Fotaq Andrea: Arbëreshët e Italisë (1413–2007), V

15.09.2026, 07:00 PM (GMT+1)

Arbëreshët e Italisë (1413-2007)

Antologji me shkrime nga autorë francezë

Ekskluzive nga Fotaq Andrea,  Pjesa V

Marie RATAZZI

për italo-arbëreshin FRANCESCO CRISPI

Leticia Marie Wyse Bonaparte, Ratazi (1831-1902), e njohur si Princesha e Solmit, është shkrimtare dhe poete franceze, e njëkohësisht publiciste, kroniste si dhe autore e një serie veprash, kryesisht novela, pjesë teatrore e romane. Ka themeluar sallone letrare dhe ka pasur në rrethin e miqve të saj mjaft shkrimtarë të njohur, si Hygo, Eugjen Sy, Aleksandër Dyma i biri, Lamëne, Lamartin, Roshfort, etj. Në mënyrë objektive e tepër të përmbledhur, ajo jep më poshtë portretin e Francesco Crispit, duke qenë se e ka njohur nga afër, dhe krejt ndryshe nga sa shkruhej përgjithësisht për politikanin e njohur italian në kronikat e kohës.


Francesco Cripsi mes ministrave të tij, 1888.

Francesco Crispi (1819-1901), katër herë kryeministër i Italisë, rrjedh nga një familje e madhe arbëreshe mërguar në Sicili në shekullin XV. Gjatë ekspeditës së “Një Mijëve”, udhëhequr nga Garibaldi për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë, ai luajti rol të dorës së parë. Në fund të shekullit XIX (1895 dhe 1897) ishte një nga frymëzuesit dhe përkrahësit e dy kuvendeve të mëdha të Arbërit dhe renditej mes figurave madhore arbëreshe, De Rada, Dorsa, Skiro, etj. që u vunë në lëvizje dhe vepruan aktivisht për përgatitjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Në « Ditarin » dhe në dokumentet arkivore diplomatike të tij, botuar më 1913 nga T. Palamenghi-Crispi, përmendet mjaft herë Shqipëria e viteve 1877-1878 në kuadrin e Kongresit të Berlinit, kur kryeministri Crispi iu kundërvu për herë të parë Bismarkut, i cili i ofronte Italisë « të merrte Shqipërinë » (sic !), si kompensim të pushtimit që Austro-Hungaria do t’i bënte Bosnje-Herzegovinës. Gazetat italiane të kohës vinin në dukje se Crispi, jo vetëm që nuk e kishte përfshirë aneksimin e Shqipërisë nga Italia në programin e vet parashtruar në Kongresin e Berlinit, por përkundrazi, kishte theksuar me të madhe se « Shqipëria nuk është sllave, është një komb që ka personalitetin e vet, që ka gjuhën dhe zakonet e veta

që të kujtojnë zanafillat e saj të hershme pellazgjike. Në këto kushte, - vinte në dukje ai - duke e mirëpritur me zemër urimin e gjatë e të lashtë, le të pranojmë që Shqipëria të shpallë pavarësinë e saj, sepse do të ishte një gabim shumë i rëndë që ajo të përfshihej mes vendeve sllave të Europës. Të pranohet aneksimi i Shqipërisë nga Austria nuk do të ishte një leverdi për atë perandori, përkundrazi, do të ishte një dëm i pallogaritshëm edhe për vetë Italinë, që do të shihte kësisoj të zhdukej përgjithmonë çdo gjurmë e ndikimit të saj në Adriatik. » E më tej, në një shkrim të tij më 1 maj 1900, ai parashtron fuqishëm këtë mendim : « Një fyerje e tillë [nga ana austriake] ndaj arsyeve tona, të drejtave tona që janë vulosur nga një traditë e lavdishme mes dy vendeve [Italisë dhe Shqipërisë], as që mund të mendohet. Marrëdhëniet e miqësisë së ngushtë dhe të përzemërta kultivuar gjatë pesë shekujsh, e bëjnë Shqipërinë shumë më të afërt për ne sesa perandoria austriake e cila, po ta aneksonte atë, nuk do bënte tjetër gjë veçse do të shtonte dallimet racore dhe pështjellën gjuhësore në rajon ».

Në një tjetër shënim, dhe me të njëjtën frymë, ai theksonte se ndonëse Shqipëria « pësoi zgjedhën osmane, ajo asnjëherë nuk u mposht ; dhe gjatë këtij shekulli [shekulli XIX], ajo ishte e para që ngriti krye me guxim. Shqiptarët janë figurat më fisnike ndër heronjtë që ndritën rilindjen helenike – dhe nëse Greqia do e kishte pasur aftësinë për t’i asimiluar, këto popullsi - që kishin me të aq shumë pika të përbashkëta për nga aspiratat politike dhe besimi i tyre fetar -, ndoshta sot, do bënin pjesë në Greqi. Por ndodhi krejt e kundërta, kur një numër i madh shqiptarësh erdhën e u vendosën në jug të Italisë dhe në Siçili ».

Portretizimi që i bën Marie Ratazzi personalitetit të ndritur Francesco Crispi jepet në tekstin e mëposhtëm me nota të theksuara admirimi, simpatie e ngrohtësie, tek larton figurën e tij plot energji mendore, morale e fizikie, me një qëllim të vetëm fisnik e të shenjtë në jetë: emancipimin dhe përparimin e shoqërisë italiane, për një komb italian të fortë e të përparuar, në emër të lirisë, kundër tiranisë dhe mjerimit. Veprimtar politik, i vendosur e i pamposhtur, me bagazh të rëndë dijesh e aftësish organizative, njeri i mendimit dhe i veprimit, ligjvënës, tribun e orator, diplomat i shquar në rang europian, i kalitur në luftëra parlamentare, ai u shqua mbi të gjitha si njeri me zemër të madhe, që asnjëherë nuk harroi lidhjet e kahershme tradicionale të arbëreshëve me Shqipërinë, vendin e origjinës së tyre. Jeta e tij plot tallandi politike, plot vuajtje, internime, persekutime e burgime, por përherë i pamposhtur e ngadhënjyes, është një shebull atipik frymëzues për këdo që i jep vetes një kuptim të lartë në jetë për një kauzë të shenjtë, në shërbim e në dobi të shoqërisë, në emër të progresit të pandalshëm.

Fotaq Andrea

Strasburg, më 12/09/2026.

FRANCESKO KRISPI

Vështrojeni me kujdes këtë kokë energjike, ku pjesa e sipërme, e gjerë dhe e zhvilluar mirë, mund të mbajë me lehtësi trurin e një mendimtari; këqyrni atë fizionomi mashkullore e të ashpër që përmbledh në ovalen e tij të zgjatuar vështrimin e thellë të Afrikanit, hojëzën e lëvizshme të Grekut dhe tiparet e forta e të prera të Romakut; studiojeni me kujdes këtë tërësi të veçantë me pamje tërheqëse dhe do të njihni, pa mundim, tipin e vërtetë të racës siciliane, përzierjen e tre racave më të forta të Lashtësisë.

Kjo kokë është ajo e Z. Krispi.

Ende nuk jam e sigurt nëse Z. Krispi zbret, sikurse thuhet, nga ndonjë Krispus, degëzim i një familjeje patrice, që gëzoi për një kohë të gjatë një prestigj të madh në Sicili; cilado qoftë vërtetësia e pemës së tij gjenealogjike, Z. Krispi mund të bëjë edhe pa famën e stërgjyshërve të vet; le të themi thjesht që ndoshta është një pinjoll, por e sigurt është që ai vetë është shndërruar tashmë në stërgjysh.

Z. Krispi ka lindur më 4 tetor 1819 në Ribera, provinca e Girgentit në Sicili; mbaroi studimet në Palermo, ku filloi të ushtrojë profesionin e avokatit; shumë shpejt, betejat si avokat nuk do të mjaftonin për të ushqyer veprimtarinë energjike të një të riu; gjendja politike në Sicili ishte e mjerueshme dhe një armiqësi e dhunshme ekzistonte midis popullatave të kontinentit napolitan. Krispi u largua nga Palermoja dhe shkoi në Napoli; u lidh me Poerio-n [Giuseppe Poerio, 1775-1843, patriot i mirënjohur italian] dhe me gjithë patriotët e shquar që paguan me pasurinë, gjakun dhe vetë jetën e tyre dashurinë e zjarrtë që kishin për lirinë; falë kontributit të tyre të përbashkët, mosmarrëveshjet midis Napolitanëve e Sicilianëve ishin zhdukur dhe shumë shpejt, patriotët e të dy provincave do merreshin vesh për të punuar kundër zgjedhës së tiranisë. Në dhjetor 1847, Krispi rikthehet në Palermo për të ndezur lëvizjen, që nuk do mungonte të shpërthente; më 14 janar 1448, ai u emërua Sekretar i Komitetit  të mbrojtjes; më 25 mars, hyri si Deputet i Riberës në Parlamentin Sicilian që sapo u çel, dhe më 13 prill do të nënshkruante aktin e rënies së Burbonëve nga pushteti i tyre.

Më 14 prill 1849, kur bëhej fjalë për të rifilluar marrëveshjet me Ferdinandin, Krispi iu kundërvu me të gjitha forcat arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe, pasi njohu fitore me kundërshtimin e tij, shkoi në Francë e, që andej, në Piemonte, ku u vendos gjer më 1853, periudhë gjatë së cilës u arrestua dhe më pas u përjashtua nga shtetet sarde. U strehua fillimisht në Maltë, por i shtrënguar të largohet prej andej në dhjetor 1854, shkon në Angli për të gjetur strehë.

Më 1856, la Britaninë e Madhe dhe shkoi në Paris; më 14 janar 1458 u arrestua, por pothuaj menjëherë u lirua. Në muajin gusht të po atij viti, me urdhër të ministrit Delangle, u përjashtua nga territori francez dhe përsëri u rikthye në Angli, nga e cila u largua për të shkuar në Lisbonë, dhe që andej, përsëri u rikthye në Londër. Në korrik 1859, Krispi vendos të rikthehet në Itali, ndërroi pamje, u fsheh prapa një emri të rremë dhe përshkoi si turist zonën napolitane e siciliane; u orvat të organizonte një kryengritje që nuk arriti të ngadhënjejë; por u tregua i shkathët për t’i shpëtuar vigjilencës së policisë burbonase dhe i hipi anijes për të marrë drejtimin e Pireut, duke u ndalur në Maltë e, që andej, për të kaluar në Gjibraltar. Përshkoi Spanjën, kaloi Pirenejtë, i ra nga Jugu i Francës për të arritur në Piemonte, ku me ndihmën e Z. Ratazzi, Ministër i brendshëm, mori lejen për t’u vendosur aty. Dhe që atëherë, së bashku me Rosolino Pilo e Agostino Bertani, nisi përgatitjet e ethshme për ekspeditën që do të udhëhiqte Garibaldi.

Më 4 maj 1860, Krispi i hipte anijeve së bashku me Njëmijtë; shoqërohej në këtë fushatë heroike nga Zonja Krispi, e cila nuk ngurroi një çast për të përballur lodhjet, stërmundimet dhe tërë rreziqet e kësaj Ekspedite të mrekullueshme. Në Talamone, Krispi u emërua Nënkryetar i Shtatmadhorisë së Njëmijëve. Më 11 maj, zbarkonte në Marsala ku ngriti një Qeveri të përkohshme dhe në datën 13 maj hartonte dekretin me anë të të cilit diktatura [monarkia] ishte marrë nga Garibaldi, në emër të Viktor-Emanuelit, Mbretit të Italisë.

Çdo ditë e atij muaji maj shfaqet mrekullore: çdo faqe e kësaj epopeje është legjendare!

Më 14 maj, Krispi i jepte diktatotit [monarkut] për nënshkrim dekretin për riorganizimin ushtarak; më 15, ndodhej në Katalafimi; më 17, hartonte dekretin për heqjen e macinatos dhe të ligjeve që cënonin lirinë; më 27, hynte në Palermo në krye të një trupe vullnetarësh. Formohet Qeveria Siciliane dhe Krispi emërohet Ministër i brendshëm i saj më 3 gusht; portofolin e kësaj Ministrie e ruajti gjer më 4 shtator; u nis për në Napoli me bashku me Garibaldin; u emërua Ministër i punëve të jashtme. Pas shpalljes së plebishitit, Krispi u lërua nga funksionet e tij dhe u rikthye në Sicili. Shumë shpejt la sërish ishullin për të zënë vend në Parlament në cilësinë e Deputetit të Kastelvetranos.

Kur mendon për energjinë fizike e morale me të cilën duhet të jetë i pajisur një njeri me qëllim që t’u bëjë ballë peripecive të një jete të tillë, nuk ka si të mos ia shpërblesh gjithë këtë Z. Krispi me një admirim simpatik ndaj figurës së tij. E kush do mund të rrëfente denjësisht gjithë këtë odise? E kush do mund të fliste për tërë ato shpresa, ankthe, lodhje, mjerime, rreziqe, që karakterizuan një jetë të tillë? Sa e sa net pa gjumë! Sa e sa ditë pa bukë në tërë ato ikje të nxituara pyjeve, maleve, për t’i shpëtuar gjurmimit të agjentëve të krejt policisë së Europës! Po tërë ajo veprimtari e ethshme, po tërë ai bagazh dijesh e aftësish për t’u bërë ballë këtyre peripecive! Jashtë shtetit, i duhej të mbijetonte, kurse në Itali, gjithnjë duke u fshehur, lypsej t’u jepte zemër të ndrojturve dhe t’u vinte fre të papërmbajturve! Gjatë ndezjes së luftës, duhej dhënë sinjali i parë, dhe më pas, duheshin drejtuar trupat, organizuar shërbimet, ngritur në këmbë pushtetet vendore, zëvendësuar ligjet e vjetra me ato të rejat, krahas zëvendësimit të metodës konspirative me diplomacinë e vërtetë dhe, më në fund, kur arrihet qëllimi përfundimtar - shpallja e Pavarësisë dhe çlirimi i atdheut -, duheshin përpunuar ligjet, duheshin studiuar e diskutuar. Dhe për këtë, domosdo që do ndërrohej rol: njeriu i veprimit do duhej shndërruar në njeriun e mendimit, nga organizator përmbysjeje, në njeriun ligjvënës.

Zotit Krispi do t’i jepej kështu mandati i deputetit. Është një nga përfaqësuesit më të zellshëm në seanca; Anëtar i Dhomës që prej vitit 1860, ai bën pjesë në tërë legjislaturat; shumë herë madje u emërua në portofole të ndryshme dhe zgjedhësit e tij mund të jenë të sigurt se kanë në personin e tij një mbrojtës të fortë e të paanshëm. Veteran i luftërave për liri, Z. Krispi zë vend në qendër të së majtës, duke qenë një nga drejtuesit e saj më të autorizuar; falë përpjekjeve të tij ngulmuese, e majta, e cila më 1861 numëronte në Parlament jo më shumë se tridhjetë zëra, përbën sot pjesën më të madhe të Dhomës.

Emri i Krispit figuron gjithë nderim në tërë luftërat parlamentare të bëra në Itali që prej tetë vjetësh. Si orator, Krispi ka instinktet dhe reflekset e tribunit; fjalimin e ka të gjallë, figurativ, energjik e të mprehtë; zëri, i fuqishëm e tingëllues ka shpesh ndryshime në tonalitet kur bëhet fjalë për sarkazma, të cilat i japin fjalimeve të tij një shije krejt të veçantë.

Që prej një viti, mënyra oratore e Krispit ka ndryshuar; vrullimi i tij në të folur është bërë më i përmbajtur: tonalitetet efektuale, theksimet pasionante ua kanë lënë vendin mendimeve e vlerave më të përpunuara, argumentimeve të fuqishme e të thella; gojëtari është bërë mjeshtër i fjalës dhe sidomos mjeshtër i hapit të parë, që dikur nuk arrinte ta kontrollonte.

Ashtu si tërë njerëzit e fortë që kanë luftuar e vuajtur, Krispi është jashtëzakonisht i mirë; është i ndershëm, i çiltër, i drejtë, i afrueshëm, shtrëngimin e dorës e ka të gatshëm e të përzemërt; nuk është vetëm një patriot i madh; nuk është vetëm një avokat i madh (një nga të parët e Firencës) : është mbi të gjitha një njeri me zemër të madhe.

Nga libri “Firenca, Portrete, kronika, mirëbesime”,

Paris, 1870.

© Fotaq Andrea

© Zemra Shqiptare