Avzi Mustafa: Një roman i kujtesës kërçovare

1h më parë

Një roman i kujtesës kërçovare

(Dy fjalë mbi romanin “Lamtumirë Bukuresht” të autorit Remzi Muratit)

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Fillimisht më lejoni të them se jam shumë i nderuar që m’u dha rasti të jem recensent e të them disa fjalë mbi romanin e Remzi Muratit “Lamtumirë Bukuresht”.

Remziun e njoh që kur ishte nxënës i klasës së tretë, kur ai vinte në Shkollën Qendrore “Rexhë Rushit Zajazi”, bashkë me babanë e tij, i cili ishte punëtor në atë shkollë. Po sa e shihnin Remziun, mësuesit që ishin nga fshati Zajaz e ndalin dhe i kërkonin të recitojë ndonjë vjershë, ndërsa ai pa lutje i recitonte vjershat që i kishte mësuar nga vëllimi vjershave të Mark Krasniqit nga “Posta e Porositur”. Shumë shpesh e recitonte vjershën “Përtaci”, “Leci”, madje edhe vjershëm shumë të gjatë “Haxhi Renci” e shumë të tjera.

Prandaj ata që e njihnin, e thirrnin jo me emrin e tij të vërtetë, por me emrin Leci. Me këtë emër e njihja edhe unë derisa ai e botoi një përmbledhje me poezi, në të cilën unë duhej të isha mderator në promovimin e tij në Fakultetin Pedagogjik në Shkup.

Më vonë më bëri ftesë ta promovoj një vepër tjetër, “Korriku i përgjakur”, në të cilën ai ka bërë një kronikë historike dhe bën fjalë mbi familjen e fisin e Limanhoxhallarëve, por edhe për Zajzin me rrethinë. Më vonë u takuam në Shkup dhe më tregoi se ai, përveç 4 përmbledhjeve të poezive, i ka botuar edhe 4 romane të tjera, si: “Realitet e lutje” dhe “Korriku i pikëlluar”. Më tregoi po ashtu se ka botuar edhe një roman tjetër. “Pas Prendimit”, madje më kërkoi t’i bëja një vlerësim. Normalisht për mua ishte nder.

Duke i lexuar romanet e tij të botuara, u binda për së miri se ai kultivon një gjini letrare që shumë pak është e pranishme në letërsinë tonë kombëtare. Kultivimi i kësaj gjinie është unikat në stilin të shkruarit. Ndërsa Remziu këtë punë e bën me shumë kujdes. Ai e di se nuk është çështja vetëm për të shkruar një rrëfim të thjeshtë, vetëm sa për të radhitur fjalë e për të përshkruar ndonjë familjar, por ai di me shumë mjeshtëri që narracionin ta ngrejë lart dhe t’u përngjajë kronologjive ku pjesëmarrësit na duken se janë drejtpërdrejt në ngjarjet kohës, duke hyrë thellë në memoaret e kohës për të zbuluar mangësitë e kujtesës historike.

Megjithatë, ai nuk ndalet vetëm në kujtesën historike, por gjurmon në çdo dokument ose shkrim që ka të bejë me personazhet që marrin pjesë në roman. Remziu këtë punë e bën shumë në një.

Remzi Murati sjell një vepër në të cilën i ndërthur me mjeshtëri tri shtylla themelore të letërsisë moderne historike: dëshminë, dramën dhe shpirtëroren. Andaj tashmë lirisht mund të thuhet se, përveç botimeve të tjera, ai është ndër autorët e rrallë që e pasuron letërsinë tonë me romane historike në gjuhën shqipe.

Prandaj mund ë themi se nuk kemi të bëjmë me një roman të zakonshëm për Rilindjen Kombëtare, por kemi të bëjmë me një vepër që lind nga kujtesa e gjallë e trashëguar në familje dhe e rikrijuar me forcën e artit. Në qendër të romanit qëndron figura e Mulla Neshyt Murat Limanhoxhës, një ndër ata burra të heshtur që u flijuan dhe mbetën në hijet e historisë, kurse Remzi Murati ia kthen zërin, frymën dhe dritën.

Jetën e personazheve autori di t’i shndërrojë si një lumë që udhëton qetë, por i paraqitur në disa nivele, si atë dokumentar, që është një memorie me një rrëfim historik, ku vjen në pah shpirti individual i personazheve të mbështetura me dimension alegorik, ku shumë qartë na del fati i kombit dhe sfidat e sakrificat që i bënin patriotët shqiptarë në kohën e Rilindjes Kombëtare.

Edhe ky roman sa është real, po aq është edhe fiktiv. Aty përshkruan një ecje të personazheve nëpër errësirën e kohës, për të gjetur aty dritën dhe shpirtin njerëzor.

Në këtë vepër na sjell një njeri të plotë, si hoxhë, si organizator, si intelektual, si udhërrëfyes shpirtëror, si aktivist kombëtar dhe, në fund, si martir.

Rrëfimi i tij kap periudhën e vendlindjes në Zajaz, pastaj mërgimin në Bukuresht, punën e tij në koloninë e Shoqatës së Shqiptarëve të Kërçovës, misionin e tij para dhe pas Kongresit të Manastirit dhe lidhjen e tij me me figurat historike të kohës. Tërë puna tij ishte e lidhur në trekëndëshin: feja, kombi dhe humanizmi.

Është ky një libër që i jep një emër të ri kujtesës sonë kombëtare. Dhe, mbi të gjitha, është vepër që meriton vendin e saj në bibliotekën e letërsisë shqiptare të shekullit XXI.

Vepra lëviz natyrshëm midis Bukureshtit dhe trojeve shqiptare të viteve të zjarrit, një lojë drite dhe errësirë që rikrijon realitetin e asaj kohe. Ishte zgjedhje e guximshme që drama e Mulla Neshytit të ndërthuret me drama të tjera, si vrasja e Mulla Abidinit, varfëria para vdekjes e Nikolla Naços, si dhe masakrat e viteve 1913-1917. Por, kjo zgjedhje ia jep romanit peshën e realitetit.

“Lamtumirë Bukuresht” është roman për t’u lexuar me zemër. Në këtë roman gjejmë një rrëfim të ndjeshëm dhe të fuqishëm mbi kujtesën, rrënjët dhe identitetin. Aty autori, Remzi Murati, ka për qëllim që, nëpërmjet rrëfimit historik që dokumenton kohën dhe shoqërinë në periudhën e Rilindjes Kombëtare, të përfshijë histori personale dhe kombëtare si:

-         Roli i kryepersonazhit në koloninë shqiptare të Bukureshtit;

-         Sjellja e Abetares së parë në Zajaz;

-         Lidhja e tij me figurat historike, si: Asdreni, Nikolla Naço, Ibrahim Temo, Rexhep Greshnica (Fasku), Nijazi Resnja, Sefadin Kërçova, Rexhep Novosella etj.

-         Lidhja dhe frymëzimi i Mitko (Ilo) Qafëzezit;

-         Luftërat Ballkanike, pushtimet e huaja dhe spastrimi i trojeve shqiptare nga serbët e bullgarët; si dhe

-         Vrasja e Mulla Nashytit te Ura e Gurit në Shkup më 1917.

Ky roman dokumentar nuk është vetëm një libër, por është një rrëfim që buron nga zemra dhe kthehet në kujtesë të përbashkët. Çdo faqe e këtij romani është një thirrje e heshtur për mos t’i harruar ata që na sollën deri këtu ku jemi sot. Është një përqafim i së kaluarës dhe një amanet i së ardhmes.

Në fund dua të porosis lexuesit se ky roman nuk lexohet vetëm me sy, por me shpirt, sepse nuk janë vetëm vite që mbeten, por janë rrëfime që kurrë nuk shuhen.

Po përfundoj fjalën time duke i uruar autorit shëndet, që të na befasojë edhe në të ardhmen dhe i uroj shëndet të plotë.

Shkup, 2026