Nexhmije Mehmetaj: Në Gjenevë u shënua Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë

Në Gjenevë u shënua Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së
Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Jardin des Disparus”,
organizoi një program të veçantë përkujtimor me ekspozitë, diskutime dhe
shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija”. Në qendër të veprimtarisë ishte
thirrja për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe e drejta e familjeve
për të ditur të vërtetën.

Gjenevë, 30 gusht 2026 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë,
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me
shoqatën zvicerane “Jardin des Disparus” (Kopshti i të Zhdukurve),
organizoi një sërë aktivitetesh përkujtimore kushtuar viktimave të zhdukjeve me
forcë dhe familjeve që prej vitesh vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e më
të dashurve të tyre.
Përmes artit, dëshmive dhe diskutimeve, veprimtaria
solli në vëmendje jo vetëm plagën ende të hapur të personave të zhdukur në
Kosovë, por edhe dimensionin ndërkombëtar të zhdukjeve me forcë dhe
domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve për të vërtetën dhe drejtësinë.
Ekspozita “Ende duke pritur?” hap programin
përkujtimor
Programi nisi në orën 11:00, në Ferme de la
Golette në Meyrin, me ekspozitën e artistit Artan Korenica, të
titulluar “Ende duke pritur?”. Vetë titulli i ekspozitës përcolli një
nga mesazhet qendrore të ditës: pritjen e gjatë dhe të dhimbshme të familjeve
që ende nuk kanë marrë përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.
Në hapje të aktivitetit, fjalën kryesore e mbajti
Konsullja e Përgjithshme Floreta Kabashi, e cila rikujtoi se, edhe 27
vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, çështja e personave të zhdukur
vazhdon të mbetet një plagë e hapur.
Njëzet e shtatë vjet pas përfundimit të luftës në
Kosovë, në qershor të vitit 1999, dhe tërheqjes së forcave serbe, fati i më
shumë se 1,500 personave në Kosovë vazhdon të mbetet i pazbardhur, theksoi Kabashi.
Ajo rikujtoi se Dita Ndërkombëtare e Viktimave të
Zhdukjeve me Forcë është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të
Bashkuara me Rezolutën 65/209 të vitit 2010 dhe shënohet që nga viti 2011.
Mentor Latifi: Për familjet, pritja vazhdon
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor
Latifi, vuri në pah dhimbjen dhe pritjen e familjeve, të cilat edhe pas
afro tri dekadash vazhdojnë të kërkojnë përgjigje.
Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën
e Kosovës kjo çështje vazhdon të jetë një kapitull i hapur, u shpreh Latifi.
Ai theksoi se ky kapitull nuk mund të konsiderohet
i mbyllur derisa të gjendet edhe personi i fundit, duke nënvizuar
përgjegjësinë institucionale dhe njerëzore për vazhdimin e kërkimeve dhe
zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Jardin des Disparus”, një vend kujtese për
familjet nga e gjithë bota
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua
edhe historisë dhe misionit të shoqatës zvicerane “Jardin des Disparus”.
Jenny Bettancourt paraqiti
një historik të kësaj nisme, e cila u përurua më 7 tetor 2000 në Parc de la
Golette, me mbështetjen e Komunës së Meyrin-it.
“Kopshti i të Zhdukurve” është konceptuar si një
hapësirë kujtese kushtuar viktimave të zhdukjeve me forcë në mbarë botën,
pavarësisht prejardhjes apo kombësisë së tyre. Ai u ofron familjeve dhe të
afërmve një vend simbolik ku mund të kujtojnë të dashurit e tyre, veçanërisht
atyre që nuk kanë një varr ku të vendosin një lule apo të bëjnë homazhe.
Në një komunë si Meyrin-i, ku bashkëjetojnë rreth
140 kombësi, kjo hapësirë ka marrë një domethënie të veçantë. Shumë banorë të
ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën dhe Ballkanin, bartin
histori familjare të lidhura me zhdukjet me forcë. Nder ta edhe shqiptarë nga
Kosova.
Në vitin 2000 aty u vendos një stelë përkujtimore e
projektuar nga Jenny Bettancourt, ndërsa më vonë hapësira u plotësua me
skulpturën “Pikëpyetje” të artistes Anne Blanchet – një simbolikë
që përkon me pyetjen që mijëra familje në mbarë botën vazhdojnë ta bëjnë: Ku
janë të dashurit tanë?
Me
një fjalë rasti të pranishmeve iu drejtua edhe Linda Rexhaj Maliqi, në emër të
Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, duke përcjellë gjithashtu në gjuhën shqipe
mesazhin e znj. Bettancourt,
Vlerësohet kontributi i shqiptarëve në Gjenevë
Gjatë aktivitetit u veçua edhe kontributi i Arta
Kryeziut, anëtare e “Jardin des Disparus” që nga themelimi i shoqatës. E
shkolluar dhe e integruar në Gjenevë, Kryeziu ndër vite ka kontribuar në
veprimtarinë e shoqatës, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen e saj të fortë me
Kosovën.
U vlerësua gjithashtu angazhimi i Xhevrie
Osmanit, kryetare e Komunës së Meyrin-it, për kontributin e saj në
shoqërinë zvicerane dhe për afërsinë e bashkëpunimin me komunitetin shqiptar.
Tryezë diskutimi për fatin e personave të zhdukur
Programi vazhdoi në orën 18:00 me një tryezë diskutimi,
në të cilën morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile.
Përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Personat e
Zhdukur, Agron Limani dhe Kushtrim Gara, paraqitën një pasqyrë të
punës së zhvilluar dhe të përpjekjeve që vazhdojnë për kërkimin, identifikimin
dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta në Kosovë.
Ndërkaq, Catherine Haus, drejtuese e
shoqatës “Jardin des Disparus”, foli për misionin dhe veprimtarinë e
organizatës, si dhe për përpjekjet e saj që çështjen e personave të zhdukur ta
adresojë edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Haus foli gjithashtu për kontributin e shqiptarëve
në këtë shoqatë dhe për bashkëpunimin e krijuar me Kosovën. Ajo rikujtoi se një
delegacion i organizatës ka vizituar Kosovën, ndërsa në kuadër të angazhimit të
saj janë shpërndarë edhe formularë për dokumentimin e rasteve të personave të
zhdukur, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale.
Dokumentari “Ferdonija” përmbylli aktivitetin
Në orën 20:00, programi u përmbyll me shfaqjen e
filmit dokumentar “Ferdonija”, duke e mbyllur simbolikisht një ditë të
mbushur me kujtesë, dëshmi dhe thirrje për drejtësi.
Aktiviteti u mbështet fuqishëm edhe nga Komuniteti
Shqiptar i Gjenevës (KSHGJ), i drejtuar nga kryetari Nasuf Nuhiu, duke
dëshmuar angazhimin e diasporës shqiptare në ruajtjen e kujtesës dhe në
mbështetjen e kauzës së personave të zhdukur.
Veprimtaria e 30 gushtit në Gjenevë përcolli një
mesazh të qartë: koha nuk e shuan të drejtën e familjeve për të ditur të
vërtetën. Përderisa fati i personave të zhdukur mbetet i pazbardhur, pritja
e familjeve vazhdon dhe bashkë me të edhe detyrimi për të kërkuar përgjigje,
drejtësi dhe përgjegjësi.
Sepse pas çdo numri qëndron një emër, një familje
dhe një histori që ende pret një përgjigje.


