Fotaq Andrea: Doktori që shëronte edhe shpirtrat njerëzorë
In Memoriam
DOKTORI QË SHËRONTE EDHE
SHPIRTËRAT NJERËZORË
-
Ese me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së
Dr.
LLAZI ANDREA, 1928-1986 -

Ai ishte im atë, im ATË, në krejt
thjeshtësinë, fisnikërinë dhe madhështinë e kësaj fjale të shenjtë. Ishte mjek
epidemiolog ushtarak, e më tej, infeksionist, bakteriolog, higjenist, patolog,
i atashuar pranë Spitalit Ushtarak të Tiranës më 1960. Vetë ky Spital famëmadh
prej dekadash ishte, të themi, në radhë të parë zemra e Laprakës historike, kësaj
prapavije të kryeqytetit, me popullsi origjinash të ndryshme, ardhur nga mbarë
vendi në vitet 50-60, të përziera vërtet, por të harmonizuara në mënyrë të
paqtë, si të përbënin një familje të madhe të vetme, kur jo pa mburrje qëllonte
që banori i saj të cilësohej “jam laprakas”.
Nuk dimë të jetë përcaktuar saktë etimologjia
e emrit “Laprakë”, por një lloj shpjegimi që kam dashur të japë, ndoshta ka
lidhje me fjalët “la prakën” apo “la-pragun” (la - qendrën)
e po ashtu, ndoshta mund të shohim edhe një lidhje me fjalën shqipe “lapë
- në shumës lapra”, në kuptimin ngastra, parcela, apo toka
familjesh tiranase, ashtu sikurse kërkohet kuptimi edhe te mbiemri “Bargjini
- Bari i Gjinajve”. I nderuari prof. Emil Lafe më mëson se ka edhe një
lagje në Pezë të Madhe që quhet “Laprakë”, por ende nuk është përcaktuar saktë
etimologjia e këtij emri.1
Pa dashur të largohem nga tema, e bëra
paksa këtë shpjegim hyrës për të veçuar njëfarësoj funksionin e nderuar të mjekut
humanist e popullor që karakterizonte edhe tim atë, i cili depërtonte, në
çdo kohë e rrethanë, në çdo qelizë familjare të Familjes së madhe Laprakë. Sepse
nuk kishte familje të kësaj lagjeje të mos e njihte, të mos e kërkonte, orë e
pa orë dhe, - tek e shihnin të shfaqej në prag të shtëpisë, ashtu shtatlartë,
me uniformë ushtarake e babaxhan, me çantën e ndihmës së shpejtë në dorë -, të
mos thonin fjalët e thjeshta, por aq shumë të mirëpritura: “Erdhi Doktori”. Dy
fjalë këto të zakonta që thuheshin gjithë shpresë e zemër ngado, si një mikëpritje
e mezipritur për hallin që e kishte zënë familjen me të sëmurin e tyre dergjur
në shtrat.
“Erdhi Doktori”. Për dekada me radhë janë
thënë këto fjalë për tim atë edhe në çdo repart ushtarak anë e kënd vendit, sa
herë që ai ikte me shërbime të gjata për kontrolle higjiene e depistime, apo
tek punonte si mjek i përgjithshëm pasditeve të vona në Poliambulancën e
lagjes, në Fabrikën e Këpucëve, Uzinën “Partizani”, Uzinën “Tirana”, “Batalionin
e Sigurimit”, etj. Por, përherë gjithë përkujdesje e ngrohtësi, ai ishte domosdo
mjeku i vetë familjes së tij, i fisit dhe me tej, i mbarë fshatrave të Sarandës
e Gjirokastrës, tek ishte i lidhur ngushtë me miq, farsefisni e krushqi të
gjerë që kur kishte punuar që herët edhe si “Doktor i Zonës së parë Operative”
pas luftës. Nuk kishte muaj e vit që shtëpia jonë në Laprakë të mos mbushej me
njerëz të ardhur nga larg për hall sëmundjesh, e që nëna ime i priste e i
përcillte plot mirësi, gjithë përkujdesje e ngrohtësi.
Zanatin e infermierit im atë e ushtroi që 15 vjeç kur, më 1943, doli në luftë partizan për çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj. Që në ato fillime, tek shihte të plagosur shokët e tij në sheshin e betejës, dhe duke qenë nga më të vegjëlit në moshë në çetën e Karafil Bellos, nuk ngurronte të rrëshqiste nën breshërinë e plumbave për t’ua ndalur hemorragjinë e plagëve, për t’i tërhequr e për t’u dhënë ndihmën e parë. Por, fatkeqësisht, i kishte qëlluar që ndonjë partizan i plagosur të ndërronte jetë në duart e tij. E në këtë mision të parë human, kur u mësua mes rrjedhjes së gjakut e ndihmës së shpejtë, u plagos edhe vetë tek ndjeu sëmbimin e plumbit në trup që i la vurrajë të përjetshme, si një dekoratë më vete. Shumë shpejt, në vitet 1948-1951, do ta shihte veten ndihmës mjek dhe me detyra ushtarake mjekësore në zonën e Jugut, për të përfunduar mjek në fund të viteve 1950, pas specializimeve jashtë shtetit.

Në “Pallatin e Doktorëve” banuan për
vite me radhë mjekë e ndihmës-mjekë që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e
vetë Laprakës dhe, në nderim të tyre, po rreshtoj emrat e respektuar: Ismail
Feta, Todi Kristo, Bexhet Refatllari, Mukin Çarçani, Sadik Banushi, Misto Çoli,
Llazi Andrea, Hajro Shyti, Pavllo Kotomelo, Shaban Sula e Ymer Kordoni. Por të tjerë emra po aq të vlerësuar në fushën e shëndetësisë
ishin banorë të Laprakës si, Pavllo Kongo, Isuf Allamani, Engjëll Mastora,
Halil Dervishi e Misto Note, dhe kërkoj ndjesë për të tjerë që nuk po i kujtoj.
Veçse (pa dashur të bëj këtu historikun e fillimeve të Spitalit Ushtarak
Shqiptar) përtej këtyre emrave, na shfaqet mbi të gjitha një armatë e tërë e
ndritur mjekësh të këtij Spitali të Laprakës, përmbi 70 emra të tjerë doktorësh
të disa brezave që kanë shkëlqyer që prej vitit 1957, emra këto që e bëjnë
Laprakën Kampione të Mjekësisë me Yje të Shëndetësisë, nga Dr. Sinan Imami,
Ibrahim Dervishi e Veli Toto deri tek më
të fundit Luan Nikollari, Bajram Begaj e Edlira Bode. Dhe, a nuk e meriton në
këtë rast si jo më mirë kjo Lagje e Doktorëve një përmendore, një monument me
elementë të fuqishëm kompozicionalë të ndërthurur Mjek-Pacient, ku të shprehet
tërë ai humanizëm i mjekut ushtarak në shërbim të jetës njerëzore, jetës më të
shtrenjtë e të shenjtë?!
Por shquhej Lapraka edhe për mjaft emra
intelektualësh të njohur, agronomë, inxhinerë, xhenierë, pilotë, mësues, etj. e
sidomos për mjaft familje me emër patriotike e fisnike, e mbi të gjitha për
fuqinë e madhe punëtore që rropatej e i binte bretku pas realizimit të normës, që
nga Kombinati “Josif Pashko”, “Fabrika e Tullave”, “Zooteknika”, Ferma “Gjegj
Dimitrov”, e deri tutje te Miniera e Mëzezit a Instituti Bujqësor, pa
llogaritur 5-6 satelitët industrialë të njohur përreth Laprakës, uzinat dhe
fabrikat e saj të njohura, që përmenda më lart, ku shkonte e punonte
vullnetarisht im atë. Duke qenë lagje e jashtme a zonë “më vete”, binte në sy në
Laprakë një ndërthurje e harmonishme e popullsisë së saj heterogjene me një lidhje
të shëndoshë kolektive, një simbiozë kjo vërtet e bukur, po ku mjerimi e halli
i përditshëm, si kudo, përbënin një emërues të përbashkët të jetës së tyre.
I zgjedhur për disa mandate si Kryetar
i Frontit të lagjes dhe i dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit popullor,
im atë mishëronte kësisoj në vetvete mjekun profesionist dhe njeriun masovik me
detyra shoqërore. Ky angazhim dhe preokupim shoqëror, shoqëruar nga ndjenja e
lartë e detyrës profesionale e bënin tim atë t’i qëndronte më pranë njeriut të
thjeshtë të halleve e të mundit, kur domosdo, mjerimi e halli pjellin sherrin,
qoftë edhe brenda familjes. E nga sherri, që
kurrgjë të mirë s’ka, siç thotë populli, lind përvuajtja, prishja e
nervave, dhimbja e kokës, tensioni i lartë arterial e me radhë. Në këtë kuptim,
ai shfaqej si një mjek jashtë të zakonshmes, që me ngrohtësi e thjeshtësi, me
dialog të çiltër arrinte ta bënte gjithkënd t’i hapej, madje ndonjëherë t’i
zbrazej me lot në sy. E trajtonte “atë tjetrin” përballë tij psikologjikisht,
duke depërtuar brenda shpirtërores, brenda asaj që shpesh rëndon thellë në
shpirtra të përvuajtura. Dhe në këtë rast, nuk ka si të mos merrte kuptim të
thellë shprehja “Fjala shëron”, sidomos në gojën e Dr. Llazit që gëzonte besim
të plotë te pacienti, por edhe te anëtarët e tjerë të familjes. Kjo fjalë e
ëmbël lehtësuese, me dritë plot shpresë, ky mirëbesim, e kanë shoqëruar
kurdoherë tim atë, kur çdo të sëmuri i drejtohej me emër për të ndërtuar me të dialog
të hapur dashamirës para se të ndërmerrte vizitën mjekësore dhe veprimet
terapetike. Dhe tek nuhaste jo rrallë mjedisin e rënduar në familje, nuk
mungonte të pyeste pa drojë: “Mos keni bërë gjë sherr, kështu?” Një mënyrë e
tillë e hapur komunikimi, e drejtpërdrejtë, e kishte veshur atë me një popullaritet
e autoritet shoqëror, duke e shfaqur si personalitet me forcë të veçantë fjale tek
ishte ngado i kërkuar e ai përherë i kudogjindshëm e kudogjendshëm. Në gjithë
Laprakën e njihnin, e respektonin, e nderonin. Dhe fjala e tij plot bindje e
vendosmëri zinte vend sidomos kur kishte sherr të madh midis dy familjesh, tek
ngjalleshin fantazmat e hakmarrjes. Pas ndërhyrjesh e debatesh të shumta,
uleshin gjakrat, familjet pajtoheshin dhe nën zë ndonjë që edhe thosh: “Ç’t’i bëj Dr. Llazit unë, pa të ishte
për mua...”! Por në Laprakë, e më pas në lagjen “Mihal Grameno”, kujdesi dhe
meraku i tij më i veçantë ishin - veç mbarëvajtjes së punëve në lagje -, pastërtia, higjena dhe gjelbërimi në mjediset
e përbashkëta përreth shesheve, rrugicave e pallateve, por edhe brenda në vatrat
familjare. Dhe nuk mungonte në fakt entuziazmi kolektiv për t’iu përgjigjur thirrjes
së tij të dielave në mëngjez për detyra vullnetare.
Ndodhte shpesh që të zezat gra punëtore të NISH Këpucës, të cilave u binte bretku nga puna dhe mezi mbaheshin në këmbë, ashtu thatime e të fikura siç ishin, t’i shihje të mbanin radhë për një recetë mjeku që të lejonte të jepnin gjak, 300 ml, dy-tri herë në vit, për tre mijë lekë të kohës. Edhe pse i kuptonte në hallin e tyre të madh, që jepnin gjak “për të rritur fëmijët”, siç thoshin, im atë tregohej kategorik kur ato nuk i plotësonin kriteret shëndetësore. Dhe atëherë fillonin lutjet me lot në sy që ai të jepte lejen për dhënie gjaku: “Aman doktor, se kam hyrë në borxh, se jam futur në llotari, se nuk ia dal dot, nuk e mbyll dot muajin”. Madje kishte edhe ndonjë që i thoshte se “m’i bëri lekët raki burri!” Im atë e dinte që dreka përgjithësisht në ato familje punëtorësh ishte i përhershmi spirilëng me ndoca kokrra fasulesh a patatesh që notonin brenda, me një dorë oriz a disa fije makaronash, dhe darka tradicionale me 5-6 kavanoza të vegjël me kos të zënë sa për të “mbushur gjoja barkun” para gjumit. I dinte këto, e nuk i bënte zemra të firmoste që ato të jepnin gjak shpesh e më shpesh, sidomos kur i vinin për të katërtën a të pestën herë në vit e atëherë zemërohej dhe u kërkonte me rreptësi e me emra konkretë të vinin burrat në vend të tyre, e jo ata t’i bënin lekët cigare e alkool. Por e kuptonte nga ana tjetër shumë mirë se problemi madhor ishte mjerimi, mbijetesa, shtrëngimi i rripit. Njihte vuajtjen, dhembjen dhe pasojat që shkakton një sëmundje, sidomos kur ajo vjen e degradon, por njihte, po aq dhe para së gjithash, vuajtjen e përditshme të njeriut të thjeshtë, përballjen e tij me jetën e vështirë, me punën e rëndë paguar me një rrogë “sa për të thënë”. E ahere, atij vetë s’i mbetej tjetër veç të falte shumë ngrohtësi, ëmbëlsi, butësi, qetësi, humanizëm e përkushtim në shkallën më të epërme, si dhe rigorozitet e seriozitet në zbatimin e detyrës së tij mjekësore.

E kisha parë gjithashtu në raste aksidentesh të rënda apo helmimi nga ushqimi në vatrat familjare se çfarë sigurie kishte në veprimet e veta të ndihmës së shpejtë, tek më merrte dhe mua jo rrallë si manar nga pas “për të më mësuar zanatin”, duke më ngarkuar t’i mbaja me kujdes në njërën dorë aparatin e zi të tensionit dhe në tjetrën kutinë e shiringave. Por e kisha parë edhe të mbyllur në vetvete, të vrënjtur, të hidhëruar, krahëlëshuar, me pikëllimë në kupë të qiellit përpara një vdekjeje të llahtarshme - pa mundur të bënte ai vetë asgjë -, në rastin e një familjeje prej nëntë vetësh sulmuar e kafshuar nga një qen i tërbuar në një fshat kufitar, sjellë të sëmurët në spital në çastin e fundit kritik pas dy ditësh. U nis me shërbim fill e në fshat për të kontrolluar nëse virusi mund të ishte diku aktiv, sidomos në jargët që kishte lëshuar gjithandej qeni i tërbuar. Në fshat kishte rënë zija, s’dukej këmbë njeriu, por ai bëri kontroll të imët shtëpi më shtëpi, bëri trajtim parandalues e vaksinim të veçantë. I ra në sy mjerimi i rëndë, ku vareshin nga trarët e shtëpisë vetëm varganë misrash të tharë e pastërma. I thanë se qeni i tërbuar ishte punë shqau, i hedhur qëllimisht në kufi.

Shpesh e kisha parë gjatë adoleshencës të bënte eksperimente në minj të bardhë e kavie, që jo vetëm riprodhohen shpejt, por që shumë nga gjenet e tyre janë të ngjashme me të njerëzve. Një ditë, që do të injektonte disa kavie fort të lëvizshme, vura re që njeri syresh nuk lëvizte fare, edhe i them tim eti: “Baaabë, këtë mos e shpo. - Pse? - më pyeti. - Se po fle gjumë, mos e zgjo. - Qeshi. - Unë do t’i vë vërtet në gjumë, - më tha - po pastaj do t’i shëroj. Mos u bë merak.” Në të vërtetë, siç më shpjegoi më pas, ai eksperimentonte në atë kohë imunologjinë dhe sëmundjet infektive, dhe shumë prej rezultateve të tij i botonte. Atë pasdite, veç kur kthehet i gëzuar në shtëpi me një kavie në kafaz të vogël hekuri e më thotë: “Ky është gjumashi tënd që nuk e shpova. Është i juaji, mbajeni në shtëpi”. Kazi, se kështu ia vura emrin ngaqë ishte i kaftë e i zi, u rrit e jetoi në familjen tonë, nëpër këmbët tona, nja dhjetë vjet, dhe për atë më shumë përkujdesej im vëlla, që në adoleshencën e tij kishte qejf ta merrte Kazin me vete me shokët edhe në xhirot e famshme të bulevardit të Tiranës.

Një ditë, e hasa në Laborator tek po
vishej me kominoshe të bardha lëkure, gati për të hyrë në dhomën e tij sterile “sekret”,
me një autoklavë të madhe brenda. Ishte duke vënë në kokë skafandrën dhe unë,
12 a 13 vjeç i thashë si i habitur: “Qenke veshur si Juri Gagarini – duke pasur
parasysh një pullë poste shqiptare me imazhin e kozmonautit sovjetik që
qarkullonte atyre viteve e që ne i bënim koleksion. - Po, po, - ma ktheu gjithë
humor, - do fluturoj”. E tek më urdhëroi ta prisja jashtë, depërtoi brenda
dhomës “sekret”. “Kjo fjalë e tij, “do fluturoj”, nuk do më shqitej vite të
tëra nga mendja dhe do ta dëgjoja për së dyti herë në kushte të tjera
tronditëse.
Në reparte ushtarake, sa herë shkonte
për kontrolle të befta, të papritura, për dezinfektime, depistime a deratizime,
meraku i tij parë ishte të vizitonte një për një tërë ushtarët, kur oficerët
ishin gjithë frikë se mos i kapte në shekelje të normave higjenike. Hynte në
guzhina, shihte rrëmujë e pisllëk, ushqime të skaduara, enë të lara e të palara
dhe fshikëllonte komandën me kritika të ashpra. Provonte vetë gjellët në
kazanin e ushtarit, dhe përsëri kritika të rrepta një pas një. Bënte me shkrim
një raport, linte një listë me urdhra-porosi dhe ikte për t’u rikthyer sërish
në befasi pas njëfarë kohe. Dhe ishte e sigurt që tërë porositë e tij do zbatoheshin
në vend.
Kish ndodhur që im atë të më merrte me
vete në “Batalionin e Sigurimit” në Laprakë, me komandant mikun dhe shokun e
tij Diko Zeqon, që kishte ndërtuar një pishinë të bukur për ushtarët në
repartin e tij. Me Titin, djalin e Diko Zeqos, isha shok fëmijërie dhe së
bashku harboheshim në pishinë. Vite të tëra komandant Diko thërriste babanë:
“Eja Doktor, se nesër kemi hedhje” (e kishte fjalën për hedhje me parashutë).
Im atë i vizitonte një për një tërë ushtarët që do kryenin hedhje dhe komandant
Diko asistonte në krejt vizitat. Dyshimi më i vogël mjekësor për tension
arterial a për ndonjë problem tjetër shëndetësor ndalonte në çast hedhjen me
parashutë. E kur ushtarët rreshtoheshin e do jepeshin porositë dhe komandat e
fundit, im atë me zë të fuqishëm thosh vetëm dy fjalë për t’i inkuarjuar e për
t’u ngritur adrenalinën: “I ke çapajeva këta djem, o komandant. Janë të fortë e
do nderojnë veten dhe familjet.”
Kam plot e plot kujtime për atë, im
ATË, episode pafund nga jeta e tij e vrrullshme, të cilat i kujtoj me mall e
krenari. Por edhe me njëfarë tronditjeje shpirtërore. E jo vetëm unë, por
gjithë familja e të afërmit; dhe pas kaq e kaq vitesh qëllon që bisedat tona të
përqëndrohen tek ai, kur iu gëzua e iu përkushtua i tëri fuqishmërisht familjes
dhe jetës njerëzore, me dashuri, shumë dashuri, pasuria e tij më e çmuar, më e
shtrenjtë.
Por jeta shfaq edhe të papriturat e
veta të hidhura dhe ja ku, në kulmin e moshës, të karrierës profesionale, në furinë
e përditshme të gëzimeve familjare dhe të angazhimeve shoqërore, një sëmundje e
rëndë, e rrallë, sëmundja Sharko, që nuk kurseu as Stephen Hawking e Lou
Gherig, e mbërtheu përmbi katër vjet, por para së cilës ai asnjëherë nuk u ep,
nuk e lëshoi veten. Përkundrazi, pasi e studioi sëmundjen e tij nëpërmjet
Enciklopedisë Mjekësore Ruse, vademekumit dhe manualeve terapeutikë që mbante
pranë vetes, filloi një trajtim tepër të veçantë me receta pa fund, ku bënte
kombinime të çuditshme formulash kimike, të panjohura nga farmacistët që e
njihnin dhe që admironin përpjekjet e tij. Ishte një sfidë e vërtetë para
fatalitetit, ishte lufta e jetës kundër vdekjes, një luftë për të shpëtuar vetveten
në rolin e tij të dyfishtë të mjekut profesionist e të pacientit me sëmundjen e
rëndë që e kishte mbërthyer. Më jepte porosi të mblidhja, të bleja lloj-lloj
rrënjësh e bimësh mjekësore, nga rrënjët e fierit deri te gjethet e diellit, e
me to gatisnim kokteje lëngjesh me shije të hidhur gështenje me shpresën e
vetme se mbase i bënin mirë e përmirësohej. Dhe asnjëherë në shtëpi nuk ia
ndalëm masazhet në krejt trupin, si dhe përkujdesjen pa fund. Më kujtohet
gjithashtu që po atyre viteve, nisëm të mbledhim kodrave të Tiranës edhe kokrra
trëndafili të egër, qoftë për të marrë lëngun e tyre gjithë vitamina, qoftë për
të gatitur një lloj pije gazifikuese që e quanim “shampanjën tonë”, kur një
shoku ynë i vuri një emër më origjinal “Tranda-Kola”.
Shtëpia jonë nisi të gjallërohej
përherë e më shumë, me vizita të shpeshta të kolegëve të tij, të fisit,
komshijëve. Një ditë, ai kërkoi t’i vinte për vizitë mjekësore Dr. Arqile Bodi,
që mjekët përgjithësisht e mbanin larg, pa dashur të pranonin mjekësinë e tij
popullore, kur në fakt ky doktor, që në ato vite, shfaqej i plotësuar, i
mirëformuar madje edhe i vetësakrifikuar me eksperimente në trupin e tij, si Natyropati
i Parë i Shqipërisë. Filloi mes Dr. Llazit e Dr. Bodit një bisedë e ngrohtë si
midis dy kolegësh, një bisedë e shtruar për gati dy orë. E e më pas, biseda do
zhvillohej me shumë humor kur Dr. Bodi na foli ndër të tjera edhe për terapinë
e tij të veçantë që e quante “fejsëll therapi” apo shqip “fasule terapi”.
“Merrni fasulen – tha ai – piqeni në qebap të kafesë si kafe, bluajeni si kafe
në mulli dhe pijeni në vend të kafesë, dhe do shihni gradualisht efektet e saj”.
E vërteta ishte se në ato kohëra, kafja mungonte në shitje dhe Dr. Bodi e
rekomandonte fasulen qoftë edhe për ta zëvendësuar, duke i dhënë vlerat e një pijeje
kurative. Dhe jo vetëm kaq, po ai na shpjegoi edhe “arsyen” pse kanceri ishte i
rrallë ndër shqiptarët, që gjellë tradicionale kishin fasulen! (Gjë që në fakt
nuk ishte e vërtetë, kur regjimi ndalonte statistika apo të filtej hapur për kancerin).
Po me humor, im atë kujtoi atë ditë se
si një herë babai i tij “Xhaxhi”, siç e thërrisnim të tërë, mbolli në koshtin e
tij buzë Lanës, prapa NSHRAK-ut, në fillim të viteve ’70, disa fara kafeje siç
i kishte blerë, dhe bima, që potisej çdo ditë, u haralis e u zhvillua sa një bojë
njeriu, tepër e shëndetshme, madje nxorri edhe kokrra kafeje të kuqe! Të tërë u
çuditëm se si kafja e Xhaxhit, që në mendjen e çdokujt është e zezë, na bëri
kokrra të kuqe! Pa ditur askush se pikërisht ato kokrra të kuqe ishin kafja e
vërtetë, për të cilat duhej të fillonte një etapë e re trajtimi që ato fryte të
shndërroheshin në kafe për t’u pjekur e pirë...
Dhe ja kështu, pranë familjes së tij të
dashur, njerëzve, fisit, ai u shua, iku i qetë, me një qetësi stoike, me një
heshtje të përkryer të mjekut që i bëri vetvetes trajtimet më të nevojshme si
pacient. Iku i ri, pa pleqëri, por me rini të përjetshme, me jetë të shkurtër
vërtet, por të përplotë, plot intensitet, me shumë dashuri për jetën njerëzore,
me shumë përkushtim ndaj saj. Dhe kur miku dhe shoku im i mirë, Tomor Guri,
tornitori duarartë, i fabrikoi një karrocë lëvizëse e i tha: “Tani, xha Llazi,
do ta kesh më të lehtë për të lëvizur në shtëpi”, im atë, buzagaz ia ktheu:
“Po, po, Tom, tani do fluturoj”.
E pyeta një ditë hallën time, ndjesë pastë, se çfarë të veçante ruante ajo në kujtesë për tim atë. Dhe ajo gjegji aty-aty: “Ai, ishte kush ishte ai! S’vjen më si ai! Ishte flori! S’e bën më mëma! – Hallë, - ia ktheva -, këto fjalë i thonë të gjithë për njeriun e tyre të dashur që ju ikën. Të pyeta çfarë të veçante kishte im atë për mendimin tënd. – Po ja more, ai ishte bilbili i fisit! - tha në çast ajo, pa u menduar më shumë. - Se kur këndonte ai tundej dhoma. - Kjo po, - e miratova gjithë gëzim, - labçja e tij shkundëte dhenë”. Dhe vërtet. Në gëzime të shpeshta familjare e fisnore, në ziafete, siç u thoshim, mblidheshin në një dhomë të madhe mbi njëzet burra e gra dhe në çast, vlonte labçja vendçe. Im atë ishte ai që ia merrte, me zë të fuqishëm tenori, që i buçiste nga kraharori, që i zgjaste, i dridhte e i rrokulliste vokalet me një zë karakteristik tejshpues, dhe befas, veç kur ia kthente me grykë, me zë gargulli gurgullues, të trashë, të shtruar gjyshi im Xha Golja, (të cilit nuk iu nda as fyelli nga goja, aq sa dalloja një kallo të kafenjtë në anë të buzës së poshtme), dhe papritur, aty-aty, nën shenjën e dorës që bënte im atë si dirigjent, ia hidhte një grua me zë të ëmbël, lozonjar, lehtak, plot elegancë e bukuri, që ndërpritej nga një tjetër zë mashkullor, që ia rikthente sërish, gjersa vinte çasti sublim: buçima shpërthyese, isoja e fuqishme, burra-gra përzier, e zgjatur, e mbizgjatur, e pandalshme, si vetë refreni apo ajka e këngës polifonike, si të donte të ngopte e tejngopte krejt shtëpinë për të vërshyer dritareve e portave, për të mbushur e përmbytur jashtë ajrinë, dhe kur befas, ndonjë djalosh grishte me zë të fortë çunaku: - Pino, or pini, e bëhuni tapë! Edhe sot më ngjethen mishtë e më ngrihet qimja përpjetë në parakrah kur kujtoj vërtet zërin bilbil të im eti, me modulim mahnitës, me tingull të qartë, të kristaltë e fuqi tejshpuese. Dhe në terpez, kërkonte medoemos të ishin të pranishme gratë, e mundësisht cigarja të pihej jashtë. Në rolin e tij të dyfishtë të mjekut e masovikut, ai më shfaqej tashmë në një përmasë të tretë, si bilbili i fisit, si strumbullari i tij, por po aq, gjithnjë plot modesti e thjeshtësi, i shkrirë me njerëzinë.

- O baa, - ia prita, - ata janë në gëzim të tyre, mos shko! - qe njëfarësoj lutja ime gjithë drojë. - Do ketë ndonjë aty që më njeh, - ma ktheu, dhe pa e zgjatur, shkoi e iu bashkua të panjohurve. Dhe kur i kishin hapur derën e apartamentit dhe e kishin grishur brenda, me fjalët: “Eja Doktor!”, si bëri urimet e çastit për gëzimin e familjes, kishte thënë: “- Po ja marr një herë, o miq, bashkë me ju, se më pëlqeu labçja juaj”. Dhe zëri i tij veç kur ia pati, shpërtheu furishëm, e unë rrija jashtë si i mpirë tek e dëgjoja dhe tek shijoja ato çaste dehëse të pavdekshme që më falte përherë ëmbëlsia dhe forca e zërit të tij, e këngës së tij, që ende edhe sot më buçet në veshë dhe e ndjej në vetvete. E këtë hop, një sumbull loti mëllëngjyes po më noton ndër sy...
Ja, ishin këto copëza jete të gjalla,
që u mundova t’i bashkëngjits si mozaikë për të sjellë disi të freskët, pas kaq
e kaq vitesh, kujtimin e tim eti, Dr. Llazi Andrea, ishin këto copëza historie
të shpirtit të tij bujar, altruist, të ngrohtë e luftarak, vazhdimisht në beteja
ngadhënjyese për jetën njerëzore dhe në emër të saj. Im atë kishte bërë betimin
e Hipokratit dhe iu përmbajt me rreptësi, me ndërgjegje të lartë profesionale,
duke mishëruar e merituar titullin e nderuar të mjekut humanist, me cilësi e virtyte
të larta, duke falur, me përkushtim të pakufishëm, dashuri për jetën njerëzore,
shumë dashuri.
Në vijim, një artikull i
Gazetës « Luftëtari »,
i datës 10 korrik 1965, titulluar:
“A është Doktori?...”

Mjeku major Llazi Andrea e mori ndër
duar, e vizitoi me kujdesin më të madh që e karakterizon gjithnjë, përcaktoi me
saktësi diagnozën dhe, pa humbur kohë, mori masat e nevojshme.
- Po për të ngrënë, pse nuk i keni
dhënë? – pyeti mjeku.
- Nuk han fare, doktor – u përgjegj si
me gjysmë zëri fshatarja e lënduar.
Doktori s’e zgjati më, u çua, siguroi
ushqimin e duhur për fëmijën, e zuri nga hunda dhe filloi ta ushqente. Foshnja,
dashje pa dashje, detyrohej të hapte gojën dhe të gëlltiste ushqimin, ndërsa
gjyshja e saj, Kasemja, kur shikonte djalin që “vuante”, shfryu tërë duf dhe
maraz:
- Oj, oj, ti po ma mbyt djalin!...
Llazi nuk mërzitej nga psherëtimat dhe
fjalët e fshatares, që i nxirrte sigurisht nga e keqja dhe pa menduar. Ai
vazhdonte punën, e ushqente foshnjën me këmbëngulje, jo më si një mjek, por më
tepër si një prind që bën çmos për fëmijën e vet. Dhe kur mbaroi mjekimet dhe
çdo gjë me të, tha:
- Tani mirë, merreni, dhe do e sillni
përsëri nesër!
Ata që u ndodhën aty pranë, menduan se
të nesërmen fshatarja nuk do ta sillte më nipin e saj të vogël. Por ja që
s’ndodhi kështu. Ajo u duk përsëri po në atë kohë pranë çadrave të fushimit
duke pyetur: “A është doktori?”
Mjeku veproi si ditën e parë, por
Kasemja nuk shfryu më, sepse nipi i saj ishte bërë më mirë. Ai sot dukej më i
gjallë e më i gëzuar. Dhe gjithnjë e më mirë bëhej vocërraku i malësisë nën
kujdesin e mjekut ushtarak. Sa herë që fshatarja kthehej nga mjeku, fluturonte
si era nga gëzimi që djali i shpëtoi nga rreziku.
Por ky nuk është rasti i parë e i
vetëm. Ardhja e mjekut ushtarak u mësua qysh ditën e parë në fshatrat e afërme
të lokalitetit ku është ngritur fushimi. Çdo ditë vijnë fshatarë e fshatare për
t’u vizituar apo mjekuar. Këto ditë, duket sikur këta janë “zemëruar” ose kanë
harruar mjekun dhe ambulancën e tyre, që i kanë në një lokalitet tjetër. Mjeku
ushtarak nuk mërzitet nga vizitonjësit e shumtë dhe të ndryshëm. Në kohë të
lirë apo në shërbim, natën apo ditën, në çfardo kohe që të jetë, major Llazi
Andrea është i gatshëm, i papërtueshëm për t’i ardhur në ndihmë çdo pacienti.
Kënaqësia e tij më e madhe është që, krahas detyrës, t’i shërbejë sa më shumë
popullit të vet, prandaj ai përcjell buzagaz cilindo që vjen dhe bën çmos ta
shërojë.
- Deri tani, për gati një javë, ne kemi
vizituar afro150 fshatarë e fshatare, dhe kemi lëshuar 80 gjer në 90 receta.
Gjatë këtyre ditëve, duke shfrytëzuar një rast, ne patëm mundësi dhe bëmë disa
vizita mjekësore edhe te punëtorët e minierës dhe familjet e tyre. Kurse atyre
që kanë patur nevojë, u kemi bërë inxheksione, për të cilat ushtar S. Ndina, si
infermier, është treguar i palodhur...
Ndërsa major Llazi fliste kështu për
ndihmën që kishte dhënë dhe jepte “çerdhja” sanitare e fushimit, në vendin e
mjekimit erdhi një fshatare e re, me tesha bardhë si dëbora, dhe me një foshnje
dymuajshe në krahë. Vinte për të tretën herë që t’i bënte fëmijës gjilpërën e
këshilluar nga mjeku ushtarak. Megjithkëtë, mjeku e kontrollonte çdo ditë dhe
ndiqte proçesin e përmirësimit të fëmijës.
- Si e quajnë këtë vogëlush?
- Lam, u përgjegj ajo, duke vështruar
me ata sy të kaltërt dhe duke e ngulur përsëri shikimin e saj mbi fëmijën, që
po vizitonte mjeku.
- Çfarë kishte që e sollët këtu te
doktori? – e pyeti dikush aty pranë malësoren e re.
- Qante, s’bënte rehat, dhe filloi të
tretet nga shëndeti.
- Po tani, si duket?
- Tani flen, bën rehat, nuk ka zjarrmi,
as nuk vjell dhe ka filluar ta marrë përsëri veten. I faleminers mjekut që ma
shëroi djalin...
Këto fjalë i dolën nga zemra Rehonës,
mëmës së Lamit, ndërsa mjeku ushtarak, major Llazi Andrea ia drejton
mirënjohjen e tij popullit që e rriti dhe e bëri të tillë. Dhe me punë të
palodhur, mjeku ushtarak po lufton çdo ditë t’ia shpërblejë atij, duke kryer me
ndërgjegje të lartë detyrën e tij fisnike e humanitare.
Major S. Tafaj.
1 Ndoshta
etimologjia e emrit Laprakë mund të jetë tepër e hershme si toponimi, që
mbase ka lidhje me ndonjë familje apo fis që ka banuar në atë zonë, para
themelimit të Tiranës, pa përjashtuar këtu mundësinë e një etimologjie me
rrënjë osmane, si japrak – gjethe, gjethishte, ose pastaj që mund të
ketë lidhje tepër të largët edhe me fisin e lashtë ilir të Laprëve apo
Lapraoi. Dokumentacioni për origjinën e këtij emri mungon.








