Luan Tashi: Voisava Tribalda Kastrioti dhe Tribalët

4h më parë


Portreti i imagjinuar i Voisava Tribalda Kastriotit, pikturë e punuar më 1981 nga Hysen Devolli (1924)

Voisava Tribalda Kastrioti dhe Tribalët

Nga Prof. MA Luan Tashi

Historia e Voisavës, nënës së Skenderbeut, është njëra nga çështjet më të debatueshme të historisë së familjes Kastrioti. Të dhënat mbi prejardhjen e saj janë të pakta. Burimi më i rëndësishëm mbi Voisavën me Tribalët është vepra e Marin Barletit, “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis” (Historia e jetës dhe e veprave të Skenderbeut, princit të epirotëve), e botuar më 1510, 42 vite pas vdekjes së Skenderbeut nga Bernardino dei Vitali (1494-1539), “vulgo li albanesoti” i quajtur albanez/shqiptar.¹

Barleti shkruan për bashkëshorten e Gjon Kastriotit: “Uxori Voisauae nomen erat, non indignam eo viro, tum pater nobilissimus Triballorum princeps…”, (Emri i bashkëshortes së tij ishte Voisava, e denjë për një burrë të tillë, i ati i saj ishte princi shumë fisnik i Tribalëve…).²

Kjo dëshmi është veçanërisht e rëndësishme, sepse Barleti nuk e paraqet Voisavën thjesht si një grua me prejardhje të panjohur, por e vendos atë brenda një konteksti të aristokracisë.

Për të kuptuar këtë dëshmi, duhet të shqyrtohet se kush ishin Tribalët. Në burimet greke të kohës ata njihen si “Triballoi”, ndërsa në burimet latine si “Triballi”. Tribalët ishin një popull i Ballkanit qendror, të cilët burimet e kohës i lidhin kryesisht me botën thrakase. Historianët grek, si: Herodoti, Diodorusi i Sicilisë, Arrianus dhe gjeografi grek Straboni japin të dhëna të ndryshme mbi territorin, marrëdhëniet politike dhe veprimtaritë ushtarake të tyre.³

Në vitin 335 p.e.s., gjatë fushatës së Aleksandrit të Madh në Ballkan, maqedonasit u përballën me Tribalët, të cilët drejtoheshin nga Syrmus, mbreti të Thrakisë perëndimore. Arrianus përshkruan përplasjen e forcave Maqedonase me Tribalët, tërheqjen e këtyre të fundit drejt Danubit dhe strehimin e mbretit Syrmus në ishullin Peuce të Detit të Zi.4

Midis Tribalëve të shekujve IV-III p.e.s. dhe Voisavës të shekullit XV p.e., shtrihet një periudhë prej afro 2.000 vjetësh. Humanistët evropian të shekujve XV-XVI vazhdimisht kërkonin vazhdimësi ndërmjet antikitetit dhe botës bashkëkohore dhe, për këtë arsye, emra të popujve të lashtë mund të përdorëshin për të përshkruar popuj ose territore të periudhave më të vonshme.5

Barleti përdor termin “Tribali” edhe në kontekste të tjera gjeografike dhe etnografike. Në një fragment tjetër, Barleti shkruan: “Bulgari sive Tribali habitant” (Këtu banojnë bullgarët ose tribalët).6 Për këtë arsye, termi “Triballorum” nuk duhet interpretuar automatikisht si dëshmi e ekzistencës së një principate të Tribalëve antikë. Ai mund të ketë pasur një kuptim historik, territorial dhe mund të jetë përdorur për të identifikuar një popull të një pjese të Ballkanit.7

Forma “Tribalda” ose “Tripalda”, në veprën e Gjon Muzakës “Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi” (Kronikë e shkurtër mbi pasardhësit e familjes sonë Muzaka), e përmend Voisavën si “Visava Tribalda”. Në një tjetër pasazh ai shkruan se Gjon Kastrioti, i ati i Skenderbeut, “pati për grua zonjën Visava Tribalda”.8

Nuk kemi një dokument të shekullit XV që të vërtetojë se Tribalda ishte mbiemri familjar i Voisavës në kuptimin modern të fjalës. Është e mundur që forma të jetë ruajtur, ose krijuar në traditën gjenealogjike të shekullit XVI dhe të jetë ndikuar nga emërtimi “Triballi” i përdorur nga Barleti. Nga ana tjetër, nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia që “Tribalda” të ketë qenë një emërtim familjar, territorial ose dinastik.

Në veprën e Andrea Angelo Comneno, anëtar i një familjeje fisnike veneciane me prejardhje shqiptare, “Genealogia d’imperatori romani et constantinopolitani et de regi prencipi et signori che da Isaaco Angelo & Vespasiano imperatore suo nipote son discesi, per infino al presente anno 1551” theksohet se “Coi de Musachia ha generato Voissava ch’hebbe Iuuam Castriotto signor di Croia et del conta do detto Emathia” (Nga shtëpia e Muzakëve u lind Voisava, e cila u martua me Gjon Kastriotin, kryezotin e Krujës dhe të trevës së Matit).9

Barleti e përdor emërtimin “Pollog” në një kuptim gjeografik më të gjerë se ai i luginës së sotme të Pollogut, duke e lidhur atë me hapësirën ndërmjet Tetovës dhe Shkupit. Për këtë arsye, kur shqyrtohet prejardhja e Voisavës, duhet pasur parasysh jo vetëm pyetja se cilit “fis” i përkiste ajo, por edhe konteksti politik dhe aristokratik i hapësirës së Pollogut.10

Barleti e lidh të atin e saj me një “princ shumë fisnik të Tribalëve”, ndërsa Muzaka përdor format Tribalda/Tripalda dhe e përshkruan Voisavën si grua që “vinte nga soj i mirë”. Këto dy tradita tregojnë se në fillimit të shekullit XVI Voisava konsiderohej pjesëtare e një shtrese të lartë fisnike.¹¹

Historiani Karl Hopf (1832-1873) në librin e tij të vitit 1873 “Chroniques gréco-romanes inédites ou peu connues” shkruan: “La madre de detto Signor Scanderbeg, moglie del detto Signor Giovanni, hebbe nome Signora Voisava Tripalda e venne da bona parte” (Nëna e zoti Skenderbe dhe gruaja e zotit Gjon, quhej zonja Voisava Tripalda dhe vinte nga një familje e mire).¹2

Gjon Kastrioti ishte një nga kryezotët shqiptarë të fundit të shekullit XIV dhe fillimit të shekullit XV që përfshinte pjesë të Shqipërisë së veriut dhe të mesme, Dibrën, Matin dhe territore të tjera. Martesa e Gjonit me Voisavën mund të shihet në kuadrin e aleancave që lidhte familjet fisnike të asaj hapësire.¹3

Duhet bërë një dallim i rëndësishëm ndërmjet prejardhjes familjare dhe identitetit etnik, prandaj do të ishte e pasaktë të deklarohej në mënyrë kategorike se Voisava ishte “shqiptare/albaneze nga fisi i Tribalëve”, por po aq e pasaktë do të ishte që një hipotezë mbi prejardhjen e saj sllave, serbe apo bullgare të paraqitej si fakt. Burimet e njohura nuk japin një dokument bashkëkohor, që ta zgjidhë përfundimisht këtë çështje.¹4

Formulimi më i kujdesshëm, në përputhje me burimet historiografike të disponueshme, është se Voisava, nëna e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, paraqitet nga Marin Barleti si e bija e një “Princi shumë fisnik të Tribalëve”, ndërsa Gjon Muzaka e përmend me format “Tribalda” dhe “Tripalda”, duke e paraqitur si një grua me prejardhje të shquar. Deri më sot, nuk është identifikuar ndonjë dokument i shekullit XV që të dëshmojë në mënyrë të drejtpërdrejtë se Voisava ishte pasardhëse e fisit thrak të Tribalëve.

Megjithatë, një dëshmi me interes të veçantë gjendet në pjesën e pasme të medaljonit të vitit 1469, që mban portretin e Skenderbeut, ku është gdhendur mbishkrimi: “Dei Defensor Indomitus et Thracum Domitor”, (Mbrojtësi i pathyeshëm i Zotit dhe pushtuesi i pamposhtur i thrakëve).

Në përfundim, mund të thuhet me siguri të madhe se tradita historiografike e fillimit të shekullit XVI e paraqet Voisava Tribaldën si një grua me prejardhje të lartë aristokratike dhe e lidh atë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me emërtimin “Triballë”.16


Gravurë e vitit 1533 “Ëndrra e nënës së Skenderbeut”, nga libri “Des aller streytparsten und theüresten Fürsten und Herrn Georgen Castrioten...”, e punuar nga gravisti gjerman Jörg Breu der Jüngere (1510-1547)


1708 - Pjesë e hartës ku paraqitet Iliria, Dardania, Shkupi, Ulpiana dhe teritori i quajtur Triballi. Harta është e punuar nga hartografi francez Guillaume De L’Isle (1675-1726)


1469 - Medaljon, “Dei Defensor Indomitus et Thracum Domitor” gjendet në muzeun e numizmatikës “Münzkabinett” Berlin.

Literaturë

01. Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, Romë, Bernardino dei Vitali, rreth viteve 1508-1510;

02. Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, Libri I: “Uxori Voisauae nomen erat, non indignam eo viro, tum pater nobilissimus Triballorum princeps…”;

03. Herodoti, Historiae, VII; Diodori i Sicilisë, Bibliotheca historica, XVII; Arriani, Anabasis Alexandri, I; Straboni, Geographica, VII;

04. Arriani, Anabasis Alexandri, I, 1-5. Për fushatën e Aleksandrit të Madh kundër Tribalëve në vitin 335 p.e.s. dhe për mbretin Syrmus;

05. Anthony Grafton, New Worlds, Ancient Texts: The Power of Tradition and the Shock of Discovery, Cambridge, MA, Harvard University Press, 1992;

06. Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, pasazhi: “Bulgari sive Tribali habitant” (Banojnë bullgarët ose Tribalët);

07. Robert Elsie, Historical Dictionary of Albania, Lanham–Toronto–Oxford, 2004

08. Gjon Muzaka, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, në Karl Hopf, Chroniques gréco-romanes inédites ou peu connues, Berlin, 1873;

09. Andrea Angelo Comneno, Genealogia d’imperatori romani et constantinopolitani et de regi prencipi et signori che da Isatio Angelo & Vespasiano imperatore suo nipote son discesi, per infino al presente anno 1551;

10. Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, pjesët ku përmendet Pollogu (Polog);

11. Gjon Muzaka, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, ku Voisava përmendet si “Visava Tribalda” dhe “Voisava Tripalda” dhe përshkruhet si një grua që vinte “nga soj i mirë”;

12. Carl Hopf, Chroniques gre?co-romanes ine?dites ou peu connues, f. 301. 1873;

13. Për Gjon Kastriotin dhe zotërimet e tij, shih Injac Zamputi, Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë;

14. Për debatin mbi prejardhjen e Voisavës dhe interpretimet e ndryshme të saj, shih Fan S. Noli, George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), New York, International Universities Press, 1947. Nuk njihet një dokument bashkëkohor i shekullit XV që ta përcaktojë në mënyrë përfundimtare identitetin etnik të Voisavës;

15. Për dëshminë e Barletit dhe traditën e Muzakës, shih shënimet 2 dhe 8 më sipër. Deri tani nuk është identifikuar një dokument i shekullit XV që të vendosë një lidhje të drejtpërdrejtë genealogjike ndërmjet Voisavës dhe Tribalëve të antikitetit;

16. Për një vlerësim të përgjithshëm të traditës mbi Voisavën, shih Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, dhe Gjon Muzaka, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi.