Gjon Marku: Nënë Sanija

Tregim nga Gjon
Marku
Në fshatin ku kishte lindur Mirgeni, kullat
zinin pjesën më të madhe, e tek-tuk ndonjë shtëpi përtrollëse përvidhej mes
tyre. Fshati sikur hapej në gji të malit, majë të cilit mëngjeset merrnin jetë
si një ylber. Nga shkrepat brofnin shqiponjat që, mbasi pushtonin qiellin e
pastër, shigjetoheshin nëpër luginat ku gjendej preja e tyre. Në shpatull të
malit gurgullonte pareshtur uji i kulluar i një gurre, që zbriste turrthi
teposhtë e derdhej në lumë prej një ujëvare të mrekullueshme. Krojet merrnin
jetë nën atë plis të bardhë bore, që shkrinte vonë në pranverë, atëherë kur
brigjeve të përrenjve përhapej aroma e padukshme e manushaqeve, larë me vesë.
Ai ishte i vogël kur kishte dëgjuar për herë të parë për nënë Sanien, që
pothuajse gjithë katundi e thërriste shtriga - e, për më tepër, jo si të gjitha
shtrigat e tjera, po më e frikshmja ndër to.
Ishte koha e rrufeve. Ato i prinin furtunës ndër male, si gjëmim i
qiellit. Zinte shtrëngata. Kur gjumi fillonte t'ia mbyllte sytë, atij i vinte
frikë të flinte, se në ëndërr i dilnin lugetërit. Por shtriga ishte më e
frikshme se secili prej tyre. Ëndërr
arnuar flinte dhe zgjohej në kthetrat e saj.
Nuk kishin kaluar as një muaj nga ditëlindja e tij - sapo
kishte mbushur shtatë vjeç - kur një ditë vjeshte, bashkë me të atin, pa e
ditur fare se ku po shkonte, u gjend te shtëpia e saj. I shoqi i saj akoma
jetonte atëherë: një plak me kokën e bardhë si bora, me njërën dorë të vetme,
se tjetrën - siç i kishte thënë i ati - e kishte këputur duke gjuajtur peshk me
dinamit në lumin që rridhte përfund livadheve. Plaku e kishte afruar Mirgenin
pranë vetes dhe i kishte dhënë të hante petulla me mjaltë. Vetë shtrigën nuk e
pa atë ditë, se nuk ishte në shtëpi - dhe e kishte marrë vesh se kishte qenë në
shtëpinë e shtrigës, vetëm pasi kishte ikur prej saj
Kur u kthye, u tregoi shokëve se ku kishte qenë me të atin, e ata
menjëherë e pyetën:
- Po shtriga, e pe?
Nuk dinte ç'të thoshte, kështu që filloi t'u tregonte për plakun
dorëkëputur që i kishte dhënë petulla me mjaltë.
- Ia ka këputur dorën shtriga, - tha njëri prej shokëve, si të mos
kishte asnjë dyshim.
S'i ra rasti të shkonte më andej, derisa arriti në klasën e pestë. Në
atë kohë i vdiq plaku, dhe nënë Sania mbeti e vetme, pa asnjë njeri, në atë
shtëpi të vetmuar mes pyllit të dendur, aty ku, në fund të disa livadheve të
pakositura, rrëshqiste si një bollë e madhe lumi. Në të djathtë të tij, një
përrua përplaste ujin nëpër shkëmb, duke krijuar një ujëvarë të mrekullueshme.
Por askush nuk shkonte deri atje - të gjithë i frikësoheshin nënë Sanies.
Ujëvara, pra, dukej sikur i përkiste vetëm asaj. Një gardh me hunj të lartë e
rrethonte shtëpinë, dhe brenda saj nënë Sania mbante dy qen të mëdhenj që nuk
linin gjë t'i afrohej.
Mirgeni rritej, dhe bashkë me të shtoheshin edhe historitë e tmerrshme
rreth shtrigës. Pas çdo vdekjeje në katund, thoshin se ajo ia kishte
"ngrënë shpirtin shtriga". Kështu, në kokën e tij fëminore, ajo mori
formën e një hijeje, të një fryme, të një ëndrre pa trajtë të qartë - një
tymnajë që shndërrohej herë në një gjë e herë në një tjetër. Si hije,
mesnatave, i shfaqej kryembokës, në atë udhë të ngushtë që të çonte drejt
shtëpisë së saj.
Një ditë dimri, duke kaluar andej me të ëmën, kjo e fundit i tha se do
të ndalonin te nënë Sania. Ai, i tërhequr nga frika, pyeti me nguti:
- Tek ajo shtriga?
- Mos
fol ashtu! - i kishte thënë e ëma, - ajo është një grua e shkretë që jeton e
vetme që kur i ka vdekur i shoqi. S'i ka bërë keq askujt, biri im, ajo thjeshtë
është një grua fatkeqe.
Biseda u ndërpre dhe ai nuk tha më asgjë. U ndalën te shtëpia, por ajo
nuk ishte aty. "Kushedi ku ka vajtur e shkreta," tha nëna, ndërsa
qentë turreshin t'ia shqyenin gardhin. Kështu, atë ditë, Mirgeni nuk e pa nënë
Sanien, dhe në përfytyrimin e tij ajo mbeti përgjithmonë shtriga, që nuk linte
gjë pa bërë.
Një ditë tjetër, sapo u kthye nga shkolla, e ëma - pasi i vuri përpara
një pjatë me mish derri të pjekur, se në shtëpi kishin therur derrin, siç ishte
zakon i atyre anëve në prag të Krishtlindjeve - i tha të shkonte deri te nënë
Sania e t'i çonte një pako mish. Ai kundërshtoi, por e ëma iu lut, dhe ai, edhe
pse i friksuar deri në palcë, u nis drejt shtëpisë së saj. Gjithë rrugës i
lutej Zotit që ajo të mos e hante me gjithë rroba.
Vrapoi teposhtë drejt lumit, që vërshonte i zemëruar; në breg përhapej
shkuma e bardhë, shkëmbinjve përplasej stuhia, shtratit të lumit era bridhte e
lirë, ndërsa pemët e zhveshura, si skelete, rënkonin nën turrin e saj. Kaloi
pranë ujëvarës, nëpër një urë të vogël, dhe arriti te porta e saj. Dy qentë u
turrën vrullshëm drejt gardhit, prej nga ai thirri nënë Sanien. Ajo doli, u dha
urdhër qenve të pushonin - dhe ata heshtën menjëherë, sapo dëgjuan zërin e saj
- pastaj u drejtua drejt portës.
Mirgeni dridhej i tëri, aq sa kishte harruar pse kishte ardhur, dhe në
vend që ta përshëndeste, iu lut të mos i bënte keq. Në buzët e saj kishte zënë
vend një buzëqeshje e ftohtë, si brymë; vetullat i kishte ngrysur si një muzg
me re.
Ai me
tërthoren e shikimit të tij shihte çdo lëvizje të saj.
- I kujt je ti? - e pyeti. Ai i zgjati qesen me mish.
- Ma dha nëna për ty. Babai ka therur një derr, - tha me gjysmë zëri.
- Hajde, të pastë nëna, - kishte thënë ajo edhe pse ai kishte dashur të
ikte një minutë e më parë. E kishte marrë përdore dhe e kishte futur në
shtëpinë e saj.
I hutuar dhe i frikësuar, sytë e Mirgenit shkonin nëpër çdo cep të
shtëpisë, duke pritur të shihte ndonjë gjurmë magjie. Unët kryqëzoheshin në
votër.
Në cep të murit, mbi truallin e pashtruar, kishte një buburrecore prej
nga dilnin e hynin milingona njëra pas tjetrës. Në cepin e dhomës, gjendej qysh kur ai kishte
qenë këtu për herë të parë, edhe kur i shoqi ishte ende gjallë, një arkë e
vjetër mbuluar me një mbulesë të qëndisur. Era oxhakut, ulërinte pa ndarë.
Ajo vuri mishin në një kupë prej dheu, hapi kapakun e arkës dhe nxori
prej andej një pjatë me petulla e një filxhan me mjaltë, që ia vuri përpara.
Mirgenit iu kujtuan petullat që i kishte dhënë burri dorëkëputur, vite më parë.
"Vallë që atëherë i ka ruajtur petullat e mjaltin aty brenda?"
mendoi.
Nuk kishte oreks të hante; tha se kishte mësime dhe se duhej të ikte, se
ishte pasdite dhe mund ta zinte nata. U ngrit të largohej; nënë Sania e
përcolli deri te porta e jashtme. Sapo doli, ai ia dha vrapit, që ajo të mos
mund ta zinte, edhe pse s'e ndiqte njeri. Sa herë kthente kokën mbrapa e shihte
të palëvizur në portë, aq më shumë frikësohej. Nata po afrohej. Ndërsa ai
vraponte edhe pasi ajo shtepi nuk shihej më.
Shpesh kthente kokën mbrapa dhe shihte mos e ndiqte, e sa më shumë e
kthente kokën mbrapa, aq më shumë frikësohej.
Vitet ikën, ai u rrit, mbaroi edhe shkollën e mesme, por asnjëherë nuk i
rastisi të kthehej andej, ndonëse imazhi i saj i vinte ndër mend herë pas here.
S'kishte ditë që të mos qarkullonte ndonjë histori e re: "E kanë parë tek
ujëvara duke u larë, e krehur, lakuriq, vetë e treta," thoshte dikush.
Dikush tjetër fliste për një natë me bubullima, kur gjoja e kishin parë të
fluturonte nëpër re. Dhe kështu me radhë, përralla mbi përralla.
Në një nga pushimet verore të universitetit, në fund të korrikut, në
shtëpi erdhi një grua së cilës dhelpra ia kishte ngrënë pulat. Ajo pohonte se
dhelprën ia kishte lëshuar në qafë "shtriga Sanie", dhe kushedi çfarë
nuk sajonte tjetër.
Kur ajo iku, Mirgeni u ul pranë së ëmës dhe e pyeti hapur për historinë
e vërtetë të nënë Sanies.
- Ajo u martua këtu me burrin e saj, që ishte pa nënë e pa baba, -
filloi ti tregonte e ëma.
- Ai e solli nga kurbeti, dhe ajo s'kishte ku të kthehej më. Ishte e re
dhe e bukur, por nuk përshtatej dot me zakonet e vendit tonë. Jetuan bashkë
disa vite pa lindur fëmijë, dhe kur ajo s'i kishte mbushur ende dyzet vjeç,
mbeti e vejë, e vetme, në brigjet e atij përroi. Eh, e shkreta, sa ka
vuajtur... Mos e lëntë Zoti njeriun pa njeri.
- Akoma i mban bletët që ia la i shoqi, dhe ata dy qen. Tokën e mbjell
si mundet, jeton si mos më keq. Ajo e di vetë ç'ka hequr, e ngrata - motër pa
vëlla, e pa derë prindërish. Koha e bëri kështu, dhe gojët e liga s'i lanë gjë
pa përfolur: e bënë shtrigë, i sajuan përralla. Burra pa personalitet janë
munduar t'i bëjnë të zezën, por shumica s'kanë mundur, se ajo është ruajtur me
çdo mënyrë. Nuk ka dashur ta provojë shijen e mëshirës së askujt. Qentë e saj
shqyejnë tokën - gjithnjë ka mbajtur qen të frikshëm, që kur prej tyre gjeti vdekjen
Daut Gjini, i cili iu ngjit nga mbrapa kur ajo mbeti e vejë. Ajo ua lëshoi
qentë, dhe ata e shqyen; nuk jetoi shumë pas kësaj...
Po atë ditë, i ati theri një dash, se i vëllai kishte ditëlindjen.
- Merre këtë kofshë dashi e çoja nënë Sanies! - i tha e ëma.
Kështu bëri. Ishte pika e zhegut; qielli qelibar digjej, sukat zverdhnin
nga etja, lisat thaheshin në këmbë, hardhucat rrëshqisnin fshehur gardhiqeve, e
shpendët e malit gugatnin pa gjuhë nëpër çerdhe.
Mirgeni vrapoi drejt shtëpisë së saj dhe, meqë një shteg i ngushtë mes
shkëmbinjve kalonte pranë ujëvarës, ai, ashtu veshur me pantallonat e tij të
shkurtra, nëpër atë diell përvëlues ashtu gjysmë lakuriq, i ishte afruar
ujëvarës.
Mbi të gjitha donte që të shihte sërish bukurinë e saj. Ishte ndalur në
majën e një shkëmbi, ku kishte nisur të zhvishej, por kur kishte vështruar
andej, kishte parë se dikush lahej në pellgun me ujë. Ishte fshehur mbrapa
shkurreve dhe kishte vështruar atje poshtë, - dhe kështu pa nënë Sanien,
lakuriq, lahej e vetme në pellgun ujëkulluar.
Priti aty, i palëvizur, i turpëruar që kishte parë atë çast krejt të
saj, deri sa ajo doli nga uji, u tha, dhe filloi të krihte flokët e lagura, e
qetë, si dikush që s'e dinte fare se po e vështronin. Mirgeni u tërhoq ngadalë
e në heshtje, me ndërgjegjen që i thoshte se s'kishte të drejtë të ishte aty. E
mori shtegun tjetër, larg pellgut, drejt shtëpisë së saj, me fytyrën ende të
skuqur nga siklet. Pasi ishte
tharë mirë e mirë kishte marrë udhën për nga shtëpia e saj. "Vërtet ajo u
laka lakuriq në ujëvarë", kishte menduar Mirgeni një moment. Kishte
vrapuar nëpër shkurre, por ajo e kishte parë dhe i kishte thirrur.
I ishte
dridhur zemra prej frikës, po sikur ajo ta përpinte e ta zhdukte nga dheu.
- Përse erdhe kaq papritur? - e pyeti ajo beftë.
- Si je, nënë Sanie?
- Mirë jam. Po ti, si i ke?
- Ke
ardhur të lahesh?
- Jo,
unë erdha për ty.
- Ke
kohë që ke ardhur?
- Jo,
unë tani sapo erdha.
- Deshe
të lahesh tek ujëvara?
- Jo, erdha
të të sjell pak mish, ne kemi ditëlindjen e vëllait të vogël, kështu që babai
preu një dash dhe nëna më dha këtë qese për ty.
Një drithërimë ia përshkoi trupin, kur i shkoi ndër mend se ajo mund ta
kishte kuptuar se çfarë kishte pare ai tek pellgu - ata që thonin se ishte
shtrigë, mund ta dinte. Por fytyra e saj s'tregonte asnjë shenjë të tillë.
- Në çfarë viti je tani, në universitet? - e pyeti ajo, si për të
ndryshuar bisedë.
- Kam mbaruar vitin e dytë.
- Hajde, futu brenda, se drekë është, dhe rrugën e ke bërë nëpër diell e
ti duhet të pushosh pak, prandaj hajde brenda.
Ai kundërshtoi lehtë, por ajo s'e dëgjoi dhe e futi brenda. Sikurse
herën e parë, sytë i shkonin nëpër çdo cep të shtëpisë. Ajo u fut për pak në
dhomën ngjitur, të fjetjes dhe
po ndërrohej. Nëpër plasat e derës ai e kishte parë atë të zhvishej lakuriq.
Kishte dashur t'ia jepte vrapit përjashta, por ajo që nga dhoma e saj i
kishte thirrur si të kishte kuptuar mendimin e tij.
- Erdha,
erdha, mos u mërzit.
Pasi ishte ndërruar e kishte veshur rrobat e reja, kishte dalë e veshur
si për festë me një fustan të hollë e të bukur.
U drejtua nga arka e saj, në fund të dhomës, dhe hapi kapakun. Mirgeni
mendoi se do të nxirrte prej andej sërish pjatën me petulla dhe filxhanin me
mjaltë. Ndoshta i ruan me
magji aty që nga koha kur i shoqi ishte gjallë.
Por ajo u kthye nga ai me kapakun e arkës ende të hapur.
- A ke
gjetur ndonjë shoqe? - e kishte pyetur ajo në një mënyrë të beftë.
Mirgeni u hutua. Askush s'e dinte se ai ishte i sapodashuruar - as
familja, as shokët. Për një çast e kaploi mendimi se ajo, si me ndonjë të
fshehtë të vetën, mund ta kishte marrë vesh. Çfarë
të thoshte edhe po ta gënjente ajo si shtrigë, magjistare mund ta dinte të
fshehtën e tij. Ai sapo e kishte gënjyer një herë. Po ç'i duhej asaj e dashura
e tij. Por
s'kishte pse t'ia fshihte; ishte thjesht pyetje e sinqertë, e një gruaje që
s'kishte askënd t'i tregonte gëzimet e veta e po e pyeste atë.
- Po...
kishte lëshuar ai një "po" të zgjatur, pa mundur të ishte e qartë
nëse ajo "po" e tij thoshte po, apo ai po mendohej dhe kishte lëshuar
një po, prapa së cilës do të gjente fjalët e tjera që t'ia thoshte asaj.
Ajo e
mbylli arkën pasi mori një
kuti të vogël prej druri, të gdhendur me kujdes. dhe
u fut sërish në dhomën e saj. Mirgeni nuk e mori vesh se çfarë bëri, pse ishte
hutuar e nuk e kishte përgjuar sërish nëpër të çarat e derës.
- Hajde
Mirgen, - kishte thirrur ajo prej andej, e Mirgeni ishte hutuar fare, po sikur
ajo të jetë rizhveshur. Ai e kishte parë trupin e saj të lakuriqtë që lahej në
ujin e ujëvarës për më se një orë, pastaj kishte pritur derisa ajo e veshur
kishte tharë flokët. E kishte riparë lakuriq tek ndërrohej aty, në atë dhomë, e
tani ajo po e thërriste të futej aty ku nuk kishin mundur të futeshin burrat më
plangprishës të moshës së saj. Mirgeni ishte ngritur në këmbë dhe kishte dashur
t'ia jepte vrapit, por ishte kujtuar se jashtë ishin dy qentë që shqyenin
tokën, e menjëherë në kokë i kishte kaluar historia që kishte treguar e ëma për
Daut Gjinin që kishte dashur të provonte e të prekte lakuriqësinë e saj. Po
kishte vdekur jo shumë kohë pasi e kishin kafshuar qentë. Si t'ia bënte?
- Hajde,
hajde Mirgen!
Po
tjetri nuk po luante nga vendi, kështu që ajo ishte ngritur dhe kishte hapur
derën duke i thënë;
- Hajde
Mirgen, pse nuk vjen?
Ai
kishte hedhur disa hapa drejt dhomës, e pasi ishte futur aty, kishte parë nënë
Sanien që kishte hapur kapakun e arkës së vogël. E hodhi vështrimin dhe një
herë mbi fytyren e Mirgenit buzëqeshi
lehtë, buzëqeshjen e parë të vërtetë që ai i kishte parë ndonjëherë, në fytyren
e saj dhe nxori nga kuti e vogël prej druri, të gdhendur me kujdes një varëse
të bukur.
- Zoti mua nuk më fali as vajzë, as djalë, - tha, dhe zëri i ndryshoi, u
bë më i ulët, më i largët. - Koha më ka rrëshqitur nën duar si gjarpërinjtë
nëpër gurë. Nuk e di cili qe ai kob që përshëndeti tinëzisht fatin tim të mjerë.
Pastaj filloi t'i tregonte historinë e saj të dhimbëshme - jetën në
vetmi, ulërimat e bishave të malit që i dëgjonte çdo natë, netët e gjata pa
asnjë zë njeriu.
- Prapa gardheve, netëve të tërbuara, përvidhej si bishë e uritur
pabesia, biri im. Njerëzit e ligj s'lanë gjë pa thurur për mua, të mjerën. Nëna
jote gjithnjë dërgonte dikë e më kujtonte - zoti ju lashtë, ju priftë e
mbara... Kjo është një varëse
që ma pati dhuruar im shoq, e me të ma theu e vodhi zemrën. Isha
shtatëmbëdhjetë vjeçe e pa pyetur as nënë e as babë, ika me të e erdha këtu.
- Merre, e falja shoqes tënde. Sa herë ta puthësh, kujtoje nënë Sanien e
shkretë - njeri pa njeri, që kurrë s'i bëri keq askujt, dhe që në këtë jetë nuk
la mjerim pa provuar.
Dy lotë, si kristal, i rrëshqitën nëpër faqe.
Mirgeni u afrua dhe e përqafoi, ngadalë, me dhembshuri, si të përqafonte
një gjë të brishtë që kishte frikë ta thyente. Ajo qëndroi pa lëvizur në krahët
e tij, e habitur nga vetë ai gjest, se s'kishte provuar prej vitesh një
përqafim njeriu, dhe për një çast, zemra e saj, e ngurtësuar prej vetmisë,
ndjeu diçka që i ngrohte shpirtin.
- Merre,
Mirgen, - i tha përsëri, ndërsa e shoqëronte drejt derës. - Dhe kur t'i kesh
fëmijët, kur të rriten, tregojuani historinë e vërtetë të nënë Sanies. Pa ua
futur frikën.
***
Ishte mes dimri kur e lajmëruan se kishte
vdekur nënë Sania. Era qante si vajtojcë. Krojet gurgullonin pikëllim, dhe bora
binte e heshtur mbi shtigjet që dikur ai i kishte njohur me frikë e me
kureshtje njëherësh.
Mirgeni mbërriti prej qytetit studenti tek varret në momentin e fundit,
sa për të hedhur një grusht dhe mbi arkivolin e saj, Rreth varrit, disa gra të
moshuara flisnin me zë të ulët - ende për shtrigat, ende për magjitë, sikur as
vdekja s'ua kishte marrë atyre gjuhën e liga. Ai i dëgjoi, dhe për herë të parë
ndjeu jo frikë, po një zemërim të qetë, të thellë, ndaj asaj padrejtësie që i
kishte ndjekur nënë Sanien gjithë jetën, deri edhe në varr.
Nuk foli. Vetëm u afrua edhe një herë te vorri i saj i freskët, dhe në
heshtje i premtoi vetes atë që ajo ia kishte kërkuar - ta tregonte historinë e
vërtetë, jo atë të shpifur, kur t'i vinte dita.
Në kthim, kaloi pranë lumit të ngrirë pjesërisht, aty ku ujëvara tani
rridhte më ngadalë, e mbuluar nga akulli anash shkëmbinjve, si e ngrirë edhe me
pikëllim. I kujtohej ende hija e saj që kthehej mesnatave kryembokës, ashtu siç
e kishte parë në sy të fëmijës që ishte dikur - por tani, ajo hije kishte marrë
fytyrë, kishte marrë zë, kishte marrë dhimbje.
"Eh, nënë Sanie," mendoi, "të përplasi jeta, siç
shkëmbinjve e përplas stuhia një zog, dhe me të u përleshe pafundësisht -
vetëm, gjithmonë vetëm, deri në fund."
Ai u kthye në shtëpi atë natë me një peshë të re në gji - jo më frika e
fëmijërisë, po diçka tjetër.
- Merre, Mirgen, - ju bë se i tha përsëri, ndërsa kthehej për në shtëpi.
- Dhe kur t'i kesh fëmijët, kur të rriten, tregojuani historinë e vërtetë të
nënë Sanies. Pa ua futur frikën.


