Fotaq Andrea: Arbëreshët e Italisë (1413–2007), II

Antologji me shkrime nga autorë francezë (2)
Nga
Fotaq Andrea
Jean HOUEL
Zhan
Huel (1735-1813), Piktor i Mbretit, i Akademisë së Arteve të Bukura të Parmës,
i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Ruenit si dhe i Muzeut të Parisit.
Gravurist i talentuar, vizitoi dy herë Italinë, i mahnitur nga monumentet e
Lashtësisë dhe bukuria e viseve. Pikturoi në guash me lehtësi e talent të
rrallë. Gravuroi rreth 170 plansheta mbi bazën e vizatimeve të tij, duke i
shoqëruar ato me tekst shpjegues. Pesë plansheta janë me tematikë arbëreshe dhe
u blenë, krahas të tjerave, nga Katerina II e Rusisë. Sot ndodhen në Ermitage
Muzeum, Shën Petersburg.
UDHËTIM PIKTORESK NË SICILI
Meqenëqë
ky vend2 nuk paraqiste veçori të tjera për të
vënë në dukje, kalova në Palazzo Adriano. Është një fshat shumë i këndshëm që
ndodhet rrëzë malit të Trëndafilave, mal i madh, i famshëm për sasinë e
trëndafilave që prodhon në mënyrë të natyrshme dhe për shumë bimë të tjera
aromatike me të cilat bëhet tregti mjaft e madhe. Aty u prita mirë dhe u
strehova tek Z. Ikdala kryeprift latin. Ky fshat është themeluar nga shqiptarët
e ardhur këtu. Ka në Sicili katër fshatra apo qyteza që ia detyrojnë themelimin
e tyre ortodoksve të pafatë, të cilët kërkuan aty një strehë për t’i shpëtuar
persekutimit të turqve. Këto katër fshatra janë Mozzociuso [Mezzojuzo], Lapiana
[La Piana], Contessa dhe Palazzo Adriano; sollën aty fenë e tyre; i mirëpritën,
me kusht që të pranojnë midis tyre një kishë latine; por ata kundërshtuan
kategorikisht të ngrinin kuvende, qoftë murgjish, qoftë murgeshash. Pashë dhe
pikturova me shumë kënaqësi kostumin e
Jean Huel, 1785. “Martesë arbëreshe dhe
zakone të tjera tek Arbëreshët”
grave
të Shqipërisë. Ruajnë veshjen e atdheut të tyre të lashtë, ndërsa burrat kanë
marrë veshjen siciliane, që u pëlqeu dhe është më e përshtatshme. Sapo
mbërrita, mora pjesë në një martesë greke. Veçoria e ceremonisë dhe ajo e
veshjeve më habitën, andaj dhe i vizatova.
Shumë
ceremoni i paraprijnë martesës. Dhëndri, duke pasur babanë në krahun e djathtë
dhe në krahun e majtë njeriun më të afërt, pasohet nga tërë farefisi dhe miqtë
për të shkuar në shtëpi të nuses. Vetëm i ati hyn brenda; i jep bekimin nuses
në gjuhën e vet kombëtare dhe e merr nga dora për ta çuar në kishë. Kur çifti i
ri gjendet në pragun e derës, hedhin mbi ta nga dritaret e shtëpive grurë, bukë
dhe kripë për të dëshmuar se u urojnë gjithë të mirat, gëzim e lumturi. E ëma e
vajzës i vendos dhëndrit te vrima e jakës së setrës kapur me shirita një gimbletë,
bërë me miell të përzgjedhur dhe pudrosur po me pluhur mielli; më pas, i jep
uratën. Pasandaj, dhëndri merr për nga kisha; nusja e pason; shoqërohen nga
prindërit e tyre dhe nga një kortezh i madh që ecën nën tingujt e instrumenteve
muzikore.
Tek
mbërrijnë në portën e kishës, dhëndri e vendos nusen në të djathtë; vjen prifti
për t’i mirëpritur; shoqërohet nga dhjaku i tij dhe kandillonafti, që mban një
temjanicë. Aty, prifti i bekon tri herë njëri pas tjetrit, duke u bërë kryqin
mbi krye.
Hyjnë
pastaj në kishë; aty ndizen qirinjtë, me të cilët pajisin edhe çiftin. Kur
arrijnë në krye të kishës, i temjanisin njërin pas tjetrit, duke drejtuar para
tyre në formë kryqi temjanicën. Dhjaku këndon në greqisht, dhe si mbaron,
recitohet formula e martesës.
Prifti
kthehet drejt altarit, merr dy unaza; njëra e artë që e mban në dorën e djathtë
dhe tjetra e argjendtë që e mban në dorën e majtë; jep tri herë me radhë
bekimin për çiftin, duke u bërë mbi krye shenjën e kryqit; pastaj vendos unazën
e artë në gishtin tregues të dhëndrit dhe atë të argjendin në gishtin tregues
të nuses.
I
ati, ose njeriu i parë më i afërm, duke kryqëzuar krahët heq unazat nga gishtat
dhe i kalon nga gishti tregues i njërit te gishti tregues i tjetrës. E bën këtë
ceremoni tri herë radhazi, pa shqiptuar një fjalë. Nëse nuk ndodhet aty as
babai, as njeriu më i afërt, atëherë ngarkohet për këtë veprim një i afërm
tjetër. Një ceremoni e tillë është vetë emblema e pleksjes të mishit me gjakun,
e intimes që duhet të sundojë tek bashkëshortët.
Por
e gjithë kjo nuk merr fund me kaq: çifti drejtohet për nga mesi i kishës ku
është vendosur një tryezë e rrumbullakët në formë altari. Celebruesi, me
temjanicën në dorë, këndon një psalm në greqisht: pjesëmarrësit ia kthejnë me
këngë për çdo paragraf të Biblës që thotë. Pastaj prifti merr dy kurora, thurur
me degë dafine, ulliri, rozmarine dhe lule të ndryshme dhe kurorëzon çiftin e
ri, duke i bekuar në greqisht. Më pas, afrohen dëshmitarët dhe zënë e këmbejnë
tri herë kurorat nga kryet, duke e kaluar atë të dhëndrit mbi kokën e nuses,
dhe atë të nuses mbi kokën e dhëndrit, gjithmonë me kryqëzim të krahëve, ashtu
sikurse u veprua edhe për unazat.
Pasandaj,
prifti dhe dëshmitarët vendosin një napë të bardhë përmbi dy kokat e
kurorëzuara, ashtu siç mund të shihet e vizatuar në planshetë. Velloja varet në
të majtë e në të djathtë të çiftit, të cilët janë të lidhur me shoshoq
nëpërmjet gishtërinjve të vegjël të dy duarve që mbajnë së bashku qiririn e
ndezur. Teksa mbahen kështu nëpërmjet gishtërinjve të vegjël të duarve të tyre
të djathta, lidhur me shoshoq, prifti vijon t’u drejtojë urata pas uratash.
Pasandaj, shkon në një altar aty pranë dhe merr një kanistër të vogël mbuluar
me një shami të mëndafshtë, në të cilën ndodhen një kupë vere dhe një copë
meshë. E thyen meshën në copa të vogla dhe si i fut në verë; i jep për të
ngrënë dhëndrit tri copëza, si dhe kupën për të pirë tri herë; i njëjti veprim
edhe për nusen tri herë radhazi, dhe më në fund, ai e thyen kupën duke e
lëshuar të bjerë në tokë; një veprim ky që do të thotë, siç na e shpjeguan, se
kurdoherë duhet pasur në mendje që mirësitë e kësaj bote janë po aq të brishta
sa ajo gotë dhe se mjafton një goditje e lehtë për t’i zhdukur krejt.
Jean Huel, “Procesioni i priftit, dhjakut,
çiftit, dëshmitarëve dhe prindërve”
Pasi
është thyer kupa, prifti, dhjaku, çifti i ri dhe krejt të pranishmit i bien
qark tri herë radhazi altarit, vendosur mes kishës enkas për ceremoninë
martesore. Gjithkush mban nga një qiri në dorë. Tek Grekët dhe tek Orientalët
gjithçka është simbolike; dhe tërë ky procesion, siç thuhet, shpalos gëzimin dhe
lumturinë që duhet të shoqërojnë martesën. Prifti u heq më pas vellon të
sapomartuarve si dhe kurorat; pasandaj, me anë të një lutje që u këndon, i uron
për një jetë të lumtur, i bekon dhe këtu, merr fund ceremonia e shenjtë e
martesës.
Të
sapomartuarit dalin nga kisha; duke u shoqëruar gjithnjë nga kortezhi i tyre,
kthehen në shtëpi. Tek mbërrijnë te konaku i dhëndrit, i presin të afërmit,
duke kënduar në shqip këngë që u urojnë mirëseardhjen. E ëma e dhëndrit i ndal
te pragu i portës dhe u jep të dyve të hanë një lugë mjaltë; ky veprim
simbolizon ëmbëlsitë e martesës që ata duhet të shijojnë së bashku.
Të
nesërmen, të ftuarit që qenë të pranishëm në martesë, sjellin dhurata për
çiftin e ri dhe tri ditë me radhë vijojnë dëfrimet.[...]3
Për
t’i bërë sa më mirë të njohura veshjet e arbëresheve, po i jap ato të zmadhuara
në dy pamje: një nga përpara, dhe tjetrën nga pas; dallohen kështu më mirë
hollësitë e kostumeve. Këto gra nuk kanë flokë me krela; i mbajnë leshrat të mbledhura në një biçim qeske, që
shtrëngohet nga një kordele apo gjalmë, të cilin e lidhin përsipër dhe e lënë
të varet deri në fund të fustanit, sikundër shihet në figurë.
Kjo
qeskë vjen e varet nga pas, dhe brenda saj flokët derdhen në krejt gjatësinë e
tyre; pjesa fundore e qeskës mblidhet nga poshtë dhe lidhet. Një qeskë e tillë
përbëhet nga cohë e praruar kur vasha që e mban është disi e kamur; edhe
kordelet janë nga cohë e praruar; jaka e këmishës së grave është gjithë pala,
sikurse mund të vihet re. Tek ato më të hijshmet, palat janë të mbledhura në
mënyrë të tillë që krijojnë si një lloj qëndisme. Përsipër jakës vihet një
dantellë. Mëngët e korsesë janë të mbajtura në supe me anë shiritash që lënë të
shihet e të fryhet këmisha.
Luks
i madh për gratë është kur kanë një brez krejt të argjendtë dhe gjithë thurima,
siç e kam paraqitur në vizatim. Është një objekt i kushtueshëm që kërkon të
kesh njëfarë pasurie.
Kam
paraqitur edhe një figurë të tretë, të parë nga pjesa e kurrizit; është një
Arbëreshe jo nga Palazzo Adriano, si dy të tjerat; e hasa në Palermo dhe e
vizatova. Kordelet e përparëses së saj varen deri poshtë fustanit; ka flokë të
mbledhur gërshetë e të lidhur me një fjongo shiriti të gjerë. [...]
Kjo
veshje e grave të popullit mu duk me një elegancë tepër të denjë, sa nuk mund
të mos e jepja të pasqyruar këtu; e për më tepër, po ia paraqes lexuesit sepse
tepër rrallë mund të haset në ndonjë vend eleganca në veshjen e të varfërit.
Jean Huel, 1785. “Veshje e grave greke
shqiptare në Palazzo Adriano”
Në
figurën e dhënë këtu nga pas, shihet kordelja e qeskës që e quajnë sheza4, shpalosur në krejt gjatësinë dhe zbukuruar
në skaj me një ornament të vogël.
Mëngët
e fustanit të grave janë tepër të gjera në dy anët e tyre dhe përfundojnë të
mbledhura majë. Janë aq të gjata, sa i përveshin dhe i lidhin nga pas
shpatullave; gjë që krijon një zbukurim me shumë hijeshi. Fustani i tyre është
gjithnjë pakëz i ngritur, gjë që u jep këtyre grave një ecje të lehtë tërë
lezet. Me hijeshinë dhe bukurinë e kësaj veshjeje, kurrë nuk do besoje se të
tre gratë që gravurova këtu, tek mbanin një dëng mbi krye, nuk ishin tjetër
veçse amvisa që po shkonin të lanin teshat.
I
hasa në të dalë të fshatit, duke vajtur tek vendi që e quajnë kroi i madh, për
shkak të sasisë së mahnitshme të ujit që haset gjithandej rrethinës e që gulfon
nga rrëza e malit të famshëm të Trëndafilave: mal i madh e i bukur, për të
cilin do flasim në kreun pasues.[...] Këto Arbëreshe vishen gjithë madhështi e
shkëlqim ditët e festave. Ajo që i karakterizon më shumë është ajo kezika
a keiola, në të cilën ato fshehin leshrat e tyre të gjata dhe që e
përshkrova tashmë duke folur për gratë e popullit; sepse ky zbukurim është në
fakt i përbashkët për gratë e të tëra rangjeve dhe ndryshon vetëm në cilësinë e
cohës që e përbën. Zonjat i shtojnë zbukurimit të flokëve një vello të garztë
apo të tyltë tre rrathore të gjatë, domethënë rreth katërmbëdhjetë këmbë.
Jean Huel, 1785. “Veshje e grave të
popullit tek Arbëreshet e Palazzo Adrianos”
Kapet
në një cep të saj përmbi krye, i bie rrotull duke kaluar poshtë mjekrës, pastaj
zbret për herë të dytë deri në gjoks dhe më në fund kalon nga pas dhe shkon e
kapet rreth dhjetë puliçe poshtë këllkut të majtë. Skaji tjetër, i zbukuruar
gjithashtu me thekë të praruar vjen përmbi krah, dhe lëshohet poshtë tij rreth
dhjetë puliçe, duke nxjerrë në pah nga jashtë pjesën me thekë. Veshja e poshtme
është një fustan shumë i gjerë me cohë të mrekullueshme dhe që vjen e ngjitet
në bel e lidhet nga pas; por vetëm gjysma e mëngëve janë të përbëra nga e
njëjta cohë si e fustanit. Kjo pjesë kapet me anë shiritash që shtrëngojnë nga
poshtë në katër vende
Jean Huel, 1785. “Kostum cilësor i grave
të Palazzo Adrianos”
mëngën
e fustanit dhe që e bëjnë të fryhet në intervale. Supet mbulohen nga një jakë
tepër e gjerë dhe tepër e zbukuruar në qëndisma, si dhe nga një dantellë e
mrekullueshme që i kalohet përsipër dhe që zbret përmbi gjoks,
ku
mbulohet nga velloja. Këto zonja mbajnë freskore. Të rejat nuk kanë vello, por
mbajnë karfica të sermta dhe një kezë. Grupi i parë i kësaj planshete
paraqet gra me veshje ceremonie. Më tej, në të majtë, kam dhënë gra që nuk kanë
vello të kaluar poshtë mjekrës si të tjerat; është një variant modeli i
mbajtjes së flokëve. Kam dhënë edhe një grua të parë nga pas për të treguar
efektin e vellos nga kjo anë.
Grupi
që është në krahun e djathtë nxjerr në pah elitën e grave që ndjekin ritin
latin; janë Siciliane dhe veshja e tyre ndryshon nga ajo e Sicilianeve të tjera
që i kam dhënë në kapitullin e parë. Përbëhet nga një copë e gjerë taftaje të
zezë, me të cilën mbështjellin kryet dhe krahët. Është më piktoresk nga ato që
kam përshkruar, për faktin se nuk kapet me trupin, gjë që e bën më të lehtë të
paloset me hijeshi. I kam paraqitur këto gra, nga pas e nga përpara, me qëllim
që të krijohet një ide e qartë për efektin që shkakton. Fundi i këtyre grave
është gjithashtu me cohë të zezë, gjë që nuk i pengon të mbajnë potina me
lidhëse dhe gjithë ngjyra.
Vogëlushja
që kam vendosur këtu është e mbuluar me një mantelinë stofi të leshtë, tepër
bardhëllor. Veshje tjetër fëmijët nuk kanë.
Duke
ikur nga Palazzo-Adriano, i rashë qark malit të Trëndafilave, mal që bollëku i
këtyre luleve dhe i kundërmimeve që lëshojnë e kanë bërë të famshëm në krejt
Sicilinë.
Udhëtim
piktoresk në ishujt e Sicilisë,
Maltës
e të Liparit, v. III, Paris, 1785.
© Fotaq Andrea
© Zemra Shqiptare
1 Autori, pasi ka vizituar qytetin antik të Antelës në Sicili, merr drejtimin për në fshatin arbëresh Kontesa.
2 Fshati Busachino.
3 Autori ndalet këtu në ceremoninë e pagëzimit sipas ritit grek, ku mes të pranishmëve, prifti, i shoqëruar nga nuni e nunesha, zhveshin fëmijën; dhe është nuni që i hedh fëmijës ujë mbi kokë, duke ia lagur krejt trupin, ndërkohë që prifti këndon lutjet e tij. Më pas, të pranishmit, me në krye priftin, i bien sallës qark tri herë, dhe fëmija i pagëzuar konsiderohet në këtë rast i pranuar në gjirin e kishës.
4 Keza e famshme arbëreshe.













