të shembet një kala, e cila me vite e vite është ngritur. Duhet mjeshtëri
e drejtësi se, po nuk dite, rrokulliset tatëpjetë…”.
Foli e foli. Ata e dëgjonin. U vinte
rëndë dhe nuk flisnin. Hezitonin, por u bindën. U ndanë mirë e mbarë, ashtu siç
edhe patën jetuar. Pa fjalë e pa zhurmë.
Vetë, më djemtë, u ndal aty ku ishte, në Prekazin e sotëm. Pranë e ndali njërin
nip, nga i cili u formua Tërnafci. Nipi tjetër, i pari ynë,
Kola, erdhi e u vendos këtu ku jemi ulur, pranë Gurrecit me ujë të bollshëm, ku
zë fill Galica jonë. Ndërkaq dy vëllezërit e tjerë vazhduan më tutje.
Obri e kërkonte ujin që buron nga Guri i kuq. Dhe e gjeti në shkrepat e Obrisë
së sotme, kurse Luta, që ishte bujk i mirë, u vendos në tokat pjellore të Rrafshit të Dukagjinit
dhe e themeloi Lutogllavën e Pej?s.
Baca Prekë, i lumtur dhe i kënaqur, i
kaloi ditët e fundit të pleqërisë. Të gjithë i vizitonte me radhë. Hipur në
çeze, që e tërhiqnin dy kuaj qimekuq, shëtiste sa andej, sa këndej. Çka shkelte
këmba e kalit e ç’i zinte syri, ishin të tijat, të gjakut e të barkut të vet.
Zemra i rritej, i bëhej mal.
-O Babëlok, e pse lëvizëm pastaj dhe kaluam matanë kodrave, aty
ku jemi sot?- u interesua djaloshi.
-Eh, kjo është histori në vete! E lëmë
për herën tjetër, se shkon gjatë muhabeti. Kam më të rrëfyer edhe për Vorret e katolikëve, edhe për Katundin e Moçëm, edhe për Lugun e Zanave, edhe për themelet e
kishës, edhe...Po nisemi se na zuri pika e zhegut. Dhitë e dhentë kanë nevojë
për të mrizuar e për t’i ushqyer të edhat e qengjat e tyre...
-Pajtohem Babëlok! Historinë e Livadhit të
Kolbibës e mësova dhe nuk do ta harroj për jetë të jetëve dhe do ta
mbajë vath në vesh, si amanet brezash!
-Sa me gëzim e padurim po e pres
takimin tjetër!- ia bëri vetes djaloshi dhe u nis pas tufës së deleve, që nga
vapë e madhe kishin futur kokat njëra nën tjetrën, duke lënë prapa re të
dendura pluhuri...
Ditë e re, histori e re!
Galicë, qershor 2026



