Llesh Ndoj: Duke “shfletuar” enciklopedinë e gjallë “Dodë Pjetraj”
DUKE “SHFLETUAR” ENCIKLOPEDINË E GJALLË, “DOD? PJETRAJ”
-
Në vend të një urimi për librin e tij -

Na
ndodh shpesh, sidomos në moshë madhore dhe atë që njihet si “mosha e tretë”, të
reflektojmë me vete rreth ngjarjeve, fakteve, domethënies së atyre që kemi
dëgjuar, parë e jetuar, dhe jo rrallë t’i drejtohemi bibliotekave, për të
gjetur diçka që na ndihmon të japim një përgjigje mbi pikëpyetjet që kemi
akumuluar. Shkencëtarët arkeologë, “gërmojnë” nëntokën, për të kuptuar çka
ngjarë në mbitokë në periudha të ndryshme, e ata gjeologë po ashtu, prej saj
vijnë në konkluzione rreth të djeshmes e perspektivës. Është kjo një rrugë e
bukur, por jo e mundur për të gjithë, e jo kurdoherë gjejmë lehtësisht përmes
saj materiale të tilla që nevojiten, sepse ato ose nuk janë shkruar nga padija
vendase, e nga dashakeqësia e qëllimtë e sundimtarëve shumëshekullorë, ose janë
duke fjetur në gjumin e tyre letargjik në Vatikan e Stamboll, ose edhe janë
djegur nga barbaria jonë dhe të paktën në këtë fushë, e meritojmë plotësisht
tipizimin “barbari”, në kuptimin e plotë e të parë të kësaj fjale.Ndërkohë që
në rini, duke i konsideruar si të pavlera apo duke i marrë si të përjetshëm
ata, pak i kemi dëgjuar fjalët e më të moshuarve e njerëzve, që shkolla e jeta i
kishin bërë më të ditur, në brezin e sotëm “janë rralluar lisat” prej të cilëve
mund të mësosh në pak fjalë, sa në një cikël të plotë universitarë.
I
tillë, një encikopedi e gjallë, apo një bibliotekë lëvizëse, është në gjykimin
tim edhe inxhinieri i ndërtimit, konstruktori i fjalës dhe burimi i pashtershëm
i njohurive të thella, sa shkencore, po aq edhe tradicionale e popullore, i
nderuari ing. Dodë Pjetraj.
Të
rrish e të bisedosh me të, patjetër do të ndahesh prej tij me një pikëpyetje më
pak në mendje, por edhe me një dëshirë për t’u thelluar e zgjuar të tjera
pikëpyetje, në pritje të takimit të radhës me inxhinierin, ndërsa të lexosh
prej tij, qoftë edhe poezi, por edhe artikuj me përmbajtje shkencore të një
fushe që s’të përket, si fjala vjen ndërtimi për mua, në mendje të mbeten
fjalët e këshillat e tij, pasioni për t’a rrokur në një gjithë universalitetin
e jetës, sepse Doda zotëron veç të tjerash edhe një “pedagogji” të
vetëkultivuar, që e thjeshton dhe e bën të përvetësueshme çdo fjalë a kumt që
të vjen prej tij. Nga ana tjetër ai është sot, besoj unë, përfaqësuesi më tipik
i zgjuarsisë mirditore, kuventar që traditës i ka shtue dije të kultivuara si
pakkush tjetër, që ka një përgjigje “hazërgjevapë” për çdo situatë ku gjendet,
të përshtatshme për nivelin e bashkëbiseduesit të vet, apo të rrethit të
njerëzve që gjenden aty, njeriu intelektual që njeh në detaje shkencën e
folklorin, kangën e vajin, veshjen e batutën, fjalën e dretpërdrejtë e atë
“kodra pas bregut”, të folurën “burrash“ e atë lakonike, ku tjetri “le të marrë
ça mundet e ç’i mban ena”.
Njohja
ime me Dodën është e hershme, por bashkëpunimi me të, edhe për shkak të fushave
të ndryshme të punës e profesionit, ka qenë i paktë. U njohëm kryesisht në
udhëtimin e hershëm politik në fillimin e viteve dymijë, atëhere kur kujtuam se
mund të kontribonim për një “rend të ri”, por u “takuam bashkë” më kandshëm tek
një pasion i përbashkët, qe ishte letërsia, e cila ka lindur me misionin e
“takimit” edhe të atyre që s’i ke bashkëkohës, bile as bashkëkombas, ku edhe
pse jemi të dy “amatorë”, nga Doda ke çfarë të mësosh edhe në këtë fushë.

-
Po titullin si do ta ketë libri yt?
-
Pesëkëndëshi, - tha ai, pa mëdyshje.
Duke
mos e kuptuar mire, e ripyeta dhe ai ma ripërsëriti të njëjtën fjalë:
“Pesëkëndëshi”. Bile edhe e imtoi pak, duke më folur për pozicionin urban të
kullave mirditore, që vendoseshin në formë trekëndore ose pesëkëndore, për të
cilën ai më shpjegoi edhe pse - në, apo dhe pesë “kolonat” mbi të cilën ai e ka
mbështetur paraqitjen e librit të vet në formim.
Mezi
e prita leximin e materialit, rileximin e tij në përpjekje për t’a sistemuar si
libër e përsëritjen së dyti e së treti, sa me dëshirë, aq nga nevoja për
qëllimin e vënë të përgatitjes së librit, apo ardhjes së brumit të gatshëm për
në furrë, gjë që m’a “çimentoi” me markat më të larta bindjen e kahershme për
sa theksova në hyrje të këtij shënimi. Nga libri në fjalë i Dodës, pesëkëndshi
i tij, në çdo pikë që të vendosesh, të jepet mundësia të vështrosh katër të
tjerat dhe tërësinë e tyre, duke e dashuruar kësisoj më shumë edhe Mirditën
tonë, kullën e madhe shpirtërore të çdo mirditori, me pasuritë e saj minerare,
kulturën e traditën ndërtimore, mënyrën e jetesës, kulturën shpirtërore,
veshjet, këngën, vajet, zgjuarsinë, fjalën e mençur, traditën e mikpritjes,
kulturën e kuvendimit e shumëçka tjetër.

I
interesuar për disa nga fushat që autori trajton në libër, sidomos për aspektet
kulturore e të traditës mirditore, e them me plot bindje se sa nga Doda e si
prej Dodës, zor të mësosh nga dikush tjetër. Kjo, pa asnjë dyshim, për cilësitë
e tij individuale shumë universale, por edhe si një trashëgimtar i prindërve e
gjyshërve me shumë emër, gjë që vjen bukur edhe në këtë libër, por edhe si
pinjoll i një zone plot me tradita të bukura, siç është Kthella mirditore, e i
një fshati të shquar për intelektualizmin e vet, Malajt e Epër, që po ashtu
pasqyrohet në pesëkëndshin e inxhinier Dodës. Gjithshka për t’u lexuar me
kënaqësi, shumë për të mësuar, e sigurisht për të pasuruar bibliotekat
personale e ato publike me nga një copë Mirdite sade.
Si
i privilegjuar t’a kem njohur materialin e këtij libri në detaje që në
formësim, kam nderin t’ju ftoj t’a bëni atë tuajin, t’a lexoni e rilexoni, i
bindur se ky lexim do t’u çelë dritare të reja njohje e pamje të tjera të
shikuarit me dashuri, të Mirditës sonë pastërtisht shqiptare.
Gjithçka
më lart u tha për lexuesit, ndërsa për autorin mjaftojnë dy fjalë: Urime Dodë
Pjetraj!









