Avzi Mustafa: Udha e abetareve shqip

Imazh i gjeneruar me ndihmën e ChatGPT (OpenAI), bazuar në tekstin “Udha e Abetareve Shqip” nga Prof. Dr. Avzi Mustafa
UDHA E ABETAREVE SHQIP

Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe,
që populli ynë e ka zhvilluar me shekuj, përfaqëson një nga faqet më të
ndritura, por edhe më të përgjakura të historisë sonë kombëtare. Rilindësit,
duke e kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e
identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se – pa rrokur armën e shkrimit – nuk
mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, lirisë e pavarësisë.
Nëse historinë e arsimit dhe të
shkollës shqipe e vështrojmë nga realiteti i saj historik, do të ndeshemi me
një të kaluar sa të vështirë, po edhe aq edhe të lavdishme, aq dinjitoze, po aq
edhe tragjike gjatë rrugës së saj nëpër shekuj. Në truallin e Arbërisë çdo
pushtues mundohej të linte gjurmë në shpirtin e shqiptarit, duke hapur shkolla
greke, latine, osmane, sllave, por asnjë shqipe.
Banorët e Arbërisë quheshin arnautë,
latinë, kaurë, por jo edhe me emrin e tyre të vërtetë. Megjithatë, shqiptarët
kurrë nuk e identifikuan veten me pushtuesit. Pavarësisht metodave nga më të
ndryshmet, duke e shfrytëzuar edhe atë shpirtërore dhe materiale, vetëm e vetëm
që t’i përçajnë shqiptarët, ata mbeten shqiptarë pa dallim besimi, sepse ajo që
i bashkonte e i bënte shqiptarë ishte gjuha. Gjuha e bukur shqipe ishte “rojtarja me besnike, me vigjilente, e
kombit”, që i bënte ata të pamposhtur përballë pushtuesve të huaj.
Me lëvizjen e re, të njohur si
“Rilindja Kombëtare Shqiptare”, ideologët e kësaj lëvizjeje e kishin kuptuar se
pa emancipim arsimor nuk ka as emancipim politik. Dhe, gjëja më e parë ishte që
në fillim “Fjala të shkruhet në Abetare
e kjo ishte arma më fuqishme”, që do t’u bënte ballë armiqve, që me
propagandat e tyre trumbetonin se “Zoti i njeh vetëm gjuhët e pushtuesve e jo
gjuhën shqipe”.
I pari që iu rrek punës të botojë një abetare,
që do t’i shkruajë germat, që ato germa ta formojnë fjalën e bukur shqipe, që
do t’ia japë frymën asaj, është Naum Veqilharxhi. Ai, që në vitin 1844, e botoi
veprën “Ëvetari”, ndërsa një vit më
vonë do ta ribotojë dhe do ta plotësojë. Me dy Ëvetarët e tij, Naum Veqilharxhi do të jetë ai, siç do të
shprehet pedagogu i mirënjohur prof. Shefik Osmani: “që ndezi flakadanet e
fillimit të një epoke të re për mësonjëtoret shqipe, për didaktikën e arsimit
fillor shqiptar, duke kuptuar drejt dhe realisht detyrimet që shtronte etapa e
integrimit bashkëkohor të shoqërisë shqiptare”.
“Ëvetari”
i parë i Naumit ishte vetëm një nga nismat e mbara, por pastaj ky libër germash
erdhi duke u përsosur dhe duke u përshtatur vazhdimisht me veçoritë e gjuhës
dhe me metodat më të reja të mësimit të shkrim-leximit. Po, jo vetëm kaq. Ëvetarët
u bënë arma më e fuqishme për ideologët e parë dhe mësuesit e parë të lëvizjes
kombëtare, e cila ishte edhe trajektorja kah duhej të drejtohet populli
shqiptar, ndërsa kjo rrugë ishte kah dija, porse në gjuhën amtare, sepse
zhvillimi i arsimit varej pikërisht prej “shkrimit
e gjuhës amtare me një alfabet unik, duke e futur elementin kombëtar, që ata e shihnin
te Abetarja.”
Kudo që vepronin dhe punonin jashtë
tokës shqiptare në tokat e huaja, patriotët shqiptarë u lidhën ngushtë me
Abetaren, madje jo vetëm mësuesit, por edhe mendimtarët, si dhe ideologët e
luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare, që u bënë bashkë dhe kudo njëzëri e ngritën
kushtrimin se: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet t’i zgjedhim ato germa që
përcjellin tingullin me lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të
jenë shqip!”
Për t’u plotësuar ky ideal, kjo gjithsesi
kërkonte edhe sakrifica – nuk munguan as mallkimet, helmimet, burgimet,
internimet, torturat dhe shfarosjet. Autorët e abetareve i mallkonte edhe
Patriakana, edhe Papati, edhe Kalifati, por edhe hoxha edhe prifti. Megjithatë,
kurrë nuk u përkulën, por – përkundrazi – edhe para trekëndëshit të vdekjes linin
amanetin që këtë rrugë fisnike të mos e ndalin. Ashtu siç bëri thirrje Petro
Nini Luarasi: “edhe nëndëdhjetë herë të
rrëzohemi përsëri duhet të ngrihemi”. Ose, edhe thënia tjetër e Petro Nini
Luarasit, i cili u tha feudalëve të vendit dhe të huajve: “Vëramni,
po
mblidhmanii gjakun, se do t’u duhet nipërve tuaj të shkruaj në gjuhën shqipe.
Që nga abetarja e Naum Veqilharxhit (1884/1845),
u kalua një rrugë e vështirë, që me hapa të mëdha rrugëtonte vet larg turkçes,
greqishtes, sllavishtes duke shkruar
abetare , duke hapur shkolla shqipe dhe ato mund t’i ndajmë disa periudha.
Periudha e parë (1984-1879), që kap
vitet ‘50-’70-të të shekullit 19-të, karakterizohet si periudhë kur fillon
arsimi shqip, kur u krijuan mundësi të hapeshin shkolla në gjuhën amtare ose në
shkollat e huaja kërkohej të hyjë gjuha shqipe si lëndë mësimore, me të vetmin
qëllim që të rritet vetëdija kombëtare.
Në këtë periudhë e kemi edhe platformën
e qartë të Lidhjes së Prizrenit. Pas
mbledhjes së 10 qershorit 1878 dhe disa muaj pas memorandumit të nëntorit 1878,
u mor vendimi i qartë dhe këmbëngulës për mësimin e shqipes, si dhe për hapjen
e shkollave në gjuhën shqipe.
Platforma
pedagogjike e shkollës në gjuhën amtare u bë kërkesë shumë e shpeshtë gjatë
muajit qershor-tetor të vitit 1879, sidomos me krijimin e “Shoqërisë së të Shtypurit
Shkronja Shqip”, si dhe Kanonizmës së kësaj shoqërie, që kërkonte lëvrimin e
gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e librave në gjuhën shqipe
me alfabet të njëjtë. Fryma e Lidhjes së Prizrenit, me objektivat që i
përcaktoi, i dha udhë dhe motiv përhapjes së arsimit, të shkollës dhe ngritjes
së ndërgjegjes kombëtare. Me botimin e “Alfabetares” (1879), ajo bëhet
dokumenti i parë i platformës pedagogjike dhe didaktike kombëtare për atë kohë.
“Alfabetarja bëhet një traktat pedagogjik për ruajtjen e gjuhës si shenjë
identiteti të shqiptarëve për ta dalluar atë nga popujt e tjerë, që ishte
rezultat i asimilimeve nga shtetet shoviniste fqinje.
Në etapën
e dytë, që kap periudhën e viteve 1882-1900, kemi hapjen e shkollave të
pavarura shqipe. Në këtë periudhë, në Stamboll, i madhi Sami Frashëri do ta
botojë Alfabetaren shqipe. Pas botimit të parë, më 1886, Sami Frashëri
do ta ribotojë edhe dy herë atë, duke e plotësuar, pa lënë anësh figura të të
gjitha trevave shqiptare. Kështu, që në ribotimin e dytë e heq copën e leximit,
ku janë figura mitike Jakobi dhe Josifi. Në vend të kësaj cope leximi do ta
vendosë vjershën e patriotit nga Reka e Epërme, Josif Bageri, me titull “Djali
dhe bilbili”, ndërsa copën e leximit me titull “Kristofor Kolumbi” do ta zëvendësojë
me copën e leximit “Mësimi gegërisht”.
Abetarja e
Sami Frashërit është e para abetare e cila u përdor në të gjitha trojet
shqiptare, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Maqedoni, si dhe në të
gjitha vendet ku mësohej shqip. Në Maqedoni këtë abetare e kanë sjellë
patriotët, tregtarët dhe intelektualët e kohës. Po në këtë periudhë, që është periudha
kur u hapën një numër i madh i shkollave kombëtare, u botuan edhe një varg
abetaresh. Pos asaj të Sami Frashërit, e kemi abetaren e Gaspër Benusit, abetaren
e Konstadin Kristoforithit, që një herë u shtyp gegnisht e më pas toskrisht,
abetaren e Hasan Tahsinit, është pastaj abetarja e Panajot Kupitorit për
nxënësit arbëreshë të Greqisë, abetarja e Shefqet Daiut, abecedari i Jeronim De Radës, abetarja e Jani Vretos, abetarja e Said Najdenit, abetarja
e Zymit, abetarja e Daut Boriqit, abetarja e “Bashkimit”, një abetare shqipe Albanias
së Brukselit, abetarja e Vasil Dhimitar Rusos, abetarja e Jovan Terovës etj.
Në periudhën
e tretë, që kap vitet 1900-1912, janë botuar: abetarja e Anastas Kulluriotit; abetaret
anonime, që thuhet se janë po ashtu të Sami Frashërit të botuara në Sofje,
“Abetare toskrisht”, përshtypje e katërtë, botuar në Selanik, pastaj “Abetare
toskrisht”, përshtypje e gjashtë, botuar në Selanik, abetarja e Mjedës, dy abetare
të Luigj Gurakuqit, abetarja e Parashqevi Qiriazit, abetarja e Lakos, abetarja
e S. Shuteriqit, abetarja e Paparistos, abetarja e Mati Logorecit, abetarja
Lazër Lumezit, abetarja e Lumo Skendos, abetarja e Jani Mingos, abetarja e
Pertel Pogonit, abetarja e Kumanovës ose e Jashar Erebarës, abetarja e Hafiz Ali Korçës, abetarja e Palucës, abetarja e
Aleksandar Xhuvanit, abetarja e Nikolla Lakos, “Abetari i vogël shqyp” botuar
në Shkodër të A. Xhuvanit etj. Po në këtë periudhë kemi edhe abetare të
shkruara me shkronja turko-arabe, si: abetarja e Rexhep Vokës, Elifi i
Mulla Shaban Idrizit, disa shkaravitje të klubit “Makfell” të Arif Hiqmetit,
abetarja në dorëshkrim të Abdylaqim Doganit me germa turko arabe, abetarja e
Digjen Haritosit, si dhe vepra “Abetari i gjuhës shqipe”, botuar në Athinë.
Pas pavarësisë së Shqipërisë filluan luftërat
ballkanike dhe trojet shqiptare u ndanë në banovina sllave e greke, ndërsa shqiptarët
jashtë kufirit etnik, deri në mbarim të Luftës Dytë Botërore nuk do të kenë as
abetare e as shkollë në gjuhën amtare, përveç ilmihaleve që i përdorin mualimët
në mejtepet e tyre.
Gjithsesi duhet të përmendet se në
Shqipërinë Veriore, në Maqedoninë Perëndimore, si dhe në Kosovë, gjatë viteve
1942 do të përdoret një abetare anonime, e botuar në Firencë. Kjo abetare do të
ketë një përdorim të gjerë në trevat shqipfolëse që ishin nën juridiksionin e
Italisë, por administrata zhvillohej në gjuhën shqipe.
Deri në mbarim të Luftës së Dytë është
botuar Abetarja e La Pianës (1917), në vitin 1917 botohet abetarja e Viskë
Pulës, si dhe “Abetare për shkollat fillore”, botuar në Korçë. Në vitin 1919
botohet abetarja e Thoma Pappanos me titull “Shkendijat e para. Në këtë vit
është botuar edhe një “Abetare e Re” me autor të panjohur. Në vitin 1920
botohet abetarja e Mati Logorecit, me titullin “Abetare”, botuar në Vlorë. Është
një “Abetare për shkollat fillestare të Shqypnisë mas metodës
analetike-sintetike të shkrimit e të këndimit me fotografi të fatosit krutanë”,
botuar në Shkodër më 1920. Po në këtë vit botohet abetarja e botuar nga Jani
Minga, “Abetare Kombëtare Shqip”. Në shkollat shqipe në Shqipëri, që prej pavarësisë
e deri në vitin 1938, janë vënë në përdorim abetarja e Dhori Kotit, një abetare
arabisht për shkollat e Shqipërisë, botuar në Tiranë 1921, Abetarja e Ndu
Pallucës “Abeta”, “Abetar për shkollat popullore shqipe”, Tiranë, 1921, e cila
pati 6 ribotime. Me interes të veçantë është abetarja e Aleksandar Xhuvanit, me
titull “Abetare për shkollat fillore të Shqipërisë”, e cila është botuar edhe
toskërisht nga Pogoni. Abetarja e Aleksandar Xhuvanit është abetarja më e
ribotuar në historikun e shkollave shqipe. Ajo është ribotuar prej vitit 1931 e
deri në vitin 1938 pa ndërprerë. Është botuar edhe abetarja e Llukë Karafilit,
botuar në Kostancë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945 në
Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi do të përdoret abetarja me titull “Këndimi
im i parë”, botuar në Shqipëri, që pat pak përdorim edhe në disa shkolla në
trojet e ndara në Kosovë e në Maqedoni. Në Kosovë, më 1946 do të botohet një abetare
për të rritur nga autorët M. Gjevori, I. Riza dhe M. Shendi.
Për shqiptarët e Maqedonisë, në vitin
1946 do të adaptohet Abetarja e Abdylaqim Doganit, e cila do të përdoret
deri në vitin 1947. Në vitin 1947 do të botohet edhe një “Abetare” e autorëve
Sami Lamçe, Kamer Xheria dhe Mahmut Dumani. Më vitin 1949 u botua edhe një
abetare e autorëve Abdi Haxhiu, Sami Lamçe dhe Zudi Kajanjaku, por kjo abetare nuk
u përdor, sepse në këtë kohë u prishën marrëdhëniet mes Jugosllavisë së Titos e
të Shqipërisë së Enver Hoxhës.
Ministria e Arsimit të Jugosllavisë së
atëhershme për pakicën shqiptare në Kosovë, Mal të Zi dhe në Luginën e
Preshevës do ta lejojë “Abetaren e kl. së parë për shkollat fillore” të Mehmet Gjevorit,
Stavri Kostarit dhe Jani, Gjinos, që u botua më 1947. Më 1948 u botua një
abetare për të rritur me koautor Gjevori, Kostari dhe Mehmet Shpendi. Në vitin
1955 do të botohet Abetarja e dytë e
Mehmet Gjevorit dhe Jusuf Shushkës.
Prej vitit 1955 e deri më 1965 në
Kosovë në përdorim do të jetë “Abetarja” e autorëve Mehmet Ghevori, Jusuf
Shushkës, e cila prej vitit 1950 deri në vitin 19698/1969 do të përdoret edhe
për nxënësit shqiptarë në Maqedoni edhe Mal të Zi. Kështu, shqiptarët që
jetonin në republikat Jugosllave kishin një abetare unike.
Në vitin1950, do të botohet edhe një
abetare me koautor: Mehmet Gjevorit Kostarit, Shefqet Veliu, T. Paqarizi.
Në vitin 1965 do të botohet edhe Abetarja
e Ramiz Hoxhës, një abetare ku në mënyrë paralele do të përpunohen të gjitha
shkronjat, edhe të shtypit edhe të dorës. Prej vitit 1965 e deri më 1982 në
Kosovë do të botohen edhe tri abetare të tjera, si ajo e Gjevorit (1974), e
Mehmedali Hoxhës (1977) dhe Abetarja e Qamil Batallit (1982).
Në Maqedoni, në vitin 1969, do të
botohet Abetarja e Xhevat Gegës, që do të përdoret deri në vitin 2000 si
e vetmja abetare në Maqedoni. Po ashtu edhe në Mal të Zi në vitin 1984 do të
botohet Abetarja e Gjek Gjokajt dhe Fran Camajt, e cila do të përjetojë
10 ribotime
Deri në vitin 2000 në shkollat e
trevave shqipfolëse do të përdoren katër variante paralele të abetareve të pesë
autorëve ose grup autorëve të ndryshëm: në Shqipëri ajo e Kol Xhumarit, në
Kosovë e Qamil Batallit, në Maqedoni e Xhevat Gegës, në Mal të Zi ajo e Gjekë
Gjekajt e F. Camajt dhe në diasporë abetaret e Sejdi Gashit, Rifat Hamitit e
Sami Thaçit.
Sipas asaj që kam hulumtuar deri më
tani, ky popull kaq i vogël, duke marrë parasysh botimet e ribotimet, me plotësime
e dorëshkrime të pabotuara, abetare për gegë e toskë, abetare për të rritur, abetare
anonime e të humbura, abetaret konkurruese, si dhe abetaret me shkronja
turko-arabe, shqiptarët kanë mbi 238 abetare.
Dhe, tani po bëj një pyetje retorike:
vallë, a është kjo pasuri kombëtare apo tregon gjendjen tonë të ndarë e të
përçarë? Ky numër kaq i madh i abetareve shqipe pasqyron përpjekjen heroike të
rilindësve tonë për ta ruajtur këtë gjuhë të bekuar. Kjo po ashtu flet edhe për
përpjekjet për një gjuhë të njësuar, por edhe shtrirjen e abetareve edhe në
zonat më të largëta. Kjo flet se te shqiptarët që jetojnë të shpërndarë në disa
shtete e diasporë shtrohet nevoja e një abetare të përbashkët, që do të
shërbejë si një instrument i ruajtjes së standardit dhe simbol i bashkimit
kulturor.
Abetarja e përbashkët është një
trashëgimi kombëtare e vlefshme, por edhe një detyrë kombëtare për të ardhmen e
arsimit shqip. Një ide të këtillë për një abetare të përbashkët e ndërmori ministri
i Arsimit të Shqipërisë, Etem Ruka, i cili në vitin 1999, në bashkëpunim me
qeveritë e Kosovës dhe të Maqedonisë, i formoi komisionet shtetërore për një
Abetare të Përbashkët. Në Maqedoni u formua një komision, në të cilin bënin
pjesë: Avzi Mustafa, Nexhat Abazi, Rexhep Rexhepi dhe Vebi Kadriu. Pas dy
takimeve, një në Tiranë e një Tetovë, ku u miratuan qëndrimet dhe kriteret për
një tekst të përbashkët për të gjithë shqiptarët, pas shpalljes së konkursit
gjithëkombëtar, u paraqitën 11 dorëshkrime, ndërsa Komisioni – pas shqyrtimit
të dorëshkrimeve – i zgjodhi dy abetare, atë të Kol Xhumarit dhe të prof. dr.
Mimoza Gjokutajt në koautorësi me Shezaj Rokajn.
Meqenëse anëtarët e Komisionit nga
shteti shqiptarë ishin nostalgjikë ndaj abetares me të cilën ata kishin mësuar,
sollën vendim që këto dy abetare të testohen në praktikë dhe sipas rezultateve,
u vendos që të përdoret Abetarja e Xhumarit, kurse abetaret e tjera të
përdoren si alter tekst në Shqipëri, kurse në shtetet tjera të botohen.
Në Maqedoni, përveç abetares së Xhevat
Gegës, u botua edhe Abetarja e Avzi Mustafës, Abetarja e Albasit
nga Tetova dhe Abetarja e Qamil Xheladinit.
Nga të gjitha abetaret përdorim më të
madh, krahas abetares së Xhevat Gegës, u përdor Abetarja e Avzi Mustafës,
e cila pas botimit më 2002 u ribotua edhe më 2006. Meqenëse ligji për botimin e
teksteve lejonte edhe tekste alternative, që vetë mësuesit dhe prindërit ta
zgjedhin tekstin, në Maqedoni deri në vitin 2025 janë botuar 12 abetare nga
autorë të ndryshëm.
Abetaret
e bënë historinë e gjuhës e të arsimit shqip në të gjitha trojet ku jetonin
shqiptarë. Por, a mund ta quajmë Abetare Mbarëkombëtare atë që përdoret në
Shqipëri e Kosovë pa u përdor kjo edhe nga nxënësit shqiptarë në Maqedoni? Unë
mendoj se jo!
Tani për të mbajtur epitetin Abetare
Mbarëkombëtare gjithsesi duhet të përfshihen të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët
si dhe diaspora e kërkon edhe koha, kur bota kërkon bashkim rajonal e global edhe
për shqiptarët e Maqedonisë, ku ekziston një dëshirë shumë e madhe për ABETAREN E PËRBASHKËT. Këtë e kërkojnë pa asnjë kusht – shkronjat tona, gjuha e unifikuar e gjaku
shqiptar kudo që ai jeton.








