Xhelal Zejneli: Quo vadis, Maqedonia?!
QUO VADIS MAQEDONIA?!
Maqedonia paraqet raport forcash
shqiptaro-maqedonase

Që nga viti 1990 e këndej, Maqedonia ka qenë një vend
me numër tejet të madh incidentesh. Pothuajse s’ka pasur vit të ketë kaluar pa
incidente. Incidentet në Maqedoni janë përshkuar nga dhuna, nga ndërhyrjet
policore dhe nga ndërhyrjet e njësive speciale të forcave “të rendit”. Shumë
incidente kanë përfunduar me rrahje, me lëndime, me plagosje dhe me vrasje. Pas
incidenteve kanë pasur arrestimet, hetimet, aktakuzat, proceset gjyqësore dhe
dënimet drakonike. Viktimë e të gjitha incidenteve të dy dhjetëvjeçarëve të
pluralizmit politik dhe ideologjik, rëndom kanë qenë shqiptarët, ndërkaq
ushtrues dhune kanë qenë sllavo-maqedonasit.
Mbi shqiptarët në Maqedoni është ushtruar dhunë:
- prej grupeve sllavo-maqedonase;
- prej organeve shtetërore.
Me fjalë të tjera, në periudha të caktuara të njëzet
viteve të fundit, mbi shqiptarët në Maqedoni shteti ka ndjekur politikë
represive dhe opresion.
Dhuna është ushtruar në shumë mënyra: janë sulmuar
nxënësit nëpër shkolla apo nëpër autobusët e qarkullimit qytetor; me pretekste
të ndryshme, janë bastisur shtëpitë e shqiptarëve; nga forcat e armatosura - në
kohë paqeje - janë sulmuar zona të caktuara të hapësirave shqiptare. Vrasje të
caktuara dhe rrëmbime individësh, deri më sot kanë mbetur të pasqaruara.
Gjatë qeverisjes së kryeministrit të përtashëm –
Nikolla Gruevskit dhe VMRO-së së tij, në periudhën e viteve 2006-2012, në
Maqedoni u zbatua një politikë ultranacionaliste. Me fjalë të tjera,
ultranacionalizmi sllavo-maqedonas u bë politikë e shtetit, d.m.th. e qeverisë.
Pjesë e qeverive të viteve 2006-2012 ka qenë edhe faktori politik shqiptar. Nga
kjo del se në zbatimin e politikës ultranacionaliste
sllavo-maqedonase, duke qenë pjesë e qeverisë, ka marrë pjesë edhe vetë faktori
politik shqiptar në Maqedoni. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar në
Maqedoni, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, duke qenë pjesë e
qeverisjes, bëhet kreator dhe zbatues i politikës nacionaliste antishqiptare të
partnerit të bashkëqeverisjes – VMRO-së dhe të kryeministrit Gruevski!!
Maqedonia kontestohet nga boshti anti-maqedonas
Beograd-Athinë-Sofje:
- Serbia e mohon Kishën Ortodokse Maqedonase;
- Greqia e mohon emrin e shtetit, e rrjedhimisht edhe
emrin e gjuhës dhe të kombësisë;
- Bullgaria e mohon gjuhën, kombësinë dhe historinë
sllavo-maqedonase, duke thënë se sllavo-maqedonasit janë bullgarë, gjuha që
flasin është bullgarishtja, ndërsa historia e tyre nuk është veçse histori
bullgare.
Duke qenë të mohuar prej fqinjëve që e rrethojnë,
është vetëkuptueshme që sllavo-maqedonasit janë në krizë identiteti.
Politika e VMRO-së dhe e Gruevskit - historikisht e
vonuar - ka për qëllim të krijojë kombin maqedonas. Për ta tejkaluar krizën e
identitetit, disa akademikë sllavo-maqedonas, prejardhjen e bashkëkombësve të
tyre e ndërlidhin me maqedonasit e lashtësisë. Sipas këtyre pseudo-akademikëve,
po qe se maqedonasit e sotëm nuk ndërlidhen me ata të lashtësisë, atëherë komb
maqedonas në Ballkan nuk ka.
Me regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, të kryer
para dhjetë vjetësh, sipas të dhënave zyrtare, 25.17 % e popullsisë së këtij
vendi janë shqiptarë. Ka që thonë se kjo shifër arrin rreth 30%. Rrjedhimisht,
Gruevski dhe partia e tij pengesën më të madhe për ta krijuar kombin maqedonas
e shohin te shqiptarët. Përse?! Kështu sepse barazia e plotë e shqiptarëve
pashmangshëm do të shpinte ne federalizmin e Maqedonisë. Barazia e plotë do t’u
mundësonte shqiptarëve të fitojnë statusin e popullit shtetformues. Federalizmi
i Maqedonisë dhe statusi i popullit shtetformues të shqiptarëve do t’i shuante përfundimisht
ëndrrat e VMRO-së për një Maqedoni unitare,
monoetnike dhe centraliste.
Maqedoni federale do të thotë Maqedoni dyetnike – shqiptaro-maqedonase.
Për këtë arsye, Gruevski dhe partia e tij, përballë
shqiptarëve në Maqedoni kanë kompleks inferioriteti. Për ta kapërcyer këtë
kompleks inferioriteti, Gruevski dhe partia e tij, ndaj shqiptarëve në Maqedoni
ndjekin politike ultranacionaliste. Nacionalistët maqedonas nuk kanë kapacitet
të ballafaqohen me aspiratat grabitqare të boshtit Beograd-Athinë-Sofje. Me
shqiptarët ndërkaq, mendojnë se mund t’ia dalin lehtë. Duhet thënë se për arsye
pragmatike dhe mbi bazën e antishqiptarizmit të përbashkët, politika e
Gruevskit është e afërt me Beogradin.
Shkupi e di se pretendimet historike të boshtit
anti-maqedonas Beograd-Athinë-Sofje nuk mund të vihen në veprim për shkak të
SHBA-së. Rrjedhimisht, me fqinjët që e kontestojnë, Shkupi s’ka arsye të
përplaset. Sovraniteti dhe tërësia tokësore e Maqedonisë janë nën kujdesin e
Uashingtonit.
Sipas nacionalistëve të Shkupit sllavo-maqedonasit
mund të maten dhe kanë arsye të maten vetëm me shqiptarët brenda. Ndaj,
politika nacionaliste e Shkupit nuk manifestohet ndaj fqinjëve që e
kontestojnë, por ndaj shqiptarëve brenda.
Që nga viti 2006 e këndej, në Maqedoni janë duke u
zhvilluar dy procese:
- e para, krijimi i kombit maqedonas,
- e dyta, shndërrimi i shqiptarëve në pakicë të
papërfillshme.
Procesi i shndërrimit të shqiptarëve në minoritet të nëpërkëmbur
mund të ndikojë:
- në diskreditimin e luftës së 2001-shit;
- në diskreditimin e Marrëveshjes së Ohrit;
- në diskreditimin e faktorit politik shqiptar në
Maqedoni.
Pjesë e pandarë e kësaj politike dhe strategjie të
Gruevski është edhe varfërimi ekonomik i shqiptarëve. Si rrjedhojë e
mosinvestimit në viset veri-perëndimore, shqiptarët shpejt do të ballafaqohen
me papunësi përmasash tronditëse dhe me probleme sociale shqetësuese. Për të
mbijetuar, të rinjtë shqiptarë do t’i marrin rrugët e mërgimit. Politika e
krijimit të kombit antik (!!) sllavo-maqedonas, realizohet kryekëput në dëm të
shqiptarëve. Kjo politikë e Shkupit krijon një Maqedoni unitare, centraliste, monoetnike
dhe antidemokratike
– përkundër përbërjes së saj dyetnike.
Klasa politike dhe inteligjencia shqiptare në Maqedoni
janë në letargji të plotë. Shqiptarët në Maqedoni merren me mikrovlera,
me mikrostruktura
dhe me mikrosisteme. Veprojnë në mikroplan. Çështja shqiptare në
Maqedoni nuk mund të reduktohet në ndërtimin e sallave të fizkulturës në ndonjë
shkollë katundi. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje politike, kërkesat
kanë qenë dhe duhet të jenë politike, arritjet po ashtu duhet të jenë politike.
Në vitet 2002-2006, shqiptarët në Maqedoni - në frymën
e Marrëveshjes së Ohrit (2001) -
realizuan kërkesa të caktuara politike. Në vitin 2006, nacionalistët
sllavo-maqedonas ngritën zhurmë të madhe duke thënë se shqiptarët
fituan shumë. Për këtë e fajësuan LSDM-në, që sot është në opozitë. Që nga viti
2006 e këndej, kërkesat e faktorit politik shqiptar kanë hasur në vesh të
shurdhët - vox clamantis in deserto. Që atëherë LSDM-ja vazhdimisht është
duke i humbur zgjedhjet. Nacionalizmi maqedonas zbriti në popull.
Tragjedia e shqiptarëve në Maqedoni qëndron në faktin
se kërkojnë të drejta. Në të vërtetë shqiptarët, duke qenë popull autokton, nuk
duhet të kërkojnë të drejta prej askujt. Aq më pak nga pala sllavo-maqedonase.
Shqiptarët në tokë të vet, të drejtat e veta - historikisht të justifikueshme -
duhet t’i realizojnë pa i kërkuar prej ndokujt. Kërkesat për të drejta drejtuar
palës maqedonase jepen vetëm në shtratin e Prokrustit.
* * *
Terri informativ që imponon qeveria e
përtashme - Politika e qeverisë së Gruevskit çon në krijimin e
një shteti diktatorial, me tendencën për t’i vënë nën kontroll të caktuar edhe
mediumet. Të ndalohet liria e shtypit, liria e fjalës, liria e të shprehurit në
kohën e antenës satelitore, të telefonisë celulare, të internetit dhe të telefaksit
është absurde dhe punë Sizifi.
Shënim:
Sizifi ishte bir i perëndisë së erërave Eolit, mbretit të Korintit. Kishte
qasje në tryezën e perëndive, por këtë mundësi e shfrytëzonte dhe ua
jepte njerëzve fshehtësitë hyjnore. Për këtë arsye u dënua që ta vendoste
në maje të malit një kep. Sapo mbërrinte në maje, kepi çrrokullisej teposhtë dhe ky ia niste nga e
para. Kurrë s’ia doli ta vendoste gurin e rëndë në maje. (“Odiseja” e Homerit, Kënga
XI, vargjet 593-600).
- Punë Sizifi –
punë e lodhshme dhe e pafrytshme, e rëndë dhe e kotë pa kuptim dhe pa qëllim.
- Kompleksi i
Sizifit – term në psikanalizë për ndjenjën e frikës
nga mossuksesi eventual pikërisht në momentin kur duhet arritur një qëllim.
* * *
Të imponosh errësirë informativ në shekullin XXI, në
një vend me pozitë gjeografike në Evropë, që i aspiron euro-integrimet - nuk i
bën nder botës demokratike. T’u kanosesh mediumeve me fjalët: “... mediumet të cilat do të
botojnë shkrime që mbjellin urrejtje ndëretnike do të ndëshkohen...” do të
thotë të bësh ndërrimin e tezave.
Nuk janë mediumet ato që i shkaktojnë incidentet, por
është politika e papërgjegjshme e Gruevskit dhe e partisë së tij që krijojnë
terren për incidente të vazhdueshme. Sipas apelit të sipërthënë të qeveritarëve
të përtashëm të Shkupit, mediumet në Maqedoni u dashka të botojnë vetëm tekste
për hurmat dhe për salep-shitësit e Lindjes së Afërt. Sipas tyre, drejtuesit e
mediumeve duhet të shndërrohen në punëtorë me mëditje që luftojnë për bukën
gojës dhe jo të jenë kreatorë të mendimit politik, të kritikës
politike apo të kritikës sociale. Gazetaria në botën e lirë ku mëton të hyjë ky
vend, është veprimtari kreative dhe jo përulje para pushtetarëve injorantë. Kjo
të përkujton bolshevizmin e Josip
Visarionoviç Stalinit (1879-1953) të paraqitur në veprën “Arkipelagu Gulag” të Aleksandër Isaeviç Solzhenjicin.
Shënim:
Aleksandër Isaeviç Solzhenjicin (1918-2008) është romancier rus, filozof,
historian, shkrimtar tregimesh të shkurtra, antistalinist, i burgosur politik.
Më 1970 u laurua me çmimin “Nobel”. Pak para vdekjes, lidhur me Kosovën u
prononcua në favor të Serbisë.
* * *
Qeveria e Gruevskit, në kohën e pluralizmit, synon të
imponojë njëmendësi politike dhe ideologjike.
Në shërbim të politikës antishqiptare të Shkupit,
drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, vihen edhe disa të ashtuquajtur analistë dhe
krijues të opinioneve. Këta farë analistë dhe opinion-bërës nuk janë veçse
kuislingë, mercenarë dhe antishqiptarë. Nuk janë veçse instrumente të shtetit,
në funksion të krijimit të një Maqedonie monoetnike.
Sipas qeverisë së përtashme të Gruevskit, mund të
shkruash çmos, por jo edhe ide dhe ideologji kombëtare. Mund të shkruash çmos,
por jo edhe të kritikosh – qoftë edhe në mënyrën më të butë – pushtetarët dhe
qeveritarët. Qeveritarët dhe pushtetarët e Shkupit nuk duhet të harrojnë se një
prej detyrave të një qytetari, për të mos thënë të një intelektuali - është
kritika politike dhe kritika shoqërore. Krejt kjo, në funksion të zhvillimit të
proceseve demokratike në shoqëri.
Dihet cilat shkrime nuk duhet të gjejnë hapësirë në
mediume: ato që mbjellin gjuhën e urrejtjes, sugjerojnë mjetet violente,
propagandojnë ksenofobi, nxisin jotolerancë ndëretnike, fetare, sociale
dhe racore,
gjykojnë
me stereotipe dhe paragjykime. Praktika e ka dëshmuar
se një politikë është e fortë vetëm kur e lejon kritikën politike. Një shoqëri
forcohet vetëm kur i kërkon në vetvete të metat e saj. Lirinë e fjalës e kanë
sugjeruar iluministët francezë qysh në shekullin XVIII:
- shkrimtari i gjithanshëm francez (poet, romancier,
dramaturg, kritik letrar, publicist), historiani, përfaqësuesi i shquar i
filozofisë iluministe në Evropë - Volteri
(Voltaire, pseudonim për François-Marie Arouet, 1694-1778);
- romancieri francez, filozof, teoricien
social-politik dhe bashkëpunëtor i Enciklopedisë Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques, 1712-1778);
- shkrimtari
dhe filozofi francez Dëni Didëro (Denis
Diderot, 1713-1784);
- matematikani, fizikani dhe filozofi francez Dalamber (Jean le Rond d’Alembert,
1717-1783), i njohur edhe për kërkimet matematikore (barazimet diferenciale; derivatet
e pjesshme, parciale); dhe
- enciklopedistët francezë. (Enciklopedistë
quheshin grupi i bashkëpunëtorëve rreth Enciklopedisë së Francës, që u botua në
vitet 1751-1780, në krye me Didëronë dhe Dalamberin. Ndihmuan me përkushtim
edhe Volteri dhe Rusoi).
* * *
Si do të hyjë ky vend në NATO dhe në BE me një ideologji
kombëtare të tipit të shekullit XIX?! Politika e sotme e Shkupit i komprometon
dhe i diskrediton: faktorin ndërkombëtar, qendrat politike shqiptare të
vendosjes – Tiranën dhe Prishtinën, si dhe faktorin politik shqiptar në
Maqedoni. Politika e Gruevskit ka për synim t’i disiplinojë shqiptarët. Dhuna
që është ushtruar mbi shqiptarët vitet e fundit, nuk është ushtruar as para
vitit 2001. Ka edhe të tillë që thonë – as në kohën e komunizmit.
Duke qenë se Maqedonia është një vend dyetnik,
atëbotë puna e parë që duhet të bëjnë qeveritë e saj është kujdesi maksimal për
ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike të shëndosha. Politika e Gruevskit e bën
të kundërtën – marrëdhëniet ndëretnike i rrënon në themel. Nacionalizmi i
VMRO-së krijon klimë antishqiptare. Të rinjtë sllavo-maqedonas edukohen dhe
rriten nën frymën e antishqiptarizmit.
Antishqiptarizmi është në fakt produkt i politikës
nacionaliste të Gruevskit dhe të partisë së tij. Nga ky këndvështrim duhet parë
të gjitha incidentet që ndodhin në Maqedoni. Me fjalë të tjera, edhe incidentet
në këtë vend janë pjellë e politikës nacionaliste të Gruevskit dhe të partisë
së tij. Politika e Gruevskit vetvetiu gjeneron krizë, saqë krizat në Maqedoni
janë bërë normale. Ky vend është mësuar me kriza. Ato janë përditshmëri e tij.
Çdo dy-tre muaj ndodh nga një incident dhe herë-herë me pasoja tragjike.
Brohoritjet e shpeshta të të rinjve sllavo-maqedonas
nëpër stadiume dhe në hapësira të tjera publike, me përmbajtje antishqiptare,
si:
- Vdekje shqiptarëve;
- Dhoma gazi për shqiptarët;
- Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur;
- Cenimi vulgar i integritetit dhe i dinjitetit të
femrës shqiptare, si dhe parulla të tjera me përmbajtje shoviniste,
duhej ta alarmonin me kohë qytetarinë maqedonase, klasën politike dhe qeverinë.
Ndërhyrjet e organeve të rendit dhe atyre të gjyqësisë, në raste të tilla është
puna e fundit që duhet bërë. Cili shqiptar pas këtyre parullave antishqiptare
do ta ndjejë Maqedoninë si shtete të vetin?! Nacionalizmi sllavo-maqedonas, me
automatizëm nxit nacionalizmin shqiptar.
Thelbi i nacionalizmit maqedonas është:
- Maqedonia është shtet nacional i maqedonasve, të gjithë
të tjerët janë minoritet;
- Sipas kësaj ideologjie, shqiptarët në Maqedoni e
kanë Shqipërinë dhe Kosovën; këtu nuk janë veçse minoritet.
Nacionalistët maqedonas duhet ta dinë se Maqedonia
paraqet raport forcash shqiptaro-maqedonase. Jashtë këtij raporti, nuk ka
Maqedoni. Jashtë këtij raporti ka vetëm një Maqedoni jostabël, të paqëndrueshme
me tensione ndëretnike permanente.
Pas çdo incidenti në Maqedoni, pasojnë edhe
interpretimet:
- incidentet i shkakton qëllimisht Gruevski, në shenjë
trysnie para samitit të NATO-s në Çikago...;
- incidentet i shkakton qëllimisht qeveria për t’ua
tërhequr vëmendjen qytetarëve prej problemeve reale;
- incidentet i shkakton Serbia, për ta destabilizuar
Maqedoninë dhe rajonin;
- incidentet janë pasojë normale e krizës ekonomike
dhe sociale;
- incidentet i shkakton Gruevski për të gjetur
pretekst për të ushtruar represion dhe opresion mbi shqiptarët.
Me rëndësi është një gjë: politika e Gruevskit dhe e
VMRO-së, duke qenë ultranacionaliste dhe antishqiptare, është vatra e krizës, gjeneron
krizë dhe është kriza vetë.
Pas çdo incidenti në Maqedoni pasojnë edhe klishetë
dhe refrenet e faktorëve të caktuar:
- Faktori politik shqiptar në Maqedoni gjithmonë del
me të njëjtën deklaratë: “...ruani
gjakftohtësinë dhe mos bini pre e provokimeve...”
- Autoritet e Tiranës dalin me prononcimin: “...ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë
ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera...”
- Udhëheqja e Prishtinës del me deklaratën: “...ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë
mbizotërojnë marrëdhënie të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë...”;
- Faktori ndërkombëtar apelon: “...të zihen fajtorët dhe të nxirren para drejtësisë...”
Për hir të perspektivës së përbashkët nacionalistët
sllavo-maqedonas duhet:
- të heqin dorë nga krijimi i një kombi
artificial;
- të rishqyrtojnë politikën nacional-romantike të
tipit të shekullit XIX;
- të heqin dorë nga politika antishqiptare;
- ta pranojnë realitetin shqiptar dhe t’ua njohin
shqiptarëve statusin e popullit shtetformues;
- të kultivojnë marrëdhënie ndëretnike të shëndosha;
- ta ndërrojnë emrin, në kompromis me Greqinë;
- të krijojnë një Maqedoni stabile, të qëndrueshme si
parakusht për sjelljen e investimeve të jashtme; dhe
- të integrohen në botën euroatlantike.
Marrëdhënie të mira ndëretnike, me shqiptarë të
shtypur, të përkujton utopinë e Josip
Broz Titos (1892-1980) mbi vëllazërim-bashkimin
midis kombeve dhe kombësive. Vetëm dy popuj të barabartë mund të
bashkëjetojnë në paqe, në harmoni dhe në prosperitet.
Ndryshe, krizat në Makondon
markeziane do të riciklohen prore.









