Lekë Mrijaj: Kisha “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës – histori dhe kujtesë tereziane

KISHA “SHËN NËNË TEREZA” NË DUGAJEVË TË KLINËS, HISTORI, ORGANIZIM KISHTAR, KUJTESË TEREZIANE DHE VAZHDIMËSI MESHTARAKE NË DËSHMITË DOKUMENTARE

Shkruan:
Lekë Mrijaj
Kisha
“Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës, filial i Famullisë “Lartësimi i
Kryqit” në Gllaviqicë, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të historisë së re
të katolicizmit shqiptar në Kosovë. E lindur në rrethanat e menjëhershme të
pasluftës, historia e saj ndërthur rindërtimin material dhe shpirtëror të një
bashkësie lokale, veprimtarinë e meshtarëve, kontributin e diasporës, kujtesën
e Shën Nënë Terezës dhe zhvillimin e një projekti të ri kishtar gjatë viteve
2024–2026. Kumtesa mbështetet në dokumentacionin e publikuar të kishës,
procesverbalet e projektit, burimet zyrtare dioqezane dhe kishtare, periodikë
katolikë dhe dokumente të Selisë së Shenjtë. Vëmendje e posaçme i kushtohet dy
fazave të historisë së objektit: periudhës themeluese, të lidhur me Dr. Dom
Gjergj Gjergjin, dhe periudhës së konsolidimit e rindërtimit, në të cilën rol
qendror baritor ka Dom Ambroz Demaj, famullitar i Gllaviqicës dhe përgjegjës
për filialin e Dugajevës. Qasja kritike dallon ndërmjet të dhënave të
dokumentuara dhe pohimeve të traditës lokale që kërkojnë verifikim të mëtejshëm
arkivor.
Historia
e Kishës Katolike në Kosovë nuk përbëhet vetëm prej monumenteve të periudhave
të hershme, relacioneve ipeshkvore, dokumenteve të Kongregatës de Propaganda
Fide, raporteve diplomatike austro-hungareze dhe burimeve të tjera arkivore që
dëshmojnë vazhdimësinë shumë-shekullore të katolicizmit në këto troje.
Historiografia kishtare duhet të përfshijë gjithashtu institucionet dhe
objektet e krijuara në periudhën bashkëkohore, sepse edhe ato janë produkte të
rrethanave të caktuara historike, demografike, shoqërore dhe pastorale. Në këtë
kuadër duhet vendosur Kisha “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës, e cila,
në planin kanonik dhe baritor, funksionon si filial i Famullisë “Lartësimi i
Kryqit” në Gllaviqicë dhe përbën një nga shprehjet karakteristike të
rindërtimit të jetës katolike në Kosovën e pasluftës. Burimi zyrtar i Kishës
Katolike në Kosovë e regjistron Famullinë “Lartësimi i Kryqit” në Gllaviqicë në
Dekanatin e Pejës dhe Dom Ambroz Demajn si famullitar të saj.¹
Ky
saktësim institucional është thelbësor për trajtimin shkencor të temës.
Dugajeva nuk duhet paraqitur si famulli autonome, por si bashkësi filiale
brenda strukturës së Gllaviqicës. Në këtë mënyrë mund të kuptohet drejt edhe
përgjegjësia e meshtarëve që kanë vepruar aty: ata nuk përfaqësojnë një
institucion të shkëputur, por ushtrojnë kujdesin baritor ndaj një pjese të
bashkësisë famullitare. Pikërisht kjo lidhje midis qendrës famullitare dhe
filialit përbën një nga vijat e vazhdimësisë institucionale të historisë së
Dugajevës.
Dugajeva
bën pjesë në hapësirën historike dhe gjeografike të Klinës dhe të Lugut të
Drinit, trevë ku bashkësitë katolike shqiptare kanë ruajtur një prani të
dallueshme përmes familjes, organizimit kishtar, varrezave, festave fetare dhe
kujtesës së transmetuar ndër breza. Historia moderne e objektit kishtar të
Dugajevës lidhet drejtpërdrejt me periudhën pas Luftës së Kosovës 1998–1999.
Historiku i publikuar nga projekti i kishës pohon se, pas përfundimit të
konfliktit, banorët shprehën dëshirën për ngritjen e një tempulli si shenjë
falënderimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore.²
Ky
burim duhet lexuar njëkohësisht si dëshmi komunitare dhe si tekst institucional
i prodhuar nga vetë projekti. Për rrjedhojë, ai ka vlerë të rëndësishme
dokumentare për mënyrën se si bashkësia e interpreton historinë e vet, por disa
formulime të tij kërkojnë ballafaqim me dokumente të pavarura: kronikën
famullitare, aktet e Ordinariatit, dokumentet e ndërtimit dhe dëshmitë e
personave të përfshirë drejtpërdrejt. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur
burimi përmban pohime mbi përparësi botërore, prejardhje gjenealogjike ose
autenticitet relikesh.
Në
fazën themeluese të kishës një rol qendror pati Dr. Dom Gjergj Gjergji, meshtar
dhe studiues i historisë kishtare shqiptare. Historiku i projektit e lidh
ardhjen e tij si famullitar në Gllaviqicë me konkretizimin e dëshirës së
banorëve për ngritjen e objektit. Sipas këtij burimi, kisha filloi të ndërtohej
pranë varrezave të fshatit me ndihmën e popullatës vendore dhe të
bashkatdhetarëve në diasporë.³
Përfshirja
e diasporës dhe e famullisë që në fazën e parë është një element me rëndësi të
veçantë historike. Në shumë bashkësi katolike shqiptare të Kosovës, fundi i
shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI karakterizohen nga një ndryshim i rëndësishëm
në strukturën e financimit dhe të organizimit komunitar. Mërgata nuk ishte më
vetëm burim mbështetjeje familjare; ajo u bë faktor aktiv në ndërtimin e
kishave, renovimin e objekteve, ngritjen e qendrave kulturore dhe financimin e
veprimtarive të përbashkëta. Dugajeva është një shembull i qartë i kësaj
ndërthurjeje ndërmjet bashkësisë rezidente dhe asaj transnacionale. Një nga
pikat themelore të kronologjisë është 2 shkurti 2001, kur historiku i kishës
regjistron kremtimin e Meshës së parë.? Në historinë
institucionale të një objekti katolik kjo datë ka rëndësi të veçantë, sepse
shënon fillimin e përdorimit liturgjik të hapësirës. Ndërtimi material mund të
ketë faza të ndryshme, por kremtimi i Eukaristisë dëshmon se objekti kishte
hyrë në jetën konkrete të bashkësisë së besimtarëve.
Më
1 shkurt 2002 u shuguruan kambanat e kishës, të cilat, sipas të njëjtit
dokumentacion, kishin ardhur si dhuratë nga Italia. Burimi i projektit pohon
gjithashtu se kumbimin e parë ceremonial e bëri Isabella Kastrioti, e paraqitur
aty si pasardhëse e familjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.?
Për arsye metodologjike, elementi ceremonial mund të përdoret si pjesë e
historikut të kishës, ndërsa pohimi gjenealogjik duhet cilësuar si informacion
i burimit dhe jo si fakt i vërtetuar përfundimisht, derisa të mbështetet në
dokumentacion të pavarur familjar e gjenealogjik.
Viti
2003 shënon fazën e përcaktimit të identitetit terezian të objektit. Më 19
tetor 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumtur Nënë Terezën. Historiku i
Dugajevës e lidh këtë ngjarje drejtpërdrejt me emërtimin e kishës dhe
regjistron se më 13 nëntor 2003 aty u kremtua një Meshë falënderimi për
lumturimin, me pjesëmarrje meshtarësh dhe mysafirësh.?
Kështu, kronologjia 2001–2003 paraqet një proces gradual: fillimin e jetës
liturgjike, pajisjen e objektit, konsolidimin komunitar dhe lidhjen e tij me
figurën e Nënë Terezës.
Në
materialet bashkëkohore të projektit përdoret formulimi se objekti i Dugajevës
është “kisha e parë në botë e dedikuar Shën Nënë Terezës”.?
Në një kumtesë shkencore ky pohim nuk duhet përsëritur si përfundim absolut pa
një verifikim krahasues ndërkombëtar. Për të përcaktuar përparësinë
kronologjike të një objekti në shkallë botërore do të duhej të shqyrtoheshin
regjistrat e Selisë së Shenjtë, dokumentet e dioqezave të ndryshme dhe aktet e
emërtimit të kishave të tjera. Prandaj formulimi historiografikisht i
mbrojtshëm është: sipas dokumentacionit të vetë projektit dhe traditës së
ruajtur nga komuniteti, kisha e Dugajevës paraqitet si kisha e parë në botë
kushtuar Nënë Terezës; ky status mbetet për t’u konfirmuar me hulumtim
krahasues ndërkombëtar.
Një
kujdes i njëjtë metodologjik kërkohet për objektet devocionale që historiku i
kishës i paraqet si relike të lidhura me Nënë Terezën dhe Shën Gjon Palin II.
Burimi përmend një qiri të lidhur me vizitën papnore në Shqipëri dhe një copë
pëlhure të lidhur me ditët e fundit të Nënë Terezës.?
Në studimin shkencor duhet dalluar midis ekzistencës fizike të një objekti,
traditës së prejardhjes së tij dhe autenticitetit kanonik. Ky i fundit kërkon
authentica, dokument dhurimi, inventar kishtar ose dëshmi tjetër
institucionale. Pa këto dokumente, termi “relike” duhet përdorur duke iu
referuar burimit që e quan të tillë dhe jo si vërtetim i pavarur i autorit.
Kanonizimi
i Nënë Terezës më 4 shtator 2016 i dha identitetit të kishës një dimension të
ri. Formula zyrtare e kanonizimit e regjistroi të Lumturën Tereza të Kalkutës
në katalogun e shenjtorëve të Kishës universale.? Prej këtij çasti,
përkushtimi lokal i Dugajevës lidhej me një shenjtore të njohur zyrtarisht në
të gjithë Kishën Katolike. Festa e 5 shtatorit u bë një pikë e rëndësishme e
kalendarit shpirtëror të bashkësisë dhe, sipas historikut lokal, mori edhe
karakterin e një dite të bashkimit familjar.¹?
Kjo
lidhje ndërmjet liturgjisë, familjes dhe diasporës ka një rëndësi që tejkalon
historinë e një ndërtese. Në kushtet e emigrimit të vazhdueshëm, një festë
kishtare mund të shërbejë si instrument i ruajtjes së kujtesës së prejardhjes.
Kisha, varrezat dhe festa e pajtores bëhen pika ku bashkësia lokale dhe ajo e
shpërndarë jashtë vendit riformojnë lidhjen me vendlindjen. Kështu, objekti
sakral merr edhe funksion social, antropologjik dhe identitar.
Një
dëshmi e rëndësishme e vazhdimësisë së kësaj historie vjen nga viti 2021.
Revista kishtare Kumbona, në materialin kushtuar njëzetvjetorit të themelimit
të kishës, pesëvjetorit të kanonizimit të Nënë Terezës dhe përkujtimit të Dom
Gjergj Gjergjit, e vendos shprehimisht Dugojevën/Dugajevën (e Klinës) në Famullinë
e Gllaviqicës. Në të njëjtin material, Dom Ambroz Demaj paraqitet si
famullitari aktual dhe si ai që, në emër të komunitetit, evokoi historikun e
kishës dhe figurën e Dom Gjergj Gjergjit.¹¹
Kjo
dëshmi është e rëndësishme në dy rrafshe. Së pari, ajo ndihmon në përcaktimin e
statusit baritor të Dugajevës si pjesë e Famullisë së Gllaviqicës. Së dyti,
dokumenton kalimin e kujtesës nga brezi themelues te brezi i ri i udhëheqjes
baritore. Në këtë pikë fillon të dallojë qartë roli i Dom Ambroz Demajt, jo si
themelues i objektit të parë, por si bartës i vazhdimësisë së tij
institucionale, shpirtërore dhe komunitare.
Dom
Ambroz Demaj është famullitar i Famullisë “Lartësimi i Kryqit” në Gllaviqicë,
sipas regjistrimit zyrtar të Kishës Katolike në Kosovë.¹² Në kuadër të kësaj
përgjegjësie ai ushtron kujdesin baritor edhe ndaj filialit “Shën Nënë Tereza”
në Dugajevë. Ky formulim është më i saktë sesa përcaktimi “famullitar i
Dugajevës”, sepse ruan dallimin ndërmjet famullisë si njësi kanonike dhe
filialit si bashkësi e varur prej saj.
Të
dhënat zyrtare të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë japin edhe një dimension
tjetër të profilit të tij kishtar. Vjetari 2025 i Kishës Katolike në Shqipëri e
rendit Dom Ambroz Demajn ndër meshtarët dioqezanë të Dioqezës së Rrëshenit dhe
shënon shprehimisht: “Fidei Donum në Kosovë”.¹³ Kjo e vendos shërbimin e tij në
Gllaviqicë dhe Dugajevë (të Klinës) brenda një forme të njohur të bashkëpunimit
misionar ndërmjet Kishave lokale. Termi Fidei Donum ka rëndësi teologjike dhe ekleziologjike.
Ai lidhet me traditën e dërgimit të meshtarëve dioqezanë për të shërbyer, me
pëlqimin e autoriteteve kishtare përkatëse, në një Kishë tjetër lokale. Në rastin e Dom Ambroz Demajt, ky
status krijon një lidhje konkrete ndërmjet Dioqezës së Rrëshenit dhe Kishës
Katolike në Kosovë, pasi qe Dom Ambrozi, që nga maji i këtij vitit (2026),
është inkardinuar në Dioqezën Prizren–Prishtinë.
Për historinë bashkëkohore të katolicizmit
shqiptar kjo përfaqëson një formë bashkëpunimi që tejkalon kufijtë shtetërorë
dhe dëshmon unitetin e misionit pastoral në hapësirën shqipfolëse.
Vlera
e shërbimit të Dom Ambroz Demajt në Dugajevë duhet kërkuar para së gjithash te
vazhdimësia meshtarake. Institucionet kishtare nuk jetojnë vetëm përmes
themeluesve të tyre, por përmes aftësisë për t’ua përcjellë brezave pasardhës
përgjegjësinë, kujtesën dhe misionin. Nëse Dr. Dom Gjergj Gjergji përfaqëson
fazën e themelimit të objektit të parë, Dom Ambroz Demaj përfaqëson një
periudhë të konsolidimit, ruajtjes së kujtesës dhe përgatitjes së një faze të
re ndërtimore. Këto etapa nuk duhen kundërvënë, sepse janë pjesë të së njëjtës
histori institucionale.
Kisha
“Shën Nënë Tereza” nuk është vetëm objekt arkitekturor. Ajo është hapësirë e
Eukaristisë, e sakramenteve, e lutjes, e ceremonive mortore, e përkujtimit të
të vdekurve dhe e takimit familjar. Kjo bën që kujdesi i famullitarit ndaj
filialit të përfshijë më shumë se administrimin e një godine. Ai kërkon
ruajtjen e lidhjes së besimtarëve të Dugajevës me famullinë amë, organizimin e
jetës liturgjike, orientimin pastoral dhe ndërmjetësimin institucional me
strukturat dioqezane.
Në
këtë kuadër duhet vlerësuar edhe marrëdhënia e Dom Ambroz Demajt me
trashëgiminë e Dom Gjergj Gjergjit. Në përkujtimin e vitit 2021 ai e riktheu
figurën e paraardhësit brenda kujtesës së bashkësisë.¹?
Ky veprim ka peshë historiografike: ruajtja e kujtesës së një institucioni nuk
bëhet vetëm nëpërmjet dokumenteve, por edhe nëpërmjet ceremonive përkujtimore,
fjalës publike, fotografive dhe transmetimit të rrëfimit prej një brezi te
tjetri.
Një
dimension tjetër i rëndësishëm i shërbimit të Dom Ambroz Demajt lidhet me
trashëgiminë tereziane. Në Dugajevë figura e Shën Nënë Terezës përbën boshtin
identitar të objektit kishtar. Prandaj kujdesi ndaj filialit nënkupton edhe
kultivimin e një tradite të lidhur me spiritualitetin e saj: dinjitetin e
njeriut, shërbimin ndaj të pambrojturit, dashurinë konkrete dhe paqen. Në këtë
prizëm duhet parë edhe organizimi i veprimtarive fetare dhe kulturore që e kanë
bërë Dugajevën vend të takimit të klerit, studiuesve, besimtarëve dhe
përfaqësuesve të jetës publike.
Një
kthesë vendimtare në historinë më të re të objektit lidhet me përkeqësimin e
gjendjes së ndërtesës së parë. Dokumentacioni i projektit pohon se kushtet
ekonomike në të cilat ishte ngritur objekti dhe cilësia e materialeve kishin
ndikuar në degradimin e tij, duke e shtyrë komunitetin drejt planifikimit të
një kishe të re.¹? Kjo fazë e re e zhvendosi përgjegjësinë
baritore edhe në një fushë komplekse organizative: vlerësimin teknik,
projektimin, financimin, koordinimin me diasporën dhe transparencën e
administrimit të mjeteve.
Procesverbali
i takimit të 13 tetorit 2024 dokumenton një diskutim të strukturuar mbi
gjendjen e objektit, mundësinë e renovimit dhe projektin e ri. Ndër
pjesëmarrësit figuron edhe Dom Ambroz Demaj. Sipas dokumentit, vlerësimi i tre
inxhinierëve kishte çuar në përfundimin se renovimi i objektit ekzistues nuk
ishte zgjidhja më e përshtatshme në raport me koston dhe qëllimin e projektit.¹?
Kjo është një dëshmi me rëndësi, sepse tregon se vendimmarrja për objektin e ri
nuk u paraqit thjesht si dëshirë estetike, por u parapri nga vlerësime teknike
dhe diskutim komunitar.
Roli
i Dom Ambroz Demajt në këtë fazë mund të përcaktohet më saktë përmes dokumentit
të 23 marsit 2025. Procesverbali e rendit “Raportimin nga Dom Ambroz Demaj”
ndër pikat kryesore të rendit të ditës dhe regjistron njoftimin e tij se
fillimi i ndërtimit ishte parashikuar për 7 prill 2025. Në të njëjtën kohë ai
raportoi mbi ecurinë e projektit dhe mbi fondet e grumbulluara.¹?
Për
historiografinë e objektit, ky dokument është shumë më tepër se një shënim
administrativ. Ai dokumenton kalimin nga faza e konceptimit në atë të zbatimit
dhe tregon se famullitari kishte rol të drejtpërdrejtë në informimin e
bashkësisë rreth progresit. Në të njëjtën kohë, procesverbali dëshmon se
komuniteti diskutonte hapur edhe çështjet e administrimit të donacioneve dhe të
transparencës financiare.¹?
Ky
aspekt duhet trajtuar me maturi shkencore. Dokumenti nuk duhet përdorur për të
idealizuar marrëdhëniet brenda grupit organizativ; përkundrazi, ai dëshmon se
ka pasur pikëpamje të ndryshme dhe debat të fortë rreth mënyrës së depozitimit
të fondeve dhe anonimitetit të një donatori. Procesverbali shënon se takimi
përfundoi pa një vendim të plotë, por në mënyrë paqësore e konstruktive.¹?
Pikërisht ky element e shton vlerën dokumentare të burimit: ai nuk paraqet
vetëm sukseset e projektit, por ruan edhe gjurmën e debatit dhe të nevojës për
mekanizma të qartë llogaridhënieje.
Në
këtë kontekst, roli i Dom Ambroz Demajt shfaqet në një rrafsh më kompleks sesa
ai i një administratori. Si famullitar ai gjendet në pikën ku takohen
autoriteti baritor, pritjet e besimtarëve, kërkesat teknike të ndërtimit,
interesimi i diasporës dhe nevoja për koordinim institucional. Menaxhimi i
këtyre raporteve është pjesë e historisë së objektit dhe duhet dokumentuar pa
ekzagjerim, por edhe pa e minimizuar rëndësinë e tij.
Dokumentacioni
publik i projektit e paraqet ndërtimin e kishës së re si një ndërmarrje që
synon të ruajë trashëgiminë e Nënë Terezës dhe të forcojë bashkësinë. Në
materialin programor të projektit transparenca në mbledhjen, përdorimin dhe
raportimin e donacioneve paraqitet si element themelor i financimit.²?
Ky formulim është relevant për vlerësimin e fazës së drejtuar nga Dom Ambroz
Demaj, sepse tregon se dimensioni administrativ është bërë pjesë e
vetëidentifikimit institucional të projektit.
Diaspora
vazhdon të jetë një komponent qendror. Dokumentet e takimeve tregojnë për
pjesëmarrje, donacione dhe struktura mbështetëse jashtë Kosovës.²¹ Në këtë
kontekst, famullitari kryen edhe funksionin e urës ndërmjet bashkësisë së
fshatit dhe anëtarëve të saj të shpërndarë në vende të ndryshme. Në
historiografinë sociale të kishave shqiptare ky është një fenomen me interes të
madh: territori i famullisë nuk përkon më plotësisht me territorin real të
komunitetit, sepse një pjesë e tij jeton në diasporë, por vazhdon të marrë
pjesë materialisht, simbolikisht dhe emocionalisht në jetën e vendlindjes.
Pikërisht
këtu një filial i vogël fiton një dimension transnacional. Kisha e Dugajevës
mbetet fizikisht në një fshat të Klinës, por rrjeti i njerëzve që e mbështesin
mund të shtrihet në disa shtete. Famullitari bëhet kështu jo vetëm bari i
besimtarëve që banojnë në territorin e tij, por edhe një pikë referimi për ata
që vazhdojnë të identifikohen me bashkësinë edhe pse jetojnë jashtë saj.
Një
tjetër element me rëndësi është ndërthurja e kishës me kujtesën e varrezave.
Objekti i parë u ngrit pranë varrezave të fshatit.²² Në traditën katolike
shqiptare kjo afërsi ka kuptim të thellë kulturor e teologjik. Varrezat mbajnë
kujtesën e brezave, ndërsa liturgjia e kishës lidh bashkësinë e të gjallëve me
kujtimin dhe lutjen për të vdekurit. Për familjet e emigrimit, kthimi te varret
e të parëve është shpesh një nga format më të fuqishme të ruajtjes së lidhjes
me vendin e origjinës.
Për
këtë arsye, kujdesi baritor i Dom Ambroz Demajt nuk mund të reduktohet në
projektin e ri ndërtimor. Vlera e tij duhet kërkuar edhe në ruajtjen e jetës së
zakonshme kishtare: Meshën, sakramentet, përkujtimet, shërbesat mortore, festat
dhe marrëdhëniet familjare. Këto veprime janë më pak të dukshme në dokumentet
publike sesa një projekt ndërtimi, por në historinë e një bashkësie janë po aq
të rëndësishme.
Në
aspektin e historisë institucionale, shërbimi i Dom Ambroz Demajt mund të
përkufizohet si fazë e konsolidimit dhe ripërtëritjes. Ai trashëgon një kishë
të ngritur me sakrificë në periudhën e pasluftës, një traditë të lidhur me Dom
Gjergj Gjergjin, një identitet të formësuar rreth Nënë Terezës dhe një
komunitet që përballet me emigrimin dhe me nevojën e rindërtimit fizik të
objektit. Përgjegjësia e tij konsiston në ruajtjen e këtyre shtresave dhe në
orientimin e tyre drejt një faze të re.
Nga
ky këndvështrim, krahasimi ndërmjet Dom Gjergj Gjergjit dhe Dom Ambroz Demajt
duhet bërë në formë kronologjike, jo konkurruese. I pari lidhet me realizimin e
nismës themeluese dhe me fillesat e jetës liturgjike; i dyti me ruajtjen e
trashëgimisë, kujtesën e themeluesit, organizimin e bashkësisë dhe projektin e
rindërtimit. Historia institucionale fiton kuptim vetëm kur këto faza shihen si
vazhdimësi.
Dom
Ambroz Demaj përfaqëson gjithashtu një shembull të bashkëpunimit ndërdioqezan.
Statusi i tij Fidei Donum në Kosovë, i dokumentuar nga Vjetari 2025, tregon se
shërbimi në Gllaviqicë nuk është vetëm një fakt biografik personal, por pjesë e
një marrëdhënieje kishtare më të gjerë.²³ Në këtë aspekt, prania e tij lidh
Dioqezën e Rrëshenit me jetën baritore të Dioqezës Prizren–Prishtinë dhe
dëshmon një dimension të solidaritetit mes Kishave lokale shqiptare.
Nga
pikëpamja akademike, vlerat e tij nuk duhet të shprehen me epitete të
pambështetura, por të nxirren nga faktet e dokumentuara. Burimet aktualisht
lejojnë të pohohet se ai ka qenë i pranishëm në ruajtjen e kujtesës së kishës,
në përkujtimin e Dom Gjergj Gjergjit, në organizimin e ngjarjeve tereziane, në
koordinimin e projektit të ri, në raportimin para komunitetit dhe në marrëdhënien
me grupet e diasporës.²? Pikërisht ky është standardi i një vlerësimi
shkencor: cilësitë e personit nxirren nga veprimet dhe dokumentet, jo nga
superlativët.
Në
vitet 2024–2026 Kisha “Shën Nënë Tereza” hyn kështu në një fazë të dytë të
historisë së saj. Objekti i parë, me gjithë vlerën simbolike të lidhur me vitet
e pasluftës, po i lë vend një projekti që synon të sigurojë vazhdimësinë e
bashkësisë për të ardhmen. Projekti i ri nuk duhet kuptuar si anulim i kishës
së parë. Përkundrazi, nga pikëpamja e trashëgimisë historike do të ishte e
rëndësishme që kujtesa e objektit të parë të dokumentohej sistematikisht
përpara çdo transformimi: matje arkitektonike, fotografi, dokumentacion teknik,
lista objektesh, regjistrim i kambanave, dëshmi të ndërtuesve dhe intervista me
banorët.
Në
të njëjtën mënyrë duhet trajtuar edhe arkivi i Dom Gjergj Gjergjit.
Letërkëmbimi, fotografitë, shënimet personale, dokumentet e famullisë dhe çdo
material mbi ndërtimin e viteve 2000–2003 do të mundësonin një rindërtim shumë
më preciz të fazës themeluese. Pa këto dokumente, historiku aktual mbështetet
në masë të konsiderueshme në materialet retrospektive të publikuara nga
projekti.
Me
rëndësi parësore është konsultimi i Liber Chronicus të Famullisë së Gllaviqicës
për vitet 1999–2004 dhe për periudhën e Dom Ambroz Demajt. Kronika famullitare,
nëse është ruajtur rregullisht, mund të japë data mbi Meshët, bekimet, vizitat
ipeshkvore, ndërtimin, emrat e kontribuuesve dhe vendimet baritore. Krahas saj
duhen kërkuar aktet e Ordinariatit të atëhershëm, dokumentet kadastrale, lejet
e ndërtimit, projektet arkitektonike, faturat dhe procesverbalet.
Në
mënyrë të veçantë duhet kërkuar dokumenti që përcakton statusin kanonik të
filialit të Dugajevës. Fakti që burimet kishtare e vendosin Dugajevën brenda
Famullisë së Gllaviqicës është i qartë, por një studim monografik do të fitonte
saktësi më të madhe nëse do të kishte edhe aktin ose regjistrimin dioqezan
përkatës. Kjo do të lejonte dallimin juridik ndërmjet emërtimit të përdorur në
komunikimin publik dhe terminologjisë zyrtare të Kishës.
Po
aq i nevojshëm është hulumtimi mbi emërtimin e objektit më 2003. Historiku
lokal e lidh marrjen e emrit me lumturimin e Nënë Terezës dhe Meshën e 13
nëntorit.²? Për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një
emërtim liturgjik, një bekim, një dekret të autoritetit kishtar ose një vendim
të bashkësisë, duhet gjetur dokumentacioni origjinal i asaj kohe.
Kjo
do të ndihmonte edhe në verifikimin e pretendimit mbi statusin e “kishës së
parë në botë”. Derisa ky verifikim të kryhet, kumtesa duhet të ruajë rezervën
kritike. Shkenca historike nuk e zvogëlon vlerën e traditës lokale kur e
verifikon; përkundrazi, e mbron atë nga pretendimet që mund të jenë të
pambështetura dhe i jep forcë atyre të dhënave që përballojnë kritikën
dokumentare.
Në
perspektivën e historisë së re katolike të Kosovës, Dugajeva ka rëndësi
pikërisht sepse përmbledh disa procese të mëdha në një histori lokale: përvojën
e luftës dhe rindërtimit, organizimin rreth kishës, rolin e meshtarit, forcën e
diasporës, kujtesën e të vdekurve, përhapjen e devocionit ndaj Shën Nënë
Terezës dhe përpjekjen për vazhdimësi demografike e kulturore.
Kjo
histori tregon gjithashtu se institucionet e vogla nuk janë periferike për
historiografinë. Një filial rural mund të jetë laborator i proceseve më të
gjera shoqërore: migrimit, ndryshimit të strukturës së familjes, komunikimit
transnacional, bashkëpunimit klerik-laik dhe transformimit të kujtesës fetare
në trashëgimi kulturore.
Në
këtë kuptim, Dom Ambroz Demaj zë një vend të dokumentueshëm në fazën
bashkëkohore të historisë së Dugajevës. Kontributi i tij qëndron në lidhjen e
filialit me famullinë amë, në ruajtjen e vazhdimësisë me brezin e Dom Gjergj
Gjergjit, në kultivimin e kujtesës së Shën Nënë Terezës, në përfshirjen në
organizimin e projektit të ri dhe në bashkëpunimin me një komunitet që shtrihet
përtej kufijve të fshatit.
Për
rrjedhojë, figura e tij mund të vlerësohet jo thjesht si administrator i një
periudhe, por si përfaqësues i një etape të caktuar të zhvillimit institucional
të filialit. Ai vepron në momentin kur bashkësia duhet të kalojë nga ruajtja e
një objekti të pasluftës drejt ndërtimit të një strukture të re, pa humbur
kujtesën e asaj që e parapriu. Ky kalim kërkon njëkohësisht ndjeshmëri baritore,
organizim praktik dhe aftësi për të mbajtur të lidhur aktorë të ndryshëm.
Në
përfundim, Kisha “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës, filial i Famullisë
“Lartësimi i Kryqit” në Gllaviqicë, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të
historisë së re kishtare të Kosovës. Historia e saj nuk mund të reduktohet në
kronikën e një ndërtese. Në të bashkohen paslufta, besimi, familja, diaspora,
kujtesa e të vdekurve, veprimtaria meshtarake, përkushtimi ndaj Shën Nënë
Terezës dhe përpjekja për të ndërtuar një institucion që t’u shërbejë brezave
të ardhshëm.
Në
fazën e parë, Dr. Dom Gjergj Gjergji del si figura kryesore e realizimit të
nismës themeluese. Në fazën e dytë, Dom Ambroz Demaj përfaqëson vazhdimësinë
baritore dhe përpjekjen për konsolidim e rindërtim. Midis këtyre dy etapave
qëndron një bashkësi besimtarësh që e ka mbajtur gjallë kishën nëpërmjet
lutjes, kujtesës dhe kontributit, si në vendlindje ashtu edhe në diasporë.
Kjo
vijimësi është ndoshta vlera më e rëndësishme historike e Dugajevës. Ajo
dëshmon se trashëgimia kishtare nuk është vetëm ajo që merret nga e kaluara;
ajo është edhe ajo që një brez vendos t’ia dorëzojë brezit tjetër. Në këtë
proces, Kisha “Shën Nënë Tereza” bëhet një pikë ku historia lokale takohet me
historinë e Kishës universale, ndërsa shërbimi i Dom Ambroz Demajt vendoset në
vazhdën e një misioni që bashkon sakramentin, kujtesën, komunitetin dhe
përgjegjësinë për të ardhmen.
Fusnotat
¹
Dioqeza Prizren–Prishtinë, “Famullia ‘Lartësimi i Kryqit’ – Gllaviqicë”,
Dekanati i Pejës; Dom Ambroz Demaj figuron si famullitar.
²
Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, dokumentacioni i projektit “Kisha
Shën Nënë Tereza”, Dugajevë.
³
Po aty, pjesa mbi ardhjen e Dr. Dom Gjergj Gjergjit në Famullinë e Gllaviqicës
dhe fillimin e ndërtimit.
? Po aty, njoftimi për Meshën e parë më 2
shkurt 2001.
? Po aty, të dhënat mbi kambanat dhe
ceremoninë e 1 shkurtit 2002.
? Po aty, të dhënat mbi lumturimin dhe
Meshën e 13 nëntorit 2003.
? The World’s First Church Dedicated to
Saint Mother Teresa, dokument programor i projektit të Dugajevës; shih edhe
faqen institucionale të projektit.
? Historia e Ndërtimit të Kishës në
Dugajevë, pjesa mbi objektet e paraqitura si relike.
? Selia e Shenjtë, Formula of
Canonization, 4 shtator 2016; Holy See Press Office, njoftimi mbi kanonizimin e
Nënë Terezës.
¹?
Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, pjesa mbi 5 shtatorin dhe Ditën e
Familjes.
¹¹
Kumbona, gusht 2021, “Në fshatin Dugojevë, Famullia e Gllaviqicës kishte festë
të trefishtë”; materiali regjistron Dom Ambroz Demajn si famullitarin aktual.
¹²
Dioqeza Prizren–Prishtinë, “Famullia ‘Lartësimi i Kryqit’ – Gllaviqicë”.
¹³
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Vjetari 2025 i Kishës Katolike në Shqipëri,
Dioqeza e Rrëshenit, f. 111: “Dom Ambroz Demaj (Fidei Donum në Kosovë)”.
¹?
Kumbona, gusht 2021, materiali për njëzetvjetorin e kishës dhe përkujtimin e
Dom Gjergj Gjergjit.
¹?
Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë; The World’s First Church Dedicated
to Saint Mother Teresa, dokumentacioni i projektit të ri.
¹?
Proces-verbal / Takimprotokoll: Ndërtimi i Kishës Shën Nënë Tereza – Dugajevë,
takim online, 13 tetor 2024.
¹?
Proces-verbal / Takimprotokoll: Ndërtimi i Kishës Shën Nënë Tereza – Dugajevë,
23 mars 2025, f. 1.
¹?
Po aty, ff. 1–2.
¹?
Po aty, f. 2; procesverbali evidenton debatin mbi transparencën dhe përfundimin
e takimit pa konkluzione të plota.
²?
The World’s First Church Dedicated to Saint Mother Teresa, pjesa “Financing
Methods and Resource Sources”, f. 25.
²¹
Proces-verbal / Takimprotokoll, 23 mars 2025, të dhënat mbi kontributet e
mbledhura në Kosovë dhe Zvicër.
²²
Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë.
²³
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Vjetari 2025, f. 111.
²?
Kumbona, gusht 2021; Proces-verbal / Takimprotokoll, 23 mars 2025.
²?
Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, të dhënat mbi emërtimin dhe Meshën
e falënderimit të vitit 2003.
Burime
primare dhe institucionale
Dioqeza
Prizren–Prishtinë, “Famullia ‘Lartësimi i Kryqit’ – Gllaviqicë”, regjistri
zyrtar i famullive të Dekanatit të Pejës.
Konferenca
Ipeshkvore e Shqipërisë, Vjetari 2025 i Kishës Katolike në Shqipëri, Dioqeza e
Rrëshenit, Tiranë, 2025, f. 111.
Selia
e Shenjtë, dokumentacioni liturgjik i kanonizimit të Nënë Terezës, 4 shtator
2016.
Historia
e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, dokumentacioni institucional i projektit
“Kisha Shën Nënë Tereza”, Dugajevë.
The
World’s First Church Dedicated to Saint Mother Teresa, dokumenti programor i
projektit të Kishës “Shën Nënë Tereza”, Dugajevë.
Proces-verbal
/ Takimprotokoll: Ndërtimi i Kishës Shën Nënë Tereza – Dugajevë, 13 tetor 2024.
Proces-verbal
/ Takimprotokoll: Ndërtimi i Kishës Shën Nënë Tereza – Dugajevë, 23 mars 2025.
Dokumentacioni
financiar dhe materialet e projektit “Kisha Shën Nënë Tereza”, Dugajevë,
2024–2026.
Burime
periodike dhe literaturë plotësuese
Kumbona,
gusht 2021, materiali kushtuar njëzetvjetorit të Kishës së Dugajevës,
kanonizimit të Nënë Terezës dhe përkujtimit të Dr. Dom Gjergj Gjergjit.
Dielli
Demokristian, nr. 27, Vjenë, dhjetor 2016, materiale mbi Nënë Terezën dhe
Kishën e Dugajevës.







