Ndue Dedaj: “MirditaGraf”

Nga
Ndue Dedaj
“Mirdita”
titullohet botimi më i ri i zonjës austriake Marianne Graf, që vjen pas disa
botimesh të tjera të llojit guidë-album. Personalisht do ta quaja
“MirditaGraf”, pasi prej më se tridhjetë vjetësh, marrëdhënia mes Mirditës dhe
Marianes ka qenë një simbiozë e gjatë dhe e frytshme, si me asnjë tjetër mik
nga Europa.
Është
i njohur kontributi i saj sa i përket ndërtimit të shkollave, qendrave
shëndetësore, atyre sociale etj., por kësaj here duam të nënvizojmë punën e
pazakontë të zonjës Graf për promovimin e Shqipërisë dhe më gjerë, nga Shkodra
në Divjakë, nga Mati në Pukë e nga Mirdita në Grykën e Rugovës.
Edhe
ky botim i ri i saj në shqip, anglisht dhe gjermanisht, më i ploti deri më sot
për Mirditën në këtë rrafsh, me tekste informuese dhe sidomos përmes
fotografive artistike, shpesh të bëra nga ajri, i shërben drejpërdrejt
zhvillimit të turizmit malor, ekoturizmit dhe agroturizmit.
E
veçanta është se Marianne e ka filluar misionin e saj me Rubikun dhe e ka
vazhduar duke u ngjitur në fshatrat më të largët e më të thellë, në terrenet më
të vështira, si Vela, Spaçi, Tranga e Selitës etj., ku ajo ka mundësuar
investime të rëndësishme për komunitetin.
Graf,
kudo në Mirditë, ndërton të bukurën, të dobishmen, atë që iu intereson
banorëve, duke i bërë ata bashkëpunues dhe pjesë të ndryshimit, duke i nxitur
që mos ta lëshojnë vendin e vet, por t’iu rikthehen rrënjëve. I vjen në ndihmë
kësaj ideje dhe “Info-kulla”, pëmes realizimit të projekteve që lidhën me
ringjalljen e traditës, bërjen atraktive të visareve të harruara etj.
Kjo
humaniste e pashoqe iu tregon vendasve të shpërngulur, emigrantëve të shumtë
nga trojet e tyre, si dhe donatorëve dhe vizitorëve të huaj potencialet që kjo
trevë historike ka, çka e dëshmojnë më së miri përshkrimet dhe fotot e këtij albumi,
duke nisur nga lashtësia, ku autorja Mirditën e sheh si “një minierë
arkeologjike” artefaktesh që nga kohërat antike.
Zonja
Graf është e pasionuar pas kullave shqiptare, veçmas atyre të Matit dhe
Mirditës, nga Shulbatri buzë lumit Mat deri në Hebe të Fanit, që iu ka dhënë
hijeshinë monumentale që kishin dikur, por dhe kreativitetin si asete të
turizmit.
Kemi
pasur dhe ne rastin të shtegtojmë bashkë me Marianën nëpër kullat e Mirditës
dhe jo vetëm ato, ku kemi parë përkushtimin e saj ndaj njerëzve të moshuar të
kullave, etnografisë etj.
Në
këtë botim luksoz e kemi të sintetizuar Mirditën natyrore dhe etnokulturore,
nga pikturat shkëmbore, stremat arbrore, reliktet e larmishme - tek objektet
muzeale të dorës së parë, si Kisha e Rubikut, ish-Burgu i Spaçit etj.
Do
të ishte e tepërt të përshkruanim përmbajtjen e këtij botimi, pasi vetë albumi
ka një synim tregues e shpjegues, ndaj ia lëmë lexuesit kënaqësinë ekskursionit
nëpër faqet e tij. Por, papraprakisht, mund t’i themi atij se “Mirdita” e
Marianne Graf ia ka arritur të jetë një udhërrëfyes profesionist, për ta
zbuluar më thellë këtë territor, që mendojmë se e njohim.
Së
fundi, askush pa përvojën e Marianës në terren nuk do të mund ta realizonte
këtë vepër, që zor të ketë një të dytë këtu ndër ne dhe që me siguri që do të
ngjallë interes në institucione publike, zyra shtetërore, shkolla, agjensi
zhvillimi e operatorë turistikë.
Faleminderit
zonja Graf!









