Përparim Hysi: Jargët e “qenit të Lekos”

(tregim)
Nga
Përparim Hysi
Unë
sapo kisha vajtur në atë kolektiv. Qemë gjithsej 10 mësues dhe qeshë i vetmi
jabanxhi. Ngaqë partia e pushtetit popullor kishte zbuluar që unë qeshë me
"ftomë në biografi", më sollën këtu, gati 70 km larg shtëpisë. Ky qe
fshati i fundit dhe, tej këtij, po të bëje qoftë dhe dy çapa, shkelje tek një
fshat që i përkiste rrethit të Tepelenës. Pra, nga Fieri në Tepelenë. Epo do ta
hedhësh "vallen" sipas muzikës së kohës dhe jo vetëm u paraqita në
punë, por mundohesha të punoja me përkushtim siç kisha bërë ato pesë vjet.
Kolegët qenë njerëz të mirë, hiq drejtorin që kishte "porosi të veçantë"
për mua. E mbaj mend që ka qenë ditë e shtunë në shtator të vitit 1964. E
shtuna më kujtohet, se kisha një javë pa vajtur në shtëpi dhe, sa të mbaroja
mësimin, t'u hipja këmbëve (duhet të bëja gati 5 km në rrugë fshati) për të
zbritur në xhaden kryesore për makinë. Makinat vinin nga Tepelena, të ngarkuara
me qymyrin e Memaliajt dhe do ishe me fat po të gjeje vend pas orës 13:00, kur
dilja unë pas mësimit.
*
Nxënësit
janë rreshtuar dhe, tek po bëheshim gati të hynim nëpër klasa, FATUSHJA,
kolegia jonë, tha:
—
Po vjen "qeni i LEKOS".
Këtë
sikur ma tha në intimitet. Unë hodha sytë nga rruga dhe i them:
—
Moj FATUSHE, të mbeti humori në buzë, por nuk shoh ndonjë qen gjëkundi.
Ajo:
—
Ai po vjen, por ti do ta njohësh kur të kafshojë!
Vërtet
që erdhi, por jo "qeni i LEKOS", por qenkësh dorëvetë inspektori.
Drejtori e priti me duar në qafë dhe urdhëroi:
—
Mësimi do të fillojë kur të thotë inspektori.
Ndërsa
po prisnim për të filluar mësimin, drejtori më thirri, më njohu me inspektorin.
Ky, tërë kapadaillëk, më tha:
—
Orën e parë do të vij tek ti.
—
Mirë se të vish, — (për pak desh shtova: — Mirë se të vish, o "qeni i
Lekos").
Hyri
dhe, tek u ul në bankën e fundit me drejtorin, po vëzhgonte punën time. Qëlloi
të kisha një poezi të DRITËROIT për Enver Hoxhën, ku spikaste një varg:
"...se nëna ime i dha bukë me dhallë...". Natyrshëm hyra në lëkurën e
poetit kur e recitova dhe nxënësit u bënë sy e veshë. Mbaroi ora dhe, ashtu
kalimthi, m'u duk sikur mbeti i kënaqur.
Kur
mbaroi dhe ora e fundit, unë mezi prisja të nisesha për në shtëpi, por i kisha
bërë hesapet pa pyetur hanxhinë. Mësuesi "dezhurn", kur u futëm në
sallën e personelit, tha:
—
Me urdhër të inspektorit, në orën dy pasdite do bëhet mbledhja e këshillit
pedagogjik.
Sa
tha këto fjalë, kur dhanë ballë inspektori dhe drejtori. Unë, ngaqë isha i
vetmi jabanxhi, i them:
—
Shoku inspektor, unë kam një javë pa vajtur në shtëpi dhe jam dakord me të
gjitha ato që do thuhen në adresën time.
Por
ky (ka thënë me vete: ky me "ftomë" do më japë mend mua) e kish marrë
"licencën" jo se kish qenë ndonjë mësues i mirë, por qe familje
dëshmori dhe unë (po dihet: me ftomë në biografi) dashkam dhe favore. Dhe
menjëherë ma vuri kufirin tek thana:
—
Me demek, paske një javë dhe nuk begenis të vish në mbledhje? More, — (tani i
fryu bulçitë mirë), — e njeh veten kush je? Apo jo? Ti jo vetëm do rrish në
mbledhje, por do shkosh në shtëpi kur të dua unë apo drejtori.
Pashë
që drejtorit i qeshi buza. Hodha sytë nga FATUSHJA që sikur më thoshte:
"Hë, e njohe tani 'qenin e LEKOS'?"
Sa
pashë që shijuan perversitetin për të treguar fuqinë e tyre, harruan vetëm një
gjë të vogël: unë vërtet qeshë me "ftomë në biografi", por nga natyra
jam shumë impulsiv dhe, për t'u nxjerrë pak atë kënaqësi perverse, shpërtheva:
—
Kush do më pengojë mua për të shkuar në shtëpi? Ti, — (iu lëshova inspektorit),
— që më je si një gorillë? Po ç'ne gorillë? Ty, po të pa gorilla në rrugë, do
të kapë me grushta se i shpërfytyron pamjen! Dhe mos fol, se e ngrita këtë
karrikën dhe ta theva kokën!
Ngrinë
që të dy "të fuqishmit" dhe, për ta shtendosur gjendjen, hodha
xhaketën mbi sup dhe i mbaj mend mirë fjalët e fundit që thashë në atë shtator
1964:
—
Kolegë, qofshi mirë! Dhe sa për ju të dy: mos ua pafsha bojën!
Ika
dhe nuk u ktheva më.
*
Por
kjo histori nuk mbaron me kaq. Unë, pas kësaj përplasjeje me "qenin e
LEKOS", ika ushtar dhe bëra tri vjet. U lirova në dhjetor 1967 dhe më 1968
qeshë emëruar në fshatin tim të lindjes, në PETOVË të FIERIT. Pikërisht në këtë
vit "qeni i LEKOS" (kështu po e quaj tani) qe kuadër me përgjegjësi
të lartë (mbulonte sektorin ideologjik). Kishte po atë pamje prej gorilleje,
por tani flokët si gjemba iriqi i kish lyer me brilantinë.
Me
"pompë" erdhi në PETOVË dhe, ngaqë diskutohej për probleme të
mprehta, u urdhëruam që të merrnim pjesë të gjithë mësuesit. E pashë tek
pozonte dhe prapë m'u kujtua FATUSHJA: "Po vjen 'qeni i LEKOS'!!!"
Sidoqoftë,
u bënë shumë debate dhe, më së fundi, shkoi ujë në "mullirin e
partisë". Një nga ata që e "vaditi" qeshë dhe unë. Mbaroi
mbledhja dhe, tek po dilnim, ai më thirri:
—
Mos je ti i "asaj kohe"?
—
Unë jam.
—
Qenke bërë djalë i mirë!
—
Unë i mirë kam qenë...
*
Dhe
"qeni i LEKOS" bëri vetëm përpjetë. Ai nuk lihte, por kafshonte. Kur
thëm kështu, më kujtohet një thënie e MERILIN MONROES që ka thënë: "Nuk
kafshojnë qentë, por njerëzit". Pas këtij "kafshimi", ai kaloi
në Ministri të Brendshme dhe qe nga "solistët" e golgotës kundër të
ashtuquajturve puçistë nga Mehmet Shehu e më tutje.
Bëri
zullume të mëdha dhe, kur erdhi demokracia, i vunë prangat. Aty nga viti 2015 e
pashë në një nga rrugët e Tiranës. Ishte i shpërfytyruar dhe nga buzët e trasha
i rridhnin jargët. Duket e meritonte atë nofkën që i kishte vënë FATUSHJA:
"qeni i LEKOS"!
Tiranë, 23 gusht 2026


