Lazim Miftari: Kënga e femrës shqiptare

2h më parë

KËNGA E FEMRËS SHQIPTARE


Nga Lazim Miftari


Në oborr të blertë, lule e bardhë,

Sytë nga qielli, shpresë e pashuar,

Me ninulla rritet, si filiz i gjallë,

Vajzë shqiptare, shpirt i kulluar.


Me këngë dasme e valle në prag,

Urë mes shtëpive, me bukë e derë,

Sjell dritë e hijeshi, si dielli nga larg,

Nuse shqiptare, me nder, me vlerë.


Me djersë pune e zjarr në oxhak,

Shtëpinë mban me plot dashuri,

Qëndron kudo me zemër e gjak,

Grua shqiptare, shtyllë në shtëpi.


Në djep këndon me fjalë e urim,

Me lotin e këngës, nën hijen e lisit,

Fëmijët i rrit me shpirt e durim,

Nëna shqiptare, krenari e fisit.


Me flokë të bardhë, si bora në mal,

Gjyshe e urtë, me kujtesë të brezit,

Përcjell legjenda me fjalën e gjallë,

Dritë e agimit e këngë e mëngjesit.


Çoi djalin në luftë, ia preku flokët,

I tha dy fjalë nën dritë të hënës:

"Nëse tradhton trimat dhe shokët,

Haram të qoftë qumështi i nënës!"


Mbrojtëse e pragut, fuqi e shenjtë,

Nënë Loke e madhe -  hijen e fortë,

Bekim e mallkim, dorë e shtrenjtë,

Ruan kombin tonë si gur mbi portë.


Me besë burrërie e me fjalë të fisit,

Burrnesha jonë, sakrificë e gjallë,

Mban nderin fort si rrënjët e lisit,

E patrembur, si shkëmb mbi valë.


Me pushkë në dorë, flakë e zjarrit,

Luftëtare e rreptë, trimëri pa fund,

Guximi i saj, është tmerr i barbarit,

Me gjak të lirisë, tokën e lëkund.


Me guxim të madh e me mençuri,

Udhëheqëse, me flamur në dorë,

Popullit i prin me krenari e fuqi,

E mban të gjallë, si malin me borë.


Me libër në dorë, me dritë si vesë,

E arsimuar dhe e pastër si qielli,

Ndriçon udhën me plot shpresë,

Hap shtigje të larta si rreze dielli.


Në shekuj që shkuan e ata që vijnë,

Me nder, me besë e zemër bujare,

Femra shqiptare në çdo stuhi prin:

Kënga për ty, krenari kombëtare.


Lazim Miftari

Prishtinë, 10 Qershor 2026


Imazh i gjeneruar me AI (ChatGPT / OpenAI)