Fotaq Andrea: Arbëreshët e Italisë (1413–2007), IV

1h më parë

Arbëreshët e Italisë (1413–2007), IV

Antologji me shkrime nga autorë francezë

(IV)

Ekskluzive nga Fotaq Andrea

Hora e Arbëreshëve

Hora e Arbëreshëve është emri origjinal i Piana degli Albanesi, trashëguar që prej themelimit të bashkësisë kryesore shqiptare të Sicilisë në shekullin XIV. Historikisht ka qenë e njohur me emrin Piana dei Greci, por Enciklopedia e Madhe Franceze e viteve 1885-1902, në vëll. 26, f.838, jep këtë shpjegim në zërin: Piana dei Greci [Piana degli Albanesi]:

“Është qytet i Sicilisë në provincën e Palermos, rreth 24 kilometra larg kësaj qendre, me të cilën lidhet me anë tramvaji; 8.847 banorë sipas regjistrimit të vitit 1881. Tokë shumë pjellore, prodhim e tregti aktive drithërash, vaji e frutash; në rrethina, shtresa mermeri të kuq si dhe mermerësh të tjerë. Është kolonia kryesore ndër ato që u themeluan në Sicili nga shqiptarët ortodoksë që i ishin larguar tiranisë së myslimanëve pas vdekjes së Gjergj Kastrioti (Skënderbeut) më 1466 [1468].

Banorët kanë ruajtur fenë e tyre të ritit grek [ortodoks], duke njohur megjithatë epërsinë e Papës, si dhe zakonet e tyre primitive, dhe flasin ende një dialekt të shqipes. Katedralja greke [ortodokse] zotëron afreske të shkëlqyera.”

Këto afreske janë vepra të Pietro Antonio Novellit (1568-1647), piktor i shquar italian, një nga përfaqësuesit më në zë të artit italian të mesit të shekullit XVII. I realizoi ato në fund të viteve të tij më 1641-1646.

Paul DE MUSSET

Pol dë Myse (1804-1880), shkrimtar, të cilit i njihen rreth pesë vepra, e ndër to monografia për vëllain e tij më i vogël, shkrimtarin e shquar romantik francez “Alfred de Musset, Jeta dhe Vepra”.

AFRESKE TË BUKURA TË PIETRO ANTONIO NOVELLI NË KISHËN E HORËS SË ARBËRESHËVE




Pietro Antonio Novelli, afresk në Kishën Hora e Arbëreshëve (2).

[…] Një rrugë mjaft e mirë, e parapëlqyer nga Palermitanët për të shkuar në Girgenti, i shmanget detit në dalje të Sciaccas dhe merr drejt maleve. Qyteti i parë që haset është Corleone, me një peizazh piktoresk, ku mjaft të godasësh mbi tokë, dhe del ujët prej saj; në çdo hap sheh përrenj e burime. Corleone, e themeluar nga Saraçinët, u rrëmbye prej Normanëve. Në shekullin XIII, qyteti doli kundër “Shtëpisë së Anzhuinëve”, e cila e ndëshkoi atë me ashpërsi barbare. Këtu udhëtari, i mërzitur nga udhëtimi me mushka, zë vend mes postiqesh të rehatshme të një pajtoni marrë me qira; madje mund të udhëtojë edhe me pajtonin e postës, në dëshiron; që në stafetën e parë të ndërrimit të pajtoneve, bie mes një popullsie të përbërë në pjesën më të madhe nga Orientalë. Kolonia e vogël arbëreshe e Piana dei Greci daton që nga koha e Mehmetit II.

Gjashtë mijë familje u vendosën që nga ajo kohë në këto lugina pjellore, dhe pasuesit e tyre jetojnë ende atyre anëve. Kisha e gjithë kësaj famullie përmban piktura të bukura të Novelit; kremtohet aty mesha sipas ritit grek. Në dalje të Pianës, rruga gjarpëron përmes korijeve dhe çon në një lartësi, nga ku mund të përshëndetet Palermoja e bardhë, ulur buzë detit në atë hemicikël kodrinash që poetët e vendit e kanë quajtur Guaska e praruar, dhe që përfundon me kepe të thepisur në të dy skajet e veta.

Duke zbritur malin gjithë rendje, do kalosh me shpejtësi përpara Parkut të lashtë mbretëror, vilave, kopshteve dhe pemishteve me portokaj. Edhe pas dhjetë ditësh që i je nënshtruar regjimit të karvanëve, ku gjithçka varet thjesht nga ju për ta pandehur veten në Azi, iluzioni ende vijon, dhe më në fund, veç kur e sheh veten duke hyrë në qytezën e pasur të “Bagdadit”. Dhe, pas një pushimi të qetë në Palermo, ia vlen ta përfundosh udhëtimin në Sicili duke marrë me vete nga ky vend një kujtim të bukur.[...]

Gjithë njerëzia në Palermo po merreshin në atë kohë me një festë që do organizohej në Piana dei Greci. Bëhej fjalë për një ceremoni fetare në ritin grek, pasuar nga do lodra e valle.

Popullsia e Pianës, që përbëhet nga Arbëreshë, do vishej e zbukurohej me kostumet e veta kombëtare. U desh t’i luteshim Dom Massinos një kohë të gjatë për të marrë edhe vajzën e tij në festë dhe veç dje në darkë e vendosi.

Udhëtim piktoresk në Itali dhe në Sicili,

Paris, 1856.


Pietro Antonio Novelli, afresk në Kishën Hora e Arbëreshëve (3).

© Fotaq Andrea

© Zemra Shqiptare