Fotaq Andrea: Arbëreshët e Italisë (1413-2007)
Arbëreshët e Italisë (1413-2007)
Antologji
me shkrime nga autorë francezë (1)

Astolphe DE CUSTINE
Markezi
Astolphe Louis Léonor de Coustine (1790-1857), shkrimtar, ushtarak e diplomat,
i mirënjohur për veprën “Rusia më 1839”, si dhe për esenë “Mbi demokracinë në
Amerikë të Tokëvilit”, ka lënë një duzinë veprash të shkruara, ndër të cilat dy
me kujtime, udhëpërshkrime e korrespondencë. Në vëllimin “Kujtime e
Udhëpërshkrime, apo Letra të shkruara në periudha të ndryshme gjatë Udhëtimeve të
tij në Kalabri, Angli e Skoci, (vëll. 1,
Louvain, 1830) përshkruan me hollësi e penë tepër realiste rrugëtimin e tij
nëpër Kalabri, ku ndesh të papritura të hidhura dhe infeksion të rëndë nga Mal
aria (ajri i keq, i molepsur i kënetave, i quajtur Aria Cattiva), si dhe popullatat
mikëpritëse arbëreshe me gjuhën, doket dhe zakonet e tyre të lashta, deri edhe
te veshjet e tyre karakteristike të ruajtura brez pas brezi për më shumë se pesë
shekujsh.
NJË SHPATË E SKËNDERBEUT
NË LUNGRO
Letër drejtuar *** [nënës
së tij]
Lungro, këtë 25 maj.
Koha
është e shkëlqyer, ajri është i freskët dhe i butë; një diell vezullues vesh
detin me ngjyrimet më të gjalla dhe ndriçon gjelbërimin e kodrinave, bimësi e
të cilave me gjethishtë të trashë e të lëmuar duket si e lustruar, kaq shumë
është e shndritshme. Pozicioni i Lungros është i këndshëm; ndërtuar mbi faqen e
një mali, ky qytet i vogël sundon një vazhdimësi kodrash të qeshura që vijnë e
ulen ndjeshëm gjer tek fusha e Sibarisit. Dallohen rrethinat e Lungros, gryka e
Kratisit në gjirin e Tarentes. Pikërisht te vendi ku ky lumë bie në det
ndodhej, siç thuhet, porti i Sibarisit. Tregojnë ende aty një lloj lagune që e
pandehin për vetë portin. Nuk shkuam të vizitojmë Sibarisin, sepse rruga që do
marrim kur të kthehemi nga Rexhio do të na shpjerë aty, pa qenë kështu nevoja
të bënim kthesë në çast.
Ka
në Lungro miniera kripe që nuk m’u dukën dhe aq interesante; por banorët e
qytetit janë interesantë. Krijojnë një racë më vete; janë Shqiptarë dhe ndjekin
ritin grek [ortodoks]; kanë madje edhe një Peshkop vendosur në Santo-Demotino,
në male.

Më
në fund, kanë zakone rregulli, që sigurisht u është dashur t’i sjellin këtyre
anëve. Mikpritësit tanë janë njerëzit më të mirë në botë. Bisedova ca kohë me gjyshen
e kësaj familjeje patriarkale. Ajo nënoke
e mirë ka në tipare një shprehje trishtimi engjëllor. I mburra bukurinë
e vendit, butësinë e ajrit, pastërtinë e qiellit dhe prehjen që mund të
shijohet mes atij fshati aq të bukur; ju dhe bijtë tuaj, shtova, duhet të
ndiheni të lumtur! “– Kemi qenë të tillë, ma ktheu e mira grua, por që prej tre
vjetësh, nuk ka më lumturi për ne. Kemi humbur dy fëmijë, e im bir dhe e shoqja
i donin aq shumë sa nuk arrijmë më të gjejmë ngushëllim për humbjen e tyre”.
Duke thënë këto fjalë, plaka ishte gati të shpërthente në lot dhe shprehja e
fytyrës së saj m’u duk aq prekëse, aq e lashtë, sa më shpinte në historitë e
Biblës dhe tek shatorret e popujve të parë të botës!
© Fotaq Andrea
© Zemra Shqiptare
* Shkrimtari i shquar francez Stendal, në librin e tij “Faqe të Italisë” (f.260), shkruan: “Fshatarët kalabrezë flasin ende me mburrje për stërgjyshërit e tyre dhe për Skander-Begun, i cili, më 1443 shpalosi flamurin e pavarësisë kundër uzurpatorit të atdheut të tij dhe vrasësit të familjes së tij, sulltan Amuratit.”






