Xhelal Zejneli: Robert Elsie – njeriu që ia solli botës Shqipërinë
ROBERT ELSIE
ALBANOLOGU TË CILIN NUK
DUHET HARRUAR
NJERIU QË IA SOLLI BOTËS
SHQIPËRINË
Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i
vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën
letrare të tij ku strehonte kulturën shqiptare.
“Ne
lindëm shqiptarë, ty të bëri pasioni të tillë!” Kumbaro

Robert Elsie (Vancouver,
Kanada, 29.06.1950 – Berlin, 02.10.2017). Studioi filologjinë klasike dhe
gjuhësinë në Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia).
Diplomoi në vitin 1972. Po atë vit erdhi në Evropë me një bursë studimesh. I
vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie
Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole
Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime
të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë dhe në
Universitetin e Bonit (Universität Bonn) ku në vitin 1978 mbrojti
doktoratën për gjuhësi krahasimtare
dhe keltologji. Në atë kohë Instituti
i Gjuhësisë i Universitetit të Bonit, me studiues nga Shqipëria komuniste
kishte kontakte të rralla. Nëpërmjet këtyre kontakteve, Elsie, disa studentë
dhe studiues të tjerë, në kuadër të takimeve
shkencore midis Institutit Gjerman dhe Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë.
Disa vjet me radhë ka marrë pjesë në
Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare të mbajtur
në Prishtinë. Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 të qindvjeçarit
XX, këto udhëtime i gjallën një interesim të veçantë për Shqipërinë e mbyllur
dhe për kulturën e saj jo mjaft të njohur në botë. Pasi e mësoi shqipen,
iu kushtua albanologjisë. Më vonë, ai do
të bëhej një ndër ekspertët më të njohur të kësaj fushe.
Është autor i mbi gjashtëdhjetë librave dhe i
artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Në mes të
viteve ’80 të qindvjeçarit XX, punoi si përkthyes
për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon. Prej viteve 1990... e
deri ne fillim të shekullit XXI ka
punuar si përkthyes i shqipes. Ka marrë pjesë në bisedime të
nivelit të lartë për qeverinë gjermane, për BE-në, për Kombet e Bashkuara, për
NATO-n, për Këshillin e Evropës, etj. Prej
vitit 2002 ka punuar për Tribunalin e Hagës. Ka qenë përkthyes simultan në procesin gjyqësor
ndaj Slobodan Milosheviqit.
Është anëtar i Shoqatës së Evropës
Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së
Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve
të Kosovës.
* * *
Elsie vdiq në Berlin më 2 tetor 2017 nga sëmundja e neuroneve motorike. Kur vdiq Elsie, u
tha në mediume se kishte kërkuar në testamentin e tij të varrosej në Shqipëri.
Pas dy jave doli se Elsie nuk kishte shkruar në testamentin e vet se ku do të
varrosej. Ka qenë
vendim i partnerit të tij të jetës, Stefan
Trirueller (Stephan Trierweller) që ai të varroset në Shqipëri për shkak të
dashurisë që për tokën arbërore.
Arkivoli i Elsies u soll në Shqipëri dhe u vendos në
Bibliotekën Kombëtare në Tiranë ku njerëzit do ta shprehnin respektin e tyre.
Ceremonia e lamtumirës për nder të tij u mbajt në Tiranë. Morën pjesë miq,
akademikë dhe politikanë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë jetës së tij, Elsie manifestoi dashuri për
Thethin, duke e parë atë si një "Shangri-La"* shqiptare. Më 18 tetor u varros
në atë fshat verior të qarkut të Shkodrës që ndodhet në alpet shqiptare.
Shënim: Shangri-La është bërë sinonim i çdo
parajse tokësore, veçanërisht i një utopie mitike për Himalajën - një tokë
përjetësisht e lumtur dhe e izoluar nga bota.
* * *
Dekorimet: Medalja e mirënjohjes, dekoruar më 15
maj 2013 nga Presidenti i Shqipërisë Bujar
Nishani (Durrës, 1966 – Berlin, 2022). Në vitin 2017 Nishani ka qenë në Qabe
(Mekë). Është i pari politikan shqiptar që e viziton këtë vend.
Robert Elsie u nderua për kontributin e
tij si studiues për më shumë se 35 vjet, duke promovuar në arenën ndërkombëtare kulturën, gjuhën, letërsinë dhe historinë e
shqiptarëve, bashkë me imazhin pozitiv të Shqipërisë në botë. Duke
shprehur mirënjohjen e tij, Presidenti Nishani e quajti Elsien "një shqiptar i mirë".
Robert Elsie është dekoruar edhe me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”.
* * *
VEPRAT - Në albanologji, Elsie ka kontribuar me 150 libra
dhe artikuj shkencorë. Elsie
botoi rreth 60 libra në anglisht, në shqip dhe në gjermanisht. Botime të hershme të tij janë: “Fjalor i letërsisë shqiptare”
(Dictionary of Albanian
Literature),Westport, Konektikat 1986 dhe “Histori e letërsisë shqiptare”
(History of Albanian Literature), Boulder, Colorado 1995, në dy
vëllime.
Kjo vepër e fundit doli në shqip me
titullin “Histori e letërsisë
shqiptare”, fq. 686; shtypur në NBGL Dukagjini, Pejë, 1997;
përkthyer prej anglishtes nga Abdurrahim
Myftiu (Peqin, 1934 - ), i internuar për motive politike,
prej datës 31.12.1968 deri më 01.01.1982.
*
* *
Libri i sipërthënë doli edhe në polonisht
me titullin “Pasqyrë e historisë së
letërsisë shqiptare” (Zarys historii
literatury albanskiej), Torunj 2004.
Ka botuar edhe përkthime letrare në
anglisht dhe gjermanisht, siç janë në vëllimin e UNESCO-s “An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry”
(Një shqiponje e arratisur fluturon:
antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; “Albanian
Folktales and Legends” (Përralla
dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994.
Pasojnë veprat letrare të Migjenit (1911-1938) përkthyer në
anglisht në vëllimin “Free Verse” (Vargjet e lira), Tiranë 1991 dhe në gjermanisht në vëllimin “Freie
Verse” (Vargjet e lira),
Idshtajn (Idstein) 1987.
Pason antologjia në gjermanisht e poezisë
shqiptare “Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert
bis zur Gegenwart” (Si një
shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shekulli 16 deri me sot), Hildesheim
1988.
Pasojnë veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja (Gjakovë, 1942 – Lodève,
Francë, 2012) në “Who Will Slay the Wolf: Selected Poetry” (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur),
Nju-Jork 2000; Flora Brovina (1949-
) në vëllimin “Call Me by My Name: Poetry from Kosova” (Verma emrin tim: poezi nga Kosova), Nju-Jork 2001; dhe Eqrem Basha (1948- ) në vëllimin “Neither
a Wound nor a Song: Poetry from Kosova” (S’është plagë s’është as këngë: poezi nga Kosova), Nju-Jork 2003.
Këto përkthime Elsie i ka bërë në
bashkëpunim me poeten, përkthyesen dhe kritiken letrare kanadeze Janis Mati-Hek (Janice Mathie-Heck;
Jasper, Alberta, 1950- ).

Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në
Kosovë, kryesisht të panjohur në botën e jashtme, Elsie përpiloi antologjinë e
parë të madhe me shkrime lidhur me temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh “Kosovo:
In the Heart of the Powder Keg” (Kosovë:
në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997.
Pas kësaj botoi edhe një përmbledhje
tekstesh historike për Kosovën me titullin “Gathering Clouds: The Roots of Ethnic
Cleansing in Kosovoand Macedonia, Early Twentieth-Century Documents”
(Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit
etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit njëzet),
Pejë 2002.
Më vonë Elsie u përqendrua më shumë në
lëmenjtë e tjerë të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Ndihmesë
e madhe për antropologjinë shqiptare ishte vepra e tij “Dictionary of Albanian
Religion, Mythology and Folk Culture” (Fjalor i fesë, i mitologjisë dhe i kulturës popullore shqiptare),
Londër 2001. Vepra doli në gjermanisht në vëllimin “Handbuch zur albanischen
Volkskultur” (Doracak i
kulturës popullore shqiptare),
Wiesbaden 2002 dhe në shqip, në vëllimin “Leksiku i kulturës popullore
shqiptare”, Tiranë 2005.
E botoi në gjermanisht Kanunin, “Der
Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë
Dukagjini” (Kanuni: E drejta
zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë
2001.
Në bashkëpunim me antropologjisten Antonia Jung (Antonia Young; 1955- ),
Universiteti i Bredfordit (University of Bradford) dhe me fotografen norvegjeze
Ann Christine Eek (1948- ) botoi
studimin antropologjik të fshatit kosovar nga antropologia norvegjeze Berit Beker (Berit Backer, 1947-1993), “Behind
Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova”
(Prapa mureve të gurta: ndryshime në
organizimin familjar ndër shqiptarët e Kosovës), Pejë 2003.
Pas kësaj, botoi dorëshkrimin e hershëm në
gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz
Doda* (rreth 1888-1933), “Albanisches Bauernleben im oberen Rekatal
bei Dibra, Makedonien” (Jeta
fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë), Vjenë
2007.
Shënim: Bajazid
Elmaz Doda (Shtirovica, 1888 –
Vjenë, 25.04.1933) - shkrimtar dhe fotograf etnografik shqiptar, autor i librit
historik-kulturor “Albanisches Bauerleben
im oberen Rekatal bei Dibra” (Jeta e
fshatarëve shqiptarë në grykën e Rekës së Epërme, Dibra e Madhe; Maqedoni); Vjenë 1914.
* * *
Në fushën e historisë me të cilën është
marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit njëzet, në bashkëpunim
me Robert Dankoff (1943- )*, Elsie ka botuar dhe ka përkthyer nga
osmanishtja pjesë të veprës “Sejahatname“
(Udhëpërshkrim) të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për
trevat shqiptare: “Evliya Çelebi in Albania and Adjacent
Regions” (Evlija Çelebi në
Shqipëri dhe në viset fqinje), Leiden 2000. Kjo vepër doli në shqip në
vëllimin “Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje”, Tiranë
2008.
Shënim: Robert
Dankoff (Rochester, Nju-Jork,
1943- ) profesor Emeritus i Studimeve Osmane dhe Turke, Departamenti i gjuhëve
dhe i qytetërimeve të Lindjes së Afërt në Universitetin e Çikagos.
* * *
Përveç kësaj, ai e zbuloi dhe e botoi
dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Zhan-Klod Faverial (Jean-Claude Faveyrial, 1817-1893), “Histoire
de l’Albanie” (Historia e
Shqipërisë), Pejë 2001 që doli në shqip në vëllimin Më e vjetra “Histori e Shqipërisë”, Tiranë 2004.
Elsie e zbuloi dhe botoi dorëshkrimin në
gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) në “Reisen in den Balkan”
(Udhëtime në Ballkan), Pejë 2001, që
doli në shqip në vëllimin “Udhëtime nëpër Ballkan”, Tiranë
2007.
* * *
- Robert Elsie (2016). “Përkthime të hershme të Biblës në shqip në
shkrimin Todhri”. Platforma e botimeve të pavarura Create Space.
- Robert Elsie dhe Bejtullah D.
Destani, red. (2018). “Kosova, Një
histori dokumentare: Nga luftërat ballkanike deri në luftën e dytë botërore”.
I. B. Tauris.
- Robert Elsie (2019). “Bektashinjtë shqiptarë: Historia dhe
kultura e një urdhri dervish në Ballkan”. Bloomsbury Publishing.
Në bashkëpunim me studiuesin
shqiptaro-britanik Bejtullah D. Destani
(Prizren, 1960- ), Londër, Elsie botoi ditarin e poetit dhe të piktorit anglez Eduard Lir (Edward Lear, 1812-1888), në
vëllimin “Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans”
(Eduard Lir në Shqipëri, ditari i një
piktori të peizazheve), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin “Eduard
Lir në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849”, Tiranë 2008.
U botua një përmbledhje tekstesh të
hershme historike për Shqipërinë, të përkthyera nga gjuhë të ndryshme, “Early
Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries” (Shqipëria e hershme: antologji tekstesh
historike, shekujt XI - XVII), Wiesbaden 2003.
Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova
vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga
lexuesit perëndimorë, për këto vende Elsie botoi dy manualë informativë:
“Historical
Dictionary of Albania” (Fjalor
historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe “Historical Dictionary of
Kosova” (Fjalor historik i
Kosovës), Lanham, Maryland, 2004. Këto vepra, përkundër titullit ‘historik’, janë libra të përgjithshëm
informativë.
Sërish në fushën e letërsisë, Elsie botoi
një vëllim të ri të historisë së letërsisë, më të përmbledhur dhe më të
shkurtër, në vëllimin “Albanian Literature: A Short History”,
Londër 2005, që doli në shqip në vëllimin “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër”,
Tiranë 2006.
Ka bërë edhe përkthime të tjera letrare,
përsëri me Janis Mati-Hek (Janice
Mathie-Heck), vepra të zgjedhura të këngëve epike të veriut, në vëllimin “Songs
of the Frontier Warriors”: (Këngë Kreshnikësh), “Albanian Epic Verse”
(Këngë kreshnikësh, poezia epike
shqiptare), Wauconda, Illinois 2004;
- tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Migjeni (1911-1938), në vëllimin “Tales
from Old Shkodra: Early Albanian Short Stories” (Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare), Pejë
2004;
- vepra poetike të Visar Zhitit (1952- ) në “The Condemned Apple” (Molla e dënimit), Los Anxhelos 2005;
- antologjinë e parë në anglisht të prozës
bashkëkohore shqiptare në vëllimin “Balkan Beauty, Balkan Blood: Modern Albanian
Short Stories” (Bukuria e
Ballkanit, gjaku i Ballkanit: tregime bashkëkohore shqiptare), Evanston,
Illinois 2006;
- romanin e Fatos Kongolit (1944- ) “The Loser” (I Humburi), Bridgend, Uells 2007;
-
veprat poetike të Azem Shkrelit
(1938-1997) në vëllimin “Blood of the Quill: Selected Poetry from
Kosovo” (Gjaku i penës: poezi
të zgjedhur nga Kosova), Los Anxhelos 2008;
- një antologji të plotë historike të
poezisë shqipe “Lightning from the Depths: An Anthology of Albanian Poetry” (Se fund’i ujit vetëti: antologji e poezisë
shqipe), Evanston, Illinois 2008;
- romanin e Ornela Vorpsit (1968- ) “The Country Where No One Ever Dies”
(Vendi ku nuk vdes askush),
Champaign, Illinois 2009; dhe
- përkthime të mëtejshme të poezisë gojore
në librin “The Battle of Kosovo, 1389, An Albanian Epic” (Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar),
Londër 2009, të sociologes, gazetares dhe ish-konsulentes së Kombeve të
Bashkuara, të lindur në L’Aquila të Italisë Anna Di Lellio-s;
Shënim: Sipas historianit dhe
diplomatit serb Dushan Batakoviq (Dušan
Batakovi?, 1957- ), “Di Lellio në
shkrimet e saj mban qëndrim pro-shqiptar”. Anna Di Lellio ka shkruar për një sërë temash që lidhen me
praninë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe në Irak. Është redaktore e librit ”Kauza e Kosovës: Rruga drejt pavarësisë” (The Case for Kosova: Passage to
Independence, 2000),
një antologji esesh mbi të ardhmen e Kosovës.
* * *
Puna më ambicioze letrare e Elsies është
përkthimi në anglisht, në bashkëpunim me Janis
Mati-Hek (Janice Mathie-Heck), nga gegërishtja, i eposit letrar të Gjergj Fishtës (1871-1940), “The
Highland Lute: The Albanian National Epic” (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, vepër kjo
me 30 këngë dhe 15,613 vargje. Rishfaqja në publik e këtij eposi, të ndaluar me
vite nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e
vendit.
* * *
Në lëmin e fotografisë së hershme
shqiptare Elsie ka botuar dy albume të mëdha: “Dritëshkronja: Fotografia e
hershme nga Shqipëria dhe Ballkani”, Prishtinë 2007, që i përfshin
fotografitë e para të bëra ne Shqipëri. Janë 50 fotografi të fotografit vjenez Dr. Jozef Sékeli (Josef Székely, 1838-1901)
prej vitit 1863 dhe koleksionet e albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Deva, Rumani, 1877 –
Vjenë, 1933), të Bajazid Elmaz Dodës (1888-1933),
të albanologut austriak Maksimilian
Lamberc (Maximilian Lambertz,1882-1963) dhe të ushtarakëve të misionit
ushtarak holandez të viteve 1913-1914.
Shënim: Përkthimi i “Lahutës
së Malcís” të At Gjergj Fishtës në gjermanisht u
realizua nga albanologu austriak Maksimilian
Lamberci (Maximilian
Lambertz). Përkthimi u krye në vitin 1958. Lamberci e quajti Fishtën
poet gjenial, kurse kryeveprën epike të tij e konsideronte monument të vërtetë të letërsisë
* * *
Ka botuar gjithashtu, në një vëllim
trigjuhësh – anglisht, frëngjisht, shqip - fotografitë e para me ngjyra në
Shqipëri dhe Kosovë të bankarit dhe bamirësit francez Alber Kan (Albert Kahn, 1860-1940) në Paris, me titullin “Shqipëria dhe Kosova në
ngjyra 1913”, Tiranë 2010.
Së fundi janë botuar për herën e dytë, të
përditësuar dhe dukshëm të zmadhuar: “Historical Dictionary of Albania”
(Fjalor historik i Shqipërisë),
Lanham, Maryland 2010, me 660 faqe; dhe “Historical Dictionary of Kosovo” (Fjalor historik i Kosovës), Lanham,
Maryland 2010, me 451 faqe.

Pas viteve 1990, me faqet e tij në
internet, Elsie jep të dhëna të hollësishme për shqiptarët. Veprat që s’i botoi
në të gjallë, do të botoheshin post
mortem.
* * *
Studiues të
huaj të njohur të gjuhës, të historisë dhe të kulturës shqiptare kanë qenë: albanologu gjerman Johan Georg fon
Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869); albanologu austriak me prejardhje hebraike Norbert Jokli (1877-1942); albanologu austriak Maksimilian Lamberc (Maximilian
Lambertz, 1882-1963); albanologia ruse Agnja Vasiljevna Desnickaja (1912-1953);
albanologu austriak Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900);
albanologu kroat Milan Shuflaj (1879-1931); albanologu danez Holger Pedersen (1867-1953)
etj.
* * *
Robert Elsie, krahas kontributit të tij të çmuar si albanolog,
studiues dhe përkthyes do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga publiku
shqiptar edhe për vetëdijen dhe kujdesin e veçantë që tregonte për pasurimin e
arkivave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me dhurimet e veprave dhe
artikujve të tij të shumtë studimorë. Ato përbëjnë sot një fond të vyer në
fushën e albanologjisë dhe të studimeve mbi letërsinë dhe kulturën
mbarëshqiptare. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare ruhen mbi 150 libra dhe artikuj
shkencorë, kryesisht në fushën e albanologjisë, të antropologjisë, të
përkthimeve nga thesaret e folklorit shqiptar, por edhe përkthime të autorëve
të letrave shqipe, ku spikat kontributi i rëndësishëm nëpërmjet përkthimit të veprës epike të Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcís”.
Tashmë Biblioteka Kombëtare, në homazh të këtij personaliteti të
shquar, ka çelur një ekspozitë me kontributin e tij të jashtëzakonshëm. Tituj
të caktuar të Elsies meritojnë vëmendje të veçantë, si: Botimet e veprës së tij
studimore kushtuar Shqipërisë – dashurisë
së tij të madhe – zënë fill me botimin në vitin 1986 të “Dictionary of Albanian literature”,
“Albanian literature in Greek script: the eighteenth-and early
nineteenth-centry orthodox tradition in Albanian weriting” (1991) (“Fjalor i letërsisë shqipe”, “Letërsia
shqipe me alfabet grek: tradita ortodokse në shkrimin shqip të shekullit të
tetëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë”); “Historia e letërsisë shqiptare” (1997);
“Albanian alphabets: borroëed and invented”
(2017) (“Alfabetet shqipe: të huazuara
dhe të shpikura”) etj.
Njohës i shkëlqyer i shqipes dhe i kulturës shqiptare, Robert
Elsie ka përkthyer në gjuhën angleze autorë dhe poetë të rëndësishëm shqiptarë,
si Gjergj Fishta (1871-1940), Migjeni (1911-1938), Ali Podrimja (Gjakovë, 1942 – Lodève,
Francë, 2012), shkrimtari dhe matematikani Fatos Kongoli (Elbasan, 1944- ), poeti dhe prozatori Azem Shkreli (Lindi në Rugovë të Pejës
në vitin 1938; vdiq në vitin 1997); poetja dhe pediatrja Flora
Brovina (Skenderaj, 1949- ), shkrimtari dh epoeti nga Kosova, Eqrem Basha (Dibër, 1948- ), fotografja, piktorja dhe shkrimtarja Ornela Vorpsi (Tiranë, 1968- ).
Është autor i shumë recensioneve
për veprat e Ismail Kadaresë (Gjirokastër,
1936 – Tiranë, 2024), të poetit Xhevahir Spahiu (f. Malind, ish-komunë
e Çepanit në qarkun e Berattit, të
poetit Shaip Beqiri (1954- ), të shkrimtarit Kasem Trebeshina (Berat, 1926 – Ankara, 2017) etj.
* * *
Me rastin e vdekjes së Elsies, prononcohen personalitete të
ndryshme të kombit. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të
pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush
ka qenë Robert Elsie. Letrat shqipe sot, mbase prej moskujdesi, nuk kanë
treguar vëmendje të duhur për këtë titan të letrave, por brezat që do të vijnë,
do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe tejet punëtor, i ka bërë shërbim të
jashtëzakonshëm kulturës shqiptare. Vepra e këtij njeriu modest ka qenë
engjëlli i vërtetë mbrojtës i kulturës shqiptare.
Poetja dhe shkrimtarja Flutura
Açka (Elbasan, 1966- ) flet për amanetin e Elsies: “Dua të prehem në Shqipëri!”
Ministrja e Kulturës Mirela
Kumbaro Furxhi (Tiranë, 1966- ), midis tjerash shkruan: “Ne lindëm
shqiptarë, ty të bëri pasioni të tillë!” Prononcohet edhe kreu më i
lartë i qeverisë: “Robert Elsie
dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha
nderimet që meriton.”
Prend
Buzhala (Çabiq i Klinës, 1951- ): Tri punë monumentale të Elsies për
shqiptarët Prej vitit 1990 e këndej ne
nuk ishim në gjendje ta hartojmë një histori të letërsisë shqipe dhe këtë e
bëri Robert Elsie me veprën “Histori
e letërsisë shqiptare” 1997 (botimi II më 2001). Akademitë tona, katedrat tona albanologjike ende bëjnë gjumin dimëror
“demokratik”, mbasi paguhen me paga të majme… Fillimisht, e kishte nisur me
veprën studimore “Një fund dhe një
fillim” 1995, me të cilën ai sintetizon për herë të parë studimet për
letërsinë e çliruar nga prangat ideologjike të pushtetit. Në fakt, kjo vepër
përfshin studime që fillimisht u shkruan për të huajt, e mandej erdhën edhe në
versionin shqip.
Veprat kushtuar Kosovës - Vjen
tema e madhe e Kosovës me disa vepra, si
ajo me 600 faqe, “Kosovo: In the
Heart of the Poëder Keg” (Kosovë: në
qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997; dhe vepra me shkrime historike “Gathering
Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia, Early
Tëentieth-Century Documents (Stuhi në
horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit
të shekullit të njëzetë), Pejë 2002. Lexuesve të pasionuar nuk u ka
shpëtuar vepra “Leksiku i kulturës
popullore shqiptare”, Tiranë 2005, sidomos dy leksikonët: “Fjalor historik i Kosovës” 2011, dhe “Fjalori historik i Shqipërisë” 2011.
Vjen përkthimi i tij i veprave
monumentale në anglisht “The Highland
Lute: The Albanian National Epic” (Lahuta
e Malcís: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005) dhe i prozatorëve e
poetëve të tjerë.
Të shumta janë edhe veprat dhe shkrimet e tjera nga gjuhësia,
dialektologjia, historia, nga fusha e përkthimeve dhe e botimeve, në anglisht
dhe në shqip.
Arben Llalla (Elbasan, 1972- ) - Vdekja e tij e parakohshme është një humbje e madhe për shkencën shqiptare. Me Robert Elsien kemi bashkëpunuar rreth çështjeve të historisë së shqiptarëve për më se 15 vjet, në veçanti për çështjen Çame. Në botim e fundit të librit tim “Për gjenocidin grekë mbi popullsinë shqiptare në Çamëri në vitet 19944 - 1945”, u këshillova me Elsien për paqartësinë e disa fotografive të viteve 1943. Për njerëzit në fotografi, grekët shkruajnë se janë çamë, por në të vërtetë bëhej fjalë për boshnjakë dhe serbë.





