Fotaq Andrea: Zvërnec - 1916-2026 - Heroi italian dhe Heroi anonim shqiptar

3h më parë

Zvërnec – 1916-2026

Heroi italian dhe Heroi anonim shqiptar

Ekskluzive nga Fotaq Andrea

Ja ku na vjen, falë penelit të piktorit dhe ilustratorit të mirënjohur italian Achile Beltrame (1871-1845) një dokument historik ilustrativ për një ngjarje të veçantë ndodhur në Zvërnec (Zarnec) gjatë Luftës së parë Botërore, konkretisht javën e parë të nëntorit 1916. Toka e përflakur shqiptare, shndërruar në arenë përleshjesh të ashpra midis Fuqive të Antantës dhe Fuqive Qendrore gjatë Luftës së parë ballkanike shfaqet e viktimizuar keqazi, sidomos pas vendimeve të Traktatit famëkeq të Londrës të vitit 1913, kur Shqipërisë iu shkëputën pjesë të mëdha të territorit të saj në përfitim të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi dhe kur mbiu në arenën ndërkombëtare “Maqedonia”, një shtet i ri tërësisht artificial siç e ka cilësuar Faik Konica, me shumicë shqiptare të popullsisë. Dhe jo vetëm, por përshkallëzimi i egër i Luftës së parë botërore drejtpërdrejt në territorin shqiptar, ku ndesheshin forca të shumta greke, serbe, austriake, gjermane, franceze, italiane, etj. dëshmonte edhe një herë tjetër, sidomos e mbi të gjitha, se orekset e shteteve fqinje të Shqipërisë nuk kishin të ngopur, tek kërkohej me ngulm ose gllabërimi i plotë i saj, për ta shuar nga faqja e dheut, ose “kontrolli” i saj si një pikëtakim i mëtejshëm kolonial.

Pikërisht, kjo dramë apo tragjedi e ethshme për fatet e Shqipërisë më 1916 shfaqet plot domethënie në Zvërnec nëpërmjet ilustrimit të piktorit A. Beltrame në faqet e revistës qendrore italiane “La Domenica del Corriere”, suplement i ilustruar i “Corriere de la Serra”, nr. 45, 5-12 nëntor 1916. Shohim konkretisht në këtë tablo kapitenin pilot italian Ercole Ercole i korpusit aeronautik të Torre  Annuziata, i cili, zbarkon në çast emergjence në Zvërnec për mungesë karburanti dhe, pasi i ka vënë ai vetë flakën aeroplanit të tij për të mos rënë në dorë të armikut, vret me dorë të ftohtë një “agresor” siç theksohet në titull, apo një “autokton shqiptar”, siç shkruhet në tekstin komentues brenda revistës.

Si kalon vijën e frontit në Vojussa (Vjosë) dhe bashkohet me forcat italiane, nuk do mungojë që shpejt ai të shpallet hero për bëmën e tij, duke u dekoruar me medalie të artë nga mbreti italian. Bukur fort për pilotin hero italian që shteti i tij nuk mungon ta vlerësojë në emër të politikës italiane të kohës që kërkon edhe ajo të hedhë kthetrat mbi territorin e virgjër shqiptar. Por këtu, me një ngatërresë të çuditshme terminologjie: Kush është agresori në këtë mes? Shqiptari që shfaqet në ilustrim me armë në dorë për të mbrojtur tokën, vatanin e tij, në çastin tragjik të martirizimit, vrarë nga një pilot vajtur aty, në Zvërnec, nga qielli? Apo vetë piloti italian që kërkon të shpëtojë lëkurën e tij në dhé të huaj ardhur që larg për të shndërruar shqiptarin në kolon? Ironi e fatit, ironi e politikës grabitqare, ironi e historisë.

Kush është shqiptari anonim në tablo? Thjesht, do thoshim, një përfaqësues nga gjiri i popullit që dëshmon me armën e tij në dorë se kjo tokë e përgjakur ka zot popullin e thjeshtë, që i ka bërë ballë historikisht kohërave të stuhishme, ka ditur të mbijetojë përpara fuqive, superfuqive, perandorive të rrënuara në sytë e tij. Është ai shqiptar autokton e anonim i Zvërnecit ardhur që përtej mijëvjeçarëve të historisë në atë tokë të bekuar nga “vetë Zoti apo Natyra”, siç shprehej i madhi Viktor Hygo, që flijohet me ndërgjegje të plotë përballë armikut, duke sfiduar edhe një herë historinë e duke merituar titullin “shqiptari hero” nga vetë populli i tij!

Mund të shtrohet me të drejtë pyetja pse ky shqiptar shfaqet në tablo me tirqet e malësorit të Veriut në Zvërnecin e Jugut të Shqipërisë. Përgjigjet alternative mund të jenë nga më të ndryshmet, por pikërisht këtu qëndron, për mendimin tonë, edhe bukuria e kësaj tabloje duke pasur parasysh, në radhë të parë, shtatë lëvizjet e mëdha historike të popullatave shqiptare nga Veriu në Jug të Shqipërisë për të cilat flet eruditi At Valentini në veprat e tij. Nuk përjashtohet njëkohësisht edhe mundësia e mobilizimit ushtarak të trupave shqiptare të Malësisë nga Austria gjatë Luftës së parë botërore, por që, në fund të fundit, shqiptari, qoftë i Veriut, qoftë i Jugut, është qëmotit në tokën e tij, në atdheun e tij kombëtar, sepse Shqipëri, Malësi e Kosovë janë një e vetëm një komb, të lidhur si mishi me kockën me anë territori, gjuhe, dokesh, zakonesh, falë historisë së tyre lavdiplotë.

Duke e risjellë sot, më 2026, këtë tablo para publikut, për një ngjarje historike në Zvërnec gjatë Luftës së parë botërore, nuk e shohim me vend nga ana jonë të shfaqim kurrfarë angazhimi politik lidhur me protestat e sotme po zhvillohen në Tiranë, etj. me tematikë Zvërnecin dhe flamingot e atjeshme. Jo, nuk bëjmë asnjë aluzion në këtë drejtim dhe nuk është aspak qëllimi ynë, as pro, as kundër protestave me shënjestrat e tyre politike të paracaktuara apo caktuara. Përkundrazi, ne i përmbahemi fort shqetësimit mbarëpopullor jo vetëm në vendin tonë por edhe në mbarë botën, lidhur me baraspeshëm e domosdoshme apo simbiosenën e mjedisit ku jetojmë me natyrën, duke ruajtur si sytë e ballit burimet natyrore dhe duke i studiuar ato në mënyrë shkencore për përfitime njerëzore, ekonomike, financiare, pa cënuar assesi habitatet e specieve të rralla. Pamëdyshje, Zvërneci është monument natyre dhe do të ishte krim të dëmtohej. Në të kundërt, do të duheshin aty projekte serioze ambientaliste gjithë transparencë publike për përfitime shoqërore. Ashtu siç veprohet kudo në botë për harmonizimin e njeriut me natyrën, duke bashkëjetuar me të, dhe jo duke e sunduar.


Laguna e Nartës dhe Zvërneci, ashtu si Karavastaja, janë domosdoshmërisht parqe natyrore, korridore ekologjike, zona të ndjeshme që kërkojnë, nga ana tjetër, një prani dhe një mjedis njerëzor të organizuar më së miri, për të krijuar një ekosistem të shkëlqyer mbrojtës, duke përforcuar pyjet dhe restauruar zonat e dëmtuara nga lagështira. Por mbi të gjitha, duke kufizuar urbanizimin e tyre me godina të ulta, të sistemuara, ku të mbisundojnë hapësirat e gjelbëra. Vetë fshati i Zvërnecit duhet rerstauruar duke ruajtur arkitekturën e tij. Dhe para se të fillojë urbanizimi minimal i kontrolluar, lypset të fillohet nga burimet energjetike me solarë e eolienë, për të shmangur sa më shumë konsumin energjetik.

Jemi të bindur se zhvillimi i turizmit është aty i domosdoshëm, duke pasur këtu parasysh vetëm një ekoturizëm dhe kurrsesi një turizëm masiv dëmtues. Është e vërtetë që natyra nuk mund të mbahet e shkëputur nga qytetërimi. Por ajo respektohet, ajo kërkon bashkekzistencë harmonike me qenien njerëzore. Çdo veprimtari ekonomike lypset të vihet aty në shërbim të ekosistemit, për ta mbrojtur e për ta përforcuar atë, dhe jo për ta dëmtuar. E në këtë drejtim, na vjen domosdo në ndihmë edhe trashëgimia kulturore e historike, si një element i fuqishëm shoqërues i biodivesitetit të mrekullueshëm që zotëron vendi ynë. Dhe këtu, mendja na shkon te udhëtari, historiani dhe piktori i shquar anglez Eduart Lear që, krahas Bajronit, ndër të parët, përjetësoi natyrën dhe bukurinë shqiptare, si dhe vetë shqiptarët, duke iu dhënë nam e famë në botë e duke u hapur udhën e Shqipërisë ekzotike e historike shumë udhëpërshkruesve të tjerë të huaj të shekullit XIX.

Po prapë, vetë zhvillimi i vendit nuk ka se si të mbështetet thjesht dhe vetëm në turizëm. Shtyllat bazë të zhvillimit ekonomik dhe të rritjes së mirëqenies janë, siç dihet, industria dhe bujqësia, e në radhë të parë shfrytëzimi i pasurive nëntokësore me të cilat, fatmirësisht, Shqipëria është e pasur. Politikat ekonomike lypset sot të marrin përparësi ndaj turizmit, të lëna pas dore siç kanë qenë mjerisht gjatë tre dekadave të vështira të tranzicionit demokratik në Shqipëri.

Një shembull i shkëlqyer frymëzimi në këtë drejtim janë vendet skandinave, të njohura për shtetin e tyre providencial, pa pabarazi të theksuar sociale dhe të përfshira tërësisht në dobi të mbrojtjes së mjedisit, të biodiversitetit dhe mirëqenies shoqërore, me harmonizim e baraspeshë të shkëlqyer të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës, gjithë pyje, parqe kombëtare, rezerva natyrore, habitate të botës shtazore e bimore, fjorde, dete dhe liqenë të pasur në faunë e florë. E ndër këto shtete dallon Norvegjia, me strategjinë e saj kombëtare për një shfrytëzim racional dhe amenazhim të përsosur të naftës, si një pasuri e veçantë e nëntokës së saj.

Por, çka e bën mëkatare dhe të pamëshirshme politikën shqiptare të viteve të tranzicionit, që mban në vend numëro zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit është ajo pabarazi e theksuar në të ardhura midis shtresave të ndryshme të popullsisë dhe sidomos ajo babëzi e tejskajshme e shtresës pasunare për përfitime të padrejta maksimale, pa kurrfarë skrupuloziteti, tek shohim njerëz e pensionistë që vuajnë për ilaçe e për bukën e gojës, në mjerimin më të plotë, njerëz që detyrohen të marrin udhët e mërgimit, dhe ku? Në vendin tonë nga më të pasurit e Ballkanit, me nëntokë të pasur mineralesh, me burime e lumenj të shumtë, me tokë të bekuar, male alpine e pyje gjelbërane si të Zvicrës, me liqenë e detra gjithë plazhe për zili!

Ish një kohë kur senatori francez D’Estournelles de Constant, çmim Nobel i Paqes më 1909, i cili, së bashku me deputetin Justin Godart, luajti një rol madhor për mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare në vitet 1920-1921, i shkruante gjithë entuziazëm më 18 maj 1921 Iliaz Bej Vrionit, ministrit shqiptar në Paris këto fjalë lavdiplota dhe tepër prekëse: “E pasur, piktoreske, punëtore, paqedashëse dhe e respektuar, Shqipëria do të jetë Zvicra e Gadishullit Ballkanik. Udhëtarët e Botës së Lashtë dhe të Re do venë aty për të kërkuar besimin dhe lirinë. Rroftë Shqipëria e lirë!

Po sot, pas 105 vjetësh nga ky parashikim i Njeriut të Madh francez, ku është Shqipëria në raport me vendet e Ballkanit dhe të Europës? Ne, s’ka si të jemi mosbesues si Shën Thomai, për t’i dhënë përgjigje pyetjes sonë. Veçse na e ka ënda të besojmë në parashikimin gjenial njëshekullor të mikut të hershëm të Shqipërisë baronit D’Estournelles de Constant, që meriton së bashku me Justin Godart monument përjetësie në vendin tonë. Vërtet Shqipëria ka njohur zhvillim. Dhe do njohë zhvillim edhe më të madh, me ritme edhe më të shpejta. Por ama, hesapet me politikat e mbrapshta nga majë e kolltukut, si kancer i vendit, domosdo këtu do lahen. Këtë e kërkon si një nevojë urgjente vetë përparimi i vendit, europianizimi i tij, dinjiteti i fuqishëm i kombit të lashtë shqiptar.