Fotaq Andrea: Arbëreshët e Italisë (1413–2007), III
Arbëreshët e Italisë (1413-2007)
Antologji
me shkrime nga autorë francezë

Nga
Fotaq Andrea
Charles DIDIER
Sharl Didie (1805-1864), letrar e
gazetar, autor romanesh dhe udhëpërshkrues, bashkëpunëtor i revistës së
mirënjohur franceze Revue des Deux Mondes. Ka
vizituar shpesh Italinë, së cilës i ka kushtuar disa libra, dhe gjatë
udhëtimeve të tij në këtë vend, ka njohur nga afër kolonitë arbëreshe, për të
cilat flet me simpati.
ARBËRESHËT NË KALABRI
U
nisa një të diel, me mëngjes të bukur vjeshte, nga qyteti i vogël i Korilianos;
tek lashë nga pas me keqardhje kullat e saj feudale, ujësjellësin me arkadë të
trefishtë, pyjet me portokaj, mora udhën drejt kolonive shqiptare të
San-Demetrios [Shën Mitrit], që ndodhen në Perëndim të qytetit.
Shumë
shpejt, vendin e portokajve e zunë ullinjtë dhe vendin e ullinjve ahet. Shoh së
largu torregiare-n siç thonë italianët, kazinon e madhe të San-Mauros; e
fortifikuar, si të gjitha ato që hasen në Kalabri, ajo ngjan më shumë me një
kështjellë, se sa me një ngrehinë fshati.
Në
arkitekturën e saj lexohen historia dhe zakonet e një populli: ato fortifikata
të thjeshta të Kalabrisë i kujtojnë në çdo hap udhëtarit gjëmën e lashtë të
vendit, banditizmin. Mbreti plak Ferdinandi, duke demoralizuar popullin e vet
për hir të kurorës, organizonte banditizmin kundër francezëve, zotër në atë
kohë të kryeqytetit të tij dhe të krejt provincave që ai kish në kontinent. I
ringjitur në fron, u përpoq të shkatërronte instrumentin e tij, veprën që
kishte gatuar ai vetë; por e paaftë dhe e paditur, qeveria napolitane mori masa
të tilla që nuk bënë gjë tjetër veçse e përjetësuan të keqen, në vend që ta
shkulnin nga rrënjët. Megjithatë, duhet thënë se që prej disa vjetësh, bandat
janë më të rralla dhe më pak të guximshme; veçse prona ende nuk është e
siguruar, dhe pa siguri, tregtia, bujqësia e gjithçka tjetër lëngon.
Si
kalon San-Mauron, shfaqet fusha, pemët zhduken dhe vegjetacioni përfundon rrëzë
një kodre të thatë e të zhveshur.
Shoh
së largu të ravijëzohet mbi bardhësinë argjilore të kodrës një fshatar, që
përkundte krahët e kryqëzuar mbi vithe të gomarit: ishte figura e parë
njerëzore që hasja që prej Korilianos; duke qenë ditë e diel, fusha ishte e
shkretë. Fshatari më dalloi dhe më priti. Kapa e tij konike shfaqte një
fizionomi të hollë e të pasionuar, që përfaqësonte tipin grek në krejt
pastërtinë e tij; dhe do shohim që nuk gaboja.
Dikur,
fshatari kalabrez nuk shkonte kurrë në arë pa dyfekun e tij; i çarmatosur nga
ligji, ai e shmang atë dhe një sëpatë i varet gjithmonë në brez. Sëpata është
një mjet i thjeshtë bujqësor dhe ligji nuk ndalon veçse armët e luftës.
Bashkudhëtari im mbante pra sëpatën e tij besnike në brezin e gjerë të lëkurtë.
Sipas zakonit tim, unë isha i pashoqëruar dhe në këmbë. Ai u çudit fort për
këtë mënyrë udhëtimi dhe, tek zbriti nga gomari, më detyroi t’i hipja, duke më
thënë gjithë krenari se do ta quante çdo kundërshtim nga ana ime si fyerje dhe
shenjë përbuzjeje.
Ishte një arbëresh i San-Demetrios. Kur mori vesh se nuk kisha qëllim tjetër veçse të njihesha me bashkëpatriotët e tij, zu të më tregojë bëmat e stërgjyshërve të tij e të Skënderbeut, duke folur me një përbuzje të thellë për italianët, fqinjët e tyre, “që nuk kanë luftuar, si ne, më tha, Turkun e madh”.

Policia
e mbikëqyr, dhe kujdesi im i parë ishte rrjedhimisht të paraqitesha tek gjykatësi,
ministri i këtij inkuizicioni të dyshimtë. E gjeta të ndikuar nga një qarkore e
kohëve të fundit në favor të të huajve dhe mësova më vonë se ajo ishte
posaçërisht për mua; dhe për herë të parë që prej shumë kohësh, pasaporta ime u
firmos aty për aty, pa iu nënshtruar unë vetë një procesi pyetësor sipas
rregullit. Shumë udhëtarë (dhe unë i pari) ishim ankuar tek Markezi Intonto,
Ministër i policisë së përgjithshme, dhe më në fund, ai i kishte marrë parasysh
ankesat tona.
Por,
duhet thënë, se ato qarkore, të gatuara në guvat e policisë, janë përherë të
turbullta, tinëzare, duke u lënë shumë hapësirë autoriteteve të ulëta, me
qëllim që t’u vishet atyre faji në rastin më të parë; dhe kështu ndodh gati
përherë.

San-Demetrio
është kryeqendra e një rajoni arbëresh. Pesë apo gjashtë fshatrat që e përbëjnë
janë të grupuara rreth tij. San-Giorgio është më i madhi, kurse Vacarizzo,
është ai ku luksi i veshjes fshatare të grave është më i kërkuari. Ka miniera
të ndryshme në male, por askush s’e ka mendjen për t’i shfrytëzuar, e qeveria
akoma më pak nga njerëzit.
Prania
e këtyre kolonive arbëreshe është një dukuri historike që meriton vëmendje dhe
pothuaj është e panjohur. Shfaqja e parë e arbëreshëve në Itali ka ndodhur
rreth dhjetë vjet pas marrjes së Kostandinopojës.
Kjo ngjarje e madhe, prej së cilës u desh të ndryshohej faqja e Europës, ndërkohë që përmbyste një Perandori shekullore e të drobitur, i jepte goditjen vdekjeprurëse një shteti të ri e të fuqishëm që vetëm energjia e një njeriu e kishte ngritur.

Lindur
fisnik i Shqipërisë, dha kushtimin për luftë ndër fiset luftarake, dhe në krye
të trimave e besnikëve të tij mirditas, ndërmori një luftë të pandërprerë për
njëzet e tre vjet me radhë kundër të gjitha forcave të Perandorisë otomane: një
shembull i ri se ç’mund të bëjë vullneti i paepur e i qëndrueshëm i një
minoriteti energjik, sikurse kishin bërë dikur stërgjyshërit e tyre maqedonas
nën udhëheqjen e një tjetër Aleksandri, duke e bërë këtë radhë sulltan Muratin
të dridhej në qytetet e veta dhe duke i sfiduar ushtritë e tij në mbi njëzet
ndeshje të mëdha luftarake.
Murati
vdiq nga tërbimi ; Mehmeti II u ngjit mbi fron dhe mori Kostandinopojën.
Postë-roje e përparuar e Krishtërimit, Ushtari i Jezu Krishtit, sipas titullit
që mori Skënderbeu, u lëshoi princërve të Europës një thirrje alarmi. Por ata
qenë të goditur nga tmerri dhe atëherë Skënderbeu, i vetëm Hero, ndërmori
luftën e Europës kundër Azisë.
U
rendit, me qëndresën e tij, ndër figurat e mëdha historike të shekullit XV, dhe
shkëputet gjithë shkëlqim nga tabloja e zymtë e Mesjetës, duke u shquar si një
nga njerëzit e paracaktuar në thirrje të shekullit të ardhshëm për lartësime të
mëtejshme.

Pas
vdekjes së Alfonsit, fati ndërroi. Ferdinandit, djalit të tij, i duhej
domosdoshmërisht të hidhte tërë forcat
që kish në luftë kundër dukës Jean d’Anjou, një kundërshtar i fuqishëm, si dhe
kundër princit të Tarentes, një rebel mosmirënjohës e i tmerrshëm.
I
rrethuar në Barleta nga kondotieri Jacques Piccinino, vënë në shërbim të
Anzhuinëve, kurora e tij do kishte marrë fund, sikur të mos shiheshin në
horizont të zbardhëllenin velat. Skënderbeu, po aq mirënjohës sa dhe i
palodhshëm, duke përfituar nga një armëpushim që i kishte kërkuar mendjemadhi
Bajazit, i nisi ndihma djalit të aleatit të tij të vjetër. E nxori nga
rrethimi, mori Tranin dhe, duke përshkuar fushat e gjera të Pulias në krye të
kalorësisë së vet, rrafshoi tokat e princit të Tarantes, mundi Piccinon, duke
ndihmuar kështu në fitoren vendimtare të Troias, që u siguroi kurorën aragonasve.
Historiani
napolitan Summonte na ka ruajtur një korrespondencë të çuditshme të fisnikut të
Shqipërisë me Princin e Tarantes. « E ç’të bëra, i shkruante ky i fundit,
që erdhe e më sulmove në tokat e mia ? Mos vallë pandeh se ke të bësh me turqit
e tu qullashë? E pra, ja që gabon. I shohim shqiptarët e tu si bagëti (come
pecore), dhe na hipën tërbimi nga armiq të tillë kaq të poshtër. S’arrin
dot të mbrosh shtëpinë tënde, dhe vjen e pushton këtë tonën. Po këtu, veç
varrin tënd do gjesh ».
Përgjigja
e Skënderbeut është e bukur dhe energjike. Ai e qorton Princin e Tarentes për
mosmirënjohje ndaj Shtëpisë së Aragonës dhe i thotë se mirënjohja për të është
një detyrë e shenjtë që i jep të drejtën t’i shkojë në ndihmë të birit të një
mbreti, i cili e ka pasë ndihmuar edhe ai më parë. « Ti nuk je më pak turk nga turqit,
i thotë ai; për më tepër, siç thuhet, ti nuk ke asnjë fe. Sa për shqiptarët e
mi, ti s’i njihke fare ata; ne jemi pasardhës të epirotëve, që i kanë dhënë për
armiq romakëve Pirron dhe të maqedonasve, që kanë dhënë për ngadhënjyes të
Indisë Aleksandrin. Po ti, për kë më flet, për tarantinët e tu, racë e
rrëmbyer, që na mbrokan pale Shtëpinë tënde, po që janë të mirë veç për të zënë
peshq? E nëse u dashka që unë të gjej atje varrin tim, Zoti, që m’i njeh tashmë
mendimet në kokë, le të më gjykojë ».
Skënderbeu mori më pas për dhuratë nga Ferdinandi (1461) qytetin e vogël të Pulias, San-Pietro-in-Galatinën; është kolonia e parë shqiptare në Mbretërinë e Napolit. Më vonë, mori Tranin dhe disa qyteza të malit Gargano.

Sulltani
kreu një hakmarrje mizore, duke i vënë shqiptarët në mes të apostazisë dhe
mërgimit; pikërisht në këtë kohë ndodh mërgimi i tyre i madh në Itali. Vetë
Gjon Kastrioti u strehua në Napoli dhe mbreti mori në shërbim të tij një numër
të madh shqiptarësh. Nën emrin e Regjimentit mbretëror maqedon, krijoi
një korpus këmbësorie që mbijetoi gjer në kohën e Revolucionit.
Sa
për të tjerët - dhe i madh ishte numri i atyre që parapëlqyen mërgimin para
apostazisë - të paaftë për bujqësi, si të gjitha popullatat luftarake, ata u
vendosën në malin Gargano, të cilën gati e konsideronin si pronë kombëtare.
Prania e atyre të huajve të pavarur i shqetësoi autoritetet; zakonet e tyre të
zhurmshme i alarmuan fqinjët përreth, dhe mali Gargano do qe kthyer për ta
ndoshta siç u bënë më vonë Alpuksarret për Maurët e Spanjës.
I
përndanë, u shpërndanë toka djerrë, dhe kështu ata e panë veten të hapërdarë në
krejt mbretërinë, gjer në Sicili, ku ngritën, mes malesh, katër fshatrat e
mëdha të quajtura me emrin e tyre Casali dei Greci, dhe konkretisht :
Palazzo-Adriano, Mezzojuso, Contessa e Piana-dei-Greci.
Çdo
ditë, vinin pareshtur të rinj. « Të bëhet zemra plagë, i shkruante papa Pali II
Filipit, dukës së Burgonjës, të bëhet zemra plagë të shohësh ata të mjerë pa
bukë, pa atdhe, që përshkojnë Adriatikun me barka të brishta dhe vinë në
brigjet e Italisë të kërkojnë strehë kundër barbarisë të të Pabesit ».
Tre shekuj më vonë, Parginotasit, të shitur nga lakmia angleze tek një armik më mizor nga Bajaziti, u endën tërë lot në të njëjtat vende, duke kërkuar breg më breg një strehë në dhe të huaj. Historia nuk ka asgjë më të prekshme nga këto katastrofa të mëdha kombëtare. Të ardhurve të rinj iu desh atëherë që karakterin e tyre të çlirët e luftarak t’ia nënshtronin zakoneve të jetës bujqësore. Por te bujku, shfaqej ushtari, dhe përherë dallohej te dora që drejtonte parmendën dora që kishte vringëllirë kordhën. Ata, që kishin përfunduar në brigjet e përtejme të Adriatikut, shihnin të kaltëronin në horizont ato male të Shqipërisë, ku dikur përhapeshin shatorret e tyre ngadhënjyese, dhe ku ata preheshin pas luftimit nën rrezet e diellit ku kishin lindur. Tashmë, pa atdhe, ëndërronin me lot në sy për ditët e fitores; përshëndesnin me vështrim tejmajat atërore, dhe të përkulur trishtueshëm mbi atë parmendë që aq shumë kishin urryer, këndonin baladat kombëtare, i vetmi monument i lavdive të dikurshme, e vetmja trashëgimi e stërgjyshërve.

Për
sa u përket zakoneve, detyrimi, më shumë nga vetë koha, i ka modifikuar. Vetë
qeveria u përpoq t’i çnacionalizojë, dhe hekuri i saj ka kaluar më se një herë
mbi këto male luftarake. Burrave u është dashur të braktisin kostumin e tyre.
Dikur ecnin të armatosur; mirëpo, një dekret i vitit 1821 dënonte me vdekje
cilindo që mbante armë me vete, ose në rast se iu gjendeshin në shtëpi.
Parapëlqenin të mblidheshin në sheshe, ku këndonin nën dritën e hënës këngët e
lashta të atdheut të tyre; por edhe në këtë rast, një ligj ndaloi çdo
grumbullim me mbi pesë veta dhe mbylli sheshin publik, të konsideruar si arenë
rebelimi.
Popull
mendjemprehtë, me ndjenjën e gëzimit në shpirt, atij i pëlqenin vallet dhe
festat; veçse, mjerimi i zhduku festat, ndërsa policia, kuçedër me një mijë
krerë, duke krijuar tarafe, duke mbjellë përçarje, zhduku besimin dhe shfrimin
e ndjenjave.
Mes
tërë këtyre mjerimeve, gjatë tërë atyre viteve dhe tallandive, italo-shqiptarët
ruajtën në thelb bujarinë, diçka të ashpër e të pavarur që të tërheq e të hyn
në sy. Praktikojnë mikpritjen pa salltanet, me një thjeshtësi krejtësisht
homerike.
-
Ti nuk sheh këtu veçse hijen tonë, - më thoshte një arbëresh i moçëm me leshra
të bardha, duke m’u drejtuar me ti në mënyrën e çiltër kalabreze; - në rininë
time do kishe gjetur me siguri Shqipërinë në malet e Kalabrisë. Popullsia do
kishte bërë festë për ardhjen tënde, do t’i binin veglave e do shtroheshin
gosti. Po sot, a jemi ata që kemi qenë? Ata kanë frikë nga ty, të marrin për
spiun. – Dhe tundte kokën me atë nënshtrim drithërues të një shpirti energjik
që Kalabria nuk mungon të të shfaqë në mjaft raste.
Sa
për kultin, ata ndjekin ritin grek, duke njohur megjithatë autoritetin e
Oborrit të Romës që e urrejnë dhe e quajnë rapace dhe perfida (grabitqar
dhe të pabesë) Por në këtë pikë u desh të bihej në ujdi, sepse
çështja shtrohej të jesh apo të mos jesh : To be or not to be.
Priftërinjtë
e tyre martohen dhe arrita të shijoj do çaste kënaqësie kur m’u shfaq para syve
dikush me rasë, rrethuar nga e shoqja dhe pesë fëmijët e tij. Një tjetër më
tregoi për librat e tij idhuj, romanet e Volterit dhe Heloizën e Re, që
i kishte gjetur me çmim tepër të shtrenjtë, sepse nga Alpet në Sirakuzë, ligji
hyjnor e njerëzor i godet këto kryevepra gojëtarie dhe arsyetimi me të njëjtën
anatemë. Me një fjalë, kleri arbëresh është po aq protestant sa ai i Gjenevës
apo i Edimburgut.
Ka
vartësi, për sa i përket shpirtërores nga Peshkopi i Bisinjanos; mirëpo, duke
qenë se Imzoti ka një llahtarë të shenjtë ndaj martesës së priftërinjve, të
kujtdo bashkësie fetare qofshin, ambiciozëve s’u mbetet veç të heqin dorë nga
ky zakon, në duan të përfitojnë nga favori episkopal që arrihet kundrejt këtij
çmimi.
Megjithatë, ata kanë një Peshkop të tyren (nga Sinopi, in partibus); por ai nuk ka të drejtë tjetër veçse urdhërimin e priftërinjve grekë, të cilët, përpara emërimit të tij, detyroheshin ta kërkonin këtë nga Roma. Ai banon në Kolegjin grek të Shën-Adrianit, rreth një çerek lega larg San-Demetrios.

Ndër
librat ku ai mbështetet, dhe që pati mirësinë të m’i huazojë, hasa një shkrim
të shkurtër tepër të rrallë të Angelo Masci [Engjëll Mashit], edhe vetë ky italo-shqiptar,
shkrues i talentuar, vdekur në Napoli para disa vitesh. Autori bën krahasime të
spikatura midis bashkëpatriotëve të tij dhe gjermanëve, zakonet e ashpra dhe
primitive të të cilëve i ka përshkruar Taciti. Kanë, në fakt, të përbashkët
dashurinë për armët dhe lirinë, pasionin e lindur tek tërë popujt ende të
paprekur nga lumi i ngadaltë e paqësor i qytetërimit europian.
Në
pika të tjera ndryshojnë kryekëput. Gratë, për shembull, objekt i një respekti
aq prekës, i një kulti aq të pastër tek gjermanët, luajnë tek arbëreshët një
rol shumë më të vogël; gruaja nuk është këtu veçse ancella e shtëpisë.
Skllavërimi shtëpiak nuk është më tek ligji, por është tek zakonet, dhe është i
plotë; xhelozia, po aq sa dhe forca e zakonit, e përjetësojnë atë; në çështjen
e besnikërisë bashkëshortore vëzhgon syri i dyshimit dhe i hakmarrjes së
burrave. Gratë janë mjaft të paditura; ato të rangjeve më të fundit punojnë në
ara, të tjerat nuk kanë me se merren tjetër veçse me furkën; dhe gjejnë
ngushëllim për kotësinë e tyre tek ushqejnë fëmijët; dritësimet amëtare në
shpirtin e tyre ende e mbajnë atë të lidhur pas shpërgënjve foshnjore.
Imzot
më vuri në dijeni të shumë zakoneve të vendit. Formalitetet e funeraleve janë
ato të një populli gjysmë të egër, madje ende në fuqi në malet e Shqipërisë.
Prindërit dhe miqtë mblidhen në shtëpinë e të vdekurit; e veshin me rrobat e
tij më të mira dhe e shpien në kishë të shtrirë e me fytyrën zbuluar. Tërë të
pranishmit e shoqërojnë duke psherëtirë thellë e duke qarë me dënesë; gra e
burra shkulin flokët, rrahin gjoksin me grushte një pas një; mbahet një fjalim
solemn për të vdekurin dhe gjithçka përfundon me një trapez kolektiv.
Ja
për sa i përket ceremonive mortore, dhe le të shohim tani ceremonitë martesore.
Ditën e vendosur për celebrim, nusja mbyll me kujdes portën e saj.
Dhëndri,
il padrone, paraqitet i armatosur. I këndon nën dritare këngë të thurura
posaçërisht për të, duke iu lutur nuses ta fusë në shtëpi, por ajo nuk ia çel
derën; janë prindërit që përgjigjen në vend të saj, duke i vënë në dukje se nuk
duhet të thyej heshtjen në mbrëmje. Më kot dhëndri i premton rroba të bukura,
stoli të çmuara, sepse porta nuk i hapet. Më në fund, ai e ndjen veten të
lodhur dhe lutjet zëvendësohen nga kërcënimet; e shqyen portën, kap nusen nga
dora dhe e shpie në kishë.
Pata
fatin e mirë të jem dëshmitar në një ceremoni martesore. Njerëzit më të afërt e
mbanin nusen nga dora; duke qenë virgjëreshë, ishte e mbuluar me një vello të
bardhë; gratë e veja, kur martohen, i kanë kryet të zbuluara. Kumbarët e çiftit
kaluan shumë herë me radhë, me një shkathtësi të mahnitshme, kurorën e dhëndrit
mbi kokën e nuses dhe vice versa, sepse që të dy mbanin mbi krye nga një
kurorë me trëndafila të bardhë e imortela. Prifti mori më pas një gotë verë ku
futi brenda copëza buke dhe ua dha bashkëshortëve, të cilët e hëngrën së
bashku, për të treguar pa dyshim se po hynin në një bashkësi të plotë. Kumbarët
hëngrën pjesë e mbetur. Duke vijuar lëçitjen e liturgjisë greke, meshtari,
mbuluar nga rasa e praruar, zu të bëjë, fillimisht nga e djathta, më pas nga e
majta, një rreth të madh mistik, pasuar në atë shëtitje të çuditshme nga tërë
të pranishmit, që ecnin një nga një. Më në fund, çifti ra mbi gjunjë dhe mori
bekimin, e pas kësaj, tërë njerëzia doli nga kisha.
Nusja gjeti të afërmit e dhëndrit tek pragu i shtëpisë së saj të re, ku iu urua mirëseardhja duke kënduar në kor një refren arbëresh. Dhe ja kuptimi i tij : “Mirë se erdhe, o mori nuse! Në shtëpi të dhëndrit, si vera e kripa në trapez, si dielli që lind mes rrezeve të tij.” [I jemi përmbajtur këtu variantit frëngjisht të autorit gjatë përkthimit në shqip, dhe jo drejtpërdrejt këngës arbëreshe – F.A.]

Gra
e burra, rënë në gjunjë e në grupe të veçanta, këndonin, në mënyrë të alternuar
fillimisht, më pas në kor lutjen e mbrëmjes. Kjo ceremoni aq modeste kishte,
megjithatë, diçka të thjeshtë e antike, do thosha, që të depërtonte drejt e në
zemër; ashtu në këmbë, mbështetur ndaj një kolone, ndenja dhe e sodita gjatë në
heshtje. Kostumi i shkëlqyer dhe piktoresk i grave kontrastonte me errësirën e
tempullit. Një rreze e fundit e diellit perëndues depërtonte në të në mënyrë të
mistershme dhe binte mbi fytyrën e një vashe arbëreshe në gjunjë përpara
altarit. Ajo kokë e bukurisë së lashtë greke, e vetmja e ndriçuar, shkëputej si
një vizion qiellor nga errësirat e tempullit. Zëra të të gjitha moshave i
përgjigjeshin shoshoqit, plekseshin në një mendim të vetëm. Kësisoj, e njëjta
gjuhë që buçiste nën shatorret e Agamemnonit, në festat e Greqisë, në tempujt e
Jupiterit, tani këndohet nga vajzat e Kalabrisë, në një kishë të varfër, për
t’i thurur lavde të birit të një muratori!
Isha
kureshtar para së gjithash për këngët arbëreshe. Mikpritësi im i San-Demetrios
më drejtoi për në Santa-Sofi [Shën Sofi], tek një nga miqtë e tij, i cili ka në
fakt një përmbledhje këngësh arbëreshe. Santa-Sofia është një nga fshatrat
arbëreshe të rajonit të San-Demetrios dhe, ndonëse nuk është veçse katër apo
pesë milje larg kryeqendrës, përroska të thella, shtigje të pakapërcyeshme,
përrenj pa ura, sikurse ndodh në këtë Mbretëri të varfër të Napolit, e bëjnë
shpesh komunikimin të vështirë, madje edhe të mbyllur krejt gjatë dimrit.

Ndoc Martini, Fshatra arbëreshë në shpate
malesh, afresk, fillimi i shek. XX.
Udha
kalon nëpër lartësi dhe herë pas here shfaqen hapësira të lira përmbi Kratis
dhe fushën e Sibarisit, shndërruar sot në moçalishte të dëmshme për shëndetin,
ku rriten buaj, dhe në pyje të shkretuar mbushur me ujq. Një arbëresh çapitej
para meje dhe këndonte me zë të ngadaltë e të rëndë një këngë kombëtare, fjalët
e së cilës më kujtuan mitologjinë poetike të Greqisë, ku shpendët luajnë një
rol aq të madh.
“Një
nënë, thoshte ai, qan birin e vetëm, birin e saj të vetëm; dhe ishte helm e
vrer, se ai kish rënë rob, në dhé të huaj të largët, sa nuk mund të kishte
asnjë lajm prej tij.
“Më
në fund, shkroi kartë, që e lidhi në krahë të zogut, dhe zogu erdh’ e u ul në
pemë, ku qante mëmë e shkretë; shpendi shkund krahët, dhe karta bie para saj.
“Ajo
e merr dhe lexon në të këto fjalë: “Nënë, do vij tek ty kur të kesh qepur
këmishë me flokët e tua dhe kur ta kesh larë po me lotët e tua, kur deti të
bëhet kopsht me lule, kur shtogu të mbushet me fiq dhe arra me rrush”.
Baroni
***, tek i cili isha rekomanduar në Santa-Sofia, nuk ndodhej në shtëpi dhe do
kthehej veç në mbrëmje. Duke qenë se letra rekomande që më kishin dhënë nuk ishte
në zarf, e shoqja e tij e lexoi, sepse dinte të lexonte, gjë që nuk është aq e
zakontë sa mund të pandehet; me siguri duhej të ishte ngacmuar nga një kërshëri
tepër e madhe, përderisa i lejoi vetes të shpaloste një letër që në fakt i
drejtohej të shoqit të saj. Mirëpo, zonjë e mirë, që tërë jetën nuk kishte parë
udhëtarë, e mori fjalën raccommandazione në një kuptim krejtësisht të
mëshirshëm dhe e ndjeu veten fort të sëkëlldisur ngaqë, edhe pse veshja ime
prej udhëtari nuk është se shkëlqente, përsëri nuk paralajmëronte për ndonjë
pamje lypsari.
Ngurroi
gjatë: më në fund, e vendosi; dhe naiviteti i zakoneve është i tillë sa nga
thjeshtësi e shpirtit pandehu se nuk mund të bënte gjë tjetër më të mirë për
t’iu përgjigjur rekomandimit të mikut të burrit veç duke më shtënë në dorë një
lëmoshë të majme. Krejt mendimet e saj do bëheshin çorapë kur unë i thashë duke
qeshur se vija e lypja jo para, por këngë. Atëherë u bind se isha duke bërë një
udhëtim “pendese”. Sepse a mund të vish në Kalabri thjesht për të mbledhur do
këngë popullore?
Shumë
konakë çelën dyert e tyre për mua, duke u sherrosur se kujt duhej t’i takonte
nderi për të pritur të huajin. Sindiku u tregua nga më mikpritësit; është nipi
i filologut dijetar Baffa, që vdiq më 1799 gjatë saturnaleve mbretërore që çuan
në trekëndësh Mario Paganon, Dominiko Cirillon, Eleonora Fonsekan, admiralin e
nderuar Karaçioli, tërë ata që përbënin vetë gjeninë dhe virtytin e Napolit.
Një
gjë e denjë për t’u vënë në dukje: ky fshat i vogël i Santa-Sofisë u ka dhënë Letrave
shumë njerëz të shquar. Italo-shqiptarët janë përgjithësisht njerëz të mprehtë,
të shkathët e të gjallë në mendim.
Nuk
pata fat në plaçkën që kërkoja. Përmbledhja me këngë aq shumë e shpresuar
ndodhej tek një profesor i Kozencës, në mos kish humbur. Tërë ato fatkeqësi
kolektive e individuale i kishin bërë të
gjithë moskokëçarës ndaj këngëve popullore, monument i shenjtë i ditëve të
lashta; në dhjetë vjet, do jenë harruar krejt.
Vetëm
zakoni për të përsëritur kolektivisht këngët kombëtare mund të përjetësojë
kujtesën e tyre. Është një trashëgimi publike, një trashëgimi e përbashkët që
përcillet nga brezi në brez. Njeriu interesohet dhe lidhet pas këngëve të të
Lashtëve si pas një prone të paprekshme. Ende fëmijë, i belbëzon që në djep; në
moshë të thyer ua përsërit nipërve e mbesave; ato janë mburoja e zakoneve
antike; po ja që ditët e bukura kanë ikur: sheshi publik është i heshtur dhe
frika e mjerimi trishtojnë vatrën shtëpiake; interesa më serioze ngërthejnë
mendimet.
E
për më tepër, s’kemi pse mos e themi: ky gjysmë qytetërim jo i plotë dhe aq
barbar për më tepër, që vjen duke tronditur besimet, duke shkatërruar gjithçka
që i është kushtuar dhe duke vënë në lojë gjithçka që është e lashtë, tani po
shfaqet përherë e më pak gjer në këto maja të ashpra. Po zhduk lumturinë e
dikurshme, pa e zëvendësuar me asgjë tjetër.
E
që të kthehemi tek këngët e mia, m’u desh t’i kërkoja ndihmë më plakës së
fshatit: kujtesa e saj e moçme kishte regjistruar vetëm ndoca copëza të
hallakatura të baladave që kremtonin bëmat e Skënderbeut, të njëjtat që i
këndojnë ende, sipas raportimit të Pukëvilit, bardët e Shqipërisë. Disa refrene
dashurie ruhen më mirë, ndonëse të gjitha janë të gjymtuara.
Ja
një prej tyre, për të cilën më vjen keq që i mungon mbarimi:
“Nuse
e re, borën gjer në brez çan, akullin gjer në gju çan, edhe shkon në turanidha
(burg) ku lëngon fisnik i saj, fisniku që ajo desh me shpirt. E liron nga
vargonjtë, edhe zë vend të tij, e ia merr këngës mortore: O fisnik, pash at’
rini, pash at’ jetë, eja shpejt, pa më mbirë bar në varr e pa ma plasur xhanë;
leshrat e gjatë shprishur do i lë, gjalmë të artë mbi to nuk do vë.....”
[Edhe
në rastin e kësaj kënge, ashti si te balada “Kostandini i Vogëlth” që pason, ne
i jemi përmbajtur variantit frëngjisht të autorit gjatë përkthimit në shqip,
dhe jo variantit origjinal të këngës arbëreshe, për të qenë kështi më pranë
autorit – F.A.]
Pjesa
tjetër ka humbur.
Si tërë këngët popullore, ato kanë ngjeshje dhe shpejtësi; në të shumtën e tyre sundon një përfytyrim fantastik, që luan me natyrën dhe ia nënshtron këtë tekeve të veta. Kanë një harmoni të ngadaltë e monotone, sidomos ato që përmbajnë përsëritje. Tingujt arbëreshë kanë diçka të ashpër; ndihet në to se kemi të bëjmë me një gjuhë mali.

Tradita
popullore flet për një vëlla të vogël të Skënderbeut, që e quanin Kostandini i
Vogël, i cili është subjekt i shumë baladave. Shpëtova njërën prej këtyre
baladave nga përmbytja e harresës, e vetmja që m’u dha e plotë :
“Kostandini
i Vogël tre ditë tek do martohej, ëndërr sheh, ëndërr llahtarë; në këmbë brof
edhe rënkon, rënkon sa vetë zotëria e tij e dëgjon.
“
E zënë e bien tamburatë, edhe skllevërit mblidhen në pjacë.
“-
Kush vallë në shpirt hoq aq shumë? – pyet ai [zotëria].
“-
Unë, - foli Kostandini, - sot është e shtunë, dhe nesër e diel, nusja ime vë
kurorë, nusja që aq shumë dua.
“
- Merr nëntë hapësat, e në stallë shko, nga nëntë kuajt, merr atë që do: të
bardhin qelibar, qimekuqin lulëkuq, të ziun si ulli, të shkathëtin si
gjeraqinë.
“Kostandini
zgjedh këtë të fundit, edhe ikën, bëhet erë.
“Udhës
tek ngarend, Florentinën motër has.
“-
Ku po shkon, mori vashë?
“-
Nga buza të vërvitem, se nesër e diel, time kunatë martohet, vetë nusja e
Kostandinit, Kostandinit tim vëlla.
“-
Po unë vetë jam Kostandini.
“
- Rend, rend, se kohë nuk ke!
“
Udhës tek ngarend, has të atin plak.
“
- Ku po shkon, i miri plak?
“-Nga
buza të vërvitem, se nesër e diel, time nuse martohet, vetë nusja e
Kostandinit, Kostandinit tim bir.
“
- Po unë vetë jam Kostandini.
“- Rend, rend, se kohë nuk ke!
“Udhës
tek ngarend, has të ëmën plakë.
“-
Ku po shkon e mira plakë?
“-
Nga buza të vërvitem, se nesër e diel, time nuse martohet, vetë nusja e
Kostandinit, Kostandinit tim bir.
“
- Unë vetë jam Kostandini.
“
- Rend, rend, se kohë nuk ke!
“Kostandini
rend dhe mbërrin në konak të nuses. Ngjesh fiamerco-n [ushtë në majë
të së cilës është lidhur një shami me fjongo – shënim i autorit francez]
në mes të sheshit ku qenë mbledhur tërë njerëzia e u thotë :
“-
Fisnikë, nusja, e imja është, se jetë me të unë kam lidhë, edhe ja tek kam
kurorë të martesës; unë pra jam i fejuari i saj.
“
I dëbuar, i hutuar, ai tjetri, gaz i botës u bë; Kostandini më atëherë, në
kishë gruan shpie, gruan që me shpirt e donte”.
Fallxhorja
plakë arbëreshe, kërrusur në qosh të vatrës, qe ndezur ca nga ca dhe zëri i
ngjirur i ishte gjallëruar; ritmi i saj i thyer, tonaliteti i ngadaltë e i zgjatur,
fytyra thellësisht e rrudhosur, kuadratuar nga flokë të gjatë e të bardha, nja
dy gjurmë të kostumit kombëtar, lëvizja e matur e trupit që ndiqte luhatjen e
zërit të saj, gjithë kjo krijonte një tablo të egër, e denjë për një
magjistricë të Salvator Rosas dhe të guvave të Endorit.
Të
nesërmen, mikpritësit e mi, të vegjël e të mëdhenj, më shoqëruan gjer në lumin Kratis,
që rrjedh disa milje poshtë Shën-Sofisë. Hodha lumin mbi shpatullat e fuqishme
të një malësori, dhe si bëra me dorë për bujtarët e mi një shenjë lamtumire të
fundit, depërtova në pyll për të mos i riparë
më. [Dy rreshta me pika në origjinal.]
Tetë
ditë më pas, mbërrita në San-Kostatino, fshati i parë i Bazilikatës në kufirin
e Kalabrisë; edhe ky fshat është një koloni arbëreshe, degdisur, harruar në
këmbët e zgjeruara të Polinos, një truall i shkretë, një vend i humbur, ku ka
kohë që nuk është dukur as edhe një udhëtar.
Reklamë franceze për markën ushqimore Liebig. Ishuj gjuhësorë, San Costantino Albanese. Gjuha shqipe, fundi i shek. XIX.
Binte
borë me flokë të mëdha (20 nëntor); qielli ishte i marrtë, natyra e përzishme,
gjithçka e zhveshur, gjithçka e vdekur, dhe ajri ishte aq i ftohtë, sa kisha
nevojë për një sforcim përfytyrimi për t’u bindur që ndodhesha në të ngrohtën
Itali.
Shkunda
jo pluhurin, por dëborën e udhëtimit në pragun e shtëpisë të një prifti ortodoks,
që më priti në vatrën dhe tryezën e tij më se të përkorë; duke qenë se rashë në
njërën prej katër të kreshmëve të ritit grek, m’u desh të zbatoja disiplinën e
ashpër.
Në
as edhe një vend kostumi i grave nuk ka ruajtur më mirë pastërtinë e tij
primitive; falë një izolimi të plotë, asgjë italiane nuk është futur në të. Nuk
është gjë e lehtë për ta përshkruar, sepse mungojnë fjalët.
Mbulimi
i kokës është gjëja më e çuditshme që kam parë. Flokët e tyre të gjatë e të
zezë janë të bërë gërshetë, ose pastaj i mbledhin rrotullamë brenda kordelesh
pambuku të bardhë që i quajnë bombacella. Si i kalojnë përreth qafës, i
shpien prapa kokës për t’u dhënë një formë të çuditshme, që më mirë se gjithçka
tjetër do ta krahasoja me një maskë eskrimi. Këtë ato e quajnë kezeta.
Vetëm
gratë kanë të drejtë të mbajnë kezën, një lloj torke e qëndisur,
mbikaluar nga mbërthecka të mëdha, kokëzat e të cilave janë gjithë gdhendje. Por
të gjitha, gra a vajza, ngarkohen me gjerdanë të rëndë e me goxha vathë të
florinjtë.

në
këtë veshje të çuditshme diçka aziatike. Mund ta marrësh për kostum indian;
veçse vajzat e San-Kostatinos nuk janë bajadere. [Valltare të shenjta të
Indisë – F.A.].
Tek
i shihja ato figura të habitshme që qarkullonin me hap të ngadaltë e të rëndë
mbi borën e malit, nën tingujt e asaj gjuhe të ashpër e agreste [këtu, në
kuptimin gjuhë sa fshatarake dhe e thjeshtë, aq edhe në kuptimin bruto,
primitive, origjinale apo të papërpunuar – F.A.] si vetë natyra që kisha para syve, nën britmat
e tmerruara të vogëlushëve, që prania ime u shkaktonte panik e frikë dhe
fshiheshin mes klithmash në hijen e kasolleve gjithë tymosje, do ta pandehja
veten të ndodhur gjithkund tjetër, veç jo në Itali, Europë, nëse kostumi i
rëndomtë e europian i burrave nuk do ma kish fashitur këtë iluzion.
Të
mjerët arbëreshë, vërvitur mbi ato lartësira, nuk e kanë parë kurrë veten t’u
buzëqeshë fati. Që prej më shumë se tre shekujsh, kapen me thonj pas një natyre
kurnace, së cilës duhet t’i shkulësh gjithçka. Gështenja, ndopak grurë dhe verë
e cilësisë së keqe, në zonat e ulëta, mezi shpërblejnë mundin e tyre përgjatë
një viti të tërë. Më sipër tyre, në Kazalnuovo janë degdisur të tjerë arbëreshë,
vëllezërit e tyre të mërgimit e mjerimit. Më të varfër nga bashkëpatriotët e
tyre të Kalabrisë, kanë të përbashkët me ta kultin dhe gjuhën. Banorë të
trevave më të epërme, viktimë të një klime më të ashpër, bllokuar gjysmën e
vitit nga bora, janë të dhënë pas verës dhe erëzave të forta: përdorin ndër të
tjera me shumicë specat, peperoni, që të përvëlojnë qiellzën.
Shpresoja
të mblidhja mes tyre këngë nga të kombit të tyre: më kot! Qëndrimit
moskokëçarës për të cilin qortohen, ata banorë nuk mungojnë t’i kundërvënë
shpërfilljet politike, që nuk i kanë kursyer aspak në mjerimin që i ka
karakterizuar. Nuk ka veçse një klithmë në tërë atë Mbretëri të shkretë, që
është klithma e zisë. Trishtimi ka pllakosur tërë zemrat, ligështimi u ka
lidhur krahët, dhe mes tërë atyre vuajtjeve, qeveria napolitane vijon ecjen e
saj të verbër e mizore.
Përshkova,
si në Kalabri dhe në Bazilikatë, koloni të tjera arbëreshe: edhe pse më të
zbuluara, ato përsëri kanë ruajtur kultin grek tek një pjesë prej tyre,
tërësisht gjuhën shqipe amëtare dhe diçka nga kostumi antik. Zakonet pothuaj
janë fshirë, dhe këngët kombëtare janë harruar.

Nicola Ceceri, vitet 1791-1793, guashë në letër, banorë të Vila Badesës, me kostumet e tyre arbëreshe karakteristike.
Disa
muaj pas ikjes nga Kalabria, hasa sërish popullsi me origjinë shqiptare në
fushat e Pulias, prej Tokës së Otrantos gjer buzë Bifernos, në kufi me Abruzën;
madje në Abruzën e poshtme hasa një fshat të vogël arbëresh ku ruhej riti ortodoks:
është Vila-Badesa [Badhesa] pranë Civita-di-Penes; por tërë këto koloni janë në
shumicën e tyre aq shumë të shkrira me fqinjët, sa është e pamundur për t’i
dalluar. Falë gjendjes së tyre, ortodoksët malësorë do ruajnë edhe për ca kohë
një fizionomi origjinale; përhapur në fusha, e rrjedhimisht pa mbrojtje ndaj
dyndjes së zakoneve italiane, vëllezërit e tyre të Pulias kanë qenë nën
trysninë e Perandorisë dhe kanë humbur gjer edhe ritin grek. Ndoca emra të
përveçëm pluskojnë të vetme në tërë atë përmbytje të zakoneve të lashta, si për
t’u kujtuar banorëve origjinën e tyre. Ka ende Kastriotë në Kapitanata, edhe
pse historianët pretendojnë që pinjolli i fundit i familjes së Skënderbeut,
markezi i Shën-Engjëllit [Ferdinand Kastrioti] është vrarë në betejën e Pavisë
nga vetë dora e Fransuait të I-rë.
Arbëreshët
e provincës së Molisës, Samniumit të lashtë, janë më pak të prekur. Duke
braktisur kultin dhe kostumin e etërve të tyre, ruajtën gjuhën, e sidomos
karakterin krenar dhe hakmarrës. Motoja e tyre, sikurse tek të vëllezërit e
Kalabrisë, është “gjaku lahet me gjak”: Sangue lava sangue; mund të
përmend jo pak katastrofa kur ka gjetur zbatim ky proverb i përgjakshëm. Kanë
ruajtur nga ana tjetër edhe ndoca gjurmë të këngëve të lashta. Rigjeta në
Porta-Kanone, fshat që ndodhet në kufijtë e Abruzës baladën e Kostandinit të
Vogëlth, e njëjta që kisha dëgjuar të këndohej në Santa-Sofia në thellësi
të Kalabrisë. Kjo përkitje midis dy fshatrave pa komunikim, shkëputur nga mbi
njëqind lega dhe nga male të ashpër, do të provonte pa mëdyshje bashkësinë e
tyre të origjinës, nëse do kishte nevojë për ta vërtetuar.
Arbëreshët
zënë në Mbretërinë e Dy Sicilive pesëdhjetë e dy qyteza e fshatra dhe formojnë
një popullsi mbi gjashtëdhjetë mijë frymësh. I kanë bërë shërbim vendit duke i
bërë shkëmbinjtë pjellorë dhe duke populluar shkretëtira. Për aq kohë sa nuk
mungoi zgjuarsia për ta ndjerë nevojën e tyre, qeveria i favorizoi këto
emigrime, që cilat vazhduan gjer në mbretërimin e Karlit V; mirëpo vetë
marrëzia e nën-mbretërve u dha fund atyre, nisur nga trembje foshnjarake dhe
pengesa qesharake.
Kësisoj,
kjo mbretëri e Napolit, me natyrë aq të larmishme në krejt madhështinë e saj, i
dhuron jo vetëm syrit por edhe zemrës do mrekulli të tjera: tërë popujt, të
lashtë e modernë hasen në të, që nga fenikasi misterioz, gjer tek republikani
trengjyrësh. Të gjithë kanë lënë gjurmë të kalimit të tyre. Çdo shekull ka në
të monumentin e vet. Tërë shoqëritë kanë qenë në të të pranishme; tërë idetë,
tërë besimet, tërë pasionet janë ndeshur në të me ashpërsi.
E
përbërë nga gjithë ata elementë heterogjenë, e tronditur aq shpesh në themelet
e veta, Italia duket sot si e mbërthyer nga lodhja dhe sikur po çlodhet nga e
shkuara. Tek e shohim të na shfaqet kështu, themi me vete gjithë shkruajë e
shqetësim nëse kemi të bëjmë vallë këtu me vetë çlodhjen e pleqërisë, të
vdekjes? Nëse kjo Itali, që krijoi tre herë qytetërimin e saj, që i shërbeu tre
herë Europës si udhërrëfyese, mos vallë kaq e pati mbi këtë tokë dhe mos vallë
i përfundoi kështu misionet e veta? Nga ana tjetër, nuk ka si të mos
indinjohemi tek shohim kombet mosmirënjohëse të bashkohen kundër nënës së tyre
të përbashkët për t’i çelur varrin. Nuk ka si të mos protestojmë me të gjitha
forcat e shpirtit ndaj tërë asaj mosmirënjohjeje, ndaj tërë asaj padrejtësie;
me gjithë dëshirë do uronim ringjalljen e Italisë dhe, duke kërkuar ngushëllime
në një të shkuar me lavdi të tilla që të ngrohin shpirtin, të ngazëllejnë
mendimin, gjejmë pikërisht këtu edhe ato shpresa e garanci për atë të ardhme që
e urojmë të gjithë.
Shqiptarët
në Kalabri,
“Raccolta”,
Zakone siciliane e kalabreze,
Revue
des Deux Mondes, vëll. III-IV, 1831.
©
Fotaq Andrea
©
Zemra Shqiptare





